Xhevdet Shehu
Ish-shefi i Zërit të Amerikës (seksioni i gjuhës shqipe) për shumë vite me radhë, Elez Biberaj, ka vendosur të dalë në pension pas dy muajsh. Këtë e ka bërë të ditur vetë zoti Biberaj nëpër mjet një njoftimi në email dërguar miqve dhe kolegëve. Ky mesazh më mbërriti edhe mua dje dhe nuk ishte për t’u çuditur. Unë kam punuar disa vite në gjysmën e parë të viteve ’90 me zotin Biberaj si korrespondenti i parë i Zërit të Amerikës në Tiranë dhe ruaj plot kujtime nga ky bashkëpunim. Marrëdhëniet e mia me të kanë qenë korrekte. Disa episode po i tregoj në vijim duke i uruar zotit Biberaj ta gëzojë pensionin, pasi mendoj se i ka dalë nje pension i mirë… A përbën ky fakt një lajm? Mendoj se po, duke ditur profilin publik të zotit Biberaj.
Episodi i parë: Për gjuhën shqipe
Qysh në ditët e para të bashkëpunimit tim me Zërin e Amerikës më ra në sy kujdesi që bëhej në Uashington për të transmetuar në një shqipe të pastër dhe sa më korrekte emisionet, duke respektuar me skrupulozitet normat e gjuhës letrare të njësuar.
– Duhet ta dish, – më pati thënë me humor Elez Biberaj, – se ne këtu “nuk i kuptojmë” disa fjalë që ju në Tiranë e Prishtinë i përdorni shpesh në shtyp apo biseda si lider, lidership, bilateral, konsensus, staf, bord, interpelancë, intervenim, maltretim, uorkshop, association, maltretim, kredibilitet, etj. Por, të lutem, edhe ti “të mos i mësosh” e të mos i përdorësh…
Dhe ai ishte vërtet i kujdesshëm për të mos lejuar fjalët e huaja që prej pakujdesisë kishin hyrë në fjalorin e përditshëm të shqiptarëve dhe kishin fituar të drejtën e qytetarisë midis tyre. Sidomos gjatë viteve të fundit, te një sërë politikanësh, intelektualësh, shkrimtarësh e gazetarësh, është kthyer në mani futja e sa më shumë fjalëve të huaja si një tregues i “erudicionit dhe kulturës së gjerë e të gjithanshme” të tyre. Mirëpo, disa zhvleftësohen pikërisht për këtë arsye, pasi i përdorin këto fjalë vend e pa vend dhe, shpesh, gabimisht.
Kjo vëmendje që tregohej për gjuhën shqipe te Zëri i Amerikës, nuk vërehej te radiot simotra, as te Radio Tirana e, aq më pak, në TVSH.
Episodi i dytë: Nga gjyqi i Nexhmije Hoxhës
Procesi penal për Nexhmije Hoxhën u hap në Tiranë më 8 janar 1993, në një ditë me diell, por të ftohtë. Hapja e këtij procesi pritej me interes të veçantë, për faktin se do të gjykohej një nga njerëzit më të rëndësishëm të gjysmëshekullit të fundit, bashkëshortja e Enver Hoxhës, e cila thuhej se kishte luajtur një rol të ndieshëm si kur ishte gjallë i shoqi, por në mënyrë të veçantë pas vdekjes së tij.
