Gazeta Dita ka nisur botimin e “paradokseve” që sociologu dhe intelektuali i njohur publik, Fatos Tarifa, ka definuar në një prej librave të tij të fundit, titulluar Fjalor i paradokseve (botim i Onufrit). Redaksia e Ditës ka lejen e autorit për t’i riprodhuar paradokset që shpjegohen në këtë libër në faqet e saj, integralisht dhe në rend alfabetik, siç janë botuar nga vetë autori, për t’ua bërë ato të njohura një publiku sa më të gjerë. Sot po vijojmë me paradokset e renditura në shkronjat J deri në L.
Nga Fatos Tarifa
J – K
J
JETA. Jeta na jepet që ta jetojmë atë, jo që të jetë e gjatë. Ajo është e shkurtër dhe e brishtë, ndaj edhe shumë e çmuar për të mos e shpërdoruar. Të gjithë jemi njëlloj të vdekshëm. Të gjithë bëhemi njëlloj kur s’jemi më. Bëhemi asgjë. Të ndryshëm dhe të veçantë nga njëri-tjetri bëhemi dhe jemi vetëm kur jetojmë dhe nga mënyra se si jetojmë.
K
KADARE (Ismail). Përveç letërsisë, gjëja më e mirë që bëri është që nuk u mor me politikë. Një shkrimtar i madh nuk mund të jetë politikan, ndryshe arti i tij vdes. Dhe, artisti i vërtetë, në asnjë rrethanë nuk e ndërron artin e tij me politikën e të tjerëve.
KAFE. E para gjë me të cilën nis një ditë të re. (Is there life before coffee?).
E KALUARA. E kaluara ka një tendencë këmbëngulëse për të invaduar të tashmen. Ne nuk duhet t’i konsumojmë jetët tona duke vështruar pas, në të kaluarën. E kaluara shndërrohet në një burg për këdo që jeton në të. Cilatdo qofshin besimet ose filozofitë tona politike, ne duhet të kujtojmë fjalët e kryeministrit Churchill, i cili, shumë kohë më parë, thoshte se, “nëse hapim një luftë mes së kaluarës dhe së tashmes, do të shohim se kemi humbur të ardhmen”.
KAPITAL. Shtoi kësaj fjale fjalën “fitim” dhe njerëzit do të mendojnë se ke lexuar Marksin.
E KEQJA. E keqja shfaqet në forma nga më të ndryshmet. Ajo mund të marrë formën e intrigës, të keqbërjes, të shantazhit, të shpifjes. E keqja mbijeton dhe triumfon nëse nuk gjen kundërshtim. Nëse heshtim, së keqes nuk i shpëtojmë dot; ajo është një sëmundje që infekton—si vetë kolera. Nëse heshtim, së keqes i bëjmë nder, sepse tregojmë dobësinë dhe frikën tonë ndaj saj dhe kështu e inkurajojmë, i hapim udhë, e tolerojmë, i mundësojmë të dëmtojë më shumë njerëz të ndershëm dhe kauza të rëndësishme.
KËMBËNGULJE. Nuk mund të thuhet nëse është gjithnjë një cilësi e mirë ose e keqe; kjo varet nga çfarë e motivon këmbënguljen dhe çfarë synohet të arrihet përmes saj.
KËSHTJELLË. Qëndresë. Mbijetesë. Muze.
KINA. Një vend përjetësisht misterioz.
KINSEY (Alfred). Raportet e tij hodhën poshtë një sërë mitesh mbi seksualitetin human. Ato dhanë një kontribut monumental në përgatitjen e revolucionit seksual në Amerikë dhe në Europën Perëndimore dhe konsiderohen ndër librat më me influencë të shekullit të 20-të.
KLASIKËT. Asnjë shkrimtar nuk mund të bëjë dot pa i lexuar ata.
KOHA. Askush nuk e di se ç’është ajo.
KOMPROMIS. Qëndrim i dobishëm, edhe pse shumë herë i pamoralshëm.
KOMUNITET. Sa më shumë që zhvillimi teknologjik mundëson “zhvendosjen” e njerëzve nga komunitete të krijuar tradicionalisht, bazuar në proksimitetin gjeografik dhe në marrëdhënie fizike me njerëz të tjerë, duke i zëvendësuar ato (edhe pse jo tërësisht) me marrëdhënie që kanë për bazë ngjashmërinë në ide dhe në interesa dhe jo vendndodhjen në një hapësirë të caktuar fizike, aq më shumë ndryshojnë marrëdhëniet mes individëve dhe komunitetit dhe, bashkë me to, edhe vetë kuptimi ynë mbi komunitetin. Sot, fjala vjen, flasim për komunitete online.
