Ndonëse në shifra më të ulëta, nga kanceri i gjirit rrezikojnë edhe meshkujt. Sipas të dhënave të raportuara nga strukturat ndërkombëtare të shëndetit, rezulton se rreth 1 në çdo 100 raste të kancerit të gjirit të diagnostikuar në botë gjendet tek burrat. Në muajin e ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit, autoritetet e shëndetit publik kanë apeluar për njohjen e simptomave edhe në rastet e shfaqjes së sëmundjes tek meshkujt.
Sipas tyre, tek meshkujt kjo sëmundje diagnostikohet më me vështirësi. E kjo ndodh për shkak të faktit se meshkujt kanë më pak inde të gjoksit. Kjo bën që ata ta kenë më të vështirë që të vërejnë zhvillimin e kancerit që në fazat e para. Ndryshe nga sa ndodh tek femrat, meshkujt nuk janë shumë të vëmendshëm rreth njohjes së simptomave të kancerit, çka më pas bën që edhe sëmundja të zbulohet në stade të avancuara, kur edhe trajtimi mund të bëhet edhe më i vështirë.
Për të zbuluar në kohë këtë sëmundje, ekspertët e shëndetit publik këshillojnë që edhe meshkujt duhet të jenë të vëmendshëm rreth formës, madhësisë dhe ndjeshmërisë që kanë në gjoksin e tyre. Kjo pasi mund të ndihmojë në vërejtjen e menjëhershme të simptomave që ju orientojnë drejt ekzaminimeve të duhura për të zbuluar nëse jeni në rrezik për zhvillimin e kancerit të gjirit.
Megjithatë, ndër simptomat që duhet të tërheqin vëmendjen tuaj drejt rrezikut të zhvillimit të kësaj sëmundjeje janë gungat që mund të dalin në gjoks, të cilat mund të jenë të rrumbullakëta në formë të topit apo të rrafshëta. Po ashtu, një ndër shenjat paralajmëruese mund të jenë edhe ndryshimet që mund të shikoni në formën dhe madhësinë e gjirit, apo edhe shfaqjen e gropave. Sëmundja mund të shoqërohet edhe me dhimbje në thithka, gji ose në pjesën përreth, si dhe skuqje, fortësi, kruarje në thithkë ose areolë. Në raste më të avancuara mund të vërehet edhe prania e sekrecioneve në thithka.
Sa më herët të kuptohen simptomat e para, aq më shpejt do të bëhet edhe diagnostikimi i sëmundjes, duke bërë që edhe trajtimi që duhet të merrni të jetë më efikas. Në këtë formë do të mund të shmangen kalimet në stadet më të rënduara të sëmundjes, të cilat mund të jenë edhe kërcënuese për jetën. Ndaj këshillohet se nëse keni ndonjë nga simptomat e lartpërmendura, duhet që të kërkoni ndihmën e mjekut sa më shpejt.
Janë një sërë ekzaminimesh që do të duhet të bëni për diagnostikimin e sëmundjes në rastet e konstatimit të simptomave të para. Fillimisht mjeku juaj do ju bëjë ekzaminim fizik dhe nëse ai mendon që ju mund të keni kancer në gji, ai do të bëjë edhe disa ekzaminime tjera të gjirit, si: mamografi, Eko, rezonancë magnetike (MRI) apo biopsi.
Kundrejt pyetjes se a mund të parandalohet kanceri i gjirit te meshkujt, autoritetet e shëndetit publik bëjnë me dije se janë një sërë masash që mund të merren për të reduktuar rrezikun e shfaqjes së kësaj sëmundjeje. Krahas kontrolleve të vazhdueshme, njohja e faktorëve të riskut dhe mbajtja nën kontroll e tyre (në rastet kur është e mundur), janë ndihmë e madhe në trajtimin e hershëm të kësaj sëmundjeje, si dhe shmangien e kalimit të saj në stade më të rënda.
Faktorët që mund të rrisin rrezikun për t’u prekur nga kanceri në gji te meshkujt përfshijnë moshën, ku rreziku rritet me kalimin e moshës. Nga ana tjetër edhe historia gjenetike është një tjetër faktor që shton riskun për zhvillimin e kësaj sëmundjeje. Vlerësohet se rreth 5- 10 për qind e kancereve të gjirit mendohet të jenë të trashëguar nga një familjar, si pasojë e një defekti gjenetik. Shkaku më i shpeshtë hereditar apo i trashëguar është një mutacion në gjenet BRCA1 dhe BRCA2. Në qelizat normale këto gjene parandalojnë kancerin duke ndihmuar në prodhimin e proteinave specifike që ndihmojnë qelizat të mos rriten në mënyre anormale.