Për të shmangur ndonjë incident, policia kishte marrë masa të rrepta sigurimi, duke e bllokuar rrugën e Durrësit, ku ndodhej gjykata e Tiranës, si dhe duke e rrethuar godinën me policë të shumtë, të cilët nuk i linin qytetarët e zakonshëm për t’u afruar, ndërsa ftesat për ata që do ta ndiqnin gjyqin në sallë ishin ndarë prej disa ditësh. Gjatë ditëve të këtij gjyqi nuk u zhvillua asnjë proces tjetër, ndërsa mjediset brenda gjykatës ishin rregulluar e pastruar me nxitim, pasi gjyqi do të ndiqej nga shumë gazetarë të vendit dhe të huaj. Salla ku do të zhvillohej procesi ndodhej në katin e tretë dhe shikonte nga lindja, ajo ishte lyer enkas me gëlqere dhe, për herë të parë pas shumë kohësh mosfunksionimi, ishin vënë në punë kaloriferët si dhe në dritaret e saj u varën perde në disa korniza të stërpërdorura…
Ditën e parë të procesit të Nexhmije Hoxhës unë i bëra të ditur zyrës në Uashington vendimin e trupit gjykues për të mos informuar për zhvillimin e këtij gjyqi, çka do të thoshte embargo për gazetarët. (Transmetimi i këtij procesi në RTV u bë vetëm pasi ai kishte mbaruar). Megjithatë, së bashku, vendosëm që të transmetoja çdo ditë nga seancat reportazhe thuajse të hollësishme. Me shaka i thashë Biberajt: Në rast se unë do të dënohem për këtë që po bëj, përgjegjësinë sigurisht do ta mbani ju?! Natyrisht, tha ai, ne do të vijmë menjëherë në Tiranë për të pasqyruar procesin e zotit Shehu. Qeshëm.
Transmetimi i kronikave në VOA nga procesi i N. Hoxhës ngjalli një interesim të veçantë dhe rriti dukshëm numrin e dëgjuesve. Këtë unë e vija re në mjaft reagime të përditshme nga njerëz të ndryshëm. Kurse anëtarët e trupit gjykues, me të cilët u miqësuam gjatë ditëve të gjyqit, nuk thonin gjë. Ata i dëgjonin rregullisht emisionet e Zërit të Amerikës. Në rregull, s’kemi asnjë vërejtje, thonin, ndërsa pinim nga një kafe në katin e parë të gjykatës në pushimet midis seancave.
Episodi i tretë: Me Leka Zogun
Leka Zogu, mbërriti papritmas në Tiranë një pasdite nëntori në vitin1993. Them papritmas, pasi nuk kishte asnjë paralajmërim për këtë vizitë të një njeriu mjaft të lakuar në qarqet politike, por sidomos në opinionin e gjerë, për të cilin vazhdojnë të mbeten në fuqi pengesa ligjore që nuk e lejojnë atë të hyjë e të dalë lirisht në vendlindjen e tij…
Ja si kanë rrjedhur ngjarjet e asaj dite.
Më 19 nëntor pasdite në Pallatin e Kongreseve në Tiranë u organizua një takim i gjerë i intelektualëve të kryeqytetit me presidentin Berisha. Në takim morën pjesë më shumë se dy mijë vetë dhe Berisha, i cili doli i vetëm përballë tyre, foli për forcimin dhe institucionalizimin e demokracisë, e cila ka nevojë për mendimin intelektual. Ai i ftoi intelektualët të marrin pjesë aktive në jetën e vendit. Pastaj ai iu përgjigj disa pyetjeve nga salla, të cilat i dhanë takimit ngjyrat e një konference shtypi.
Pasi transmetova materialin për atë takim në emisionin e orës 18, e quajta të përfunduar punën time për atë ditë. Kisha ndjekur dhe lajmet e revistës televizive, kur ra telefoni. Nga Zëri i Amerikës më njoftuan se “marrim vesh se në Tiranë ka mbërritur Leka Zogu”. E kini marrë vesh gabim, thashë unë menjëherë. Por edhe u vura në mendime… Për çdo gjë që më kishin njoftuar nga Uashigtoni, lajmet kishin qenë të sakta. Atë ditë Biberaj nuk ishte në punë. Megjithatë, ishte ai që më njoftoi për këtë lajm. (Një a dy ditë më parë ai ishte larguar nga Uashingtoni për në Honolulu, kryeqytet i ishujve Hauai, të cilët përbëjnë shtet më vete në SHBA. Distanca Uashington – Honolulu është pothuajse sa ajo Uashington-Tiranë. Në ishujt amerikanë të Paqësorit ato ditë zhvillohej një konferencë).
