Nga Fatos TARIFA & Eneda TARIFA
Në këtë esé përqëndrohemi në një aspekt esencial të demokracisë, siç është çështja e legjitimitetit, me të cilën janë të lidhura, në një mënyrë a në një tjetër, të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me veprimtarinë dhe rezultatet e aktivitetit politik të çdo shteti. Juan Linz dhe Alfred Stepan, dy ndër teoricienët më të shquar të demokracisë, argumentojnë se ndërsa çështja e legjitimitetit mund të mos ketë kurdoherë shumë rëndësi për regjimet jodemokratikë, ajo ka një “rëndësi teorike dhe politike themelore për demokracinë”.
Trajtesa jonë bëhet në një plan të përgjithshëm teorik e krahasues. Ajo nuk bën specifikisht objekt të saj problemet e zhvillimit demokratik në Shqipëri. Sidoqoftë, kjo analizë shpresojmë të ndihmojë në një kuptim më të mirë të procesit të demokratizimit në vendin tone. Edhe pse ky proces në Shqipëri kryhet në kushte të veçanta e specifike, ai nuk përbën një dukuri unike shqiptare.
Koncepti mbi demokracinë
Qysh në fillim dëshirojmë të hapim një parantezë, për të venë në dukje se, vetë koncepti mbi demokracinë, siç argumenton Laurence Whitehead, është esencialisht një koncept i kontestueshëm. Mjafton të përmendim se është e pamundur të arrihet një konsensus universal mbi atë se çfarë përbën esencën e një forme demokratike qeverisjeje.
Në vende dhe në kohë të ndryshme njerëzit, veçanërisht elitat politike sunduese të shoqërisë dhe klasa intelektuale e tyre, kanë pasur e kanë kuptime krejt të ndryshëm mbi demokracinë nga kuptimi i përgjithshëm liberal që i japin sot këtij koncepti në Perëndim.
Por, pavarësisht dallimeve në mënyrat se si kuptohet demokracia, ose, ndoshta pikërisht për shkak të këtij pluraliteti luptimesh, gati dy të tretat e shteteve të botës (rreth 120 vende) pretendojnë se kanë një sistem formalisht demokratik. Në fakt, sipas pjesës më të madhe të ekspertëve në këtë fushë, numri më i madh i sistemeve politikë në ditët tona janë sisteme hibridë, që ndodhen në një “zonë gri” me autokracisë dhe demokracisë.
Asnjëherë më parë historia nuk ka njohur më shumë drejtues shtetesh që pretendojnë se regjimet e tyre janë demokratikë. Siç ve në dukje Guillermo O’Donnell: “Të jesh demokratik, apo të pretendosh se je i tillë, është një monedhë, e cila, po të përdoret mirë, e rrit kapitalin politik të atyre që pretendojnë se demokracia është tipi i formës qeverisëse të tyre”.
Koncepti bazë mbi të cilin mbështesin pretendimet apo justifikojnë kredencialet demokratike të tyre çdo elitë politike dhe çdo drejtues shteti është ai i legjitimitetit. Në vija të përgjithshme, ky koncept nënkupton konsensusin popullor, i cili gjen shprehjen e vet në aktin e zgjedhjeve të lira.
Këtu dëshirojmë të bëjmë objekt të kësaj trajtese dy çështje të rëndësishme: së pari, ç’kuptojmë me legjitimitet dhe, së dyti, në ç’raport janë procesi elektoral dhe zgjedhjet legjislative me karakterin legjitim ose jo të tillë të shtetit apo të një mënyre të caktuar qeverisjeje.
Mbi legjitimitetin
Koncepti mbi legjitimitetin ka një rëndësi të veçanë, sidomos për të analizuar e kuptuar shoqëritë në tranzicion, siç janë edhe shoqëritë postkomuniste, pra edhe shoqëria shqiptare. Edhe pse përdoret gjerësisht në zhargonin politik, koncepti mbi legjitimitetin është tepër kompleks dhe i shumanshëm.
