Në 2-vjetorin e ndarjes nga jeta
Prof. dr. Bardhosh Gace
Disa herë kam menduar të shkruaj për profesor Sabit Brokajn; dhe pse dija aq shumë gjëra nga jeta e tij, mjedisi familjar, rrugëtimi jetësor, mjediset e punës e veprimtarisë, për miqtë, të njohurit, kolegët, pacientët, studentët, karrierën, pasi opinioni për dr. Brokajn mbushet dhe formohet nga konsideratat e shumta nga gjithë shtresat sociale, që e kanë njohur, por të shkruaj e kam pasur të vështirë. Dhe pse?
Ndodh që përmasën e një njeriu e sheh me sy, e ndjen së brendshmi si realitet, dëgjon nga njerëzit që të rrethojnë dhe ajo ndjesia se gjithë këtë përmasë nuk do të arrish ta sendërtosh në një shkrim, të bën që shkrimin tënd ta kesh “frikë”, dhe pse kjo frikë është gjëja më e mrekullueshme që mund t’i ndodhë kujtdo para një momenti të tillë. Ndodh si në artin e skulpturës, pasi skulptura është arti i shfaqjes së madhështisë, nëse nuk arrin të kesh një gjetje, kurrë nuk arrin të shfaqësh para njerëzve madhështinë, kështu dhe me profesor Brokajn, duhet një gjetje, një përmasë për ta sjellë para njerëzve.
Sabit Brokaj ishte dhe mbeti një personalitet me përmasa kombëtare profesionale dhe atdhetarizmi. Dy vjet pas ndarjes së tij nga jeta ky perceptim bëhet edhe më i fuqishëm dhe më i prekshëm duke vërejtur gjurmët e ndritura që ai la pas… Është e habitshme se tek ai njeri ishin mishëruar aq shumë veti dhe virtyte njerëzore. Labëria e ka emblemë Doktor Sabitin, por unë dua ta ritheksoj se ai ishte dhe mbeti emblemë e shkëlqyer e atdhetarizmit në shkallë kombëtare. Më duket se ia zvogëlojmë meritat dhe vlerat këtij personaliteti të madh po të kufizojmë brenda Labërisë, të cilën ai e kishte në zemër gjatë gjithë jetës.
***
Prof. Brokja ka qenë dhe mbetet një person jashtëzakonisht afër shpirtit njerëzor, një njeri i mençur dhe me ndikim për shkakun e vlerave që kishte, një mjek i sprovuar dhe me aftësi në rritje deri në fundin e jetës, një intelektual klasi, një veprimtar shoqëror gjithmonë në kohën dhe në vendin e duhur, por dhe një djalë e burrë i Bratajve, ku shquajnë vlerat burrërore dhe intelektuale. Pavarësisht gjithë këtyre cilësive gjithmonë është pak të shkruash për profesor Brokajn, i cili shpëtoi jetë njerëzish, shëroi qindra njerëz, e mbi të gjitha përcolli tek ata ndenjën e thellë njerëzore dhe frymen kombetare.
Rrugëtimi jetësor dhe ai i një intelektuali si profesor Brokaj ka qenë i gjatë, ai gjatë gjithë jetës së tij ka hedhur hapin duke u ngjitur, që ndodh rrallë, por djali i Labërisë e bëri këtë. Prof. Brokaj deri në fundin e jetës vetëm pati ngjitje, që me shumë gjasë lidhej me një traditë familjare të shkëlqyer, ku biri lartëson babain e kështu me radhë. Sabit Brokaj i ka lartësuar familjen e tij nga Brataj, që nga gjyshi i tij Muhamet Brokaj (i nderuar me Medaljen për “Veprimtari patriotike”) dhe në vazhdim dhe prindërve të tij, pjesëmarrës në Luftën Nacional- Çlirimtare. Brataj ka qenë dhe mbeti gjithherë një vatër e nxehtë, ku fati i mjaft djemve dhe burrave të fshatit ka qenë i lidhur fort me luftërat për çlirim kombëtar historikisht, siç ka ndodhur në të gjithë Labërinë.