E kini marrë vesh gabim, thashë përsëri dhe fillova të argumentoj se: ende nuk janë abroguar vendimet e Kongresit të Përmetit (1944) të cilat nuk lejojnë kthimin në Shqipëri të familjes mbretërore. Për këtë problem nuk ka diskutuar ende parlamenti, dhe ndonjëherë kur e ka ngritur ndonjë deputet, është lënë mënjanë, pa vëmendje ose me qëllim. Kështu në planin ligjor… Pastaj, kjo mendoj se nuk është një ngjarje e zakonshme. Po të kishte ardhur Leka Zogu do ta kishte marrë vesh menjëherë së paku e gjithë Tirana… Unë sapo dëgjova lajmet në TV dhe asgjë, asnjë fjalë…
-Sidoqoftë, – më thanë nga Zëri i Amerikës, – interesohu dhe, po të jetë se ka ardhur, përpiqu ta intervistosh për programin e mëngjesit.
Tri-katër telefonata në individë të ndryshëm, midis të cilëve edhe zogistë, më thanë se nuk dinin gjë. Njëri më tregoi se edhe atij i kishin thënë se ka ardhur Leka Zogu, por e harrova menjëherë, tha, pasi e kuptova që po talleshin. Më në fund, me një mospërfillje të dukshme, pasi kisha bindjen se edhe ata do të më thoshnin të njëjtën gjë, mora hotel Dajtin.
– Po, – më tha papritmas nëpunësi i recepsionit. – Ka ardhur para nja tre-katër orësh dhe është këtu në hotel, në dhomën…
Jeni i pari gazetar që po e intervistoni këtu Mbretin më tha Mulosmanaj, duke shtuar se kjo lidhet me respektin që Ai ka për Zanin e Amerikës.
Sapo hyra në koridorin e katit të dytë vura re tjetër situatë. Ai kontrollohej rreptësisht dhe tërësisht nga monarkistët, ndërsa ne të dy anët e derës së dhomës me numër 214 kishte roje thuajse gatitu.
– Prit pak, këtu – më tha Abedin Mulosmanaj nja tre-katër metra larg derës, ndërsa vetë hyri brenda për të dalë sërish pas ndonjë minuti. Dera mbeti përgjysmë e hapur dhe ai më bëri shenjë të hyja.
– Kam shumë respekt për Zanin e Amerikës, pasi asht i vetmi radiostacion që më ka krijue mundësi disa herë me komunikue me popullin tim, – tha Leka Zogu. – Zotni Elez Biberaj e kam mik dhe kur të flisni me të i përcillni të falat e mia.
Pas pak nxora magnetofonin dhe i thashë se mund të fillonim intervistën, ndërsa iu luta zotit Mulosmanaj të më lironte kolltukun e tij. Ai u ngrit, mori një karrige dhe u ul sërish pranë Naltmadhnisë, në krahun e djathtë të tij.
Duke u shtirur se nuk e vura re këtë përkujdesje të ministrit të Oborrit, iu drejtova menjëherë djalit të ish-mbretit:
Episodi i katërt: Për vizitën e Shifterit
Ndërsa zhvillohej gjyqi i Të Pestëve në fundgushtin zhuritës të ’94-ës, në aeroportin e Rinasit një mbrëmje vonë ulej një avion i posaçëm dhe në Tiranë mbërriti papritmas një mysafir jo i zakonshëm…
(Rreth orës tre të mëngjesit cërritja e telefonit më zgjoi si mjaft herë të tjera. Nga zyra në Uashington më njoftuan se atë natë në Tiranë kishte qenë Riçard Shifter… Ka ardhur për punën e grekëve që po gjykohen aty, më tha Biberaj. E dimë, e dimë që nuk është dhënë asnjë lajm për këtë vizitë aty, por ne duhet të japim diçka… Duhet me doemos ta japim këtë lajm… Dhe, pas një pauze, më sqaruan shprehimisht se ai, domethënë Shifteri, është takuar po mbrëmë me atë malokun tuaj aty (Berishën), të cilit i ka dhënë një mesazh të këtij malokut tonë këtu (Presidentit Bill Klinton), por Berisha nuk e ka pritur mirë dhe kjo… do të thotë… E kupton vetë se ç’do të thotë!…).
