Dr Dorian Koçi
“Në të errët dhe pak dritë vlen e kushton më shumë”
Në historinë e mendimit dhe kulturës shqiptare, figura e Frang Bardhit zë një vend të veçantë si dijetari më i shquar i shekullit XVII dhe një prej përfaqësuesve më të denjë të humanizmit europian në trevat shqiptare. Vepra dhe kontributi i tij në mbrojtjen e gjuhës shqipe, në përpjekjet për të sistemuar dhe promovuar kulturën shqiptare, si dhe në përballjen me deformimet historike ndaj figurave të lavdishme të kombit, e bëjnë atë një nga emrat më të ndritur të mendimit shqiptar para Rilindjes Kombëtare.
Frang Bardhi lindi në vitin 1606 në Kallmet të Zadrimës, pranë qytetit të Lezhës, një krahinë që mban gjurmë të rëndësishme të historisë kombëtare. Lezha, e njohur për Kuvendin e vitit 1444, ku Gjergj Kastrioti Skënderbeu bashkoi principatat shqiptare në një Besëlidhje të shenjtë kundër Perandorisë Osmane, krijon një kontekst simbolik për vendlindjen e Bardhit: një trevë ku fjala dhe identiteti arbër kishin zënë rrënjë thellë.
Studimet e para Bardhi i kreu në vendlindje, por që herët u dërgua për arsim të mëtejshëm në Itali. Në vitin 1628 nisi studimet në Kolegjin e Loretos dhe i përfundoi në qershor të vitit 1633. Më pas, vazhdoi me studimet e larta në një nga kolegjet më prestigjioze të Romës, ku mori formimin intelektual, filozofik dhe filologjik që do të ndikonte thellësisht në jetën dhe veprimtarinë e tij të mëvonshme. Ky formim në kuadrate humaniste të Europës perëndimore e ndihmoi Bardhin të adoptonte parimet themelore të humanizmit: vlerësimi i dijes klasike, interesi për gjuhët kombëtare, dhe besimi në forcën e arsyes për të çliruar shpirtin dhe shoqërinë.
Një ndër arritjet më madhore të Frang Bardhit ishte hartimi dhe botimi i fjalorit të parë dygjuhësh shqip–latinisht, i titulluar “Dictionarium latino-epiroticum”, që u publikua në vitin 1635. Ky fjalor përmban afro 5000 fjalë të përkthyera nga latinishtja në shqip, ndërsa pjesa shqipe përmbledh rreth 2500 fjalë, duke qenë dëshmia më e vjetër e një përpjekjeje sistematike për të fiksuar, ruajtur dhe standardizuar leksikun e shqipes.
Veç fjalëve, fjalori përfshin edhe 113 proverba dhe shprehje të urta në shqip, që dëshmojnë për pasurinë frazeologjike të gjuhës dhe për transmetimin oral të diturisë popullore. Një pjesë e veçantë e këtij fjalori i kushtohet emrave të qyteteve dhe toponimeve shqiptare, të cilat janë ruajtur me kujdes për të dëshmuar identitetin kulturor dhe gjeografik të shqiptarëve.
Në parathënien e shkruar shqip, Bardhi shpreh qartazi synimin e tij për të ndihmuar ruajtjen e gjuhës amtare dhe për ta bërë atë objekt studimi e respekti, duke thënë me një ndjeshmëri të thellë: “Në të errët dhe pak dritë vlen e kushton më shumë”. Kjo thënie përmbledh thelbin e humanizmit europian: dija si dritë në kohë errësire, angazhimi për arsimim, dhe përkushtimi për ruajtjen e identitetit përmes gjuhës.
Ky fjalor nuk është thjesht një vepër leksikografike, por një akt humanist, i cili përqafon plotësisht filozofinë e humanizmit të shekujve XVI-XVII: dija, gjuha dhe arsimi si themel i formimit të qytetarit dhe të kombit. Në parathënien në shqip, Frang Bardhi shkruan:
Pasi vazhdoja çdo ditë të fitoja dije, të dashurit e mi, që kur hyra në Kolegj, mendova të shkruaj një libër të vogël për të ndihmuar në mbrojtjen e gjuhës sonë, e cila po prishet dhe po bastardhohet dita-ditës gjithnjë e më shumë. E veçanërisht për të ndihmuar të gjithë ata që janë në shërbim të Zotit dhe të Kishës së Shenjtë Katolike, por që nuk dinë gjuhën latine, pa të cilën askush nuk mund të shërbejë siç duhet pa bërë gabime të mëdha dhe faje në ritet, zakonet dhe ceremonitë e Kishës së Shenjtë të Romës.
Ky citim është një formulim i qartë i një parimi humanist: ruajtja e gjuhës amtare është ruajtje e identitetit, dhe si e tillë meriton respekt dhe dokumentim. Në epokën kur gjuha shqipe nuk kishte status zyrtar dhe nuk botohej, Bardhi ndërmerr një akt të guximshëm intelektual dhe kulturor, duke e barazuar shqipen me latinishten në një vepër shkencore.