***
Në personalitetin dhe rrugëtimin e profesor Brokajt spikasin dy cilësi të shquara; ai ishte një njeri i talentuar, një talent që e përdori në dobi të njerëzve dhe shoqërisë dhe këmbëngulja për të fituar dije, kulturë, dashuri nga njerëzit. Janë dy cilësi që shquajnë që në bankat e shkollës fillore në Brataj, pastaj në shkollën shtatëvjeçare “1 Maji” në Skelë të Vlorës dhe në Politeknikumin Mjekësor Tiranë. Profesor Brokaj ishte një karakter i qëndrueshëm dhe elegant, i lidhur mjaft me punën, profesionin dhe shkollimin. Ai mbeti modeli i njeriut këmbëngulës në punën e tij, siç e dëshmon një karrierë 40 vjeçare në fushën e mjekësisë, që nga ndihmës mjek në Brigadën e Nëndetëseve në Pashaliman, pas shkollimit universitar për mjek në fushën e Kardiologjisë (por ka qenë shef i Shërbimit Shëndetësor në Brigadën e Shijakut 1969-1972, mjek Kardiolog në Spitalin Ushtarak të Tiranës) e më pas u specializua dhe për Echografi dhe Echo- Doopler jashtë vendit në klinikat më të specializuara të perëndimit.
Nga Brataj i Vlorës prof. Sabiti arriti të bëhet një mjek dhe një konsulent i rëndësishëm në lëmin e mjekësisë shqiptare, e cila në një kohë rekord arriti të nxjerrë personalitete të shkencës mjekësore, të cilët padyshimtin më të vogël nuk kishin asgjë më pak se mjekët e klinikave moderne dhe të specializuara të Londrës, Parisit, Romës apo Vjenës. Prof. Sabot Brokaj ishte njëri prej tyre. Ai me punë dhe me talent, me inteligjencë dhe angazhim praktik arriti të përballojë konkurrencën e madhe në klinikat universitare mjekësor të Tiranës, duke marrë pozicionin e tij të rëndësishëm, si një mjek i cili kishte respektin dhe konsideratën e lartë profesionale nga mjekët më të mirë të vendit.
Ajo që mbetet më e rëndësishme, krahas mirënjohjes, konsideratës si një mjek human, njerëzorë dhe bashkëpunues me të gjithë, është rrugëtimi shkencor i tij. Mjekësia është shkencë, shkenca e një përgatitje të lartë teorike dhe e zbatimit praktik të dijeve. Ai që në fillim u përfshi në angazhimet shkencore të klinikave universitare të Tiranës, një vatër e shëndetshme dhe mjaft kërkuese në shkencat mjekësore, ku kontribuonin mjekët më të mirë të vendit. Një mjedis i tillë ishte një sfidë që duhej përballuar, ndryshe ai duhej të mbetej një mjek i thjeshtë.
Profesor Brokaj shquhej për këmbënguljen e një mjeku që studionte vazhdimisht, ndërsa simpoziumet shkencore, konferencat brenda dhe jashtë vendit, me ç’rast një mjek i aftë kishte mundësinë që të prekte një mjedis shkencor, një mjedis, ku debatohej, hidheshin mendime dhe krijoheshin dakordësi të vërteta për shëndetin e njerëzve, sëmundjet dhe perspektivën, kanë bërë që ai të shkëmbejë përvojë dhe dije të rëndësishme në fushën e mjekësisë, veçmas të Kardiologjisë. Kjo përvojë dhe besimi që profesor Brokaj fitoi shumë shpejt në fushën e Kardiologjisë, një nga fushat më të rëndësishme të dijes dhe praktikës mjekësore, i lejuan atij që t’i besohen tekstet universitare të kësaj fushe në Universitetin e Mjekësisë. Ky ishte një moment i rëndësishëm në karrierën shkencore të profesor Sabit Brokajt, pasi marrëdhënia jo vetëm si mësim-dhënës, por dhe si njeriu që referonte dijet shkencore në auditorët dhe afër pavioneve të sëmurëve, gjithashtu iu kthyen atij në një “detyrim” prej mjeku dhe shkencëtari gjithashtu.