Sajova një emision të rëndomtë për programin e mëngjesit dhe nga fundi shtova një frazë, krejt si mballomë, për vizitën e befasishme të të dërguarit të Presidentit Klinton ose siç thirret ndryshe Ambasadorit Riçard Shifter në Tiranë. Në atë frazë nuk mungonin fjalët burime të besueshme bënë të ditur… dhe se ai (Shifteri) ka patur një takim me Presidentin Berisha për çështjen e pesë shtetasve shqiptarë me kombësi greke, por pa rezultat…
Shpejt do të merrej vesh se Berisha e kishte quajtur atë natë, as më pak e as më shumë, por staliniste kërkesën e të dërguarit të Klintonit për lirimin e Të Pestëve.
Këtu mendohet se takimi i tyre është ndërprerë.
Më tej, Shifteri shkoi në Athinë po atë natë. Sikurse u mësua pak më vonë, nga kryeqyteti grek ai i ka telefonuar sërish presidentit shqiptar për të mësuar nëse i qëndronte ende deklaratës së mëparshme. Dhe ka marrë afërsisht përgjigjen se, jo vetëm i qëndronte, por do të shtonte se në këtë mënyrë sillej dhe u diktonte vendeve vasale vetëm ish-udhëheqësi bolshevik i Kremlinit…
Ambasadori Shifter, siç mund të merret lehtësisht me mend, më shumë se është befasuar, është tronditur nga ky qëndrim i kryetarit shqiptar të shtetit, të cilin e kishte konsideruar edhe mik personal të tij.
Ishte e pamundur ta fshihte shqetësimin në këtë rast.
Por, ishte ende herët për të dalluar (dhe aq më pak për të parashikuar) se ç’do të ngjiste më pas në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe SHBA…
Episodi i pestë: Me ish-të përndjekurit politikë
Gushti i ’94-ës ka qenë veçanërisht i nxehtë. Një vapë zhuritëse dhe topitëse të merrte frymën edhe natën, pa le më ditën… Në Tiranë kjo vapë është edhe më e padurueshme.
Dhe, sikur të mos mjaftojë kjo, në periudha të tilla ngrihen lehtësisht edhe temperaturat politike.
Në ditët e para të atij gushti vëmendjen e opinionit e tërhoqi sërish një grevë urie me përmasa jo të zakonshme, duke qenë ngjarja kryesore në vend për gati dy javë.
Ja si kishte ndodhur.
Shoqata e ish – të Përndjekurve Politikë kishte paralajmëruar për një grevë të tillë, në rast mosplotësimi nga ana e Qeverisë të një sërë kërkesash për kompensimin e vuajtjeve të tyre në burgjet dhe kampet komuniste. Qeveria e kish premtuar këtë, por ky kompensim, sipas shoqatës, po zvarritej ose po bëhej i padrejtë. Kishin filluar bisedimet Shoqatë – Qeveri dhe, pasditen e 4 gushtit, u arrit një marrëveshje me 10 pika, 8 nga të cilat ishin quajtur plotësisht të realizueshme, ndërsa për dy do të vazhdonte diskutimi. Në zyrat e Kryeministrisë të dy palët ishin gëzuar për arritjen e marrëveshjes dhe e kishin “festuar” me Coca-cola e kafe. Ish – të përndjekurit politikë u shpërndanë qetësisht nëpër familje, të lehtësuar se nuk do t’u riktheheshin më privacioneve si të kohës së diktaturës.
Greva ishte shmangur në momentin e fundit…
Në orën 20, ata u përqëndruan para ekraneve të TV për të dëgjuar lajmet ku, padyshin, arritja e asaj marrëveshjeje atë pasdite do të përbënte lajmin më të rëndësishëm të ditës.
Mirëpo, pikërisht në ato momente ata pësuan një shock të vërtetë: Në vend të marrëveshjes së lidhur, u transmetua një deklaratë e Qeverisë, ku ata, ish – të përndjekurit e diktaturës komuniste, cilësoheshin ekstremistë, fashistë, agjentë të ish-Sigurimit të Shtetit dhe të manipuluar nga Johanesburgu (domethënë nga Leka Zogu) etj., etj., një lumë epitetesh të rënda me ngarkesë të theksuar politike.
