Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Studime ushtarake për artin ushtarak
Botimi i librit “Shkrime historike” me autor Filip Tushi, ushtarak madhor, pas shumë vitesh, e nën kujdesin e familjes, u realizua në përvjetorin e 80-të të lindjes së tij. Libri është një dëshmi e punës dhe e përpjekjeve të tij, për të pasqyruar historinë ushtarake, si dhe betejat e Heriot tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Nëpërmjet studimeve dhe shkrime historike bindesh edhe njëherë, për vlerën e paçmueshme të këtyre punimeve ushtarake, për ngjarje historike kombëtare, për figurën e Skënderbeut, por dhe shkrime të tjera ushtarake të kohës në të cilën jetoi dhe punoi autori. Në këtë kontekst është për të vlerësuar puna e pasionuar e ushtarakut Filip Tushit për trajtimin shkencor dhe studimor të çështjeve të cilat merr në studim dhe në analizë. Në libër gjejmë një veprimtari të larmishme të tij si, studime, shkrime historike dhe artikuj për problem të zhvillimit të Artit Ushtarak dhe të mendimit të tij teorik. Në këto shkrime në një periudhë disa vjeçare autori shpreh në mënyrë bindëse aftësitë e tij krijuese, objektivitetin shkencor, përgjithësime teorike të punës dhe të përvojës së tij në jetën ushtarake, si dhe qëndrimin e drejtë, parimor e kritik ndaj dukurive e fenomeneve negative të kohës. Paralelisht me trajtimin e përmbajtjes së librit, po përshkruajmë dhe figurën e Filipit si ushtarak dhe intelektual.
Jeta e kolonel Filip Gaqo Tushi
Ka lindur më 28 tetor 1935, në Korçë, në një familje të njohur patriotike. Në Korçë kreu shkollën fillore dhe 7 vjeçare. Ndoqi studimet në shkollën e Ushtarake “Skënderbej” në vitet 1947-1951, shkollën e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” në vitet 1951-1953 dhe Akademia Ushtarake “Mehmet Shehu” në vitet 1968-1970.
Me përfundimin e shkollave ushtarake ka kryer detyrat të ndryshme në ushtri si organizator, instruktor dhe sekretar rinie në Regjimentin AKA në Tiranë. Me përfundimin e Akademisë Ushtarke emërohet në drejtorinë e shtypit ushtarak në Ministrinë e Mbrojtjes, pastaj redaktor në revistën “Politiko-Ushtarake”, detyrë të cilën e kreu për dhjetë vjet. Më tej, emrohet punonjës shkencor në Akademinë Ushtarake, për ta mbullur karrierën ushtarake në vitin 1985, si shef administrate në Sektorin e Përgjithshëm të MM. Këtu e largojnë nga puna për “veprimtari armiqësore”. Zotëronte gjuhët rusisht dhe italisht. Shërbeu në Forcat e Armatosura si oficer aktiv 31 vjet, 7 muaj e 9 ditë. Dekoruar me Medaljen e “10-vjetorit të Ushtrisë”, “Medaljen e Shërbimit Ushtarak” dhe Urdhëri “Naim Frashëri” kl. III.
Veprimtaria e Filip Tushit
Jeta e Filip Tushit duhet parë në disa plane, në atë të karrierës ushtarke, në rrafshin organizativ dhe drejtues të reparteve ku punoi (në drejtimin e organizatës së rinisë në ushtri, në funksionimin sa më mirë të librit dhe të bibliotekave ushtarake, në shtypin ushtarak) dhe në punën studimore shkencore për të çuar përpara mendimin ushtarak shqiptar.
Filip Tushi përfaqëson ushtarakun tipik shqiptar të shkolluar, i cili e shihte karrierën, kryerjen e detyrave të lidhura ngushtë me studimin e thelluar e të pandërprerë, që njëherëshi të çonte në kryerjen e detyrave të ngarkuara sa më mirë, në përputhje me interesat e përgatitjes së efektivave të reparteve për mbrojtjen e atdheut. Ai me mbarimin e shkollave ushtarake, njohuritë e marra në shkollë i vuri në zbatim me efektivin e Regjimentit nr. 3 në Tiranë, duke kryer detyrën e organizatorit të rinisë në baterinë e dytë të Regjimentit. Më tej ai kreu detyra të tjera si në Regjimentin AKA, sekretar rinie i Grupit të parë, në Regjimentin l5 AKA, instruktor rinie në Grupin e parë, si dhe shef biblioteke e klubi. Më tej në Br.26K, ku kryen detyrën e komisarit të batalionit, deri në vitin 1968.