***
Profesor Sabit Brokaj ka shkëlqyer në fushën e mësimdhënies. Duke qenë një pjesë të madhe të jetës lektori në auditorët e Fakultetit të Mjekësisë, ai i ka bërë shërbimin e çmuar vendit në Veri dhe në Jug, pasi Shqipëria ka trashëguar një nivel të mjerueshëm në fushën e mjekësisë në vitet 1945, ku sëmundjet dhe epidemitë kanë marrë shumë jetë njerëzish. Ndoshta kjo ndjesi, e cila ka në thelbin e vet humanizmin njerëzor, atë “Betimin e Hipokratit” ka qenë më tunduesja, më e shenjta, më frymëzuesja për profesor Brokajn, i cili profesionin e dijetaritt të mjekësisë dhe të shëndetit e quante ndër më të mirët, si puna e mësuesit, prandaj deri në fundin e jetës së tij miqtë e profesor Brokaj ishin ish- studentët e tij, mjekët që kanë shërbyer dhe shërbejnë në çdo vend të Shqipërisë.
Duke qenë një njohës i shkëlqyer i gjuhës angleze, gjuhës frënge dhe gjuhës ruse, ai i shndërroi këto mundësi në favorin më të mirë të profesionit të tij. I lidhur fort me dijet shkencore mjekësore që përditësoheshin nëpër buletinet mjekësorë të këtyre gjuhëve, profesor Brokaj, si dhe plejada e tij e mjekëve, patën mundësinë që mjekësisë shqiptare t’i adaptojnë mjeshtërisht dijet dhe konsulencat bashkëkohore të tyre dhe zbulimeve të kësaj fushe. Dhe pse provoi të ishte mësimdhënës në auditor, drejtues katedre dhe dekanati gjithashtu i Fakultetit të Mjekësisë, ai ndoqi rrugën e vështirë të kërkimit të gradës shkencore si Kandidat i Shkencave Mjekësore (1982), më pas si Docent (Doktor i Shkencave Mjekësore), ndërsa në vitin 1990 merr titullin e lartë Profesor. Nën kujdesin dhe udhëheqjen e tij, me dhjetëra kandidatë shkencash kanë marrë gradën Doktor të Shkencave Mjekësore, ndërsa studimet e vazhdueshme në fushën e mjekësisë nuk i ndaloi kurrë, ku një pjesë të punës së tij i botoi në buletinet mjekësorë brenda dhe jashtë vendit. Për gati 40 vjet profesori Sabit Brokaj nuk e braktisi procesin e mësimdhënies në auditorët e mjekësisë, duke i bërë një shërbim të vyer jo vetëm mjekësisë shqiptare, por brezave të mjekëve, të cilët i shërbejnë vendit dhe sot.
Jeta e një mjeku është një jetë e shumëfishtë, pasi ajo emocionalisht pjesëtohet dhe shumëzohet me jetën e mijëra pacientëve që shkojnë dhe vijnë në tavolinën e vizitës, apo shtratin e spitalit. Është një jetë e mbushur me ngjarje, kujtesë, me raste, me dhimbje dhe karaktere të shumtë, dhe mjeku duhet t’i përballojë ato. Është pikërisht kjo marrëdhënie ku mjeku shfaqet njeriu i vërtetë, pasi mjeku ka një jetë për jetën. Profesor Sabit Brokaj ishte njeriu model, mjeku pasionant , ku tek askush më mirë se tek ai nuk kanë vepruar raportet e njeriut me mjekun dhe e njeriut të ditur me intelektualin.
Profesor Brokaj bëri karrierë profesionale dhe si drejtues, por ai kurrë nuk u largua nga burimi ku lindi, ai mbeti njëri nga djemtë dhe burrat e urtë dhe të mençur të Bratajt dhe të Labërisë. Familja dhe shoqëria ishin gati dy “kulte” që ai i kishte shenjtëruar si mjek dhe si njeri. I pajisur me dije dhe kulturën më të mirë të kohës, një mjek i lexuar dhe i ditur, profesor Brokaj kishte një begati shpirtërore, ai lumturohej me arritjen e të tjerëve, lumturohej me harmoninë njerëzore, lumturohej me profesionalizmin e të tjerëve, veçmas të kolegëve. Kishte ndjesinë dhe nevojën për të mësuar gjithmonë dhe tek kushdo. Intelektual, shkencëtar, social, familjar, reformator, kërkues dhe konsultues, jeta e profesor Brokajt ishte dhe mbeti një vrap për t’u ngjitur lart deri në momentet fundit të jetës. Një mësim i rëndësishëm që ai na ka lënë të gjithëve, se jeta është shkollë në të cilën mësohet çdo ditë.