Sapo dëgjuam atë deklaratë, do të tregonte më vonë kryetari i Shoqatës, Kurt Kola, në mënyrë të vetvetishme dhe me një shpejtësi të rrufeshme, për gjysmë ore, në mjediset e shoqatës u grumbulluan disa qindra vetë, ish – bashkëvuajtës të mi, të cilët këmbëngulën dhe vendosën unanimisht fillimin e menjëhershëm të grevës së urisë. Ishin mjaft të revoltuar nga ato që kishin dëgjuar dhe, më shumë se të revoltuar, ishin të fyer. Edhe unë si ata. Më shumë se 200 e filluam grevën në çast…
E njëjta gjë ndodhi edhe në Shkodër, në Durrës, Kukës, Fier, Lushnjë e në shumë qytete të tjera.
Greva e ish-të përndjekurve e tensionoi sërish dhe papritmas situatën politike, e shpërgjumi atë. Ish-aleatët e dikurshëm të Qeverisë, që tashmë kishin hyrë në grevë urie, nuk mund të quheshin më të tillë. Qëndrimi i të dy palëve ishte i ashpër, i papajtueshëm, gati armiqësor.
Ish-të përndjekurit politikë ishin të fundit aleatë që i kishin mbetur PD-së në rrugën dyvjeçare të qeverisjes dhe që po e braktisnin me vetëdije, të zhgënjyer. Ndërsa aleanca politike në qeverisjen e vendit e PD me PSD dhe PR, prej kohësh ishte deklaruar e dështuar dhe krejt fiktive. Udhëheqjet e dy partive në koalicion sulmoheshin e përbalteshin në shtypin dhe propagandën e PD njëlloj si opozitarët.
Me këtë gjuhë foli PD edhe për Kurt Kolën e bashkëvuajtësit e tij. Sapo filloi greva, jo vetëm që radio dhe TV shtetëror ndërprenë informacionet rreth këtij zhvillimi të ri, por çdo ditë e më tepër shtuan sharjet dhe epitetet fyese ndaj tyre.
Atëherë shqiptarët, që e kishin kuptuar prej kohësh monopolin e partisë në pushtet mbi radion dhe TV, për të mësuar të vërtetën i drejtuan antenat drejt stacioneve të huaja.
Me zyrën në Uashington, posaçërisht me zotin Biberaj, ishim në një mendje që në çdo edicion duhej të kishim diçka për grevën. Një lajm, një reportazh, apo intervista…

Elez Biberaj
Mesazh Lamtumire me Rastin e Daljes në Pension
30 tetor 2023
Të nderuar miq dhe kolegë,
Kam kënaqësinë t’ju njoftoj, se pas një karriere 43 vjeçare me Zërin e Amerikës, kam vendosur të dalë në pension më 31 dhjetor 2023. Ka qënë privilegji dhe krenaria më e madhe e jetës time që kam patur fatin të punoj për një organizatë kaq të jashtëzakonshme mediatike. Do t’i jem përherë mirënjohës Zërit të Amerikës për mundësitë që më ka krijuar.
Misioni i Zërit të Amerikës dhe ruajtja e standarteve më të larta të gazetarisë kanë qënë në qendër të rrugëtimit tim profesional. Gjatë gjithë karrierës sime që shtrihet në mbi katër dekada, gjatë gjashtë administratave presidenciale dhe me mbi dhjetë drejtorë të Zërit të Amerikës, kam bërë përpjekjet maksimale për të mbajtur lart vlerat që e kanë bërë Zërin e Amerikës një nga organizatat mediatike më të njohura dhe të besueshme në botë. Unë kam patur privilegjin të punoj në role të ndryshme, nga gazetar radioje në Shërbimin Shqip (1980-1982), Analist për Çështjet Sovjetike dhe të Europës Lindore në Drejtorinë e Shtypit të USIA (Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Informacionin) (1982-1986), Shef i Shërbimit Shqip (1986-2004), Kryeredaktor i Drejtorisë së Euroazisë (2004-2005), dhe së fundmi, që nga viti 2005, Drejtor i Drejtorisë së Euroazisë. Kam shërbyer gjithashtu si Drejtor i Përkohshëm i Zërit të Amerikës gjatë periudhës qershor-dhjetor 2020.
