Shkurtin e ardhshëm, 16 beqarë nga vende të ndryshme të botës do të ftohen në Finlandë për të shijuar kuzhinën tradicionale, për të eksploruar peizazhet e mrekullueshme të vendit dhe, ndoshta, për të gjetur dashurinë.
Udhëtimi, me të gjitha shpenzimet e mbuluara, organizohet nga Visit Finland, agjencia zyrtare e promovimit të turizmit në vend.
Midis datave 9 dhe 19 shkurt, dy grupe me nga tetë persona do të udhëtojnë drejt Helsinkit, kryeqytetit bregdetar të Finlandës, ose Tamperes, qytetit jugor të njohur si “kryeqyteti botëror i saunave”.
Pjesëmarrësit do të shijojnë një përvojë të plotë turistike, nga aventurat në natyrë dhe vizitat në atraksionet kryesore, deri te përvojat e veçanta gastronomike. Përpara kthimit në vendet e tyre, secili grup do të marrë pjesë në një darkë romantike me persona të panjohur, ku tetë udhëtarëve ndërkombëtarë do t’u bashkohen edhe dy beqarë finlandezë.
Me dy grupe pjesëmarrëse, do të ketë gjithsej katër beqarë vendas që mund të rezultojnë partnerët e ardhshëm të udhëtarëve.
Aktualisht, në Finlandë jetojnë rreth 2.7 milionë persona beqarë. Prandaj, askush nuk e di se ku mund të fshihet dashuria e jetës.
Sipas agjencisë së turizmit, ideja e këtij udhëtimi lindi nga një trend në rrjetet sociale që u përhap me shpejtësi në Finlandë gjatë këtij viti.
Në korrik, Prisma, një nga rrjetet më të mëdha të supermarketeve në vend, nisi të vendoste në dispozicion të klientëve shporta blerjesh me ngjyrë rozë të çelët, të krijuara posaçërisht për beqarët.
Të quajtura “Sinkkukori”, që në finlandisht do të thotë “shporta e beqarëve”, ato synonin t’i nxisnin njerëzit të njiheshin dhe të nisnin biseda gjatë blerjeve, pa pasur pasigurinë nëse personi që u pëlqente ishte në një lidhje.
Disa finlandezë e mirëpritën nismën, duke e cilësuar një mënyrë ideale dhe origjinale për të krijuar njohje romantike.
Të tjerë, megjithatë, ishin më skeptikë.
“Nuk besoj se do ta përdorja, edhe sikur të kërkoja një lidhje”, shkroi Nadja në TikTok.
Ndërsa një tjetër përdoruese, me emrin @bethscosylife, shprehu një shqetësim disi më ndryshe: “Unë do ta zgjidhja thjesht sepse është e lezetshme dhe më pas do të pyesja veten pse njerëzit po më flasin”.
Një trend i ngjashëm u bë viral edhe në Spanjë gjatë vitit 2024.
Rrjeti i supermarketeve Mercadona nisi të mbushej me klientë midis orës 19:00 dhe 20:00, pasi një krijues përmbajtjeje në TikTok pretendoi se beqarët mund të gjenin dashurinë në korridoret e supermarketeve gjatë kësaj ore.
Ata që kërkonin një lidhje duhej thjesht të vendosnin një ananas me kokë poshtë në karrocën e blerjeve, si sinjal se ishin të hapur për njohje romantike.
Heli Jimenez, drejtoreshë e lartë e marketingut ndërkombëtar në Business Finland, është shprehur entuziaste për nismën e re turistike.
Ajo shpreson që vizitorët të gjejnë dashurinë, qoftë me njëri-tjetrin, me ushqimin finlandez apo me destinacionin e tyre të ri të preferuar të udhëtimit.
Çfarë do të përfshijë udhëtimi?
Një nga aspektet më interesante të kësaj përvoje është se 16 beqarët e përzgjedhur nuk do ta dinë paraprakisht nëse do të udhëtojnë drejt Helsinkit apo Tamperes. Destinacioni do t’u bëhet i ditur vetëm pasi organizatorët të konfirmojnë pjesëmarrjen e tyre.
Megjithatë, cilido qoftë destinacioni, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të përjetojnë disa nga atraksionet më të veçanta të Finlandës.
Helsinki është një destinacion mjaft i preferuar nga turistët që duan të zbulojnë një anë tjetër të Europës.
Vendndodhja e tij buzë Detit Baltik ofron pamje të mrekullueshme. Një nga vendet më të bukura për të parë perëndimin e diellit është Katedralja e Helsinkit, një shembull i arkitekturës neoklasike, me një kupolë që ngrihet rreth 80 metra mbi nivelin e detit.
Kryeqyteti finlandez është gjithashtu i njohur për kulturën e kafeneve. Ashtu si Kopenhaga dhe Osloja, Helsinki është një qytet ideal për të eksploruar kafene të ndryshme dhe për të shijuar atmosferën e tyre.
Për ata që do të përzgjidhen të udhëtojnë drejt Helsinkit, darka përfundimtare romantike do të përgatitet nën drejtimin e Adele Kinnunen, shefe kuzhine në Café Savoy, e cila ka marrë pjesë në emisionin televiziv MasterChef Professionals.
Ndërkohë, pjesëmarrësit që do të udhëtojnë drejt Tamperes do të kenë mundësinë të vizitojnë një nga 70 saunat publike karakteristike të qytetit.
Saunat janë të hapura gjatë gjithë vitit, por shkurti është një muaj veçanërisht i preferuar për këtë aktivitet. Një seancë relaksuese në sauna, e ndjekur nga noti në ujë të akullt, mund të jetë një mënyrë e pazakontë për t’u përgatitur për një takim romantik.
Në Tampere, menuja e darkës përfundimtare do të krijohet nga Henry Tikkanen, i restorantit Gösta, i cili ka përfaqësuar Finlandën në Bocuse d’Or, konkursin ndërkombëtar të njohur si “Olimpiada e gastronomisë”.
Si mund të aplikoni për udhëtimin falas?
Për të gjithë ata që janë të interesuar, procesi i aplikimit është relativisht i thjeshtë.
Kandidatët duhet të regjistrojnë një video ku i përgjigjen pyetjes: “Çfarë do të shërbenit gjatë një darke romantike dhe pse?”
Videoja duhet të publikohet në Instagram, TikTok ose YouTube, duke përdorur hashtagun #FinnishDinnerDate dhe duke etiketuar Visit Finland.
Më pas, aplikantët duhet të plotësojnë formularin në faqen [FinnishDinnerDate.com] duke përfshirë lidhjen e videos së publikuar./ metro.co.uk
