Nga Fatos Tarifa
Botuar në DITA
Fragment nga libri “Afrimi i madh”, shkruar nga ish-ambasadori i Shqipërisë në Uashington, që pritet të dalë nga shtypi së shpejti.
Emri dhe popullariteti i gjeneralit Colin Powell kishin qenë të njohur për mua shumë kohë më parë se të emërohesha ambasador në Uashington, kur ai ishte këshilltar i presidentit Ronald Regan për Sigurinë Kombëtare (1986-1989) dhe, më vonë, shef i Shtabeve të Bashkuar nën presidentët George H. W. Bush dhe Bill Clinton (1989-1993). Sidoqoftë, kurioziteti dhe admirimi im për këtë personalitet të shquar të shoqërisë politike amerikane u shtuan veçanërisht në mesin e viteve 1990. Në atë kohë unë punoja për disertacionin tim doktoral në University of North Carolina në Chapel Hill dhe, në vitin 1996, ndoqa me interes të veçantë fushatën e zgjedhjeve presidenciale që i dha presidentit Clinton një mandat të dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Para se konventa republikane të nominonte senatorin Bob Dole si kandidatin e Partisë Republikane, i cili do të konkurronte në vitin 1996 me presidentin demokrat në detyrë Bill Clinton, mediat amerikane spekulluan shumë me emrin e gjeneralit Powell, një republikan i moderuar, si kandidati më i mundshëm republikan për garën presidenciale. Për arsye, të cilat në atë kohë Colin Powell i shpjegoi se ishin thjesht “personale” dhe “familjare”, ai nuk hyri në garën për president edhe pse, pavarësisht përkatësisë së tij etnike afroamerikane, shumëkush mendonte se ai do të kishte qënë një kandidat dhe një sfidues shumë më i forte sesa Bob Dole për postin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara.
I lindur në Harlem, NY, nga dy prindër emigrantë nga Jamaica me origjinë afrikane dhe i rritur në South Bronx, Powell ishte në atë kohë ndoshta i vetmi republikan që mund ta fitonte garën për Shtëpinë e Bardhë me presidentin Clinton, edhe për shkak se ai kishte një mbështeje të gjerë në radhët e komunitetit afroamerikan dhe atij hispanik në shumë shtete të Shteteve të Bashkuara. Vetë Colin Powell, i cili në atë kohë jetonte në Alexandria (Virginia), i pyetur në atë kohë, në Alexandria (Virginia), i pyetur se çfarë mund t’u sillte ai amerikanëve nëse do të ishte presidenti i tyre, ishte shprehur me këto fjalë: “Unë dua të sjell në jetën e çdo fëmije dhe çdo të riu ndjenjën e shpresës dhe të besimit që më kanë ushqyer mua vetë në jetën time. Vetëm pesë blloqe larg nga këtu ku unë jetoj mund t’ju tregoj fëmijë që nuk e kanë më këtë shpresë dhe këtë besim” (Peter Grier, “Powell to the People: A Conversation with the General”, The Christian Science Monitor, September 22, 1995).
Në zgjedhjet e atij viti, Bill Clinton mori 84% të votave të komunitetit afroamerikan dhe 73% të votave të komunitetit hispanik. Nëse Colin Powell do të kishte konkurruar me të si kandidati republikan, në vend të senatorit Bob Dole, votat e këtyre dy komuniteteve etnikë do të ishin ndarë ndryshe dhe Powell mund të kishte marrë Shtëpinë e Bardhë. Kësaj mund t’i kishte ndihmuar edhe reputacioni dhe simpatia që ai gëzonte në një pjesë të elektortit demokrat kryesisht për shkak të përvojës së tij si general dhe si shef i Shtabeve të Bashkuar.
Shumë demokratë e shihnin me admirim qëndrimin e tij të moderuar në çështje ushtarake dhe për shumë çështje sociale, si e drejta e abortit, veprimi afirmativ (affirmative action) etj. Ata besonin se Powell kishte një vizion të qartë për atë se “what’s wrong with American society” (Çfarë nuk shkon në shoqërinë amerikane) dhe mund të ndihmonte për ta ndryshuar gjendjen. Vetë Colin Powell, në librin e tij My American Journey (1995), ka deklaruar se ai ishte “a fiscal conservartive with a social conscience” (Një konservator në çështje fiskale, por me një ndërgjegje sociale). Powell e formuloi filozofinë e tij politike e sociale me këto fjalë: “Ne duhet të fillojmë të mendojmë për Amerikën si të ishim një familje. Ne s’duhet t’i ulërasim njëri-tjetrit, por të kujdesemi e të sakrifikojmë për njëri-tjetrin, të ndajmë me njëri-tjetrin”.