Duke nisur nga Niccolò Machiavelli, mendimtarë të shumtë janë përpjekur të shpjegojnë bazën e autoritetit të shtetit, atë cilësi të tij që i bën subjektet t’u binden urdhërave dhe vendimeve të shtetit dhe të veprojnë në perputhje me to.
Sidoqoftë, studiuesit që merren me problemet e legjitimitetit në kontekste të ndryshëm politikë vështirë se bien dakord në formulimin e një koncepti të përgjithshëm mbi legjitimitetin. Pavarësisht kësaj, në vija të përgjithshme pothuajse të gjithë pranojnë se legjitimiteti, në thelb, ka të bëjë me mbështetjen popullore për vendimet politike, personalitetet dhe institucionet shtetrore.
Dy autorë ndër më të njohurit në sociologjinë perëndimore në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të, Peter Berger dhe Thomas Luckman kanë venë në dukje se nocioni i legjitimitetit përmban njëherësh elementë kognitivë (njohës) dhe elementë normativë (vlerësues). Sipas tyre, ai jo vetëm informon se si është, por edhe se si duhet të jetë.
Kuptuar në këtë mënyrë, legjitimiteti mund të përkufizohet si një proces me të cilin vetëdija njerëzore shpjegon një rend institucional ekzistues duke u dhënë “vlerë njohëse” kuptimeve të tij të objektivizuar dhe, njëkohësisht, përligj këtë rend dhe institucionet e tij, duke u dhënë një “dinjitet normativ” imperativave të tyre praktikë.
Një tjetër sociolog i njohur, Richard Merelman e përkufizon legjitimitetin si cilësinë e “asaj çka duhet të jetë”, e perceptuar nga publiku i gjerë si element i pandarë i çdo sistemi politik. Autorë të tjerë sugjerojnë se legjitimiteti mund të kuptohet ose në përgjithësi (për një sistem politik si të tillë), ose në mënyrë specifike (për politika të caktuara apo për individë të veshur me pushtet).
Në të njëjtën kohë, veprime ose politika të caktuara të një qeverie mund të konsiderohen legjitime nisur nga rezultatet që ato arrijnë, çka Max Weber e quante “legjitimitet substantiv”, duke e dalluar atë nga “legjitimiteti procedural”, që ka të bëjë me mënyrën se si merren vendimet.
Prej këtej rrjedh se legjitimiteti mund të kuptohet si një transaksion mes efiçiencës së veprimtarisë së shtetit dhe stabilitetit të tij, nga njëra anë, dhe drejtësisë normative dhe stilit politik, nga ana tjetër. Në kuptimin më të përgjithshëm, legjitimiteti mund të thuhet se ka të bëjë me aprovimin, ose thjesht me pranimin e status quo-së së formës së shtetit apo drejtuesve të tij prej pjesës më të madhe të shoqërisë.
Këtë përmbajtje i jepte përkufizimit të tij mbi legjitimitetin Seymour Martin Lipset kur shkruante se: “Legjitimiteti nënkupton aftësinë e një sistemi për të krijuar dhe ruajtur besimin [e qytetarëve] se institucionet politike ekzistuese janë më të përshtatshmet për shoqerinë”.
Më thjesht, çështja mund të shtrohet kështu: Çfarë e bën pushtetin të jetë legjitim? Cila është ajo prerogativë, e cila mundëson që pushteti, nga një mjet dhune, të shdërrohet në autoritet të pranuar vullnetarishit nga pjesa më e madhe e popullsisë, ose, siç shprehet Anthony Giddens, që një qeveri të “pranohet se ka të drejtë të qeverisë ?”.
Weber i referohej konceptit të legjitimitetit, nga njëra anë, si pretendim i një sistemi dominimi apo i drejtuesve të shtetit për të ushtruar kontroll mbi shoqërinë dhe, nga ana tjetër, si pranim i këtij pretendimi nga ana e shtresave të qeverisura. Për Weberin, legjitimiteti është ajo cilësi, e cila e konverton pushtetin (Macht) në autoritet (Herrschaft) dhe, për këtë arësye, legjitimiteti krijon si “obligimin për t’u bindur”, ashtu dhe “të drejtën për të sunduar”.
