Kanceri i qafës së mitrës është një ndër kanceret më të shpeshtë te gratë në moshat e mesme, në shumë vende të botës. Ndonëse është një nga kanceret më të parandalueshëm,nëpërmjet vaksinimit dhe depistimit, trajtimi i kësaj sëmundjeje mbetet ende i vështirë, për shkak të mosdiagnostikimit të sëmundjes në kohën e duhur. Shkaktari kryesor i këtij kanceri është virusi i papilomes humane (HPV). Terma të tjerë për këtë kancer jane ‘kancer cervikal’ dhe ‘kancer i cerviksit’.
Në përmbyllje të Javës Evropiane të Parandalimit të Kancerit të Qafës së Mitrës (23-29 janar), autoritetet e Institutit të Shëndetit Publik, (ISHP) bëjnë me dije se: “Pothuajse çdo rast me kancer të qafës së mitrës mund të parandalohet nëpërmjet kontrollit dhe vaksinimit. Tashmë është e provuar se programet e konrollit të kancerit të qafës së mitrës mund të parandalojnë deri në 80% të rasteve, dhe së bashku me vaksinën mund të reduktojnë ndjeshëm nivelet e këtij kanceri”. Depistimi zakonisht duhet të nisë në moshën 30-vjeçare.
Të dhënat mbi kancerin e qafës së mitrës në Shqipëri
Çdo vit në vendin tonë janë diagnostikuar rreth 130 raste raste të reja me këtë kancer dhe vdesin mesatarisht 40 gra nga kjo sëmundje. Sipas të dhënave të raportuara nga Instituti i Shëndetit Publik, niveli i incidencës në 5 vitet e fundit është rreth 9 për 100 mijë gra dhe nuk ka ndryshime domethënëse në kohë.
Niveli i vdekshmerisë luhatet nga 2.1 në 3.7 për 100 mijë gra. Shtrimet spitalore prej kancerit të qafës së mitrës, kanë pësuar rritjen më të rëndësishme mes gjithë kategorive të tjera të kancereve, duke filluar nga viti 2015 dhe në vazhdim. Shtrimet në spital janë rritur më shume se tre herë gjatë 5 viteve. Në kushtet e mungesës së rritjes së rasteve të reja, këto prirje dëshmojnë një rritje të kontakteve me sistemin shëndetësor të pacientëve me gjase e lidhur kjo me ndjekjen dhe trajtimin më të mirë të sëmundjes. Në dekadën e fundit është vërejtur një rritje e ndërgjegjësimit të grave mbi parandalimin e këtij kanceri nga 50 deri në 75 për qind.
Programi kombetar i depistimit
Programi kombetar i depistimit të kancerit të qafës së mitrës në Shqipëri bazohet në Dekretin e Këshillit te Ministrave Nr. 47 (30.1.2019). Programi kombetar i depistimit përdor si ekzaminim primar testimin për HPV me risk të lartë. Programi fillestar synon gratë e moshës 40-50 vjeç. Qëllimi është të sigurohet që brenda pesë vjetësh, të gjitha gratë në këtë grupmoshë, të mund të bëjnë një test të depistimit të Virusit të Papilomes Humane (HPV) me rrezik të lartë, si pjesë e ekzaminimeve rutinë të bëra në qendrat e kujdesit shëndetësor parësor (KSHP). Mbi bazën e kornizës teknike të programit kombëtar i depistimit, çdo mjek i qendrës shëndetësore referon gratë që kanë dalë pozitive, për të kryer një kolposkopi diagnostike te një gjinekolog i kualifikuar dhe, kur është e nevojshme, citologji ose biopsi. Programi i depistimit përmirëson identifikimin e grave që janë në rrezik më të lartë për kancer të qafës së mitrës, zbulon në kohë dëmtimet para-kanceroze, trajtimin e tyre dhe parandalimin e kancerit të qafës së mitrës. Sipas programit të ri, të gjitha testet e depistimit primar dhe ekzaminimet e mëtejshme sigurohen falas në pikën e kujdesit, pavarësisht nga statusi i sigurimit shëndetësor të pacientëve.