Në momentin kur Colin Powell, në nëntor të vinit 1995, deklaroi publikisht se nuk do të kandidonte për postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, siç u shpreh ai në atë kohë kryesisht për shkak se i mungonte pasioni për politikën, u bë e qartë se Bill Clinton do të qëndronte në krye të Shtëpisë së Bardhë edhe për katër vite të tjera, pasi Bob Dole ishte një rival i dobët për të. Pas kësaj kohe, Colin Powell u tërhoq thuajse tërësisht në jetën private dhe fare pak u fol për të. Ai u shfaq sërish aktiv në jetën publike dhe politike të Shteteve të Bashkuara në majin e vitit 2000, kur George W. Bush, kandidati republikan në zgjedhjet presidenciale të atij viti, bëri të njohur publikisht se Colin Powell do të ishte sekretari i Shtetit në administratën e tij nëse ai e fitonte garën presidenciale ndaj rivalit të tij demokrat Al Gore.

Colin Powell ishte një ndër figurat politike e publike më të admiruara e më të respektuara në Shtetet e Bashkuara. Kjo ishte arsyeja që, kur George W. Bush u konfirmua si president i 43-të i Shteteve të Bashkuara, Powell ishte i pari që Bush e emëroi anëtar të kabintetit të tij si sekretar Shteti. George Washington kishte bërë të njëjtën gjë dy shekuj e ca më parë, kur u zgjodh president i parë i Shteteve të Bashkuara, duke emëruar si sekretar Shteti në kabinetin e tij, në atë kohë me vetëm katër anëtarë, një personalitet të jashtëzakonshëm si Thomas Jefferson.
Presidenti Bush shihte te Colin Powell një personalitet që jo vetëm gëzonte një popullaritet dhe respekt të madh në radhët e publikut amerikan, por edhe një njeri me një eksperiencë të gjatë e shumë të pasur në shërbim të qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe me një ndjenjë të lartë detyre e përgjegjësie. Emërimi i një personaliteti si Colin Powell në administratën e tij do të rriste edhe kredibilitetin e vetë presidentit Bush.
Powell kishte punuar në funksione shumë të rëndësishme me pesë presidentë të Shteteve të Bashkuara, republikanë dhe demokratë—Richard Nixon, Jimmy Carter, Ronald Reagan, George H. W. Bush dhe Bill Clinton. Ai kishte pasur vlerësimin dhe respektin e të gjithë presidentëve të cilëve u kishte shërbyer. Në dhjetor të vitit 2000, kur presidenti i porsazgjedhur George W. Bush e emëroi atë sekretar Shteti në kabintetin e tij, 83% e amerikanëve (republikanë dhe demokratë) kishin një opinion pozitiv për Colin Powell-in. Popullariteti i tij në radhët e publikut amerikan mbeti shumë i lartë, madje u rrit pas asaj kohe—85% në prill 2002, 88% në shtator 2002, 86% në janar 2003, 83% në qershor 2003 dhe 87% në fund të nëntorit 2004, kur ai kërkoi dorëheqjen nga posti i sekretarit të Shtetit.

Në nëntor të vitit 2004 ishte bërë publikisht e njohur se Colin Powell nuk do të ishte pjesë e kabintetit të ri të presidentit Bush. Tetë ditë pas rizgjedhjes së presidentit Bush, Powell mori një telefonatë nga shefi i Stafit të Shtëpisë së Bardhë, Andrew Card, për t’u njoftuar se “Presidenti dëshironte të bënte një ndryshim”. Presidenti Bush kërkoi që Powell të nënshkruante një letër dorëheqjeje nga pozicioni i tij si sektetar i Shtetit brenda dy ditësh, pra deri më 12 nëntor. Vetë Powell, qysh në verën e atij viti, kishte lënë të kuptohej se nuk dëshironte të vazhdonte të ishte edhe më tej anëtar i kabinetit.
