Dr. Dorian Koçi
Qëndrimet e brendshme dhe të jashtme të Kosovës në prag të shembjes së komunizmit dhe deri në vitet e para të shekullit XXI i përcaktoi në masë të konsiderueshme vizioni historik i Ibrahim Rugovës. Autoriteti moral i Rugovës në politikën e Kosovës në periudhën e 1999-2006 buronte nga udhëheqja e suksesshme që ai i kishte bërë betejës politike paqësore dhe ndërtimit të shtetit paralel gjatë shkatërrimit të autonomisë së Kosovës dhe shtypjes brutale të Drejtave dhe Lirive të Njeriut gjatë periudhës 1989-1999, për të arritur ringjalljen e Kosovës së pavarur. Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i Kushtetutës së saj (7 shtator 1990), Referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës mbajtur në fund të shtatorit të vitit 1991, zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhjet presidenciale në Republikën e Kosovës më 24 maj 1992, ishin kredencialet e para të demokracisë liberale të shtetit të Kosovës.
Më vonë, si kreu i shtetit gjatë viteve të para të pasluftës 2000-2006, me anë të tentativave intelektuale dhe paqësore ai u përpoq të përvijonte për shtetin e rithemeluar kufijtë e Kosovës dhe respektimin e minoriteteve, pra, si rrjedhim duke ndihmuar diplomacinë botërore të formulonte Pakon Ahtisari që i dha pavarësinë e plotë Kosovës. Ky program parashikonte strukturë kushtetuese që respektonte multikulturalitetin dhe kombësitë e tjera në Kosovë dhe në të njëjtën kohë ndërtimin e një Republike të Kosovës, të pavarur dhe jo domosdoshmërisht të bashkuar me Shqipërinë. Në këtë pikë ai u keqkuptua dhe nuk gjeti mbështetje të mjaftueshme mes shqiptarëve dhe të elitës shqiptare në rajon, që pas rrëzimit të komunizmit kishin ringjallur projektin politik të Rilindjes Kombëtare, të bashkimit të gjithë shqiptarëve në një shtet të vetëm. Çështja e Kosovës në fakt kishte qenë një vijë ndarëse në fakt që gjatë zhvillimeve të Luftës së Dytë Botërore në mendimin shqiptar, midis PKSH. e FNÇ., të dominuar prej saj dhe forcave nacionaliste, të grupuara në “Ballin Kombëtar” dhe “Lëvizja e Legalitetit”. Gjatë Luftës për çështjen e Kosovës P.K.SH pati bërë për vete tezën që Tito ia kishte shkruar në një letër Miladin Popoviçit më 9 tetor 1943, ku mes të tjerash, e udhëzonte: Të mos lejoni që elementët e ndryshëm reaksionarë shqiptarë të spekulojnë dhe të fitojnë simpati dhe influencë në masat shqiptare, në çështjen e takimit(përkatësisë) të disa krahinave, sikurse është Metohia dhe Kosova, Shqipërisë. Duhet sqaruar se çështja e lirisë, e barazimit nacional dhe e vetëvendosjes, mund të zgjidhet me drejtësi vetëm gjatë luftës së përbashkët me lëvizjen e çlirimit të popujve të Jugosllavisë. Ishte e kuptueshme që komunistët shqiptarë do ta bënin për vete këtë argument sepse përkonte shumë edhe me ideologjinë e tyre, ku më i rëndësishëm konsiderohej zhvillimi i revolucionit dhe pas triumfit të tij do të realizohej edhe zgjidhja e problemeve nacionale. Mirëpo debatpër Kosovën, nëse duhej kërkuar apo jo për tu bashkuar meShqipërinë, pati dhe në gjirin e Bashkimit Demokrat, organizatës opozitare antikomuniste të themeluar nga tri grupe – legalistë, socialdemokratë dhe grupi i rezistencës përpara zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945. Mbledhjen e datës 20 nëntor, që u organizua në shtëpinë e Shaban Ballës, me profesion gjeometër dhe shofer pranë Misionit Ushtarak Britanik, e kryesoi Gjergj Kokoshi. Për këtë rol udhëheqës të Gjergj Kokoshit, me sa duket, kanë luajtur rol kredencialet e dhëna nga anglezët, por edhe autoriteti i tij i padiskutueshëm si ish-ministër dhe ish-anëtar i kryesisë së Frontit Demokratik. Në mbledhjen e dytë të opozitës, Gjergj Kokoshi ra në mosmarrëveshje me Musine Kokalarin për pikat e hartimit të memorandumit dhe krerët e grupeve. Musineja kërkonte të përfshihej në memorandum kërkesa për zhvillimin e një plebishiti në Kosovë për vetëvendosje. Ky grupim mbisundohej nga nacionalistët dhe mospërfshirja e çështjes së zhvillimit të një plebishiti për vetëvendojen në Kosovë, dukej se ishte një tërheqje nga qëndrimet