Edhe pse përkufizimet teorike të mësipërme mbi legjitimitetin janë formuluar duke iu referuar sistemeve politikë të ndryshëm nga ai postkomunist, ata mund të aplikohen fare mirë në analizën e sistemeve që u vendosën në Europën Lindore pas rënies së komunizmit. Në analizë të fundit, ne mendojmë se shkalla dhe forma e legjitimitetit të pushtetit ishin dhe mbeten faktorë thelbësorë në përcaktimin e rrugëve që kanë ndjekur dhe ndjekin të gjithë vendet postkomunistë.
Nëse disa shoqëri postkomuniste mundën të rimëkëmben shpejt e të konsolidohen si shoqëri demokratike (duke u bërë anëtare të Bashkimit European dhe NATOs), ndërsa shoqëri të tjera, ndër to edhe Shqiperia, vazhdojnë një proces të vështirë e të gjatë rimëkëmbjeje dhe konsolidimi demokratik, kjo shpjegohet, ndër të tjera, edhe me shkallën e legjitimitetit që kanë mundur të gjenerojnë elitat politike në secilin nga këta vende.
Nëse shumica e shoqërive europianolindore kanë krijuar dhe konsoliduar tashmë shoqëri të hapura e të lira demokratike, ndërsa disa vende kanë shfaqur e vazhdojnë të shfaqin reminishenca apo tendenca të hapura autoritarizmi kjo, gjithashtu, shpjegohet me mënyrën dhe metodat me të cilat është synuar dhe synohet të legjitimohet autoriteti i pushtetit në secilin nga këta vende.
Deri disa dekada më parë, anëtarë të juntave ushtarake në shumë vende të Amerikës Latine, në Afrikë, në Portugali, në Spanjë, në Greqi e në vënde të tjerë ushtronin sundimin e tyre duke pretenduar legjitimitet për shkak se ata ishin gjoja të vetmit që i kuptonin siç duhej nevojat për sigurinë kombëtare në vendet e tyre. Kreu i njërës prej këtyre juntave, diktatori kilian Augusto Pinochet, krijoi madje shprehjen oksimoronike “demokraci autoritariste” (authoritarian democracy), për të karakterizuar regjimin e tij diktatorial.
Në ditët tona, sidoqoftë, veçanërisht duke filluar nga gjysma e dytë e viteve 1980, komuniteti ndërkombëtar duket se ka arritur në një konsensus thuajse të përgjithshëm se vetëm regjimet demokratikë janë legjitimë.
Ky parim është formuluar në mënyrë eksplicite në dokumentin e Mbledhjes së KSBE-së, mbajtur në Kopenhagen më 1990, i cili thekson se: “Vullneti i popullit, i shprehur lirisht dhe drejtësisht përmes zgjedhjeve periodike e të drejta, është baza e autoritetit dhe e legjitimitetit të çdo qeverie”.
Demokraci legjitime apo legjitimitet elektoral?
Megjithëse për herë të parë sot shihet të jetë arritur në një pikëpamje pak a shumë të unifikuar mbi atë se çfarë duhet konsideruar sundim legjitim, ne jemi të mendimit se, edhe kur arrihet demokratikisht, përmes zgjedhjeve të lira, legjitimiteti i një sistemi politik, ose i një qeverie nuk mund të konsiderohet diçka inherente dhe, aq më pak, diçka e arrirë vetvetiu, tërësisht dhe përfundimisht vetëm nga rezultatet e zgjedhjeve.
Me këtë pohim vijmë në një çështje tjetër të rëndësishme që duam të trajtojmë këtu, atë se në ç’raport janë procesi elektoral dhe zgjedhjet legjislative me karakterin legjitim të një shteti apo të një mënyre të caktuar drejtimi shtetëror.