Letrën e dorëheqjes Powell e formuloi në atë mënyrë, që linte të kuptohej se dorëheqja ishte, në fakt, një zgjedhje e tij. Në atë letër ai shkruante: “I dashur Z. President: Siç kemi diskutuar muajt e fundit, unë besoj se tani që zgjedhjet kanë mbaruar, ka ardhur koha që ta lë detyrën e sekretarit të Shtetit dhe të kthehem në jetën private. Prandaj, dorëhiqem si sekretari i 65-të i Shtetit, efektivisht në çdo kohë që të dëshironi ju”.
Shumë njerëz besojnë se, në pjesën më të madhe të mandatit të tij në krye të Departamentit të Shtetit, sekretari Powell ishte ndier i mënjanuar dhe “i tradhëtuar” nga presidenti Bush dhe nga njerëzit e tij të afërt në administratën e tij (Dick Cheney, Donald Rumsfeld, Condoleezza Rice), edhe pse ai vetë i qëndroi besnik deri në fund presidentit dhe përgjegjësive të tij si sekretar i Shtetit. Kjo u shpreh edhe një herë qartë në letrën e tij të dorëheqjes, në të cilën Colin Powell shkruante se ndihej i nderuar që kishte qenë “pjesë e një ekipi që nisi luftën globale kundër terrorizmit, që çliroi popujt e Afaganistanit dhe të Irakut, që zgjoi vëmendjen e botës ndaj problemeve të proliferimit [të armëve], afirmoi aleancat [e Amerikës] të përshtatura botës së pas Luftës së Ftohtë dhe ndërmorri nisma të mëdha për të luftuar varfërinë dhe sëmundjet në vendet në zhvillim.”.
Sekretari Powell e nënshkroi atë letër dorëheqjeje drejtuar presidentit Bush me fjalët “Very respectfully”, një frazë kjo që përdoret nga çdo ushtar dhe oficer në ushtrinë amerikane kur i shkruan zyrtarisht një eprori të vet. Powell ia dorëzoi letrën z. Card në Shtëpinë e Bardhë në datën e caktuar dhe, po atë mbrëmje, vuri në dijeni nënsekretarët e Shtetit për menaxhimin dhe politikat, Grant Green dhe Marc Grossman, si dhe shefin e stafit të tij Lawrence Wilkerson. Sigurisht që zëvendësi i tij dhe bashkëpunëtori i tij më i ngushtë Richard Armitage ishte i pari që kishte marrë dijeni për veprimin e sekretarit Powell.

Trashëgimia që la pas Colin Powell me largimin nga Departmenti i Shtetit dhe nga administrata amerikane ka qenë dhe vazhdon të jetë subjekt i një debati të gjerë politik e diplomatik brenda dhe jashtë Shteteve të Bashkuara. Në fakt, për të nisi të flitej fill pas pushtimit të Irakut. Kushdo që ishte kundër atij pushtimi, e ka parë atë si një rrjedhojë të filozofisë politike neokonservatore që dominoi administratën e presidentit Bush, veçanërisht ndihmësit më të afërt të tij, Cheney dhe Rumsfeld. Sidosoftë, njeriu mbi të cilin padrejtësisht rëndoi përgjegjësia e drejtpërdrejtë për atë luftë dhe “viktima” politike kryesore në administratën e presidentit Bush u bë sekretari i Shtetit Colin Powell. Fjala e sekretarit Powell para Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara më 5 shkurt 2003 u konsiderua në atë kohë, siç vazhdon të konsiderohet edhe sot, si arsyeja që e motivoi dhe e justifikoi pushtimin amerikan të Irakut para komunitetit ndërkombëtar.
Në atë kohë, qeveria shqiptare e mbështeti plotësisht dhe pa asnjë rezervë administratën e prsidentit Bush në politikën e saj ndaj Irakut. Ajo ishte ndër të parat që iu bashkua koalicionit të vullnetit, siç bënë edhe dhjetëra qeveri të tjera demokratike. Unë vazhdoj të besoj se ai ishte qëndrimi i duhur që mund të mbante në atë kohë qeveria e Shqipërisë ndaj aleatit të saj strategjik kryesor. Unë besoj, gjithashtu, se sekretari Powell nuk tha në Këshillin e Sigurisë të OKB-së asgjë, për vërtetësinë e së cilës nuk e kishin siguruar shërbimet e inteligjencës së administratës së tij.