***
Profesor Brokaj u shfaq po me atë natyrën brilante të mjekut dhe në politikën shqiptare. Veças pas lejimit të pluralizmit politik në vend, intelektuali Sabit Brokaj kishte çfarë t’i jepte politikës dhe shoqërisë. Profesioni i mjekut kishte krijuar brenda tij modelin e njeriut të ekuilibruar dhe falë vizionit për të cilin ai shquhej vazhdimisht, ai u përpoq dhe stimuloi maturinë dhe gjykimet e qeta në situata të shumta ekstremiste nëpër të cilat po kalonte vendi. Gjatë kësaj kohe brenda tij ishte shfaqur mjaft mirë politikani dhe kuadri me përvojë. Koha kërkoi që ai të marrë angazhime të rëndësishme, duke qenë në fillim Ministër i Shëndetësisë, punë në të cilën ai demonstroi një qartësi, një ekuilibër dhe një kulturë vërtetë pluraliste dhe pse Shqipëria sapo kishte filluar jetën politike nën një sistem shumë-partiak.
Të shkuarit përmes votës së profesor Brokajt në Parlamentin shqiptarë që nga viti 1991 ka qenë një kontribut tjetër madhor i tij në politikën shqiptare. Politika shqiptare në këtë kohë kishte nevojë të madhe për mendje të qeta, të qartë dhe njerëz të ekuilibruar, dhe këtë kush mund tA bënte më mirë se sa një mjek si Brokaj, një lektor si Brokaj, një profesor. dr. si Brokaj. Gjatë kësaj kohe, ku natyrisht në politikën shqiptare kishte një ngarkesë të madhe, gati një hakmarrje gjatë viteve “90-të dhe më pas gjatë vitit 1997, ku konflikti i brendshëm shkoi deri në konflikt kombëtar në të gjithë vendin, mendjet e ndritura dhe të urta që vinin nga mjediset universitare kanë luajtur një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm, njëri prej të cilëve ka qenë dhe profesor Brokaj. Profile të tilla ishin modelet e mrekullueshme të pluralizmit, të riverifikimit të mendimeve dhe ideve që i shërbenin të mirës, por pa shkarë në dhunë dhe gjakderdhje siç ndodhi në vitin 1997.
Profesor Brokaj e ka emancipuar politikën shqiptare përmes debatit, tolerancës, kulturës dhe pranimit të kundërshtarit politik. Modelet më të mira botërore të diversifikimit politik janë pikërisht përmes aftësisë dhe kulturës politike për ta pranuar kundërshtarin politik në një angazhim politik të caktuar, veçanërisht në Parlament, në vendin e ligjeve, ku demokracia ndërton vetveten. Gjatë kësaj kohe, profesor Brokaj ka shkruar analiza, shkrime publicistike në shtypin ditor dhe atë periodik, ku natyrisht një vend të rëndësishëm zënë trajtimet politike.
Një provë tjetër e pjekurisë dhe e maturisë politike të profesor Brokajt është marrja e detyrës së rëndësishme të Ministrit të Mbrojtjes gjatë viteve 1997-1998, në pikun e vështirë të rënies së shtetit për shkakun e revoltës popullore, ku familjet shqiptare humbën të hollat në skemat piramidale mashtruese të kohës. Gjatë kësaj kohe shteti ra, ushtria u rrënua dhe infrastruktura ushtarake u shkatërruar. Ky rrënim ndoshta është më uniku në botë, për shkakun se vendi kishte praktikuar zgjedhje pluraliste, ndërsa profesor Brokajt iu desh të ringrinte një ngrehinë të djegur dhe të rrënuar të ushtrisë shqiptare, duke ndihmuar nga afër edhe UCK, në clirimin e Kosovës. Më pas profesor Brokaj do të mbulonte detyra të rëndësishme si Këshilltari i Sigurisë Kombëtare për një periudhë kohore të gjatë pranë Presidentit të Republikës.
Në profilin e një politikani të pjekur dhe të zgjuar profesor Brokaj kishte ide të qarta në raportet që ai kishte me perëndimin dhe SHBA-të, duke qenë një personalitet dhe një anëtar i qeverisë, po ashtu dhe një Ekspert i Certifikuar lidhur me Sigurinë Kombëtare në Suedi dhe shtetet të tjera të perëndimit. Profesor dr. Sabit Brokaj është nderuar dhe “shpërblyer” me urdhra dhe dekorata të larta për punën që ka kryer, si Medaljen dhe Urdhërin “për shërbim më të mirë të popullit”, me “Flamurin e kuq të punës”, “Qytetar Nderi “ (Oklahoma të SHBA-ve), “Personalitet i Shquar i Labërisë”, “Qytetar Nderi i Vlorës” dhe Veteran i UÇK-së”.