Nuk ka asnjë dyshim se institucionalizimi i zgjedhjeve të lira në çdo vend në tranzicion është një hap i rëndësishëm përpara drejt inagurimit të një rendi demokratik. Demokracia nuk mund të kuptohet dhe të ekzistojë pa zgjedhje të lira. Ato janë kushti i parë i demokracisë. Por jo i vetmi.
Përkufizimi i demokracisë si një formë qeverisjeje që buron nga zgjedhjet e lira është, në fakt, përkufizimi paradigmatik minimalist dhe/apo procesualist i saj, të cilin, në mënyrë klasike e ka formuluar Joseph Schumpeter qysh më 1942, në veprën e tij kryesore Kapitalizmi, Socializmi dhe Demokracia.
Pasi e përkufizon demokracinë si “një metodë politike…[dhe] si një tip i caktuar organizimi institucional për të arritur në vendime politike-legjislative dhe administrative”, Schumpeter ofron definicionin e tij të njohur mbi “metodën demokratike”, me çka ai kupton atë: “organizim institucional për arritjen në vendime politike, në të cilin individët kanë fuqinë të vendosin përmes një lufte konkurruese për votën e popullit”.
Pjesëmarrja masive në zgjedhje të lira përbën një sine qua non për fillimin e një tranzicioni demokratik dhe hedhjen e bazave të legjitimitetit të shtetit në çdo vend në tranzicion. Sidoqoftë, zgjedhjet nuk janë një faktor i mjaftueshëm për të kryer dhe përfunduar me sukses një tranzicion demokratik.
Vetë Schumpter theksonte se, për të siguruar një “konkurrencë të lirë për një votë të lirë” duhet të përmbushen një varg kushtesh politike jashtë procesit elektoral, ndër të cilët ai përmend “një masë të konsiderueshme lirie fjale për të gjithë” dhe, “në mënyrë të veçantë…një masë të konsiderueshme lirie shtypi”.
Sido që të jetë, sado demokratike e të lira të jenë zgjedhjet, ato nuk “prodhojnë” imediatisht dhe domosdoshmërisht legjitimitet për elitat e reja politike në asnjë vënd, pra as në vendet postkomunistë. Zgjedhjet e lira mundet vetëm të shërbejnë si një parakusht për një legjitimitet të përkohshëm, të cilin mund ta quajmë “protolegjitimitet”, ose “legjitimitet elektoral”.
Edhe pse një legjitimitet i tillë i përkohshëm rezulton nga një marrëveshje kushtetuese, ai ka nevojë të provohet në procesin e qeverisjes për një kohë relativisht të gjatë që të mund të konsolidohet e të konsiderohet si legjitimitet i vërtetë, i bazuar në konsensusin e qytetarëve
Duke qënë një parakusht i domosdoshëm për çdo formë demokratike qeverisjeje, zgjedhjet e lira krijojnë vetëm premisat për krijimin e një sistemi demokratik, por nuk garantojnë funksionimin demokratik të shtetit, pra as legjitimitetin e tij. Demokracia nuk është thjesht apo vetëm zgjedhje.
Demokracia është një proces, jo një ngjarje e një dite të vetme. Me fjalë të tjera, edhe pse zgjedhjet e lira janë të domosdoshme për instalimin e institucioneve demokratike në çdo shoqëri, ato janë vetëm fillimi i procesit demokratik. Ndërtimi i një shoqërie demokratike kërkon domosdo më shumë se sa zgjedhje të lira. Në fund të fundit, demokracia mbështetet jo te votat, por në qytetarët.
Demokracia nënkupton krijimin dhe konsolidimin e një shteti ligjor; respektimin e lirive të tilla civile e politike për çdo qytetar, siç janë e drejta apo liria për të folur, për të botuar, për t’u mbledhur dhe organizuar, të cilat janë të domosdoshme për një debat politik (dhe për vetë zhvillimin e zgjedhjeve të lira); mbrojtjen e minoriteteve; institucione të përgjegjshme; respektimin e pavarësisë së pushteteve legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqsor, etj. Të gjitha këto janë procese që zgjasin më shumë se sa një votim i vetëm. Ato zgjasin për vite ose dekada të tëra.