Siç rezultoi më vonë, nuk ishte Colin Powell ai që i dezinformoi Këshillin e Sigurisë dhe komunitetin ndërkombëtar mbi ekistencën e armëve të shkatërrimit në masë në Irak, por ishte ai që u dezinformua dhe u përdor—si njeriu me më shumë kredibilitet në administratën amerikane dhe diplomati amerikan më i respektuar në arenën ndërkombëtare—për qëllimet e tyre nga Shtëpia e Bardhë dhe nga Pentagoni për realizimin e një plani të paramenduar.
Dëshiroj të vë në dukje këtu, me pak fjalë, rrethanat në të cilat sekretari Powell vendosi të dëshmonte para Këshillit të Sigurisë mbi ekzistencën e armëve të shkatërrimit në masë në Irak. Zyra e zëvendëspresidentit Cheney i ofroi sekretarit Powell një dokument të mbushur me “prova”, të cilay e bënin jo vetëm të justifikueshëm, por edhe emergjent një sulm ndaj Irakut. Powell, siç e kam dëgjuar më vonë, në vitin 2005, të shprehej ai vetë publikisht, kishte shumë dyshime në vërtetësinë e atyre “provave” dhe vendosi që të shkonte vetë, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, në zyrat e CIA-s për t’i verifikuar ato. “I went and lived at the CIA for about four days”, deklaroi ai në shkurt të vitit 2004 para komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve, “për t’u siguruar që informacioni që më ishte ofruar ishte i vërtetë”.
Pjesa më e madhe e “provave” që i ishte ofruar Departamentit të Shtetit nga zyra e zëvendëspresidentit Cheney nuk ishin të tilla, pra nuk ishin prova të konfirmuara e të sakta. Sidoqoftë, burimet e CIA-s ofronin të dhëna që mund të konsideroheshin si prova dhe sekretari Powell i paraqiti ato si të tilla në Kombet e Bashkuara. Ai sinqerisht besonte në atë kohë se ato të dhëna “nuk ishin të ekzagjeruara dhe nuk ishin të gënjeshtërta”. Para Këshillit të Sigurisë të OKB-së, më 5 shkurt 2003, ai deklaroi: “These are not assumptions. These are facts” (Këto nuk janë hamendje. Këto anë fakte).
Për mua, ashtu si dhe për një pjesë të madhe të publikut, shumë të vërteta u sqaruan në fund të vitit 2004, kur gazetari i shquar amerikan Bob Woodward botoi librin e tij Plan to Attack. Në këtë libër përshkruhen, veç të tjerash, marrëdhëniet mes zëvendëspresidentit Dick Cheney dhe sekretarit të Shtetit Colin Powell. Marrdhëniet mes tyre nuk ishin aspak të afërta, edhe pse Cheney dhe Powell njiheshin prej kohësh dhe kishin punuar së bashku në vitet 1989-1993, kur Cheney ishte në krye të Pentagonit, ndërsa Powell shef i Shtabeve të Bashkuar.
Në prag të pushtimit të Irakut, në pranverë të vitit 2003, marrëdhëniet Cheney-Powell u tensionuan në atë masë, sa ata thuajse nuk komunikonin fare me njëri-tjetrin. Siç vë në dukje Woodward, sekretari Powell e ndiente se Cheney dhe aleatët e tij—ndihmësi i tij kryesor Lewis Libby, zëvendëssekretari i Mbrojtjes Paul Wolfowitz dhe nënsekretari i Mbrojtjes Douglas Feith—kishin krijuar diçka të ngjashme me një “qeveri të veçantë”, ndërsa Feith drejtonte një lloj zyre “Gestapoje”, që kërkonte të gjente medoemos një lidhje mes Saddam Hussein-it dhe ngjarjeve të 11 shtatorit.
Woodward dëshmon, gjithashtu, se zëvendëspresidenti Cheney e konsideronte sekretarin Powell si një “problem”, pasi ky i fundit gjithnjë kishte shprehur rezerva ndaj asaj çfarë Cheney dhe njerzit e tij “përpiqeshin të bënim”. Para pushtimit të Irakut, Colin Powell fare hapur i kishte thënë presidentit Bush se, nëse ai do të dërgonte trupa në Irak, pas pushtimit nuk do të duhej të sillej ndaj atij vendi si të ishte një vend i huaj, por do të duhej të merrte përgjegjësi të plota për të. “You break it, you buy it” (Nëse e thyen një gjë, duhet ta blesh atë), i kishte thënë sekretari i Shtetit presidentit Bush.
