Para 10 vitesh kam botuar në gazetë një shkrim e titullin : “Turbo- Folku rrezik i tjetërsimit”.
Ishte koha kur në zhvillimet muzikore filloi të shfaqej një rrymë e re kur këngëtarë e kompozitorë të ndryshëm morën këngën polifonike tradicionale të trevave të jugut dhe e tjetërsuan nga grupi popullor “A kapela” në këngë që do të këndohej solo nga një këngëtar me shoqërim të orkestrës me instrumente elektronikë si: organo, kitara, bateri etj.
Si muzikolog që kam patur fatin të kem qenë në rolin e udhëheqësit artistik të grupeve popullore të rrethit të Gjirokastrës në Festivalet Folklorike Kombëtare ta prek, ta përjetoj, ta njoh, studioj dhe promovoj në librat e mi polifoninë e jugut këtë magji të këngës shqiptare që Organizata Botërore e UNESCO e ka përfshirë në listën e vlerave të trashëgimisë botërore që ajo e ka marrë në mbrojtje nga data 25 nëntor 2005 bëri që shqetësimin tim për “Turbo-Folkun” këtë dukuri, rrymë a fenomen ta shpreh në shkrimin në gazetë.
Jo vetëm atëherë por edhe sot nuk e kuptoj emërtimin e kësaj rryme të re dhe si hyri ajo në strukturën “Tonalo-modale” të këngës polifonike shqiptare. E ndiqja me interes dhe vëmendje këtë rrugëtim marramendës të “Turbo – folkut” në fillimet e saj dhe mundohesha të gjeja arsyen pse kjo rrymë e re pati këtë përhapje kaq masive në këngët e trevave të jugut ku kultivohet polifonia. Nëse do të shikojmë këngën shqiptare në zhvillimet e saj ajo mund të ndahet në këngë qytetare në pjesën më të madhe të qyteteve të vendit tonë si këngë e kënduar nga një solist dhe me shoqërim të orkestrës si në qytetet: Korçë, Tiranë, Shkodër, Elbasan, Durrës, Berat, Vlorë, Krujë, Përmet, Leskovik etj dhe këngë polifonike që këndohen nga grup “A kapela” dhe që i ndajmë në polifoni labe në pjesën jugore të vendit dhe polifoni toske në pjesën juglindore, këngë këto që këndohen pa shoqërim të instrumenteve muzikorë.
Në kafenetë dhe lokalet ku kënga qytetare shoqërohet nga orkestra kishte edhe një podium ku rinte orkestra si në “Kafen e Madhe” në Shkodër e qytete të tjera. Ndërsa në kafenetë e Gjirokastrës ku burrat e qytetit këndonin këngën gjirokastrite në variantet melodike të polifonisë klasike si pjesë e trashëgimisë ndër më të hershmet e polifonisë shqiptare nuk kishte mundur të depërtonte në to shoqërimi me veglat muzikore dhe as i përzienin këto motive me ato të zonave përreth.
Prandaj burrat gjirokastritë kur uleshin në këto kafene në shoqërinë e njeri- tjetrit dhe pinin ndonjë gotë raki i drejtoheshin “Merrja një gjirokastriçe”, kjo për ta identifikuar këngën e tyre që vjen si një variant tradicional befasues i veçantë me strukturë e variante melodike kontrastuese jo vetëm në trevat përreth e gjithë hapësirën tradicionale të polifonisë, por shumë më gjërë. Ajo që më shqetëson në përhapjen e kësaj rryme muzikore nuk është se këngën polifonike po e kthejnë nga këngë “ A kapela” në këngë të shoqëruar nga orkestra por se këta muzikantë e këngëtarë filluan të prekin edhe këngë perla të polifonisë së jugut të interpretuar nga korifej virtuozë që kanë bërë të buçasin bedenat e kalasë historike të qytetit të gurtë nga zërat brilant dhe të papërsëritshëm deri më sot.
Kjo ndërhyrje në meloditë e këtyre perlave të folkut tonë është shqetësuese dhe e tjetërson polifoninë duke dëmtuar autenticitetin e saj. Mendoni për një moment se si do të jetë kënga gjirokastrite pas 100 apo 200 vjetësh nëse rryma e “Turbo- folkut” do të depërtonte masivisht në këtë perlë të folkut tonë. Me siguri që nuk do ta kemi këngën tradicionale gjirokastrite por një variant të ri të polifonisë të shoqëruar nga orkestra.
Nëse do të ndodhi kjo atëhere UNESCO me siguri do ta çregjistroj këngën polifonike shqiptare nga lista e trashëgimisë botërore që mbrohet nga ajo. Personalisht duke e ndjerë këtë shqetësim të tjetësimit të këngës polifonike me modestinë e një artisti ju drejtohem: “MOS E PREKNI POLIFONINë“
Kur flasim për këngën gjirokastrite në tërë hapsirën dhe dimensionin e saj dy janë ambientet ku ajo u lind, u këndua dhe evouloi në mjetet shprehëse: “Në shtëpitë karakteristike dhe KAFENETë E QYTETIT”.
Shtëpia gjirokastrite është Atelija ku kënga gjirokastrite u trashëgua në breza nëpërmjet rriteve, festave e gëzimeve familjare si: ceremoniali i dasmës, lindja e fëmijës, këngët e burrave rreth sufrasë dhe ato të grave rreth nuses në odanë e grave, këngë që përbëjnë trashëgiminë e qytetit të Gjirokastrës. Ky ambient është i shenjtë dhe gjirokastritët nuk i përziejnë këto këngë polifonike të bukura, të veçanta, kontrastuese me trevat përreth, këngë me strukturë, sfrofë e refren dhe monostrofike të karakterit epik, lirik, heroik të kënduara nga burra e gra dhe këngë e valle me burra e gra.
Gjirokastritët janë konservatorë në ruajtjen e trashëgimisë së qytetërimit të tyre të lashtë autentik e të papërsëritshëm me dukuri e tradita të veçanta. Ruajtja e pastër dhe e pa prekshme e këngës gjirokastrite dhe mos shoqërimi i saj me vegla popullore e tregon këtë qëndrim si respekt ndaj traditave që banorët e qytetit të tregojnë për pastërtinë e trashëgimisë folklorike.
I gjithë ky kujdes dhe dashuri për trashëgiminë kulturore që vjen nga thellësia e shekujve deri në ditët tona, gjirokastritët fisnikë e kanë shprehur në një dimension të jashtëzakonshëm ruajtjen e trashëgimisë autentike të shtëpive kështjellë të Gjirokastrës. Këto saraje befasuese të veçanta e të jashtëzakonshme në kompleksitetin e tyre unik e zbukurojnë hapësirën e Malit të Gjërë që i befason të gjithë ata që e sodisin Gjirokastrën nga bedenat e kalasë së Argjiros.
Kjo trashëgimi me vlerë në trashëgiminë kulturore të vendit tonë është ruajtjur e pastër nga paraardhësit tanë fisnikë që e trashëguan në breza me tërë dashurinë e shpirtit. Këtë pasuri dhe vlerë na takon ne brezave të sotëm ta ruajmë e ta trashëgojmë në brezat e ardhshëm si kanë bërë prindërit dhe prindërit e prindërve tanë.
Eshtë mision historik për brezat e sotëm ta ruajmë, ta lëmë të pastër këngën gjirokastrite këtë polifoni klasike të papërsëritshme larg tendencës së “Turbo- folkut” që e përziejnë atë me shoqërimin me veglat muzikore.