Zgjedhjet si bartëse potenciale të diktaturave dhe autoritarizmi lektoral
Zgjedhjet e lira dhe të drejta (free-and-fair elections) janë bërë një kriter bazë për vlerësimin e sistemeve politikë në kohën tonë pasi ato përcaktojnë mënyrën e krijimit të institucioneve të zgjedhura të shtetit dhe mënyrën e zgjedhjes së individëve që marrin funksione vendimmarrëse në to.
Argumenti që dëshirojmë të theksojmë është se pavarësisht rëndësisë që kanë zgjedhjet e lira dhe të drejta për organizimin dhe funksionimin demokratik të një shteti, vetëm kriteri i zgjedhjeve të lira nuk mjafton për të përcaktuar karakterin demokratik apo legjitimitetin e një qeverie.
Zgjedhjet e lira dhe prania e një sistemi parlamentar nuk përbëjnë garanci se një shoqëri e dhënë do të zhvillohet domosdo në mënyrë demokratike. Ato mund të çojnë—dhe si rregull çojnë—në krijimin dhe në konsolidimin e një shteti demokratik, por ato mund të çojnë edhe në krijimin e një regjimi autoritarist dhe të konsolidojnë një diktaturë.
James Madison, presidenti i katërt i Shteteve të Bashkuara, shprehte vazhdimisht shqetësim për rrezikun që sjell “tirania e mazhorancës” (tyranny of majority), ndërsa Thomas Jefferson fliste shpesh për rreziqet e “despotizmit të zgjedhur” (elective despotism), duke theksuar se “njëqind e shtatëdhjetë e tre despotë mund të jenë pa dyshim po aq shtypës sa edhe një i vetëm”.
Historia njeh mjaft raste kur zgjedhjet e lira janë bërë bartëse të diktaturave. A nuk u bë diktatori Hugo Chávez president i Venezuelës më 1998 dhe dy herë të tjera më pas përmes një procesi elektoral. A nuk u bë kryetari ekstremist i bashkisë së Teheranit Mahmoud Ahmadinejad President i Iranit më 2005 po përmes zgjedhjeve të përgjithëshme. Më tej, a nuk erdhi Adolf Hitler në fuqi si kancelar i Gjermanisë po përmes një procesi elektoral.
Në vitin 1991, menjëherë pas fillimit të tranzicionit postkomunist në vendet e Europës Qëndrore e Lindore, Leszek Kolakowski, filozofi i shquar polak, që aso kohe jepte mësim në Oksford, shprehte shqetësimin e tij se precedentë të ngjashëm mund të përsëriteshin edhe në disa prej vendeve postkomunistë, në të cilët, drejtues të rinj, pasi të kishin fituar një farë kredibiliteti si “dekomumizues” dhe “demokratë të vërtetë”, në rrethana që mund të dukeshin kaotike e pa rrugëdalje të ndiqnin hapat e diktatorëve komunistë pararendës.
Më 1991, Kolakowski shprehimisht i përjashtonte nga një rrezik i tillë Poloninë, Hungarinë dhe Çekosllovakinë për shkak se, sipas tij, “vitaliteti politik” në këta vende ishte mjaft i decentralizuar dhe në radhët e elitave të rëndësishme politike nuk dukej se kishte “diktatorë që presin të vijnë në krye”.
Edhe pse si Polonia dhe Hungaria kanë njohur një rikthim në metodat autoritariste të drejtimit, përvoja postkomuniste në përgjithësi e justifikon shqetësimin e Kolakowskit.