Colin Powell dhe Dick Cheney kishin dy vizione krejt të ndryshëm për politikën e jashtme amerikane. Vizioni multilaterist i sekretarit të Shtetit për botën dhe marrëdhëniet e Amerikës me të, që njihet edhe si “Doktrina Powell”, i përmbahej parimit se Shtetet e Bashkuara duhet të angazhohen me komunitetin ndërkombëtar, se përdorimi i forcës është i domosdoshëm vetëm atëherë kur objektivat që synohen të arrihen janë të qarta, kur opinioni publik i kupton dhe i mbështet veprimet e qeverisë dhe kur ushtria mund të përdoret në mënyrën më të efektshme dhe me forcën e duhur. Powell ishte kundër përdorimit të forcës ushtarake për të arritur qëllime kryesisht politike. Me pak fjalë, vizioni i sekretarit Powell ishte i tillë, që synonte të korrigjonte gjithçka të gabuar që ai vetë kishte mësuar nga eksperienca e tij në luftën në Vietnam.
Qysh në javët e para të administratës së presidentit George W. Bush dhe, sidomos, pas ngjarjeve tragjike të 11 shtatorit 2001, shumë njerëz në Amerikë dhe jashtë saj filluan të dyshonin se politika e jashtme e Uashingtonit po përpunohej kryesisht nga Pentagoni dhe nga zyra e zëvendëspresidentit Cheney dhe jo nga Departamenti i Shtetit. Siç vinte në dukje një gazetar i njohur amerikan në atë kohë, Colin Powell ishte “zëri i ndërgjegjes në një administratë që nuk dukej se kishte një ndërgjegje”. Në fakt, Colin Powell, siç pohon Philip Gordon, ishte i vetmi “realist i një administrate ideologësh”.
Sekretari Powell i kundërshtoi planet e administratës së presidentit Bush lidhur me pushtimin e Irakut qysh në fillim. Ai kërkoi që, për çështjen e Irakut, Shtetet e Bashkuara të bashkëpunonin me komunitetin ndërkombëtar dhe ajo çështje të zgjidhej përmes një rezolute të Kombeve të Bashkuara. Powell ia kishte bërë të qarta presidentit rezervat e tij sa i përket kostos financiare të luftës dhe të angazhimit amerikan në Irak pas luftës. Në vitin 2013, dhjetë vite pas pushtimit të Irakut, kostoja financiare e asaj lufte llogaritej në rreth 2 triliardë USD (Jim Bratt, “The Good Soldier: The Tragedy of Colin Powell”, Historical Horizons, November 9, 2021). Por Colin Powell e kishte paralajmëruar presidentin Bush edhe për problemet dhe rreziqet me të cilat do të ndesheshin Shtetet e Bashkuara pas pushtimit të atij vendi. Këshillat e tij dhe të shumë gjeneralëve në pension për të bërë kujdes nuk u dëgjuan. Ndikimi i tij si sekretar Shteti në atë administratë u dobësua dhe kjo u bë gjerësisht e ditur.
Nga ana tjetër, Dick Cheney, Donald Rumsfeld dhe Condoleezza Rice kishin një ndikim shumë të madh te kreu i Shtëpisë së Bardhë, çka shpjegon edhe dobësimin me kalimin e kohës të marrëdhënieve të presidentit me sekretarin Powell. Në librin e tij To Start a War, Robert Draper dëshmon se presidenti Bush e kishte pyetur sekretarin Powell drejtpërsëdrejti: “Did he, Powell, agree with his president? Was there a case for war? Would he make it on the world stage, at the UN?” (A pajtohej ai, Powell, me presidentin e tij? A kishte një shkak për luftë? A do e argumentonte ai atë [shkak] në skenën globale, në OKB?) [Robert Draper, To Start a War: How the Bush Administration Took America into Iraq. New York: Penguin 2020).
