Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Me bojë të kuqe në regjistrin e Moretit
Në Luftën italo-greke ushtria italiane ishte thyer keq dhe u tërheq në tokën shqiptare në panik. Për të mbledhur forcat dhe për mbrojtje të organizuar vija e frontit mbërriti në fshatrat e Bregdetit deri në afërsi të Vunoit. Komanda italiane dha urdhër për largimin e banorëve të fshatit. Disa u bindën e disa jo. Njerëzit ishin të çorientuar nga situata e krijuar dhe nuk dinin çfarë të bënin e ku të shkonin. Disa mendonin se fronti në Skutara do të ishte i përkohshëm, sa të mbaronin punimet e mbrojtjes në Llogara, prandaj vendosën të qëndronin në shpella e vende jashtë fshatit. Familjet e Niko Llagurit, Foto Gjinit, Qimo Llagurit dhe Gogo Zhebos në fillim qëndruan disa ditë në shpellën e Ngjipesë, pastaj për të siguruar kushte më të mira për fëmijët e vegjël, u ngjitën dy kilometra më sipër e u vendosën në vathën e bagëtive në kodrat e Ndërmajës, përballë fshatit, ku ishte me bageti dhe Fane Lala (Gjika).
Toger Moreti ishte dërguar në Himarë për eksperiencën dhe aftësitë e tij organizuese dhe zbuluese në drejtim të asgjësimit të kundërshtarëve të pushtetit fashist në Shqipëri. Krahina e Himarës, në luftën italo-greke kishte një rëndësi të veçantë, pasi mjaft banorë të krahinës ishin greqishtfolës. Kapiten Moreti kishte nxjerrë në evidencë njerëzit që duhej të vëzhgoheshin.
Më 5 janar 1941 Niko Llaguri, me djalin dhjetëvjeçar u përballën me dy ushtarakë italianë me helmeta në kokë dhe me armë në duar. Oficeri foli në gjuhën e tij duke lëvizur duart e duke e kthyer kokën nga drejtimi i Skutarait ku zhvilloheshin luftimet dhe herë nga drejtimi i fshatit. Nikua, që dinte italishten e dëgjonte pa i kthyer përgjigje. I tha të birit se ushtarët donin të shkonin ku banonin dhe të mos kishte frikë.
Ushtarakët italianë i mblodhën të gjithë, burrat, gratë dhe fëmijët, pastaj burrat i ndanë më vete. Ata ishin Niko Llaguri, Gogo Zhebo, Qimo Llaguri, Foto Gjini dhe Fane Lala (Gjika). Të shoqëruar nga ushtarakët italianë u nisën drejt qendrës së fshatit ku ishte selia e karabinierisë. Prej të arrestuarve dy ishin të njohur dhe të shënuar me bojë të kuqe në regjistrin e Moretit, Gogo Zhebo dhe Niko Llaguri. Aty të parin thirrën Gogo Zhebon, të cilin nuk e mbajtën shumë. Kur doli jashtë u tha shokëve se e kishte marrë në pyetje i njohuri i vjetër i tij, togeri i zbulimit Luigji Moreti. Të gjithë një zëri e pyetën Gogon se “çfarë do t’u bënin”. Gogo u përgjigj shkurt: “Do na pushkatojnë”! Një skuadër me ushtarë, 10-12 vetë i vuri në mes duke i shoqëruar për tek Ura e Benet, në të dalë të fshatit, vendi i pushkatimit, ku kohë më parë kishin pushkatuar një të panjohur tjetër. Foto Gjini në italisht i pyeti “pse do na vrisni”. Përgjegjësi i tyre jua ktheu “atje do t’ua themi!”. Sheshi i fshatit ishte i mbushur me shumë ushtarë.
