Nga Dorin Xhima
Një foto që pretendon të tregojë një arushë me katër këlyshët e saj në fshatin Kolesjan të Kukësit është shpërndarë gjerësisht dje nga media online dhe televizive, duke u trajtuar si ngjarje reale dhe e dokumentuar nga një banor i zonës.
Por analiza e kujdesshme e rastit ngre dyshime serioze mbi autenticitetin e imazhit.
Problemi nuk është te arinjtë, por mënyra se si një lajm i rremë u kthye në lajm kombëtar pa një verifikim të mjaftueshëm.
Sipas raportimit fillestar në kanalin TCH, që më pas u mor edhe nga RTSH dhe media të tjera kombëtare – fotoja është shkrepur nga një banor i zonës, i cili pretendon se ka qëndruar për rreth dy orë brenda makinës nga frika, pa arritur të realizojë asnjë video.
“Isha në makinë, duke shkuar në shtëpi. Papritur, në njërën nga kthesat e për në bjeshkët e fshatit u përballa me arinjtë. U shtanga dhe u tremba, dhe qëndrova brenda makinës për rreth dy orë derisa ata u larguan nga rruga dhe u futën në pyll. Kam arritur të bëj vetëm një foto, pasi isha i frikësuar dhe nuk lëvizja. Nuk kam bërë video nga frika,” tha Nik Ismailaj.
(Mediat raportojnë se personi në fjalë është banor i fshatit Kolesjan)
Megjithatë, në platformën YouTube qarkullon një video (Shorts), e cila paraqet të njëjtin vend dhe të njëjtën skenë, çka bie ndesh drejtpërdrejt me deklarimin se nuk është realizuar asnjë pamje filmike.
Kjo mospërputhje ngre pikëpyetje thelbësore:
- Si ka mundësi që ekziston video, kur burimi pretendon se nuk ka filmuar?
- Pse asnjë nga mediat që e riprodhuan lajmin nuk e verifikoi këtë detaj bazik?
- A është kryer ndonjë kontroll mbi origjinën reale të imazhit?
Dyshime serioze mbi vetë foton
Përtej kontradiktës mes deklaratës dhe videos, vetë fotoja paraqet elemente që, sipas specialistëve të medias digjitale, përkojnë me karakteristikat e imazheve të gjeneruara ose të manipuluara me inteligjencë artificiale:
- Sjellje jo natyrale e kafshëve të egra (ari me katër këlyshë që ecin qetësisht në një rrugë të hapur),
- Ngjashmëri e pazakontë mes këlyshëve,
- Ndriçim dhe tekstura jo plotësisht konsistente me mjedisin.
Për më tepër, testimi i fotos në disa platforma online për detektimin e përmbajtjeve të gjeneruara me AI ka nxjerrë rezultate alarmante, duke e vlerësuar imazhin me 80% deri në 99% probabilitet si të gjeneruar ose të modifikuar artificialisht. Edhe pse këto mjete nuk janë prova absolute, ato përbëjnë një sinjal serioz që kërkon hetim të raportimit nga mediat, jo shpërndarje të verbër.
Pretendimin se fotoja e shkrepur në zonën malore të fshatit Kolesjan është e vërtetë, e rrëzon me argumentë një video e publikuar nga një banor i asaj zone (Ben Trota), i cili, teksa flet me detaje për gjendjen e amortizuar të rrugës dhe mungesën e investimeve prej vitesh, sqaron se arinjtë në këtë periudhë ndodhen në gjumë letargjik, zakonisht që në fund të muajit nëntor.
- Marrë nga profili i autorit në Facebook
Kur “click”-u mposht verifikimin
Sic e thamë në fillim, rasti ngre një problem më të madh se vetë fotoja: mungesën e filtrit profesional në media me ndikim të madh publik. Riprodhimi i një imazhi të pa verifikuar nga portale dhe televizione kombëtare, pa burim të pavarur, pa metadata, pa konfirmim zyrtar nga institucionet mjedisore apo ekspertë të faunës, përbën një dështim serioz të standardeve bazë të gazetarisë.
Në një kohë kur inteligjenca artificiale po e bën gjithnjë e më të vështirë dallimin mes reales dhe të rremes, përgjegjësia e medias nuk është të ushqejë emocionin, por të mbrojë publikun nga dezinformimi.
Ky rast duhet të shërbejë si kambanë alarmi: jo çdo foto virale është lajm, dhe jo çdo histori “e bukur” është e vërtetë.
