Bashkimi Europian akordon 1 miliard euro për të ndihmuar rindërtimin në Turqi”, deklaroi Presidentja e Komisionit Evropian në Konferencën e Donatorëve pas tërmetit shkatërrues që mori jetën e mbi 50 000 njerëzve në Turqi dhe Sirinë fqinje.
“Miliona janë tani të pastrehë dhe jetojnë në tenda, ndërsa dimri zvarritet”, tha Ursula von der Leyen në fillim të konferencës.
“Ne duhet të mobilizohemi për rindërtim. Shtëpitë, shkollat dhe spitalet duhet të rindërtohen me standardet më të larta të sigurisë sizmike. Ujësjelljës-kanalizimet dhe infrastruktura të tjera kritike duhet të riparohen. Shërbimet publike dhe bizneset kanë nevojë për kapital për të rifilluar, në mënyrë që njerëzit të fitojnë jetesën”, shtoi Presidentja e KE.
Komisioni do të shpenzojë 108 milionë euro të tjera për ndihmën humanitare dhe rimëkëmbjen e hershme në Siri, ku Bashkimi Evropian nuk ka lidhje diplomatike me Presidentin Bashar al-Assad pas luftës që filloi në 2011. Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, konferencën në rolin e tij si Presidencë e Këshillit të BE-së dhe tha se vendi i tij akordon 45 milionë euro për të mbështetur përpjekjet humanitare, rehabilituese dhe rindërtuese në dy vendet e goditura.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishte e pranishme në Konferencën e Donatorëve në Bruksel.
Balluku u shpreh se Shqipëria do të ndihmojë Turqinë me 1 milion euro për rindërtimin e qyteteve të rrënuara. Ajo nënvizoi se shuma është modeste, por shtoi se vendi ynë është solidarizuar me Turqinë, për t’iu gjendur pranë në ditë të vështira.
“Prezenca e Qeverisë Shqiptare sot në Konferencën e Donatorëve të zhvilluar në Bruksel nga Komisioni i Bashkimit Europian, por sigurisht edhe nga Presidenca Suedeze është një moment i rëndësishëm solidariteti. Populli ynë e ka provuar gjatë tërmetit të 2019 sesa i rëndësishëm qe dërgimi i solidaritetit nga të gjitha shtetet, sidomos nga shteti turk i cili nisi menjëherë skuadrat e shpëtimit, skuadrat më të specializuara që ekzistojnë në Europë.
Ashtu kemi bërë edhe ne nga momenti i parë, duke dërguar menjëherë një skuadër të përgatitur për ‘search and rescue’, por nga ana tjetër edhe një skuadër me mjek dhe me infermierë. Por, sot këtu në konferencën e donatorëve ne kemi deklaruar se do të mbështesim këtë moment të vështirë për Turqinë me 1 milionë euro, të cilat do të përdoren për rindërtimin e qyteteve të rrënuara. Sigurisht është një shumë modeste, por ne sot kërkojmë të tregojmë solidaritetin tonë dhe respektin që kemi për popullin vëlla turk dhe sigurisht për të gjithë bashkëpunimin midis dy qeverive, duke nisur nga niveli ekonomik dhe diplomatik, edhe për më tepër për t’ju gjendur pranë në ditë të vështira si këto”, theksoi ajo.
Tragjedia e tërmetit dhe kjo konferencë donatorësh vjen në kontekstin e akuzave disavjeçare të BE-së ndaj Erdogan për shkelje të të drejtave të njeriut. Lidhjet e bllokut me Turqinë janë të tensionuara për shkak të goditjes nga Ankaraja ndaj disidencës pas një grushti shteti të vitit 2016. Turqia ka bllokuar dhe një ofertë të Suedisë, anëtare e BE-së, për t’u bashkuar me NATO-n, në vazhdën e luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
o.j/dita