Përfundimi me rezultate të mira në Akademinë Ushtarake dhe formimi i tij akademik, u emërua me punë në drejtorinë e shtypit ushtarak në Ministrinë e Mbrojtjes, në detyrën e redaktorit të revistës “Politiko-Ushtarake”. Me shkrimet dhe me mëndje ai ishte kudo në efektivat e artilerisë, në bateri, grup e regjiment artilerie, në çdo stërvitje, shtabi e komando-shtabi dhe stërvitje me trupa. Ai në mjaft shkrime shfaqet një metodist i përsosur dhe një psikolog i situatave luftarake dhe të stërvitjes. Në disa shkrime teorike parashikon e përpunon situata të ndryshme dhe jep ide të shumta duke i vënë komandat, shtabet dhe oficerët para provave për të bërë stërvitje në situata të përafërta me ato të luftës. Në këtë mënyrë, me aftësi profesionale, me njohuritë e thella ushtarake për çdo lloj luftimi, me frymën e kolegjalitetit dhe shpirtin krijues, si dhe me kulturën e gjërë, ai si një studiues serioz, jepte një ndihmes të pazëvëndësueshme në përsosjen e vazhdueshme organizative, në përgatitjen luftarake, duke ndikuar në forcimin e mbrojtjes së vendit.
Këto aftësi u dukën qartë kur ai si drejtues në organet e shtypit ushtarak, për të cilat ka treguar kujdes të veçantë, ku dhe ka filluar angazhimin e tij për një punë studimore në çështje ushtarake, të parimeve dhe të koncepteve të tyre, në çështjet e drejtimit, të organizimit, të taktikës, si dhe të mirëfunksionimit të disiplinës ushtarake.
Studime për figurën e Skënderbeut
Kjo përvojë e fituar në reparte dhe në organet e shtypit ushtarak spikasin dukshëm tek Filip Tushi dhe emërohet në Akademinë e Mbrojtjes, në detyrën e punonjësit shkencor. Talenti i Filipit shkëlqeu në studimet e bëra për figurën e Skënderbeut, si dhe të të gjitha betejave të zhvilluara prej tij për 25 vjet rresht. Në këtë detyrë ai, jo vetëm u shfaq si kuadër i aftë ushtarak por edhe një intelektual i mirëfilltë në përgatitjen dhe analizën e fenomeneve të historisë ushtarake, në mënyrë të veçantë të dukurive të artit ushtarak në kohën e Skënderbeut. Këtu ai gjeti terren të përshtatshëm për t’u thelluar në fushën studimore për të hedhur në letër përvojën e tij shumëvjeçare.
Në këto vite të detyrës së punonjësit shkencor, ai shkëlqeu jo vetëm si kuadër i talentuar ushtarak, por ai paraqitet me studime serioze, vëzhgues i hollë e me njohuri të gjëra edhe në fusha të tjera si të historisë, kulturës, sociologjisë, psikologjisë e të publicistikës. Këtë dëshmon edhe botimi i librit “Shkrime historike”. Nga leximi i këtij libri, mbetesh me përshtypje më të mira dhe me ndjenjën e admirimit për horizontin e gjerë kulturor të Filipit, si dhe për dashurinë e pakufishme që kishte për ushtrinë, atdheun dhe për ushtarët.
Autori trajton në mjaft shkrime dhe shënime tablonë e ushtrisë, përgatitjen dhe stërvitjen e saj. Në të gjithë shkrimet e librit shohim karakterin përgjithësues metodik, shkencor e kërkimor në fushën ushtarake dhe atë publicistike.
Në kohën kur kryente detyrën e shefit të administratës në Sektorin e Përgjithshëm, në MMP, largohet nga jeta ushtarake, sepse arrestohet “për agjitacion dhe propagandë” kundër partisë, kur në mjaft shkrime i referohet asaj dhe udhëheqësit. Familja e ndjeu shumë dhe e përjetoi thellë këtë dramë të tij. Bashkë me arrestimin i iku e gjithë puna studimore e shkencore e tij. Çdo gjë u fshi nga defterët e tij e kohës. Por, ngelën këto materiale të cilat u nxorrëm nga organet e shtypit dhe botime të tjera. Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, botim i vitit 1985, të tërë zërat për Skënderbeun dhe betejat e tij ju hoq emri, ndërsa në botimin e këtj fjalori në vitin 2008, emri i Filip Tushit ka zënë vendin e merituar.
Filip Tushi ishte nga ata njerëz të mençur që dinë të përballen me jetën si të vjen, përpiqej të merrte të mirat që i afroheshin, mësonte prej tyre dhe synonte t’i sundojnë ato. Ky ishte ushtaraku madhor, punonjësi shkencor Filip Tushi.