Histori e treguar pas disa dekadash
Historinë e tregon vite më vonë Qimo Llaguri, që ishte njeri nga pjesëtarët e arrestuar. Ai u iku italianëve në kohën kur po i çonin për pushkatim. Ishim në qendër të fshatit, Qimo Llaguri vetëtimthi hodhi në tokë sharkun dhe u nis rrugës për te kisha e Shën Mitrit. Edhe Fane Lala (Gjika) ishte shkëputur dhe vraponte poshtë rrugës. Te dera e shtëpisë së Lasket një ushtar e kapi për dore, por armën e kishte krahëqafë dhe u rrëzua në tokë nga goditja që mori prej shpejtësisë së Fanes. Një plumb i shpoi krahun, por ai vraponte duke u larguar. Ushtarët ishin të preokupuar për kapjen e Fanes, Qimo Llaguri e pati të lehtë për të kaluar nëpër mes tyre dhe u fut në përroin që kalon në fund të fshatit. Kur kishim kaluar së bashku me Fanen fundin e rrugës, në derën e shtëpisë së Lazretit doli rastesisht, Orest Mitro, të cilin ushtarët e kapën dhe e çuan te grupi tjetër i të arrestuarve. Pas qëndrimit disa mujor në Himarë, kur u thye fronti grek, Qimo Llaguri dhe Fane Lala (Gjika) u kthyen në shtëpi në muajin qershor 1941. Atëherë ata mësuan për pushkatimin…
Në Vuno më 6 janar 1941 të katër burrat ishin pushkatuar në varrezat e Dhërmiut dhe hedhur në një varr të përbashkët. Ata ishin Niko Themistokli Llaguri (1897-1941) me profesion marangoz, i martuar me Mali Laten (Llaguri), me 5 fëmijë, më i madhi 12 vjeç dhe me i vogli tre muajsh; Gogo Dhimitër Zhebo (1911-1941 me profesion marangoz, i martuar me Mahe Milo (Zhebo), me 4 fëmijë, më i madhi 9 dhe më i vogëli 2 vjeç; Foto Kiço Gjini (1904-1941) i kthyer nga emigracioni, me profesion specialist i punimeve me çimento, i martuar me Nulle Panen, me 4 fëmijë; më i madhi 7 vjeç dhe më i vogli disa muajsh (dy djemtë e vegjël vdiqën sa u kthyen në fshat pas mbarimit të luftës) dhe Orest Mitro Goni (Vasili) (1917-1941) me specialitet murator, i pamartuar.
Jemi shqiptarë dhe jo fashistë
Gogo Zhebo ishte një person i njohur nga toger Moreti. Njohja ishte bërë në kohën kur Moreti, i sapo ardhur pas pushtimit të vendit, mblodhi në fshat të rinj dhe burra për t’u regjistruar vullnetarë në radhët e milicisë fashiste, një organ i ri që pushtuesit, krahas karabinerisë, po e shtrinin në tërë Shqipërinë si organ shtypës. Në mbledhje në emër të pjesëmarrësve u ngrit e foli Gogo Zhebo, ku i bëri të qartë togerit fashist se “ne nuk do të veshim uniformën e milicisë fashiste se jemi shqiptarë e sa të kemi jetën do të mbetemi të tillë”, duke i bërë të qartë urrejtjen e vunjotësve ndaj fashizmit dhe qeverinë italiane. Moretit i iku fytyra nga ky kundërshtim i prerë dhe i guximshëm dhe natyrisht duke mos ia harruar kurrë këtë trimëri që ia plasi në fytyrë urrejtjen dhe turpërimin që i bëri ta mbante si një vath në vesh.