Parandalimi i kancerit të qafës së mitrës
Kanceri i qafës së mitrës është një sëmundje që mund të parandalohet! Kanceri i qafës së mitrës është shkaktuar nga një virus i quajtur HPV që trasmetohet nëpërmjet kontaktit seksual dhe shumica e njerëzve marrin këtë virus gjatë jetës së tyre. Shumica e infeksioneve HPV zhduken pa e ditur dhe vetë personi i infektuar. Kështu që në shumicën dërrmuese të rasteve, gratëpozitive me HPV, nuk do të zhvillojnë kurrë kancer të qafës së mitrës. Në disa gra, infeksioni nuk largohet, por pas disa viteve, mund të shkaktojë dëmtime parakanceroze. Nëse nuk zbulohet dhe trajtohet, këto dëmtime mund të çojnë në kancer të qafës së mitrës.
Ekzaminimi me kolposkopi shërben për të zbuluar ndryshimet shumë të hershme në qafën e mitrës (të quajtura parakancer), para se të zbulohet kanceri. Ekzaminimi mund të jetë i parehatshëm për disa gra, por përgjithësisht është i padhimbshëm. Ekzaminimi kolposkopik në shumicën e rasteve kryhet në spital nga njëgjinekolog i specializuar.
Është e domosdoshme të kontaktohet gjinekologu sa më shpejt pas marrjes së përgjigjes pozitive të testit depistues për HPV. Është gjithashtu e domosdoshme që të ndiqen këshillat e gjinekologut, pas ekzaminimit të parë me kolposkopi, dhe pas çdo ekzaminimi tjetër në vijim.
Gjinekologu që kryen ekzaminimin me kolposkopi mund të ketë nevojë të marrë material për citologji ose biopsi. Diagnoza definitive e kancerit të qafës së mitrës invaziv bëhet nëpërmjet ekzaminimit histopatologjik të një biopsie.Shumica e parakancereve të diagnostikuara përmes kolposkopisë mund të trajtohen lehtë nga gjinekologu, përmes disa teknikave të pastrimit të zonave të prekura.
Pajisjet intrauterine nuk e rrisin rrezikun e gruas për kancer të qafës së mitrës. Pilula kontraceptive mund të rrisin rrezikun shumë pak, por të mirat e parandalimin e shtatzënisë janë shumë herë më të madhe se sa rreziku shumë i vogel i zhvillimit të kancerit të qafës së mitrës.
Si zhvillohet parakanceri dhe kanceri i qafës së mitrës?
Infeksioni i vazhdueshëm me tipet HPV që shkaktojnë kancerin, është shkaku i shumicës së kancereve të qafës së mitrës. Kanceri i qafës së mitrës është i parandalueshëm me anë të vaksinimit të vajzave të reja kundër virusit të HPV, me anë të depistimit për të dhe me anë të trajtimit të lezioneve parakanceroze tek gratë, pasi këto lezione paraprijnë kancerin. Në të gjitha rastet, nëse zbulohet herët dhe trajtohet, kanceri i qafës së mitrës mund të shërohet.
Çfarë është parakanceri i qafës së mitrës?
Parakanceri i qafës së mitrës është një ndryshim i veçantë i qelizave sipërfaqësore në një zonë të veçantë të qafës së mitrës; qelizat fillojnë të zhvillohen në mënyrë të parregullt në praninë e një infeksioni afatgjatë me HPV. Kanceri i qafës së mitrës është një nga të paktët kancere në të cilët stadi pararendës (parakanceri) zgjat shumë vite përpara se të kthehet në kancer invaziv, duke siguruar kështu mundësi të mjaftueshme për zbulim dhe trajtim.
