“Kjo grua e re, karizmatike, thellësisht e vendosur, e arsimuar shkëlqyeshëm, që bart me vete edhe bagazhin e duhur për të drejtuar një institucion delikat, quhet Vlora Hyseni. Emri i saj tani, sëbashku me dosjen përkatëse ndodhet në kabinetin e presidentit Bajram Begaj” – shkruan sot në DITA, Bedri Islami.
Në një portret të gruas që pritet të drejtojë Shërbimin Informativ, analisti i njohur shton:
“Për shumë kënd, propozimi i shefit të qeverisë, Edi Rama, për të emëruar në drejtimin e shërbimit inteligjent të shtetit shqiptar, Vlora Hysenin, ngjan i papritur. Por Vlora Hyseni nuk është një emër i panjohur në shërbimet inteligjente.
Në 2019, me propozimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ajo ishte figura e dytë në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë. Në të njëjtën kohë, drejtonte sektorin delikat për marrëdhënie me jashtë në këtë Agjenci.
Nga agjensitë e kësaj natyre ajo është quajtur dhe trajtuar si truri i inteligjencës kosovare, dhe, pa asnjë dyshim, figura më karizmatike në strukturat e larta të saj. Njohës të mirë të fushës kanë vlerësuar rolin e saj, jo vetëm në trajtimin e disa problemeve thelbësore me të cilat përballej në atë periudhë kjo agjensi, por edhe si urën e domosdoshme të bashkëpunimit me shërbimet partnere”.
Analisti nga Lugina, Valon Arifi ndan të njëjtin mendim. Në një shkrim botuar sot nga gazeta DITA në Tiranë, Arifi thotë se Hyseni njihet si “gruaja pa fjalë e terrenit”.
“Gruaja shqiptare e terrenit”, siç edhe njihet ndryshe, Vlora ka qenë aktive në terrene ndërkombëtare, çka edhe e ka bërë shumë të besueshme për partnerët nderkombëtarë, veçmas ato amerikane. Emërimi i saj në krye të SHISH, si insititucion i një shteti anëtar të NATO’s, rrit besimin edhe te partnerët e sigurisë së Republikës së Shqipërisë” – shkruan aktivisti i njohur nga Presheva.
Ai e konsideron kandidaturën e Hysenit, të duhurën dhe mbi të gjitha, e lirë nga ndikimet politike.
“Vlora Hyseni është një grua e gjeneratës së re, e cila për gjysëm dekade ishtre truri kryesor i inteligjencës kosovare për veriun e vendit, aty ku mbase Kosovës i cënohej më së shumti siguria kombëtare;
Ngritjen në karriere apo edhe detyra të caktuara, Hyseni asnjëherë nuk e pati falë politikës. Edhe pse është njohëse e mirë e marrëdhënieve ndërkombëtare, ajo asnjëherë nuk është marrë me politikëbërje. Mendoj se ka guximin e hekurt për t’i shërbyer vendit”, – shkruan Arifi në DITA.

Shkrimi i plotë i Islamit, mund të lexohet duke klikuar KËTU
Shkrimi i plotë i Arifit, mund të lexohet duke klikuar KËTU
