Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi në tërësi ditën e sotme projektbuxhetin e vitit 2027, me 8 vota pro të mazhorancës dhe 4 kundër të opozitës. Projektbuxheti që qeveria ka paraqitur në Kuvend parashikon 976,1 miliardë lekë shpenzime, 907,9 miliardë lekë të ardhura dhe një deficit buxhetor prej 68,2 miliardë lekësh.
Deputetët e Partisë Demokratike argumentuan votën kundër me mënyrën se si qeveria ka shpërndarë fondet për sektorët e ekonomisë dhe shërbimet publike.
Sipas demokratëve, financimi i shëndetësisë dhe arsimit mbetet në nivele shumë më të ulëta krahasuar me vendet e Bashkimit Europian. Opozita ngriti gjithashtu shqetësime për rënien e bujqësisë, industrisë dhe sektorit të fasonerisë.
Ndërkohë, shtesat buxhetore për institucionet arrijnë në rreth 1,288 miliardë lekë. Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Garda e Republikës përfitojnë pjesën më të madhe të këtyre fondeve.
KLGJ-ja përfiton 459 milionë lekë shtesë dhe 95 punonjës të rinj, ndërsa për pagat e punonjësve të Gardës projektbuxheti parashikon 450 milionë lekë shtesë.
Institucionet që përfitojnë fonde dhe punonjës shtesë:
Këshilli i Lartë Gjyqësor: 459 milionë lekë dhe 95 punonjës.
Garda e Republikës: 450 milionë lekë për pagat.
Inspektorati i Lartë i Drejtësisë: 125,5 milionë lekë.
Kuvendi: 100 milionë lekë.
INSTAT: 70 milionë lekë.
Komisioni i Prokurimit Publik: 40 milionë lekë dhe 5 punonjës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve: 34 milionë lekë.
Autoriteti i Konkurrencës: 10 milionë lekë dhe 5 punonjës.
Prokuroria e Përgjithshme: 2 punonjës.
Ministria e Administratës Publike: 15 punonjës.
Për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Turizmit, projektbuxheti parashikon vetëm rialokime të fondeve. Pas miratimit në tërësi në Komisionin e Ekonomisë, Kuvendi pritet të votojë projektbuxhetin e vitit 2027 në seancën plenare të së enjtes, më 26 nëntor.
j.l./ dita
