Fatos TARIFA
Botuar në DITA
I zhgënjyer
Në të njëjtën kohë që mbrëmë, në Londër, luanin Chelsea dhe West Ham United, skuadrat e dy prej klubeve më të njohur në futbollin anglez, në studion e emisionit “Opinion”, në TV Klan, u ulën gjashtë vajza e djem të rinj. Tema e debatit ishte rinia dhe politika, marrëdhëniet e brezit të ri me politikën kombëtare dhe vizioni i të rinjve të sotëm për zhvillimet e ardhshme politike në vend.
Si një sociolog i politikës, kjo temë më ka interesuar gjithnjë. Më intereson edhe më shumë sot, kur demokracia e brishtë që kemi krijuar në vendin tonë, në mos është bërë një gerontokraci, drejtohet nga njerëz, të cilët, për më shumë se dy apo tri dekada, kanë zënë rënjë në politikë e nuk duan në asnjë mënyrë shkulen prej saj.
Si rrallë herë më parë e lashë pa parë një ndeshje futbolli të Premier Ligës për të ndjekur një emision nga ata të përnatshmit në studiot e televizioneve tona. Isha kurioz të dëgjoja se çfarë mendojnë për politikën këta të rinj dhe si e shohim rolin e tyre në zhvillimet politike në vend, aktualisht e në të ardhmen, ndaj edhe u përqendrova në debatin mes tyre. Por mbeta tërësisht i zhgënjyer.
Dua të besoj se zhgënjimi im lidhet me përzgjedhjen pikërisht të atyre vajzave e djemve të rinj për të diskutuar e debatuar mbi një subjekt kaq të rëndësishëm. Prej më shumë se dyzet vitesh kam dhënë e jap mësim në disa universitete, brenda e jashtë vendit, dhe i njoh mirë moshën, psikologjinë dhe aspiratat e të rinjve studentë. Niveli i të rinjve të ftuar në atë studio mbrëmë, me përjashtim, ndoshta, të një vajze e një djali, ishte nën nivelin e studentëve më të mirë e më të pjekur që kam njohur e njoh deri më sot.
Mund të mos jemi të një mendjeje se cilët janë, ose duhet të konsiderohen “studentët më të mirë e më të pjekur”, por nuk ka se si të mos i vemë re ata që nuk janë të tillë. Disa prej tyre ishin e folën mbrëmë në atë studio. Dhe ato çfarë thanë, argumentet që sollën për t’i mbrojtur ato që thanë dhe reagimet kundërshtuese ndaj pikëpamjeve të të tjetëve, më lanë shijen e një zhgënjimi të padëshiruar.
Të rinjtë duhet… Çfarë?
Me ndonjë përjashtim, shumica e tyre ankoheshin se rinia në Shqipëri “nuk gjen hapësirë” për t’u zhvilluar, se për të “nuk investohet nga ana e shtetit” dhe se “zëri i saj nuk dëgjohet”. Shumë herë u tha se “duhet” bërë kjo apo “duhet” bërë ajo.
Duhet. Duhet. Por askush nuk tha se ç’mund të bëhet e si mund të veprohet nga vetë të rinjtë që ata të krijojnë atë hapësirë që thonë se u mungon për zhvillimin e tyre. Askush nuk tha se si vetë të rinjtë mund e duhet të ushtrojnë presion mbi politikën dhe ta detyrojnë shtetin të investojë për të sotmen e të ardhmen e tyre. Askush nuk tha se si vetë të rinjtë duhet ta bëjnë të dëgjohet zëri i tyre dhe nga kush.
“Të rinjtë stepen të flasin”, tha një vajzë, pa thënë pse. Por nëse stepesh të flasësh e nuk flet, kush do të të dëgjojë dhe pse ankohesh? “Rinia duhet të jetë e zëshme”, tha një tjetër. Po kush e pengon zërin e rinisë të buçasë? Veshët e politikanëve nuk janë indiferentë e të shurdhët nëse rinia i detyron ata të dëgjojnë.
U tha se problemet që shqetësojnë rininë e sotme janë shtrenjtimi i jetesës, cilësia e arsimit, pasiguria pas mbarimit të shkollës për të gjetur një punë, por askush prej tyre nuk shpjegoi pse të rinjtë—në radhë të parë ata vetë, të ftuarit në atë studio—nuk kanë kërkuar e nuk kërkojnë që këto rrethana të ndryshohen.
Rinia, politika dhe shteti. Kush ka frikë kë?
Dikush tha se “të rinjtë kanë frikë nga politika”, ndërsa një tjetër e kundërshtoi duke e cilësuar këtë frikë si “surreale”. Por nese i trembesh politikës dhe pjesëmarrjes në jetën politike të vendit, si mendon se mund të krijohen hapësirat e nevojshme për zhvillimin e rinisë dhe si do të plotësohen aspiratat e saj? Vetvetiu, me kalimin e kohës? Apo nga vetë politika, kur ata që e bëjnë dhe e drejtojnë politikën e këtij vendit të kuptojnë se rinia është “e ardhmja e vendit” dhe asaj i duhet lënë stafeta?