KRAHASIM. Thelbi i të menduarit. Të mendosh pa krahasuar është e pamendueshme. “Thinking without comparison is unthinkable” (Guy Swanson).
KUFIZIM. Çdo njeri ka kufizimet e veta dhe i duhet të ndeshet në jetë me pengesa të shumta, por kufizimet dhe pengesat më të shumta janë gjithnjë brenda nesh. Ndaj, të guxosh të ndryshosh veten është një akt çlirues.
KUJTESË. E vetmja pronë private e individit, të cilën nuk mund ta pretendojë, ta përjetojë ose ta përvetësojë askush tjetër.
KULTURË. Antropologët dhe sociologët e kanë përkufizuar kulturën në 165 mënyra të ndryshme, por asnjë prej përkufizimeve të tyre nuk e jep të plotë përmbajtjen e nocionit kulturë. Për shkak se kultura e çdo populli, më shumë se një “kod”, është një proces, një praktikë krijuese e agjentëve të ndryshëm socialë që zënë një pozitë të caktuar në strukturën e shoqërisë, kultura riprodhohet në mënyrë të vazhdueshme, duke u modifikuar e transformuar. Edhe pse vetë ndërgjegjja dhe veprimtaria e agjentëve socialë janë formuar në kuadrin e një sistemi kulturor të caktuar vlerash dhe kuptimesh mbi realitetin—dhe nën ndikimin e tij—njerëzit, në praktikën e tyre shoqërore, individualisht dhe kolektivisht, i rikrijojnë këto vlera, krijojnë kuptime të reja mbi jetën dhe dukuritë e saj dhe, në këtë mënyrë, bëjnë të mundur ndryshimet sociale e kulturore në një mënyrë dhe me një forcë të tillë, sa mund të thuhet se e kaluara jeton në të tashmen.
L
LETËRSI. Një ushqim shpirtëror dhe intelektual i domosdoshëm për çdo njeri. Përmes letërsisë provojmë eksperienca humane emocionalisht nga më të fuqishmet, madje disa prej eksperiencave tona më humanizuese. Humanizuese në një kuptim thuajse fetar—në të kuptuarit prej nesh të nevojës për të falur, të kufijve deri ku mund të shkojë hakmarrja, të pasojave që vijnë nga etja për pushtet, të degradimit moral që shkakton abuzimi me pushtetin dhe me të tjerët. Doni, fjala vjen, të kuptoni kufijtë e egoizmit? Lexoni Mulliri në Flos të Xhorxh Eliotit. Kufijtë e pasurisë? Lexoni Getsbi i madh të F. Skot Fitzxheraldit. Zgjedhjet në sjelljen morale të njerëzve? Lexoni Krim e ndëshkim dhe Vëllezërit Karamazov të Dostojevskit. Tragjedinë dhe, bashkë me të, iluzionin e ambicies njerëzore? Lexoni Makbethin.
LIBËR. Unë preferoj të kem shok dikë që ka dhe lexon libra, sesa dikë që ka para dhe nuk lexon asgjë.
LIGJ. Pothuajse çdo ligj synon t’i ndalojë njerëzit të bëjnë diçka që këta duan ta bëjnë.
LIRI. Liria dhe e vërteta janë parime jetësore komplementare, që presupozojnë dhe përforcojnë njëra-tjetrën. E vërteta jo vetëm na bën të lirë, e vërteta na mban të lirë.
LIVERPOOL. Tri gjëra kanë përcaktuar fatin e këtij qyteti në histori: porti i tij, katër djem të rinj, të njohur kolektivisht si “the Beatles”, dhe një klub futbolli i jashtëzakonshëm.
LOT. E shkaktojnë njëlloj si dhembja dhe gëzimi, por as njëra, as tjetri nuk prodhojnë dot lotët që shkakton e qeshura.
LUFTË. Shkaku i paqes dhe, po ashtu, fundi i saj. Aristoteli thoshte: “Ne bëjmë luftë që të mund të jetojmë në paqe”.
LUMË. Origjina e idesë së urës.
LUMTURI. Lumturia njerëzore nuk është një imperativ kategorik abstrakt (à la Kant) i një metafizike të moralit; ajo është pjesë e humanitetit tonë. Lumturia është një ide, një gjendje dhe një motiv në jetën e përditshme të çdo individi dhe, si e tillë, ajo është ideali më i lartë i humanizmit.