Në të kaluarën, situata të ngjashme kishin çuar në përfundime ekstreme. Cyrus Vance, i cili shërbeu si sekretar i Shtetit në administratën e presidentit Jimmy Carter, dha dorëheqjen për shkak të kontradiktave që ai kishte me Zbigniew Brzezinski-n, në atë kohë këshilltar i presidentit për Sigurinë Kombëtare. Colin Powell mundej të kishte vepruar njëlloj, por ai zgjodhi të qëndronte në detyrë, edhe pse Rumsfeld dhe Cheney dukej se i kishin injoruar tërësisht si Doktrinën Powell, ashtu dhe teoritë dhe praktikat diplomatike të sekretarit të Shtetit. Zgjedhja që bëri Powell për të qëndruar në krye të Departamentit të Shtetit deri në fund të mandatit të parë të presidentit Bush për mua dëshmon ndjenjën e lartë të detyrës e të përgjegjësisë që e karakterizonte atë si një burrë shteti.

Më 19 janar 2005, një ditë para se administrata e re e presidentit Bush të merrte detyrën dhe në krye të Departamentit të Shtetit të niste punën si sektetare e Shtetit Condoleezza Rice, Colin Powell mbajti një fjalë lamtumire para punonjësve të atij institucioni. Titullarët e misioneve diplomatike në Uashington nuk ishin ftuar, por fjalën e tij e lexuam kushdon nga ne. Ajo ishte një fjalë e mençur, e ngrohtë, prekëse në fakt.
Sekretari Powell u tha diplomatëve të Departamentit të Shtetit se ai e kishte marrë përsipër detyrën e kryediplomatit pas një karriere të gjatë ushtarake. Ai kujtoi me atë rast porosinë që i kishte dhënë e shoqja, Alma Powell, kur ai u vu në krye të Departamenti të Shtetit. Fjalët e saj kishin qenë: “Remember now, you’re not in the Army anymore. And don’t go down there and start acting as if it’s an infantry batallion” (Mos harro, tashmë nuk je më në ushtri. Dhe mos shko atje e fillon të sillesh sikur ke një batalion këmbësorie).
Pas këtyre fjalëve, sekretari Powell tha se, sapo kishte mbërritur në Departmentin e Shtetit, ai nisi t’i trajtonte diplomatët e tij si të ishin një “batalion këmbësorie”. Dhe shtoi: “Sepse ju ishit trupat e mi. Ju ishit trupat e Amerikës. Ju jeni individë të mrekullueshëm. Ju jeni familje të mrekullueshme. Ju jeni patriotë të mrekullueshëm që i shërbeni vendit tuaj si trupat e tij në pozicionet e largëta të diplomacisë amerikane. Ju jeni në radhën e parë të sulmit të politikës së jashtme të Amerikës”.
Këto ishin dhe janë fjalë shumë frymëzuese për çdo diplomat. Gjithmonë kam imagjinuar se si do u tingëllonin politikanëve të lartë dhe ministrave të jashtëm shqiptarë fjalë si këto të sekretarit Powell, plot respekt, mirësjellje dhe mirënjohje për patriotizmin e diplomatëve dhe rëndësinë e misionit të tyre kudo që ata shërbejnë.
Sekretari Powell vuri në dukje atë ditë disa prej arritjeve diplomatike më të shënuara të administratës së parë të presidentit George W. Bush: heqja qafe e dy prej regjimeve më despotike në Kabul dhe në Bagdad; zgjerimi i komunitetit transatlantik përmes zgjerimit të NATO-s dhe të Bashkimit Europian; përmirësimi i marrëdhënieve me Rusinë duke nënshkruar Traktatin e Moskës, si dhe përmirësimi i marrëdhënieve me Kinën; kontributi amerikan për të zbutur konfliktin mes Indisë dhe Pakistanit, forcimi i marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj aziatikë; dyfishimi i ndihmës amerikane për vendet në zhvillim; përmirësimi i situatës në Liberi, në Sudan dhe në Haiti etj.
Me modestinë epike që e karakterizonte, sekretari Powell u tha diplomatëve të Departamentit të Shtetit këto fjalë: “Ju jeni ata që i keni bërë të gjitha këto. Unë jam në katin e shtatë, me kolegët e mi të mrekullueshëm në katet e gjashtë dhe të shtatë…Por ne jemi drejtuesit dhe kemi privilegjin të jemi drejtuesit tuaj, pasi e dimë se si bëhen gjërat. Ato nuk bëhen ngaqë unë mbaj një fjalim, ose shkoj këtu apo atje. Ato bëhen sepse ju punoni për t’i bërë ato çdo ditë…ju dhe kolegët tuaj në çdonjërin prej misioneve tona në botë”.
