Presidenti amerikan Donald Trump, presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti kinez Xi Jinping kanë arritur një dakordësi për disa çështje të rëndësishme të sigurisë dhe politikës ndërkombëtare, pas takimit trepalësh të zhvilluar ditën e sotme në Shenzhen të Kinës.
Tre vendet kanë miratuar një deklaratë të përbashkët që përfshin reformimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, sigurinë energjetike dhe angazhimin për dialog mbi armët bërthamore.
Pika kryesore e deklaratës lidhet me sigurinë bërthamore. Trump, Putin dhe Xi kanë riafirmuar parimin se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet. Tre vendet kanë rënë dakord të angazhohen në dialog për uljen e rreziqeve bërthamore dhe parandalimin e përhapjes së këtyre armëve.
Çështja ka marrë rëndësi të veçantë pas skadimit, në shkurt të këtij viti, të traktatit New START, marrëveshjes së fundit për kontrollin e armëve strategjike mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.
Një tjetër pikë e dakordësisë është reforma e Kombeve të Bashkuara. Si tre anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, SHBA, Rusia dhe Kina janë angazhuar të mbështesin ndryshime që do ta bëjnë organizatën më efektive në përballimin e krizave ndërkombëtare dhe ruajtjen e paqes.
Në fushën e energjisë, tre vendet kanë rënë dakord të rrisin prodhimin dhe furnizimin me produkte të rafinuara të naftës. Deklarata thekson rëndësinë e garantimit të rrjedhave të qëndrueshme energjetike, por nuk jep shifra për rritjen e prodhimit apo mekanizma konkretë për zbatimin e këtij angazhimi.
Një pikë tjetër lidhet me Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Sipas tekstit të deklaratës, tre presidentët kanë theksuar rëndësinë e pëlqimit të shteteve dhe respektimit të imunitetit të zyrtarëve shtetërorë, duke kërkuar që Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe institucione të ngjashme të mos abuzojnë me juridiksionin e tyre.
Ndërkohë, deklarata e përbashkët nuk përmban asnjë marrëveshje për luftën në Ukrainë apo konfliktin në Iran, megjithëse Trump kishte deklaruar se do t’i diskutonte këto dy çështje me homologët e tij.
Takimi trepalësh u zhvillua në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC). Përpara tij, Trump zhvilloi takime të veçanta me Xi Jinping dhe Vladimir Putin.
Pavarësisht dakordësisë për katër çështjet e përfshira në deklaratë, tre presidentët nuk kanë shpallur një traktat të ri për kontrollin e armëve bërthamore, një plan të detajuar për reformimin e OKB-së apo angazhime të matshme për prodhimin e naftës.
Për momentin, marrëveshja mbetet në nivelin e angazhimeve politike dhe hapjes së dialogut. Zbatimi i tyre do të varet nga negociatat e ardhshme mes Uashingtonit, Moskës dhe Pekinit.
j.l./ dita