e mëparshme të tyre gjatë Luftës. Në fakt, Gjergj Kokoshi, si një nga pjesëtarët më me zë të elitës intelektuale shqiptare, përfaqësonte tipin e intelektualit ballkanik që nacionalizmin e kishin pjesë të formimit të tyre ideologjik. Ai nuk pranoi të ngrihej çështja e Kosovës në atë moment, pasi e dinte drejtpërdrejt nga takimi i tij me gjeneralin Hoxhson skenarin anglo-amerikan. Ky skenar në Ballkan dominohej nga konteksti i mbrojtjes së Greqisë nga sulmi eventual i BRSS-së, si prioritet për zotërimin gjeostrategjik të Mesdheut. Pretendimi britanik, i shprehur në bisedime private me Gjergj Kokoshin nuk qe qëndrim i ri. Britanikët e patën kuptuar që Luftës se sa e rëndësishme ishte për establishmentin shqiptar këndej e andej kufirit zgjidhja e problemit të Kosovës. Për këtë arsye, oficerë të ndryshëm pranë forcave nacionaliste dhe partizane patën kërkuar të kishte një deklaratë nga ana e qeverisë mbretërore jugosllave për mundësinë e mbajtjes së një referendumi pas Lufte, ku populli i Kosovës të ishte e lirë të vendoste për fatin e tij. Problemi qe shmangur nga qendra pothuajse gjithmonë duke kthyer përgjigje se misionet ushtarake nuk kishin kompetenca për t’iu përgjigjur apo për të dhënë shpjegime për këtë çështje. Londra mbante qëndrimin e pranuar në Kartën e Atlantikut në gusht 1941: ajo nuk do të njihte asnjë kufi të ndryshuar gjatë Luftës. Sigurisht, edhe marrëdhëniet shumë të mira që kishte me qeverinë mbretërore jugosllave e pengonin që të ndërmerrte çfarëdolloj hapi në këtë drejtim. Në këto kushte, opozita shqiptare që kishte fituar mbështetjen e britanikëve, i duhej që t’i nënshtrohej pothuajse njëlloj, siç u ishte nënshtruar P.K.SH aleatëve të vet ideologjikë jugosllavëve, në trajtimin e çështjes së Kosovës. Raportimi më i saktë britanik rreth kësaj çështjeje dhe pesha që ajo zinte në diskursin politik shqiptar, ishte raporti që kishte dërguar Peter M.M. Kemp nga Peza në gusht, 1943. Në një nga raportet që ai ua dërgonte shefave të tij në SOE-s në Bari, shkruante: Nuk po e ekzagjeroj kur them se për të gjithë shqiptarët që kam takuar, Kosova përbënte një shqetsim të madh. Njerëz me pikëpamje krejtësisht të ndryshme, duke filluar nga Enver Hoxha dhe Mustafa Gjinishi, Ymer Dishnica, Vasil Andoni, Halil Maçi të gjithë pranonin rëndësinë që kishte për Shqipërinë ndreqja e problemit të Kosovës.
Qëndrimet të tilla të ngjashme britanike dhe amerikane iu përsëritën edhe Rugovës në fillimin e viteve 90’ që synonin stabilitetin dhe mos përhapjen e konfliktit në rajon. Zhvillimi i një lëvizje paqësore në Kosovë që do të sfidonte nacionalizmin agresiv serb ishte një nga strategjitë që ndoqi Perëndimi në Kosovë në vitet 90’ dhe pas përfundimit të luftës në 1999. Rugova ishte një sovranist i lindur, i cili respektonte identitetin si shumëllojshmëri identitetesh duke mos lejuar asnjë indentitet të mbivendosej mbi të tjerët. Në të njëjtën kohë një nga parimet kryesore të politikës së jashtme të tij në këtë kohë ishte dhe mos përzierja në grindjet e partive politike në Shqipëri , Maqedoni dhe Mal të Zi, por mbështetje e plotë për kauzën kombëtare shqiptare. Gjithësesi edhe në këtë drejtim Rugova e modernizoi patriotizmin shqiptar , duke e kthyer nga një patriotizëm folklorik i shekullit të XIX në një patriotizëm evropian të shekullit të XXI.Në thelb të këtij patriotizmi kushtetues evropian sipas filozofit social Habermas qëndrojnë respektimi i të drejtave dhe liritë e njeriut dhe ndërtimi i një demokracie funksionale. Politika e tij pacifiste nuk u kuptua nga shumica e shqiptarëve por në fakt ajo rezultoi të ishte një sfida morale përballë së cilës, nacionalizmi agresiv serb u zhvlerësua në arenën ndërkombëtare . Misioni i tij politik i përngjau misionit të fundit politik të Pjetër Bogdanit, (që Rugova rizbuloi kulturualisht për shqiptarët në fund të viteve 80′ të shekullit të kaluar), çlirimi i Kosovës nëpërmjet në aleance të ngushtë me Perëndimin. Për Përesidentin Rugova orientimi perëndimor i Kosovës ishte dhe mbeti e vetmja barkë shpëtimi për lirinë e kombit të vet.