Dikush tjetër u shpreh se “është qeveria ajo që duhet të ketë frikë nga rinia”, por se si e qysh rinia e sotme do e “trembë” qeverinë, në ç’formë e me ç’mjete, këtë as vetë ajo studente, as të rinjtë e tjerë në atë studio nuk e thanë. Ndoshta nuk e dinë. Por ndoshta edhe kanë frikë ta thonë.
Disa herë mbrëmë, të rinjtë e ftuar në studion e TV Klan iu referuan protestave të mëdha studentore në rrugët e Beogradit, si një shembull që dëshmon forcën e rinisë për të kundërshtuar korrupsionin shtetëror e për të sjellë ndryshime pozitive në shoqëri. Por vetëm kaq. Ata thjesht pohuan se, në Beograd, të rinjtë studentë protestojnë, pra thanë atë çfarë ata dhe të gjithë ne kemi parë e shohim në televizor. Këtu nis dhe këtu përfundon imagjinata e tyre, pa mundur të realizojnë se energjia dhe entuziazmi i rinisë janë forca që e shtyjnë shoqërinë drejt progresit të saj.
Dikush u shpreh se rinia “ka nevojë për përkrahjen e shtetit”, madje edhe që (në një ekonomi të tregut të lirë) shteti t’u gjejë të gjithëve një vend pune. Një tjetër, në një frymë tërësisht anarkiste, deklaroi se “të rinjtë nuk kanë nevojë për shtetin”, se “shteti është problemi”, ose “armiku” i tyre, dhe se administrata e shtetit duhet të përgjysmohet.
Por, ndërsa fati i rinisë është “në duart e saj”, përse kritikat drejtohen vetëm ndaj shtetit. Është më e lehtë të kritikosh e të fajësosh shtetin për gjithçka se sa të dish si të organizohesh, si të artikulohesh e si të luftosh që politikat shtetërore të ndryshojnë në dobi të interesave të brezit të ri dhe të të gjithë shoqërisë.
Truizmi se “rinia është e ardhmja e vendit”, “e ardhmja e kombit”, u përsërit disa herë nga të ftuarit në atë studio, por vetëm kaq. Natyrisht, në 40 apo 50 vitet e ardhshëm, pra në “të ardhmen”, ata që do të jetojnë në këtë vend do të jenë të rinjtë e sotëm dhe fëmijët e tyre, si dhe fëmijët e fëmijëve të tyre, jo brezi i atyre që sot i kanë kaluar të pesëdhjetat apo të gjashtëdhjetat. Por kjo shpreh thjesht një të vërtetë natyrore, biologjike.
Të rinjtë e ftuar në atë studio pritej të flisnin për të vërteta shoqërore—jo për ligjet biologjikë të natyrës, por për ligjet që e mbajnë në lëvizje dhe e çojnë përpara shoqërinë. Dhe ata vetë, apo brezi i ri që ata duhej të përfaqësonin mbrëmë, janë forca kryesore lëvizëse e shoqërisë, forca që mund të sjellë ndryshime të rëndësishme në shoqëri. Vitet 1960 në Shtetet e Bashkuara e në Europë e transformuan rrënjësisht shoqërinë perëndimore dhe ajo dekadë ishte e Rinisë, dekada e lëvizjeve të mëdha studentore, e lëvizjeve për të drejtat e njeriut dhe për emancipimin e vajzave e të grave. Vitet 1960 dëshmuan se rinia nuk është vetëm një periudhë e jetës, por një revolucion që pret të ndodhë.
Kur në kushtet komode të një studioje të njohur televizive debati ishte kaq i dobët e pa substancë, mendo se sa i dobët mund të jetë veprimi i tyre, se sa të (pa)aftë mund të tregohen të rinj si këta në kushtet e vështira të luftës politike. Jo në ato protesta anemike me djegie gomash e me kokteil molotov, në të cilat me mburrje tha se ka marë pjesë një studente mbrëmë në atë studio, por në beteja për të fituar mendjet, zemrat dhe besimin e qytetarëve e të fshatarëve shqiptarë, për të fituar në zgjedhje e për të prodhuar një politikë të re, më të mirë.
Ç’do të thotë të jesh i ri
Debati mbrëmë, si një “revolving door”, u soll rreth çështjes se ç’është rinia, apo çdo të thotë të jesh i ri dhe përgjigjja e vetme që iu dha kësaj pyetjeje ishte se, “të jesh i ri do të thotë të jesh ndryshe e të mendosh ndryshe” (!!). Por ndryshe nga se apo nga kush dhe ndryshe në ç’mëmyrë? Ky është thelbi i çështjes. Jo të jesh e të mendosh ndryshe për hir të të qenit e të të menduarit ndryshe, por për t’u bërë një qenie më e mirë, për të menduar, punuar, jetuar e vepruar më mirë në gjithçka që ndërmerr të bësh në jetë.
Të kundërshtosh e të protestosh është një gjë; të dish përse kundërshton dhe çfarë kërkon të ndryshosh me protestën tënde është një gjë krejt tjetër. Të parën e bën çdo adoleshnt e mund ta bëjë kushdo; të dytën e bëjnë pak njerëz. Shumica e fëmijëve dhe e të rinjve mendojnë ndryshe nga prindërit e tyre.