Niko Llaguri, ka historinë e tij të veçantë. Veprimtaria e tij antifashiste zë fill qysh kur ai ishte djalë i ri. Gjatë Luftës së Parë Botërore, në vitet 1916-1920, Shqipëria e Jugut u pushtua nga ushtria italiane. Në vitin 1917 për qëllimet e saj strategjike filloi hapjen e rrugës automobilistike Vlorë-Sarandë. Në vitin 1918 rruga hapej në zonën e Vunoit. Punonin burra e gra duke marrë një shpërblim të vogël, ndërkohë që kushtet e punës ishin shumë të vështira. Për të kërkuar rritjen e shpërblimit ditor u organizua një grevë, ku përveç vunjotësve u përfshinë në të edhe ata të fshatit Ilias. Organizator për Iliasin ishte Gaqe Gjomemua, burrë me moshë që kishte qenë punëtor në minierat e Francës. Në Vuno organizator ishte Niko Llaguri në atë kohë djalë njëzet vjeç. Greva u zhvillua një ditë, aty nga mesi i janarit, por nuk pati rezultat se italianët e thyen që atë ditë duke futur ushtarët në punë. Mirëpo dhe pse greva nuk pati rezultat, në popull bëri bujë të madhe.
Mësuesi Naqe Konomi e kuptoi se Nikua ishte në rrezik të ekzekutohej nga italianët, se ata mund të zbatonin ligjet e luftës kundër tij, thirri mëmën e Nikos, Kaninë dhe e sqaroi për situatën e rëndë ku ndodhej i biri dhe e udhëzoi se si të vepronte për shpëtimin e tij. Ai i përgatiti një lutje me shkrim, të cilën duhej t’ia jepte gjeneralit italian kur të vinte në Vuno për ceremoninë e mbarimit të rrugës. Ai e porositi që lutjen (letrën) t’ia jepte në dorë vetë gjeneralit. Dhe kështu bëri. Në fillim të marsit kur rruga mbaroi, erdhi vetë gjenerali, u prit në qendër të fshatit ku mbajti një fjalim. Në këtë kohë, sipas porosisë së Naqes, mëma e Nikos, iu afrua, u ul në gjunjë para tij dhe i dha në dorë lutjen, ndërsa me goje i tha “të lutem falja jetën!”. Gjenerali e mori lutjen dhe pas një muaji Nikua u lirua. Ky ishte arrestimi dhe burgimi i parë i tij nga italianët.
Në prill të vitit 1931 Nikua u kthye vetëm në Shqipëri duke e lënë të vëllanë atje me shpresën se do të gjente punë më vonë. Në Bari të Italisë për t’u nisur për në Shqipëri u arrestuan të dy nga organet e punëve të brendshme italiane, me sa duket, si persona të dyshimtë e të padësherueshëm (të dy pjesëmarrës në grevë) ose për ndonjë arsye tjetër që nuk u tha. Pasi qëndruan në burg për më shumë se dhjetë dite, u lejuan të vazhdonin rrugën për në Shqipëri. Ky ishte arrestimi i dytë i Nikos nga italianët.
Kur u pushtua vendi nga Italia në prill 1939 urrejtja e Nikos ndaj italianëve u bë më e madhe. Ai e dinte se ata kishin listat e përgatitura për personat që për ata ishin të dyshimtë e kundërshtarë. Duke ditur rastet e kaluara, e dinte se dhe ai do të ishte në ato lista dhe për të marrë masat e duhura, përpiqej të mësonte diçka nga veprimet e karabinerisë së fshatit ndaj tij. Për këtë ai zuri miqësi me dy karabinjerë shqiptarë me Qazim Gjonin nga Fterra dhe Meto Habipin nga Çorrajt. Të dy ishin me ndjenja anti italiane. Kur në tetor 1940 filloi lufta italo-greke dhe ushtarët shqiptarë filluan të dezertonin nga radhët e ushtrisë italiane, me shtytjen e Nikos, Qazimi dhe Metua vendosën të arratiseshin. Kështu, aty nga data 25 dhjetor 1940 ikën nga detyra dhe shkuan tek Nikua, në Ndërmaja ku kishin shkuar me gjithë fëmijë e me bagëti për t’u mbrojtur. Qazimi e Metua kishin me vete dhe dy shokë të tjerë