Infeksioni me HPV dhe bashkëfaktorët që mundësojnë infeksionin e vazhdueshëm
Shkaku kryesor i parakancerit të qafës së mitrës dhe i kancerit të qafës së mitres është infeksioni i vazhdueshëm pa simptoma, ose kronik me një ose më shumë prej tipeve HPV. Dihet tashmë se HPV është infeksioni më i zakonshëm i transmetuar seksualisht. Jo të gjitha tipet e HPV mund të shkaktojnë kancer. Ndërmjet më shumë se 100 tipeve të njohura HPV, pjesa më e madhe nuk janë të lidhur me kancerin e qafës së mitrës. Shtatë në dhjetë (70%) raste të kancerit të qafës së mitrës të raportuara në mbarë botën janë shkaktuar vetëm nga dy tipe HPV: 16 dhe 18. Katër tipe të tjerë HPV me risk të lartë – 31, 33, 45 dhe 58, janë të lidhur më rrallë me kancerin e qafës së mitrës. Dy tipe HPV me risk të ulët (6 dhe 11) nuk shkaktojnë kancer të qafës së mitrës, por janë shkaku i lythave gjenitalë ose kondilomave. Pothuajse të gjitha gratë dhe burrat infektohen me HPV pak kohë pas fillimit të aktivitetit seksual.
Virusi mund të transmetohet nëpërmjet kontaktit lëkurë me lëkurë të zonave gjenitale, pranë penisit dhe vaginës gjatë penetrimit. Ashtu si tek gratë, edhe tek meshkujt infeksionet me HPV janë gjithashtu pa simptoma dhe jetëshkurtëra. Ashtu si tek gratë, tipet HPV 6 dhe 11 shkaktojnë shumicën e lythave gjenitalë mashkullorë. Megjithëse infeksioni me një tip HPV me risk të lartë është shkaku themelor i pothuajse të gjitha rasteve të kancerit të qafes së mitrës, ai nuk është shkaku që këto infeksione të shkaktojnë gjithmonë kancer. Në fakt, shumë gra të infektuara me HPV me risk të lartë nuk zhvillojnë kancer sepse shumica e infeksioneve, pavarësisht nga tipi HPV, janë jetëshkurtëra, trupi i eliminon ato spontanisht në më pak se dy vjet. Infeksioni me HPV me risk të lartë persiston (bëhet kronik) vetëm në një përqindje të vogël të femrave, dhe vetëm një përqindje e vogël e këtyre infeksioneve kronike mund të përparojë në parakancer, nga të cilat, edhe më pak do të avancojnë në kancer invaziv.
Zhvillimi i parakancerit
Pas hyrjes në qelizat epiteliale të qafës së mitrës, infeksioni me HPV me risk të lartë ndërhyn në funksionet normale të tyre, duke çuar në ndryshime karakteristike të parakancerit (të quajtura dhe displazi). Nënjë qafë mitre të infektuar me HPV, ndryshimet ndodhin në dy drejtime, për shkak se një pjesë e madhe e qelizave të infektuara me HPV kthehet në gjendje normale dhe një pjesë e madhe e parakancereve të qafës së mitrës nuk bëhen kancer. Shumica e infeksionit te HPV vetëpastrohet, ashtu si dhe shumica e parakancareve vetëzhduken.
Teknikat diagnostike për zbulimin e parakancerit të qafës së mitrës
Një teknikë diagnostike ose konfirmuese është një test mjekësor që kryhet për të ndihmuar në diagnozën ose zbulimin e një sëmundje. Meqenëse vetëm një përqindje e vogël nga gratë që kanë rezultuar pozitive në testin e HPV, kanë parakancer, duhet të përdoret një ekzaminim pasues për diagnozën përfundimtare ose konfirmimin e parakancerit apo kancerit. Teknikat diagnostike më të përdorura për parakancerin e qafës së mitrës janë: kolposkopia, biopsia dhe kyretazhi endocervical (EÇ- endocervical curettage). Ato kërkojnë një nivel të lartë kualifikimi mjekësor dhe pajisjesh. Në vendin tonë këto teknika mund të kryhen si procedura ambulatore nga gjinekologët në disa spitale rajonale.
Kolposkopia
Kolposkopia është ekzaminim i qafës së mitrës, vaginës dhe vulvës me një instrument (kolposkop) që prodhon dritë të fortë dhe zmadhon një fushë, duke mundësuar ekzaminimin e shtresave sipërfaqësore dhe të enëve të gjakut përreth tyre. Kohët e fundit, kolposkopi është kompletuar me videoprojektor të posaçëm ose me kamera dixhitale. Kolposkopia është metodë tipike egzaminimi për pacientët me rezultate pozitive të testit HPV, që verifikon praninë, shtrirjen dhe llojin e parakancerit apo kancerit, për të lejuar biopsitë e marra nga çdo zonë me shfaqje anormale dhe për të përcaktuar nëse trajtimi më i përshtatshëm i radhës është krioterapia ose LEEP.