Në atë fjalë plot emocione, sekretari Powell uroi pasardhësen e tij në atë detyrë, znj. Condi Rice, duke shprehur bindjen se ajo do sillte një “lidership të çmuar në Departamentin e Shtetit dhe në politikën e jashtme amerikane”. Fjalët e tij të fundit për diplomatët amerikanë ishin këto: “Kemi bërë shumë për të qenë krenarë, por jeni ju ata që duhet të ndiheni krenarë për çka kemi bërë. Për mua ka qenë një privilegj që t’ju shërbeja, por ju jeni ushtarët këmbësorë të batalionit. Jam krenar që m’u dha rasti t’i shërbeja përsëri vendit tim. Tani që e lë këtë detyrë bëhen gati dyzetë vite në shërbim të qeverisë së këtij vendi. Tridhjetë e pesë vite kanë qenë në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara. Unë kurrë nuk do resht së qëni një ushtar”.
Këto fjalë të sekretarit Powell më kujtuan fjalët me të cilat ai më kishte kërkuar “ndjesë” për vonesën e tij në takimin e parë me të, më 27 prill 2001: “I am a soldier and I hate to be late”.
* * *
Colin Powell ishte jo vetëm një gjeneral dhe një diplomat i jashtëzakonshëm, por edhe një njeri me cilësi dhe parime morale të admirueshme. Kur në vitin 2012 ai botoi librin It Worked for Me: In Life and Leadership, parathënia e atij libri përmbante rregullat dhe parimet të cilave Colin Powell u kishte qëndruar besnik tërë jetën. Këto rregulla—Powell’s Thirteen Rules—ishin:
(1) Nuk është aq keq sa mendon. Do të duket më mirë në mëngjes.
(2) Zemërohu, pastaj ngrihu mbi zemërimin tënd.
(3) Mos e lidh vlerësimin për veten me pozitën tënde, në mënyrë që, nëse e humbet pozitën, të mos e humbasësh edhe atë vlerësim bashkë me të.
(4) Mund të bëhet (të arrihet).
(5) Bëj kujdes se çfarë zgjedh, sepse atë mund të marrësh.
(6) Mos lejo që fakte me efekt negativ të të pengojnë në marrjen e vendime të mira.
(7) Ti s’mund të zgjedhësh ose të vendosësh për të tjerët; mos i lejo të tjerët të zgjedhin dhe të vendosin për ty.
(8) Jepu rëndësi gjërave të vogla.
(9) Ndaji meritat me të tjerët.
(10) Ruaj qetësinë; tregohu i sjellshëm.
(11) Ki një vizion. Kërko.
(12) Mos i lejo frikat e tua dhe njerëzit që gjithmonë thonë jo të bëhen këshilltarët e tu.
(13) Optimizmi i vazhdueshëm e shumëfishon forcën.
* * *
Më 5 prill 2005 u ftova në një darkë gala nga Center for Association Leadership, që u organizua në Hilton për të nderuar gjeneralin Colin Powell me çmimin e Vizionarit dhe bashkëshorten e tij Alma Powell për kontributet e tyre të çmuara ndaj komunitetit ndërkombëtar, për frymëzimin dhe dedikimin e tyre ndaj qëllimeve të Aleancës për Rininë America’s Promise, që synonte përmirësimin e jetës së të rinjve.
Atë mbrëmje ishte hera e fundit që e pashë dhe e dëgjova z. Powell—sekretarin dhe gjeneralin—ose, the Secretary-General, siç më kish thënë me humor vetë ai kur u takova për herë të pare me të. Mjaft i emocionuar, Powell mbajti atë darkë një fjalë shumë të frymëzuar dhe, për mua, shumë prekëse. Ai tha, ndër të tjera, se pasi kishte lënë detyrën e sekretarit të Shtetit, për të dhe familjen Powell kishte nisur një periudhë e re. Një kapitull ishte mbyllur për ta për të vazhduar me të tjera gjëra. Por ishte një kapitull, theksoi ai, nga i cili gjithnjë do të ruante kujtimet më të bukura.
Powell përmendi disa nga arritjet kryesore të diplomacisë amerikane në katër vitet e fundit, por edhe tha disa fjalë thellësisht të sinqerta, që mua nuk më janë shqitur nga mendja. Duke iu referuar fjalimit të tij në Këshillin e Sigurisë të Kombeve të Bashkuara më 5 shkurt 2003, Colin Powell tha:
“Unë bëra një gabim. Një gabim për shkak të informcionit të pasaktë që kisha. Nuk mund ta korrigjoj atë. Këtej e tutje do më duhet të jetoj me këtë gabim për sa kohë të jem gjallë”.