karabinerë shqiptarë të armatosur me qëllim që të iknin. Nikua i thotë vëllait Qimos “merrri këta shokët dhe udhëhiqi për të kaluar në Himarë. Pasi t’i kalosh, kthehu menjëherë”. Aty me ta, ishte dhe Milo Trola, i cili shfaqi dëshirën që të shkonte edhe ai me ta bashku. Dhe kështu të dy i shoqëruam deri sa kaluan kufirin. Armatimin personal dy e morën me vete dhe dy të tjerët ua lanë Nikos dhe shokëve të tij. Kjo veprimtari e Nikos me karabinjerët shqiptare brenda në karabinerinë e Vunoit, nuk mund të mos u kishte rënë në erë italianëve dhe agjentëve të tyre. Ky ishte dhe arrestimi i tretë i Nikos që përfundoi në marrjen e jetës. Me fillimet e lëvizjes çlirimtare dhe me krijimin e grupit të parë partizan në Vuno, filloi të vihet në vend edhe kërkesa popullore për të marrë hakun e të pushkatuarve. Së pari duhej zhdukur nga jeta vrasësi i tyre togeri Luigji Moreti. Për ta realizuar këtë, më 26 gusht 1942, në kthesën e Vishës të rrugës automobilistike Vuno-Himarë i organizohet një pritë kur ai po kthehej nga një vizitë që kishte bërë në Dhërmi. Grupi partizan përbëhej nga Zaho Koka, Dhimitër Grillo, Anastas Ziso dhe Paskal Andoni. Mjaftuan dy plumbat e maliherit të Zahos që tenentia i pathyeshëm të largohej nga jeta. E vërteta është se ata të katër ishin antifashistë si të gjithë banorët e Vunoit, që e urrenin pushtuesin dhe agresionin ndaj një vendi të lirë siç ishte Greqia. E vërteta e pushkatimit të katër djemve vunjotës në atë 6 janar të vitit të largët 1941 është se ata ishin shqiptarë në shpirt e në traditat e fshatit të tyre.
Himarioti Kristo Kosta Neranxi
Komanda gjermane gjatë muajve mars-prill 1944, në kuadrin e përpjekjeve për të siguruar lëvizjen e lirë të forcave të saj në rrugën bregdetare, dërgoi në krahinën e Himarës dhe forca xhandaro-balliste të ngarkuara posaçërisht për terrorizimin e popullsisë dhe veçanërisht të bazave të njohura të Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare. Këto forca kishin për mision që “do të çarmatosnin” e “do të shtronin vendin”, u hodhën me egërsi të paparë kundër banorëve të pambrojtur. Ata rrethuar fshatrat njerin pas tjetri, bënë bastisje, rrahje e grabitje, e deri vrasje e krime. Vunoin armiqtë e kishin piketuar si bazë e patundur partizane. Ndërsa partizanët, njësiti gueril dhe shumica e burrave ishin larguar në malet përreth, armiqtë e mbajtën për disa ditë fshatin të rrethuar dhe qëllonin mizorisht çdo njeri që përpiqej të dilte jashtë tij. Ata vranë së largu me pushkë një murator plak tek po skaliste një gur. Ky ishte Mitro Vasili, babai i Orest Mitros, që ishte pushkatuar prej italianëve në Dhërmi në vitin 1941. Që të dy ende të pa shpallur dëshmorë. Ditë më pas vranë dhe Amali Andonin, një bareshë 19 vjeçare anëtare e Rinise Komuniste, sot dëshmore e Atdheut. Himarioti Kristo Kosta Neranxi, i revoltuar nga keqtrajtimi, sikundër i gjithë qyteti i Himarës, në Spille, nga mesi i turmës ju bërtiti ballistëve, që ishin zëdhënësit e gjermanit “himariotë mos u trembni s’kanë ç’na bëjnë”. Ballistëve u tha “ne nuk i dorëzojmë armët se na duhen për t’u çliruar”. Ballistët për ta bërë shembull dhe terror ndaj himariotëve, si dhe për ti shmangur nga mbështetja që i jepnin LANÇ, qëlluar në drejtim të Kristos duke e lënë të vrarë, ende i pa shpallur dëshmor i Atdheut.