Biopsia
Biopsia është heqja e mostrave të vogla nga indet anormale dhe ekzaminimi mikroskopik për vënien e një diagnoze. Biopsitë mund të merren nga zonat e qafës së mitrës që që dyshohen për kancer. Nëse një lezion apo strukturë e parregullt e qafës së mitrës nuk është e dukshme me sy të lirë, kolposkopia mund të ndihmojë në përcaktimin e vendndodhjes apo të vendndodhjeve ku duhet të merren një ose më shumë biopsi. Për të realizuar biopsinë është e nevojshme një pincë speciale (forceps), dhe trajnimi i duhur. Biopsia përdoret për të përcaktuar shkallën e anormalitetit të ndryshimeve qelizore në qafën e mitrës dhe për të përjashtuar kancerin. Pas ekzaminimit, një biopsi mund të klasifikohet si normale, si neoplazi brendaepiteliale e qafës së mitrës (CIN), ose karcinomë invazive.
Lezionet parakanceroze
Klasifikohen si parakancer i epitelit anormal: gradës së ulët (CIN1), ose të lartë (CIN2 dhe CIN3, të referuara së bashku si CIN2 +). Klasifikimi bazohet në trashësinë; sa më thellë të arrijnë qelizat anormale nga baza e membranës drejt shtresës së sipërme të qelizave, aq më e lartë është grada e CIN-it. Në varësi te shkallës së anormalitetit jepen rekomandimet për trajtimin: lezionet e shkallës së lartë (CIN2 +) janë parakancer i 8 moderuar ose i rëndë dhe trajtohen, ndërsa CIN1 është një anomali e lehtë që përfaqëson zakonisht një infeksion me një tip HPV me risk të ulët dhe jo një pararendës të vërtetë të kancerit të qafës së mitrës, kështu që CIN1, zakonisht nuk trajtohet. Nëse biopsia zbulon kancer invaziv, pacienti duhet të drejtohet menjëherë për trajtim.
Kyretazhi endocervical
Kyretazhi Endocervical (EÇ) është një procedurë e thjeshtë që zgjat vetëm disa minuta: me anë të një instrumenti të hollë special ose me anë të një spatule, gërryhen butësish disa qeliza të sipërfaqes së kanalit endocervical. Indet vendoset në një enë me solucion fiksues dhe dërgohen në laborator për ekzaminim. EÇ përdoret në rrethana te caktuara te gjykuara nga gjinekologu.
Strategjitë e mjekimit të parakancerit të qafës së mitrës
Gratë me parakancer duhet të marrin trajtim efikas, i cili kërkon mjekë të kualifikuar dhe normalisht në Shqipëri kryhet në spitale. Mjekimi ka për qëllim të shkatërrojë ose të heqë zona të qafës së mitrës të identifikuara si parakancer. Metodat e mjekimit mund të jenë amputive (shkatërrimi i indeve anormale me djegie ose ngrirje) ose me heqje (heqje kirurgjikale e indeve anormale). Procedurat më të përdorura janë krioterapia, procedura së heqjes me anse elektro-kirurgjikale (LEEP) dhe konizimi me thikë të ftohtë (CKC).Ekzistojnë edhe forma të tjera terapie, të tilla si: heqja me lazer ose amputim, por nuk janë gjerësisht të përdorëshme.
Histerektomia (heqja e mitrës) është një teknike e rrallë në mjekimin e parakancerit. Histerektomia nuk duhet të kryhet për parakancerin, nëse nuk ka arsye të tjera të forta për të hequr mitrën.