Edhe prania e niveleve të larta të estrogjenit është një tjetër faktor risku për zhvillimin e kancerit të gjoksit tek meshkujt. Bluzat e bardha tregojnë se rritja e niveleve të estrogjeni mund të jetë si pasojë e medikamenteve apo trajtimeve hormonale që ju keni përdorur. Duhet të dini se meshkujt të cilët konsumojnë shumë alkool, ose janë mbipeshë kanë nivele më të larta të estrogjenit, duke shtuar kështu shkallën e riskut për zhvillimin e kësaj patologjie.
Një tjetër faktor risku është edhe rrezatimi. Meshkujt të cilët janë të ekspozuar vazhdimisht në rreze të diellit janë në rrezik më të madh të zhvillimit të kancerit në gjoks. Edhe sëmundja e gjinekomastisë është rrezikuese. Kjo është sëmundje beninje, e cila ndikon në rritjen e gjoksit te meshkujt. Të rrezikuar për të zhvilluar sëmundjen e kancerit të gjirit janë edhe meshkujt me Sindromën e Klinefelterit. Meshkujt e prekur nga ky çrregullim gjenetik kanë dy ose më shumë kromozome X me një kromozom Y. Sindroma e Klinefelterit ndodh që në lindje. Meshkujt të cilët vuajnë nga kjo sindromë kanë gjoks më të zhvilluar, dhe tipare të tjera jonormale.
Për të reduktuar mundësinë e shfaqjes së sëmundjes duhet të bëni kujdes edhe nga mbipesha, obeziteti dhe dieta me ushqime të pasura me yndyra shtazore. Ekspertët e shëndetit publik vlerësojnë se rritja e rrezikut për kancer gjiri është e lidhur edhe me mbipeshën. Kontrolli i dietës mund të mbajë në kontroll depozitimin e indit dhjamor dhe mund të parandalojë në këtë mënyrë një përqindje të llojeve të kancerit të gjirit. Ndërkohë që nuk duhet të lini pas dore edhe ushtrimin fizik. Studimet e shumta të bëra në këtë drejtim tregojnë se gjithmonë e më tepër janë duke u shtuar faktet që dëshmojnë se aktiviteti fizik sistematik dhe i moderuar ul rrezikun për kancer gjiri.
Sa i takon trajtimit, autoritetet sqarojnë se ekzistojnë pesë lloje kryesore të trajtimit të kancerit të gjirit: kirurgjia, terapia me rrezatim, kimioterapia, terapia hormonale dhe terapia e targetuar (shënjuar). Plani i trajtimit do të bazohet në shumë faktorë, duke përfshirë llojin dhe stadin e kancerit, nëse kanceri është HER2-pozitiv ose receptor hormon pozitiv, historinë mjekësore, dhe shëndetin e përgjithshëm të pacientit të diagnostikuar.
Simptomat e kancerit të gjirit tek meshkujt përfshijnë:
- Gungat në gjoks të cilat mund të jenë të rrumbullakëta në formë të topit apo të rrafshëta.
- Ndryshime në formën dhe madhësinë e gjirit.
- Gropat në gji.
- Dhimbje në thithka, gji ose në pjesën përreth.
- Skuqje, fortësi, kruarje në thithkë ose areolë.
- Sekrecion nga thithkat.
Faktorët që mund të rrisin rrezikun për tu prekur nga kanceri në gji te meshkujt përfshijnë:
- Mosha: Rreziku për kancer rritet me moshën tuaj.
- Historia gjenetike: Historia familjare sa i përket kancerit të gjirit dhe pranishmëria e gjenit BRCA janë dy faktorët kryesorë të formimit të këtij kanceri.
- Nivelet e larta të estrogjenit. Kjo mund të jetë si pasojë e medikamenteve apo trajtimeve hormonale. Meshkujt të cilët konsumojnë shumë alkool ose janë mbipeshë kanë nivele më të larta të estrogjenit.
- Rrezatimi. Meshkujt të cilët janë të ekspozuar vazhdimisht në rreze të diellit janë në rrezik më të madh të zhvillimit të kancerit në gjoks.
- Sëmundja e gjinekomastisë. Kjo është sëmundje beninje e cila ndikon në rritjen e gjoksit te meshkujt.
- Sindromën e Klinefelterit. Meshkujt të cilët vuajnë nga ky çrregullim gjenetik kanë dy ose më shumë kromozome X me një kromozom Y. Sindroma e Klinefelterit ndodh që në lindje. Meshkujt të cilët vuajnë nga kjo sindromë kanë gjoks më të zhvilluar, dhe tipare të tjera jonormale.
Një dietë e shëndetshme redukton riskun për zhvillimin e sëmundjes, pasi ju ndihmon:
- Të mbani një peshë të shëndetshme.
- Të ulni simptomat e kancerit dhe efekteve anësore të trajtimit.
- Të përmirësoni cilësinë e jetës.
- Të mbani indet e trupit të shëndetshëm.
- Të forconi sistemin imunitar.
- Të zvogëloni problemet e lodhjes dhe dobësisë.