Përveç diktatorëve të mirëfilltë postkomunistë, si Slobodan Milosheviç në Serbi apo Alexander Lukashenko në Bjellorusi (ky i fundit president i vendit që nga viti 1994), një numër drejtuesisht të tjerë poskomunistë—Franjo Tudjman në Kroaci, Sali Berisha në Shqipëri, Vladimir Mečiar në Sllovaki apo Leonid Kravchuk dhe Leonid Kuchma në Ukrainë—manifestuan prirje dhe qëndrime të theksuara autoritariste, mungesë respekti për kushtetutat dhe lparlamentet e vendeve të tyre, qëndrime hapur armiqësore ndaj medias dhe fjalës së lirë, mongesë respekti për opozitën, shantazhe dhe veprime intimiduese ndaj saj, etj.
Në mes të viteve 1990, Samuel Huntington gjithashtu shprehte shqetësimin se rreziqet më të mëdha për demokracitë e brishta që po krijoheshin në vendet postkomunistë mund të vinin nga “udhëheqës apo grupe politike që fitojnë zgjedhjet, marrin pushtetin dhe pastaj eliminojnë mekanizmat e demokracisë për ta reduktuar apo shkatërruar demokracinë”.
Problemi me këto demokraci të reja, theksonte Huntington, është “jo përmbysja, por erozioni i tyre, rrënimi apo dobësimi gradual i demokracisë nga vetë ata që janë zgjedhur për ta udhëhequr demokracinë”.
Sot, si asnjëherë më parë, shohim drejtues autoritaristë shtetesh që manovrojnë—nga ndonjë herë në mënyrë të habitshme—për të bindur një pjesë të popullsisë në vendet e tyre, por sidomos komunitetin ndërkombëtar, se e drejta e tyre për të sunduar rrjedh nga mbajtja e zgjedhjeve të lira. Regjime të tillë, O’Donnell i quan “democracies pur la galerie” (demokraci për galerinë, apo për publikun), veçanërisht për publikun ndërkombëtar. Në të vërtetë regjime të tillë mund të cilësohen “autoritarizëm elektoral”.
Kjo formë regjimi ka ngjallur vitet e fundit një interes të veçantë në literaturën politike e sociologjike. Natyrisht, për regjime të tillë, parimi bazë është se “opozita nuk duhet të lejohet kurrë të fitojë”. Fatkqeqësisht, liderë të tillë, të cilët kërkojnë me çdo kusht të mbajnë pushtetin në duart e tyre duke intimiduar çdo opozitë, si presidenti egjyptian, Hosni Mubarak (në fuqi qysh nga viti 1981), apo presidenti pakistanez, gjenerali Pervez Musharraf (i cili më 1999 organizoi grushtin e shtetit që e bëri atë president të vendit dy vite më vonë), shumë herë ndihmohen të qëndrojnë në pushtet nga fuqitë e mëdha për shkak të interesave të tyre kombëtare e gjeostrategjike.
Në kundërshim me këtë parim dhe praktikë jo demokratike, kuptimi i vërtetë mbi demokracinë presupozon mundësinë e rotacionit të partive politike në pushtet. Siç shkruan politologu i njohur polako-amerikan Adam Przeworski: “Demokracia është një sistem në të cilin partitë humbasin zgjedhjet. Ka parti: ndarje interesash, vlerash dhe opinionesh. Ka konkurencë të organizuar mbi bazë rregullash. Ka edhe fitues dhe të humbur periodikë”.
Demokracia si tip ideal dhe si praktikë reale
Zgjedhjet e lira demokratike janë një variabël i vazhduar. Asnjëherë dhe në asnjë vend nuk ka pasur e nuk ka zgjedhje absolutisht të lira e të barabarta. Në disa vende, zgjedhjet kanë qenë e janë më të lira e më të drejta se sa në vende të tjerë, por zgjedhje ideale nuk mund të ketë, madje as në sistemin më të përkryer demokratik që mund të ekzistojë vetëm në formën e një “tipi ideal” weberian.
Guillermo O’Donnell ve në dukje se: “Demokracia është më shumë se sa një mënyrë e vlefshme organizimi politik. Ajo është, gjithashtu, një gjendje në të cilën diçka vazhdimisht mungon. [Demokracia] është mungesa e vazhdueshme e diçkaje më shumë, e një agjende gjithnjë të pa përmbushur, e cila synon kurimin e sëmundjeve sociale dhe progres të mëtejshëm në çështjet e shumta, që në një kohë të dhënë dhe për një popull të caktuar, preokuptojnë më shumë mirëqënien dhe dinjitetin human të tij”.