Zgjedhja e mjekimit do të varet nga: përfitimet dhe dëmet e çdo metode, vendndodhja, shtrirja dhe severiteti i lezionit cervikal, kostot, si dhe trajnimi dhe përvoja e mjekëve
Pavarësisht nga metoda e trajtimit e rekomanduar, gruaja ka nevojë për informacion në lidhje me procedurën në mënyrë që ajo të mund të bëjë zgjedhjen e duhur. Përpara procedurës është i nevojshëm pëlqimi i pacientes, që mund të jepet gojarisht. Nëse dyshohet për kancer: Nëse një paciente ka një anomali të qafës së mitrës që duket e dyshimtë për kancer, pacientja nuk duhet të trajtohet me krioterapi, LEEP ose CKC. Hapi i duhur pasardhës për të, është një biopsi e qafës së mitrës për të konfirmuar ose përjashtuar diagnozën për kancer. Nëse ofruesi ka kualifikimin dhe pajisjet e duhura, ai mund të kryejë biopsinë. Nëse jo, ofruesi duhet ta drejtojë pacientin më tej për vlerësim të menjëhershëm.
Komplikimet e mundshme dhe ndjekja pas trajtimit
Të tre mënyrat e trajtimit mund të kenë komplikime të ngjashme në ditët pas përfundimit të procedurës. Të gjithë këto komplikime mund të jenë tregues të gjakderdhjes së vazhduar nga qafa e mitrës ose vagina apo të një infeksioni që ka nevojë të trajtohet. Pacientët duhet të këshillohen që nëse kanë ndonjë nga simptomat e mëposhtme pas krioterapisë, LEEP-it ose CKC-së, ata duhet të kërkojnë pa vonesë ndihmë në qendrën më të afërt: kur kanëgjakderdhje (më shumë se rrjedhja menstruale), dhimbje barku, sekrecione me erë të keqe ethe.
Zhvillimi i sëmundjes
- Ende nuk dihen mirë kushtet (bashkëfaktorët) që ndihmojnë infeksionin me HPV të persistojë dhe të përparojë në kancer, por mendohet se faktorët e riskut që paraqiten në vijim mund të luajnë një rol.
- Tipi i HPV-së – onkogjeniteti i tij, ose forca për të shkaktuar kancer.
- Gjendja e imunitetit, njerëz që kanë imunitet të kompromentuar, siç janë ata që jetojnë me HIV, kanë më shumë gjasa të kenë infeksione HPV të vazhdueshme dhe një përparim më të shpejtë në parakancer dhe kancer.
- Bashkë- infeksionini me agjentë të tjerë seksualisht të transmetueshëm, si ato që shkaktojnë herpesin simpleks, klamidian dhe gonorrean.
- Pariteti (numri i foshnjave të lindura) dhe mosha e re në lindjen e parë.
- Pirja e duhanit.
- Përdorimi i kontraceptivëve oralë për më shumë se pesë vjet. Ky bashkëfaktor i fundit, është më edhe me i dobët
Diagnoza dhe trajtimi i kancerit cervikal invaziv
- Gratë e diagnostikuara me kancer invaziv të qafës së mitrës, në faza të hershme zakonisht mund të trajtohen me efektivitet.
- Diagnoza definitive e kancerit të qafës së mitrës invaziv bëhet nëpërmjet ekzaminimit histopatologjik të një biopsie.
- Gratë me kancer të qafës së mitrës invaziv zakonisht trajtohen ne spitalin Universitar ne Tirane.
- Opsionet e trajtimit e kancerit përfshijnë kirurgjinë, radioterapinë dhe kimioterapinë; këto mund të përdoren edhe në kombinim.
- Pacientet duhet të kërkojnë informacion nga mjeket për efektet e mundshme anësore të trajtimit, të tilla si infertiliteti, menopauza, siklet apo dhimbje gjatë marrëdhënieve seksuale dhe ndryshime të mundshme në zorrë apo fshikën e urinës
- Pacientet duhet të kërkojnë informacion nga mjekët, nëse se ato do të kenë nevojë për një ndjekje afat-gjatë dhe kontakte me struktrat e kancerit ku ato kanë marrë trajtimin e tyre.
- Nëse nuk trajtohet, kanceri i qafës së mitrës invaziv është pothuajse gjithmonë fatal.