Vajza që rininë e saj e identifikon me të qënit e të menduarit ndryshe, ndryshe sidomos nga prindërit e saj dhe nga brezi i tyre, s’bëri gjë tjetër veçse pohoi një të vërtetë universale, atë se konflikti mes brezave ka ekzistuar në çdo shoqëri e nuk është një tipar vetëm i shoqërive moderne. Edhe prindërit e saj vajze kanë qenë e kanë menduar ndryshe nga prindërit e tyre. Edhe fëmijët e mi janë sot dhe mendojnë ndryshe nga unë, siç edhe unë nuk kam qenë e nuk kam menduar njëlloj si prindërit e mi dhe brezi i tyre.
Të thuash se rinia është thjesht një brez “ndryshe” nuk ke thënë asgjë. Rinia nuk është thjesht një periudhë e jetës, por edhe një gjendje e mendjes sonë. Ajo vajzë ndoshta nuk e di se, njerëzit e shkuar në moshë, të cilët kanë ide, gjallëri dhe jetë brenda tyre, janë më të rinj sesa më të rinjtë që janë plakur në idetë dhe në shpirtin e tyre.
Mbrëmë, si edhe në raste të tjerë më parë, me keqardhje vura re se disa nga të rinjtë e ftuar në atë debat ishin “të moshuar”. Të moshuar sidomos në mënyrën se si ata u qaseshin çështjeve për të cilat ishin ftuar të debatonin. Shpesh debati i tyre i shëmbëllente debateve që bëhen në studio televizive mes politikanësh veteranë e “të dalë boje” të atyre partive ku disa nga këta të rinj bëjnë pjesë, ose nga të cilat janë larguar të pakënaqur. Në vend të tyre, mbrëmë, në atë studio, mund të ishin ulur fare mirë disa prej deputetëve të PD-së apo të PS-së dhe do i dëgjoje të flisnin e të debatonin thuajse po njëlloj.
Mungesa e mendimit racional kritik në debat
Shumë herë, debati katandisej në një “cheap talk”, tërësisht pa vlerë. Më mirë flisnin ata që flisnin më pak; të tjerët një logore fjalësh e të vetkënaqur me Unin e tyre. Me keqardhje shihje se sa pak të kultivuara janë te disa prej tyre, në rapot me shumë nga studentët që kam njohur e njoh në moshën e tyre, ato “mental habits”, që i quajmë shprehi të të menduarit në mënyrë racionale e kritike.
Të menduarit racional kritik është një atribut që kultivohet tek individi në shkollë e në praktikën jetësore individuale e shoqërore. Me ndonjë përjashtim—dhe me keqardhje—vura re se të menduarit në mënyrë kritike dhe refliktimi kritik nuk ishin një tipar i mënyrës se si gjykohej e flitej mbrëmë për probleme shumë të rëndësishme të rinisë e të shoqërisë sonë.
Kjo bëri që, në shumë raste, debati të ishte shterp dhe i personalizuar, madje edhe ideologjik, duke i vënë të rinjtë në transhetë e politikës së vjetër, të ndarë në “të majtë” e “të djathtë”. Nuk ka pse çuditemi nëse shohim që, edhe pse të rinj në moshë e me aspirata të tjera, arsyetimet dhe sjellja e tyre në studio u shëmbëllenin shumë atyre të shkollës së vjetër politike që këta të rinj, me fjalë, kërkojnë ta ndryshojnë.
Debati i tyre mbrëmë mund të konsiderohet si një rast i humbur, një rast i humbur në mënyrën si e shihte Karl Popper debatin, si një mundësi dhe si një mjet të efektshëm për çlirimin gjuhësor, social e kulturor të pjesëmarrësve në të. Debati mes atyre të rinjve nuk ndihmoi në sqarimin e çështjeve të rëndësishme për të cilat ata ishin ftuar të diskutonin dhe ne prisnim të dëgjonim. Disa prej tyre mbronin të “vërtetën” e vet, duke refuzuar të dëgjonin argumentet e të tjerëve kundër saj e duke dashur me çdo kusht e plot zhurmë të “fitonin” mbi ta.
Popper do u jepte të rinjve si ata këtë këshillë të mençur: Fitorja në një debat s’është asgjë, ndërsa sqarimi sado i vogël qoftë edhe i një problemi të vetëm, madje edhe kontributi më i vogël për një kuptim më të qartë të pikëpamjes tënde, ose të pikëpamjes së kundërshtarit, është një sukses i madh. Një diskutim, të cilin ti e fiton, por i cili nuk arrin të ndryshojë, ose të sqarojë sadopak mendimin tënd, mund të konsiderohet si humbje.
Mbrëmë, unë nuk dëgjova prej asnjërit prej të rinjtë që debatuan në atë studio të thonë se cilat janë ëndrrat e tyre. Të gjitha ëndrrat tona fillojnë në moshën e rinisë dhe janë ëndrrat e rinisë sonë ato që krijojnë realitetin tonë të nesërm.
©️Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016