Nuk mund të kisha shpresuar për një karrierë më shpërblyese nga ana intelektuale dhe profesionale. Zëri i Amerikës më krjoi mundësinë të ndjek nga afër disa nga ngjarjet më gjurmëlënëse botërore, që nga Lufta e Ftohtë, përmbysja e komunizmit dhe lindja e demokracisë në ish Bashkimin Sovjetik dhe Europën Lindore, luftrat ballkanike, integrimin e vendeve të Europës Lindore në institucionet Euro-Atlantike, kthimin e Rusisë në një sistem autoritar dhe së fundmi, agresionin e saj mizor ndaj Ukrainës. Ndihem krenar dhe i privilegjuar që kam punuar krahas shumë kolegëve të nderuar në përmbushjen e misionit fisnik të Zërit të Amerikës, transmetimin e lajmit dhe informacionit të vërtetë dhe objektiv për audiencën globale, përhapjen e vlerave demokratike dhe rrëfimin e historisë së pashembullt të Amerikës. Ndihem tejet krenar për arritjet tona të jashtëzakonshme.
Zhvillimet e fundit në botë, përhapja e dezinformimit dhe keqinformimit, cenimi i lirisë së shtypit, përparimi i shpejtë i teknologjisë, përdorimi gjithnjë e më i shpeshtë i inteligjencës artificiale, e kanë ndryshuar rrënjësisht peizazhin botëror të gazetarisë. Zëri i Amerikës vepron sot në një botë krejt të ndryshme, por misioni i përhapjes së lirisë dhe demokracisë, dhe fuqizimi i audiencës me lajme dhe informacione të vërteta, objektive dhe të balancuara, nuk ka qenë kurrë më jetik.
Me mirënjohje të thellë dua të falënderoj ekipin e përkushtuar e të palodhur në përmbushjen e misionit të Drejtorisë së Euroazisë. Drejtimi i një grupi të tillë të talentuar gazetarësh ka qënë një kënaqësi e veçantë. Po ashtu u jam mirënjohës miqve dhe kolegëve në sektorët e tjerë të Zërit të Amerikës për përkrahjen e palëkundur.
Falënderime të përzemërta kolegëve në postet e larta drejtuese dhe në të gjithë organizatën, të cilët punuan ngushtë me mua gjatë periudhës gjashtë-mujore kur shërbeva si Drejtor i Përkohshëm i Zërit të Amerikës në vitin 2020. Ishte një nder i veçantë të qënit në krye të Zërit të Amerikës gjatë një prej periudhave më të trazuara në historinë e tij. Ndihem shumë krenar, që përballë sulmeve të pandërprera dhe frontale ndaj integritetit të Zërit të Amerikës, ne arritëm të drejtonim me sukses në një labirinth jashtëzakonisht sfidues dhe të mbronim me forcë pavarësinë tone editoriale.
Më duhet ta pranoj, se edhe pas 43 vitesh të mrekullueshme, nuk është e lehtë t’i thuash lamtumirë Zërit të Amerikës. Por unë largohem me krenari të thellë dhe mirënjohje të pakufishme për punën e madhe që kemi bërë dhe jam i sigurt, që ju do të vazhdoni të bëni. Zëri i Amerikës është bërë sot një organizatë mediatike shumë e efektshme dhe e shkathët, duke prodhuar gazetari të cilësisë së lartë. Shtrirja dhe ndikimi i Zërit të Amerikës nuk kanë qenë kurrë më të mëdha se sot. Dhe përsa kohë që të mbetet i angazhuar ndaj vlerës së tij themelore të nxitjes së lirisë e demokracisë dhe prodhimit të gazetarisë së pavarur të bazuar në fakte, Zëri i Amerikës do të vazhdojë të jetë burim shprese dhe një fener ndriçues i së vërtetës për miliona njerëz në mbarë botën.
Me respekt të thellë,
Dr. Elez Biberaj
Drejtor
Drejtoria e Euroazisë
Zëri i Amerikës