Kur flasim për zgjedhje jo tërësisht të lira e të drejta, natyrisht nuk bëjmë fjalë për zgjedhjet që një herë në çdo katër vite prodhonin rezultate unanime në Bashkimin Sovjetik të kohës së Stalinit, në Shqipërinë e kohës së Enver Hoxhës, në Kinën e Maos, në Kubën e Fidel Kastros, në Korenë e Veriut të Kim Ir Senit apo të Kim Jong Ilit, në Irakun e Sadam Huseinit, apo në Egjyptin e Hosni Mubarakut. Këtu bëjmë fjalë për vende që kanë një sistem demokratik të konsoliduar.
Në sisteme të tillë, si rregull, avantazhet që kanë partia apo partitë që janë në kryet të shtetit në prag të zgjedhjeve, përfaqësimi më i madh i disa zonave elektorale, pushteti i parasë që investohet në fushata elektorale në favor të njërës ose tjetrës parti politike, si dhe përdorimi disproporcional i burimeve financiare nga buxheti i shtetit për parti të ndryshme politike janë të gjithë faktorë që influencojnë në rezultatet e zgjedhjeve, duke bërë që ato të mos jenë kurrë krejtësisht të barabarta.
Është një aksiomë e pranuar gjerësisht midis tranzitologëve të sotëm se shkalla e përsosmërisë së zgjedhjeve si zgjedhje të lira e të barabarta është në proporcion të drejtë me shkallën e konsolidimit të demokracisë në çdo vend të dhënë: Sa më i konsoliduar të jetë sistemi demokratik, aq më të lira, të drejta e të barabarta janë zgjedhjet në të.
Në vendet në tranzicion ose me një sistem demokratik ende të pakonsoliduar, siç është edhe rasti i Shqipërisë, zgjedhjet, si rregull, janë më pak të lira dhe të drejta se sa në vendet me një demokraci të konsoliduar, ashtu sikurse edhe mbrojtja dhe respektimi i lirive e të drejtave të qytetarëve realizohen jo në të njëjtën shkallë.
Demokracive të tilla, në literaturën e ditëve të sotme u referohen si “demokraci të cilësisë së ulët” (lower-quaility democracies)—në pikëpamje të cilësisë së procedurave, cilësisë së përmbajtjes dhe cilësisë së rezultateve të procesit politik—në dallim nga demokracitë me të zhvilluara, fjala vjen, në vendet skandinave, në vendet e ulta, në Shtetet e Bashkuara, në Kanada, në Japoni apo në Australi.
Sidoqoftë, ndryshe nga çdo formë tjetër e organizimit politik të shoqërisë, demokracia përmban në vetvete shpresën dhe mundësinë reale të një përsosjeje të vazhdueshme.
Këtu dëshirojmë përsëri të citojmë një ndër ekspertët më të njohur në kohën tonë mbi demokracinë dhe tranzicionin demokratik, Guillermo O’Donnell, sipas të cilit: “Nëse i vlerësojmë arritjet [e derisotme] të demokracisë si një pikë referimi për shpresë, kjo mund të shërbejë si një forcë e madhe…Aftësia për të shpresuar është, në fakt, kapaciteti më i madh i demokracisë, i cili, në rrethanat e duhura, mundet dhe duhet të kultivojë kapacitete të tjera, më specifike, që mund të sjellin përmirësime në cilësinë demokratike”.
Përfundime
Edhe pse zgjedhjet e lira demokratike janë në çdo vend një kusht i domosdoshëm për legjitimitetin e qeverisë, sepse pa pjesëmarrjen e qytetarëve si zgjedhës të lirë në procesin elektoral asnjë qeveri nuk mund të ketë mandatin për të drejtuar punët e shtetit, vetëm zgjedhjet, siç jemi përpjekur të argumentojmë në këtë esé, nuk mjaftojnë për të justifikuar legjimitetin e një qeverie.
