Nga Fatos Tarifa
Taulant Balla mblodhi sot me urgjencë grupin parlamentar të Partisë Socialiste për të përjashtuar nga ky grup deputeten socialiste Elisa Spiropali.
U interesova të mësoj si ndodhi ky përjashtim dhe si u motivua ai. Dëgjova taulantin t’u jepte një grupi gazetarësh këtë shpjegim: “çështjet e brendshme të grupit parlamentar nuk janë objekt diskutimi në publik”, vendimi u mor “fjalë për fjalë sipas statutit dhe rregullores”, “nuk kam koment”.
Pyes: Që kur jeta politike e një grupi parlamentar, të përbërë nga përfaqësues të zgjedhur të popullit, konsiderohet çështje private e drejtuesve të tij? Që kur e drejta e publikut për t’u informuar mbi veprimtarinë e përfaqësuesve të vet varet nga vullneti apo interesat e atyre që ushtrojnë pushtetin? Në një demokraci parlamentare, transparenca nuk është një koncesion që pushteti i bën qytetarit, por një detyrim që buron nga vetë natyra publike e mandatit përfaqësues.
Si u katandis në këtë derexhe Partia Socialiste! Në ç’duar ka rënë drejtimi i saj! Në duart e një monstre politike, siç është kryetari i kësaj partie, që nuk ka asgjë të përbashkët me idealet e socialistëve të vërtetë shqiptarë; të një taulanti, i cili më kijton Simon Stefanin, që i shërben kryetarit të vet me zellin e një xhandari dhe devotshmërinë e një vasali; dhe të një grushti njerëzish që, duke sakrifikuar dinjitetin e tyre politik e njerëzor në altarin e besnikërisë ndaj një individi, janë bërë bashkëfajtorë në këtë barbari me fytyrë “socialiste”.
U interesova të mësoj se çfarë u diskutua në atë mbledhje të grupit parlamentar socialist. Cilët deputetë morën fjalën dhe çfarë thanë? Me ç’argumente u përligj përjashtimi i koleges së tyre? Cilët e mbështetën atë vendim dhe cilët e kundërshtuan? A iu dha mundësia vetë deputetes Spiropali të dëgjohej, të shpjegonte qëndrimin e saj dhe të mbrohej përpara kolegëve
Absurdi i kësaj ngjarjeje shkon përtej të imagjinueshmes. Grupi parlamentar socialist u mblodh jo për të diskutuar e për të marrë një vendim, por thjesht për të ekzekutuar një vendim të marrë paraprakisht nga Edi Rama. Vetë znj. Spiropali nuk ishte njoftuar për të marrë pjesë në mbledhjen ku do të vendosej për përjashtimin e saj. Asaj iu mohua kështu edhe e drejta më elementare që i njihet çdo individi ndaj të cilit ngrihet një akuzë: të dëgjojë akuzën dhe të mbrohet. Ose, së paku, të thotë fjalën e vet.
Vendimi për përjashtimin e znj. Spiropali është, në gjykimin tim, një tjetër akt banditesk i kryetarit të Partisë Socialiste dhe i taulantit që drejton grupin e saj parlamentar. Një akt thellësisht antidemokratik, i kryer tinëzisht, pas shpine, me arrogancën që të jep pushteti dhe me ligështinë që të dikton frika. Një akt që dëshmon jo forcën e atyre që e ndërmorën, por dobësinë e tyre morale dhe politike. Një akt frikacakësh. I pabesë.
Frikë nga një grua që, pavarësisht gjithçkaje, ka pasur dhe vazhdon të ketë guximin t’ua thotë në sy kryetarit të partisë dhe kolegëve të saj deputetë disa të vërteta të hidhura. Frikë nga shembulli që mund të japë ajo dhe nga ndikimi që guximi i saj mund të ketë te deputetët e tjerë socialistë.
Sepse, në një mjedis politik ku heshtja është bërë normë sjelljeje dhe bindja ndaj eprorit komsiderohet si virtyt, pavarësia e mendimit perceptohet si rebelim, ndërsa guximi moral si kërcënim ndaj autoritetit. Në një mjedis të tillë, guximi i një individi mund të zgjojë ndërgjegjen e shumë të tjerëve dhe të thyejë konformizmin kolektiv. Ashtu si frika, edhe guximi mund të jetë ngjitës.
Të përjashtosh një deputete pa e njoftuar, pa e dëgjuar dhe pa i dhënë mundësinë të mbrohet, do të thotë të nëpërkëmbësh jo thjesht rregullat e procedurës parlamentare, por vetë parimet e demokracisë, të zhveshësh institucionin nga autoriteti i tij moral e politik dhe ta zëvendësosh legjitimitetin institucional me arbitraritetin e pushtetit personal.
Ç’kuptim ka parlamentarizmi për ata që, si Rama dhe taulanti, nuk respektojnë, as brenda grupit të tyre parlamentar, një nga parimet më elementare të demokracisë: të drejtën e çdo deputeti për të shprehur lirisht mendimin e vet dhe për t’u dëgjuar? Ç’kuptim ka mandati i një deputeti nëse e drejta e tij për të folur varet nga vullneti i kryetarit të partisë?