Profesor dr. Sabit Brokaj mbetet një personalitet i gjallë në kujtesën dhe kontributet e mëdha shkencore- mjekësore, po ashtu dhe kontributin social- kulturor dhe politik. Figura e tij do të ketë nderim të përjetshëm.
Tiranë –Vlorë, shtator 2022
Shkrim i plote, i vertete per figuren e paster dhe shume te nderuar te ketij personaliti me përmasa atdhetarizmi, Profesor dr. Sabit Brokaj.
Shembull i larte patriotizmi.
Qofte i nderuar kujtimi i Tij!
Shkrim i plote, i vertete per figuren e paster dhe shume te nderuar te ketij personaliteti me përmasa atdhetarizmi, Profesor dr. Sabit Brokaj.
Shembull i larte patriotizmi.
Qofte i nderuar kujtimi i Tij!
Profesor Sabiti asnjëherë nuk i harroi bashkëfshatarët dhe Labërinë. Që nga vitet 80 e mbaj mënd që priste këdo që paraqitej qoftë si Mjek, Dekan, Deputet e Ministër. Njeri i qeshur e human ” hë xhanush ” ç’far halli të ka sjellë ” Punëmbaruar. Respekte për Birin që Brataj e përfaqësoi denjësisht kudo dhe në sptalet e Botës ku dërgonte pacient.
Portret i gdhendur në Artin e fjales Shkruar aqe jetesore sa artistike aqe me vertetesi sa Të krijon emocione shpirterore të pa Arrira per në qe e kemi njohur Prof Zabitin, me Gjitha permasat e tij intelektuale njerezore,humanitare si Burre I Nderuar i nje Kombi.
Ndjehem krenar për Ju prof Bardhoshi si mik I Tim Eti edhe imi.
Respekt pa kufi.
Jam ,Maksim Ramohitaj. Ushtarak në pension. Të përshëndes dhe ju përgëzoj pa masë i nderuar Dr prof Bardhosh Gaçe, për shkrimin tuaj , për të pa harruarin Dr prof Sabit Brokaj.
Kam punuar dy vite së bashku me dr Sabitin në brigadën e Shijakut (rep. Usht 7521) në vitet 1970_1972. Unë në detyrën e sekretarit të komitetit të Rinisë së Brigadës dhe Sabiti doktor dhe shefi i shëndetësisë së brigadës , dhe jo vetëm që ishim të dy nga Vlora , dhe flinim të dy në një dhomë së bashku , por kryesorja qe u bëmë edhe shokë të ngushtë ishte se na u përputh shumë karakteri i një njëri tjetrit., Pavarsisht se Ai shkonte mirë me të gjithë , por edhe me gjithë banorët e qytetit të Shijakut.
Ju dr. Bardhoshi i kini shtjelluar në mënyrën më perfekte të gjitha vlerat dhe cilësitë e doktor Sabitit.
Doktor Sabiti ishte dhe mbeti në përjetësi një personalitet i veçantë , një patriot dhe Atdhetar Shqiptar, me shpirt , zëmër e veprim. Dikur thuhej dhe flitej për 10 cilësitë më të mira të njeriut , kurse unë ju them se Sabit Brokaj i kishte 100% , në karakterin e Vlerat e Tij ,të shkëlqyera dhe pastra të një njeriu _NJERI ,në shoqërinë njerëzore.
Edhe një herë ju përgëzoj profesor Bardhoshi për këtë shkrim të detajuar për të pa harruarin , Dr prof Sabit Brokaj.
I pa harruar në përjetësi kujtimi Dhe vepra e dr prof. Sabit Brokaj.
Të gjithë ata, të cilët e patën fatin që të dëgjojnë këshillat e Dr. Prof. Sabitit, do ta përkujtojnë përjetësisht dhe me respekt!
Sabit Brokaj pati dhe nje histori qe neper korridoret e Ministrise flitej per nje histori roze me ish Miss Shqiperia qe atehere punonte si sekretare prane Ministrise se Mbrojtjes.Ja keshtu e kam njohur une Sabit Brokajn!