Një qeveri, edhe kur ajo është krijuar si rezultat i zgjedhjeve demokratike, mund ta humbasë legjimitetin e vet kur provon se nuk është në gjendje të qeverisë efektivisht. Edhe pse programet që i paraqiten elektoratit nga partitë politike që konkurrojnë të marrin rolin drejtues në punët e shtetit dhe në jetën e shoqërisë kanë, sigurisht, rëndësinë e tyre, ata në vetvete, nuk gjenerojnë legjitimitet për qeveritë që këto parti formojnë pas fitores në zgjedhje.
Legjitimiteti i një qeverie buron nga praktika aktuale e qeverisjes së saj. Siç shprehen Linz dhe Stepan, asnjë qeveri nuk mund të quhet demokratike apo legjitime “derisa drejtuesit e saj të qeverisin demokratikisht”. “Në qoftë se ekzekutivë të zgjedhur lirisht…shkelin kushtetutën, dhunojnë të drejtat e individëve e të minoriteteve, marrin nëpër këmbë funksionet legjitime të parlamentit dhe, në këtë mënyrë, nuk drejtojnë brenda kuadrit të shtetit ligjor, regjimet e tyre nuk janë demokraci”.
Përvoja e sistemeve demokratikë—me sukseset dhe me dështimet e tyre—mëson se fati i një demokracie është i lidhur ngushtë me shkallën në të cilën institucionet e saj dhe politikat e tyre pranohen si legjitime nga pjesa dërrmuese e shoqërisë.
Ndërsa demokracia është ai sistem politik që ka mundësitë më të mëdha për të gjeneruar legjitimitet, për të siguruar, pra, konsensusin popullor dhe mbështetjen e gjerë të qytetarëve, legjitimiteti, nga ana e vet, e bën të qëndrueshëm dhe e konsolidon më tej një sistem demokratik.
Këtë raport dialektik mes demokracisë dhe legjitimitetit e ka shprehur më mirë se kushdo Larry Diamond, i cili ve në dukje se: “Për të qenë e qëndrueshme, një demokraci duhet të shihet si legjitime nga ana e popullit; qytetarët duhet ta konsiderojnë atë si formën më të mirë, më të përshtatshme të qeverisjes për shoqërinë e tyre. Për shkak se ajo mbështetet në pëlqimin e popullit, demokracia është e varur nga legjitimiteti popullor më shumë se sa çdo formë tjetër qeverisjeje”.
Legjitimiteti presupozon një përkushtim moral dhe besnikëri emocionale të thellë, çka zhvillohen vetëm me kohë dhe pjesërisht si rezultat i një veprimtarie efektive. Një demokraci nuk do të çmohet prej qytetarëve për aq kohë sa ajo nuk merret efektivisht me problemet ekonomike e sociale dhe nuk arrin një modicum të rendit e të drejtësisë”.
Literatura e pasur teorike mbi demokracinë dhe përvojat më të mira të sistemeve demokratikë që njohim deri më sot do të duhej të shërbenin për të nxitur një debat teorik në vendin tonë, i cili t’i kontribuonte zgjerimit të sferës publike, forcimit të shoqërisë civile dhe, sidomos, konsolidimit të praktikave demokratike, që shpesh herë nëpërkëmben ose shkelen pikërisht nga ata që, siç thoshte Huntingon, “janë zgjedhur për ta udhëhequr demokracinë”.
Nje diskutim i tillë, përveç dobisë akademike, mund t’u shërbejë sidomos organeve shtetërore dhe individëve të zgjedhur në institucionet vendimmarëse të shtetit, në mënyrë që veprimtaria e tyre t’u shërbejë njëherësh përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve, përmirësimit të cilësisë së shoqërisë shqiptare dhe përmirësimit të cilësisë së shtetit në Shqipëri.