Pas atyre fjalëve, Powell heshti për pak sekonda. Mbi 500 vetë që ishim të pranishëm në sallë i përcollëm ato fjalë në heshtje, pastaj u ngritëm në këmbë dhe e duartrokitëm atë udhëheqës të shquar, si për t’i thënë se, të bësh gabime është njerëzore, por t’i pranosh ato dëshmon forcë karakteri. Dhe Colin Powell ishte dhe mbeti deri në fund shembulli i një karakteri të fortë e të virtytshëm.
Powell e mbylli fjalën e tij atë mbrëmje duke thënë:
“Ju mund të doni të dini se me çfarë do të merret Colin Powell këtej e tutje?”.
Ne prisnim të dëgjonim nga goja e tij se ç’do të bënte gjenerali dhe sekretari Powell pasi kishte lënë politikën. Ai heshti një copë herë, pastaj tha:
“Do të bëj atë që gjithnjë e kam pasur pasion. Nëse ju qëllon të shihni në Beltway, rreth e qark Uashingtonit, një burrë të moshuar, me një Chevrolet Corvette të kuqe, të konvertueshme, që ju parakalon, ai burrë jam unë”.
* * *
Pak më shumë se dy javë pas asaj darke, më 23 prill 2005, Colin Powell ishte sërish një lajm i faqeve të para të gazetave. Ndërsa Senati amerikan diskutonte nëse duhej ose jo ta konfirmonte kandidaturën e z. John Bolton si ambasador i Shteteve të Bashkuara në OKB, Colin Powell u shprehu privatisht senatorëve republikanë Chuck Hagel dhe Lincoln Chafee rezervat e tij serioze për atë kandidaturë. Shtatë ish-sekretarë shteti kishin nënshkruar një letër, me të cilën e mbështesnin kandidaturën e z. Bolton, por Colin Powell refuzoi t’u bashkohej atyre.
Në gazetën The New York Times kisha lexuar në atë kohë se Lawrence Wilkerson, që kishte qenë shefi i stafit i sekretarit Powell, ishte shprehur se John Bolton do të ishte një “ambasador ekstremisht i keq”. Vite më vonë, një ditë para se Bolton të merrte detyrën e këshilltarit të presidentit Donald Trump për Sigurinë Kombëtare, po Wilkerson e ka cilësuar emërimin e tij në atë detyrë të rëndësishme si “gjënë më të frikshme” që i ka ndodhur Amerikës në pesëdhjetë vitet e fundit. Ai deklaronte për gazetën The New York Times se “Bolton është disa gjëra njëherësh, asnjëra prej të cilave nuk është e mirë. Ai është një menaxher absolutisht brutal, i trajton njerëzit si baltë. Historitë që thuhen për të janë të vërteta, edhe pse ato nuk thonë gjithçka. Ai ka disa pikëpamje që janë krejt revoltuese”.
Përplasjet e sekretarit Powell me z. Bolton, njërin prej gjashtë nënsekretarëve të tij, i vënë në atë post me dorë nga Dick Cheney, ishin të vazhdueshme e të njohura gjatë tërë mandatit të parë të presidentit Bush. Ndryshe nga sekretari Powell, i cili konsiderohej si “i vetmi multilaterist” në administratën e presidentit Bush, Bolton ishte një unilaterist ekstremist; ai ishte kundër pjesëmarrjes së Shteteve të Bashkuara në traktate ndërkombëtare dhe një kritik i ashpër i Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Në rrethana të tilla, pohimet e z. Powell për senatorët e sipërpërmendur republikanë ndaj kandidaturës së John Boltoni-it mund të thuhet se ishin vendimtare për vendimin që mori Senati për të mos e konfirmuar atë në postin e ambasadorit amerikan në OKB. Ai qëndrim parimor i Colin Powell-it ishte, gjithashtu, edhe një distancim nga preferencat diplomatike të presidentit Bush. Bolton, sidoqoftë, u emërua ambasador i Shteteve të Bashkuara në OKB si një recess appointee nga presidenti Bush, kur Senati ishte shpërndarë, por nuk u konfirmuar kurrë në atë detyrë nga Senati amerikan.