Vetë kuptimi historik dhe filozofik i parlamentarizmit qëndron në forcën e argumentit, jo të pushtetit, në pjesëmarrjen e lirë në vendimmarrje, jo në nënshtrimin.
Parlamentarizmi demokratik presupozon jo bindjen e përfaqësuesve ndaj një autoriteti, por ballafaqimin e lirë të mendimeve dhe formimin e vullnetit kolektiv përmes debatit. Pa këtë, parlamenti mund të ruajë formën e vet institucionale, por humbet përmbajtjen e vet demokratike. Kujtesa historike na sjell ndër mend Kuvendin Popullor të periudhës së socializmit shtetëror, ku votimi nuk shërbente për të formuar vullnetin kolektiv të përfaqësuesve të popullit, por për të sanksionuar formalisht vullnetin e diktatorit.
Edhe në një proces gjyqësor ndaj një individi të akuzuar për krimet më të rënda, atij i njihet e drejta për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur. Madje, edhe në procese gjyqësore me vendime të paracaktuara, të akuzuarit mund t’i lejohet të flasë, qoftë edhe për të ruajtur fasadën e drejtësisë. Me ç’moral politik dhe me ç’logjikë demokratike mund t’i mohohet një deputeteje, nga vetë kolegët e saj, një e drejtë kaq elementare? Në këtë rast, me sa duket, nuk u gjykua e nevojshme të ruhej as fasada e demokracisë.
Nuk është e nevojshme të pajtohesh me pikëpamjet e znj. Spiropali, as me qëndrimet e saj të djeshme apo të sotme, për të mbrojtur të drejtën e saj për t’u dëgjuar. Parimet demokratike nuk mbrohen në funksion të simpative apo antipative tona personale, as të afërsive apo kundërshtive tona politike. Ato kanë vlerë pikërisht sepse qëndrojnë mbi preferencat dhe interesat individuale. Në këtë qëndron universaliteti dhe epërsia e tyre morale. Prova e vërtetë e bindjeve tona demokratike nuk është mbrojtja e të drejtave të atyre me të cilët pajtohemi, por mbrojtja e të drejtave edhe të atyre me të cilët nuk pajtohemi.
Përjashtimi i dikujt nga një grup parlamentar mund të jetë një vendim politik, por t’i mohosh paraprakisht një deputeti të drejtën e fjalës dhe të mbrojtjes është një akt dhune institucionale, një shfaqje e barbarisë politike, e papajtueshme me parimet më elementare të qytetërimit juridik e demokratik modern.
Dhunë nuk është vetëm ajo që ushtrohet mbi trupin e njeriut. Dhunë është edhe ajo që ushtrohet mbi dinjitetin e tij, mbi integritetin e tij moral, mbi të drejtën e tij për të qenë subjekt i lirë i vullnetit të vet dhe jo thjesht objekt i vullnetit të të tjerëve. Mohimi i së drejtës së fjalës është një nga format e kësaj dhune, sepse e privon individin nga mundësia për të afirmuar vetveten si subjekt moral dhe politik. Dhe barbaria politike nis pikërisht aty ku pushteti nuk denjon më as ta dëgjojë atë që dënon.
Afro dy mijë vjet më parë, Seneka, në tragjedinë e tij Medea, formulonte një parim themelor të drejtësisë: “Ai që merr një vendim pa dëgjuar palën tjetër, edhe nëse ka marrë një vendim të drejtë, nuk ka vepruar me drejtësi.”
Konteksti dramatik i kësaj thënieje është veçanërisht domethënës në rastin e znj. Spiropali. Seneka ia vë këto fjalë në gojë një gruaje, Medesë, e cila kundërshton vendimin e mbretit Kreon për ta dëbuar. Është, pra, zëri i një gruaje që, përballë arbitraritetit të pushtetit, i kujton sovranit se autoriteti për të marrë një vendim nuk i jep atij të drejtën për të mos dëgjuar atë mbi të cilin bie pesha e vendimit.
Dy mijë vjet më vonë, në një republikë parlamentare europiane të shekullit të 21-të, na duhet ende t’i kujtojmë pushtetit një të vërtetë morale që një filozof i lashtësisë ia kumtonte atij përmes zërit të një gruaje. Sa domethënës është ky paradoks historik: një parim drejtësie, i artikuluar në kohën e perandorisë romake, mbetet ende një gur prove për moralin e pushtetit në epokën e demokracisë.
E drejta për t’u dëgjuar nuk është një privilegj që pushteti ia akordon individit sipas vullnetit të vet, as një akt bujarie i tij, por një e drejtë e patjetërsueshme e individit. Mohimi i kësaj të drejte nuk është thjesht cenim i një procedure, por mohim i vetë parimit të drejtësisë.
Dhe dinjiteti i një partie politike, aq më tepër i një partie që e quan veten socialiste, nuk qëndron në besnikërinë e pakushtëzuar të anëtarëve të saj ndaj kryetarit, por në respektin për autonominë e mendimit dhe integritetin moral të secilit prej tyre. Fryma demokratike e një partie dëshmohet jo nga disiplina e atyre që binden, por nga liria e atyre që kundërshtojnë dhe nga respekti me të cilin trajtohet kundërshtimi i tyre.
