Gjashtë të rinj janë paraqitur të martën para Gjykatës Themelore në Ferizaj nën dyshimin për përfshirje në organizimin dhe ekzekutimin e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamet Lika, i vrarë më 1 prill 2025 në qytetin e Kaçanikut.
Të pandehurit Haki Bela (25), Diamant Gashi (21), Rilind Murati (21), Vatan Çaka (19), Edmond Lika (22) dhe Shkëlqim Kuka (22), u sollën në gjykatë nën masa të rrepta sigurie nga Njësia Speciale Operative dhe Njësia e Reagimit të Shpejtë.
Seanca për caktimin e paraburgimit zgjati nga ora 13:00 deri pas orës 17:00, me dyer të mbyllura.
Për secilin nga të dyshuarit, Prokuroria e Ferizajt ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit prej një muaji.
Çfarë deklaruan të dyshuarit?
Haki Bela
Vëllai i të miturit 17-vjeçar R.B. – i dyshuar si dorasi – Haki Bela shprehu keqardhje për familjen e viktimës, duke mohuar përfshirjen e tij. Ai kërkoi një masë më të lehtë sigurie, duke theksuar se është mbështetësi i vetëm financiar i familjes.
“Personalisht e ngushëlloj familjen e viktimës Muhamet Lika dhe shpreh keqardhje për rastin që ka ndodhur, por shton se mund të ketë ndonjë keqkuptim mes familjes së tij dhe asaj të të ndjerit. Ai thekson se është plotësisht i pafajshëm në lidhje me këtë çështje penale. Sipas tij, i vetmi fakt që e lidh me vendin e ngjarjes është se lokali i tij ndodhet afërsisht 200 metra larg prej aty, ndërsa shtëpia ku banon ndodhet rreth 100 metra nga stacioni policor në Kaçanik. Ai shton se e frekuenton përditë atë rrugë” – është shprehur në seancën e datës 22.04.2025 i pandehuri Bela, sipas dosjes së Gjykatës të siguruar nga Kallxo.com.
Në bazë të dosjes, i pandehuri ka thënë se ai personalisht e as familja e tij asnjëherë nuk kanë pasur ndonjë problem me të ndjerin apo familjen e tij.
Diamant Gashi
Deklaroi se ishte në shtëpi gjatë natës së ngjarjes dhe lajmin për vrasjen e mësoi të nesërmen nga prindi i tij. Edhe ai u deklarua i pafajshëm.
“Në ditën kritike ka qenë në shtëpi dhe nuk ka kryer asnjë nga veprimet që janë përmendur në kërkesën për caktimin e masës nga ana e Prokurorisë. Ai deklaron se ndihet plotësisht i pafajshëm dhe se për vrasjen e rreshterit Muhamet Lika ka marrë vesh nga prindi i tij, në mëngjesin e ditës pas ngjarjes” – është deklaruar në Gjykatë gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë nga i pandehuri Diamant Gashi.
Rilind Murati
Ish-anëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Murati mbështeti deklaratat e avokatit të tij mbrojtës dhe deklaroi se nuk ka lidhje me rastin.
“E mbështet deklarimin e avokatit të tij mbrojtës. Nuk kam çka të shtoj, përveç se deklaroj se jam plotësisht i pafajshëm dhe nuk kam asnjë përfshirje në këtë çështje penale” – është cituar Rilind Murati sipas dosjes së Gjykatës.
Vatan Çaka
19-vjeçari pranoi se kishte shkuar në vendin e ngjarjes nga kureshtja, pasi kishte dëgjuar alarmin e Policisë dhe kishte parë informacione në rrjete sociale. Ai theksoi se e respektonte viktimën si veteran të UÇK-së, ashtu siç është edhe babai i tij.
“I mbështet deklarimet e avokatit të tij mbrojtës, tjetër nuk ka çka të deklarojë, shton se nuk është absolutisht i involvuar në këtë çështje penale. Natën kritike, pasi ka dëgjuar alarme të shumta të Policisë, ka shkuar në vendngjarje vetëm nga kureshtja për të parë se çfarë ka ndodhur aty, pasi paraprakisht nga rrjetet sociale e ka kuptuar që bëhet fjalë për një viktimë, veteran të UÇK-së. Gjithashtu shton faktin se këtë e ka bërë sepse ka prindin veteran të UÇK-së, dhe i njëjti ende vuan nga pasojat e traumave të luftës dhe absolutisht në asnjë mënyrë nuk ka mundur t’ia bëjë një gjë të tillë një ish-veterani të luftës së UÇK-së” – është deklarimi i 19-vjeçarit, siç përshkruhet në dosje.
Edmond Lika dhe Shkëlqim Kuka
Të dy mohuan përfshirjen në rast dhe e cilësuan praninë e tyre afër vendit të ngjarjes si “krejtësisht rastësore”.
“Mbështet deklarimin e avokatit të tij mbrojtës, tjetër nuk ka çka të deklarojë, shton se nuk ka të bëjë asgjë në lidhje me këtë çështje penale dhe në vendin ku ka qenë së bashku me Shkëlqim Kukën ka qenë krejt rastësisht” – është deklaruar Lika.
“E mbështet deklarimin e avokatit të tij mbrojtës, tjetër nuk ka çka të shtojë përpos faktit se nuk ka të bëjë asgjë në lidhje me këtë çështje penale” – është deklaruar Kuka sipas dosjes së Gjykatës të siguruar nga Kallxo.com.

Roli i të miturit R.B.
Për të miturin 17-vjeçar, R.B., i cili dyshohet se është dorasi, seanca për caktimin e masës së sigurisë u mbajt më 21.04.2025 për shkak se ai u dërgua në ndalim për 24 orë dhe do të procedohet si i mitur në këtë rast.
Sfondi i rastit dhe rrjedha ligjore
Rreshteri i Policisë, Muhamet Lika, u vra me armë zjarri pranë banesës së tij në rrugën “Idriz Seferi” në Kaçanik.
Prokurori i rastit, Ismet Rrahmani, ka ngritur akuza për bashkëorganizim dhe vrasje të rëndë. Hetimet vazhdojnë, ndërsa paraburgimi për të pandehurit është vendosur për një muaj.
j.l./ dita