Ai përfshin gjithashtu 113 proverba dhe shprehje popullore, si p.sh.:“Fjala e mirë ndërton urë”, “I dituri s’ka nevojë për armë”
Këto fraza përfaqësojnë jo vetëm pasurinë gjuhësore, por edhe etikën humaniste arbëre, ku fjala, urtësia dhe dituria janë më të rëndësishme se dhuna apo forca. Për Bardhin, kjo urtësi popullore ishte një dëshmi që kombi shqiptar kishte trashëguar një mendësi humaniste të vetën, e denjë për t’u krahasuar me popujt e qytetëruar të Europës. Gjithashtu, Bardhi përfshin emra vendesh dhe qytetesh shqiptare – si Lezha, Durrësi, Kruja, Ulqini, Shkodra, Dibra, etj. – të cilat i latinizon me kujdes për t’i futur në një hartë kulturore europiane, duke dëshmuar vazhdimësinë historike të shqiptarëve në trojet e tyre.
Frang Bardhi nuk ishte vetëm një filolog dhe studiues, por edhe një humanist në kuptimin e plotë të fjalës, që përfaqësonte frymën e Rilindjes Europiane në një kontekst periferik e të vështirë siç ishte Shqipëria nën sundimin osman. Ai përqafoi idenë e përdorimit të gjuhës amtare në shërbim të përhapjes së dijeve dhe të ndërtimit të një vetëdijeje kombëtare.
Në veprat e tij ai materializoi një tjetër parim humanist: respekti për të kaluarën dhe figurat e mëdha historike, si bazë për edukimin qytetar të brezave. Pikërisht për këtë arsye, Bardhi i kushtoi një vepër apologjetike figurës së Skënderbeut – “Georgius Castriotus Epirensis, vulgo Scanderbeg” – botuar në vitin 1636 në latinisht, gjuha e dijes ndërkombëtare të kohës.
Në këtë tekst, ai i përgjigjet pretendimeve të një autori sllav, Ivan Tomko Mrnavić, që synonte ta paraqiste Skënderbeun si sllav. Bardhi argumentoi me dokumente historike, gjuhësore dhe etnike për të vërtetuar origjinën shqiptare të heroit, duke afirmuar kështu vetëdijen historike dhe kombëtare si akt i dijes dhe arsyes, jo i legjendës apo miteve.Në veprën e tij “Georgius Castriotus Epirensis, vulgo Scanderbeg”, Bardhi ndërton një argument kombëtar në formën e një polemike të strukturuar sipas metodologjisë humaniste. Ai përdor gjuhën latine për t’u adresuar qarqeve europiane të kulturës dhe diplomacisë, duke mbrojtur figurën e Skënderbeut nga falsifikimet sllave të Ivan Tomko Mrnavić, që e paraqiste heroin si sllav.
Në hyrje të veprës, Bardhi shkruan: “Nuk është vetëm çështje e një personi, por e një kombi të tërë, që përmes këtij burri, dëshmoi trimëri, besë, urtësi dhe qytetari europiane.” Ky është një argument i pastër humanist: Skënderbeu nuk përfaqëson vetëm një udhëheqës ushtarak, por përkthen në mënyrë konkrete vlerat e qytetarisë europiane, që duhen ruajtur dhe mbrojtur. Me këtë frazë, Bardhi synon të fusë kombin shqiptar në rrëfimin historik europian, jo si periferi ekzotike, por si pjesë aktive e qytetërimit perëndimor. Në kapitujt e mëpasshëm, Bardhi përdor burime historike, genealogjike dhe gjeografike, duke përmendur tekstet e Barletit, kronikat veneciane dhe burime kishtare për të përforcuar tezën e tij:
“Quod Scanderbegus fuit natione Albanus, testatur ipse Barletius, testatur lingua eius, mores eius, et memoria populi.”-Që Skënderbeu ishte me kombësi shqiptare, e dëshmon vetë Barleti, e dëshmon gjuha e tij, zakonet e tij dhe kujtesa e popullit. Këtu kemi një argument të bazuar në filologji, etnologji dhe kujtesë kolektive, një metodë e qartë e mendimit humanist që mbështetet në verifikimin historik dhe arsyetimin logjik, jo në mitologji apo propagandë.
Të dy veprat – fjalori dhe apologjia – janë dy shprehje të ndryshme të të njëjtës filozofi humaniste. Fjalori synon edukimin përmes gjuhës dhe dijes, ruajtjen e një identiteti kulturor dhe përhapjen e diturisë në gjuhën amtare. Apologjia synon mbrojtjen e së vërtetës historike, të identitetit kombëtar dhe përfshirjen e shqiptarëve në narrativën e kombeve të qytetëruara të Europës. Nëse humanizmi e konsideronte njeriun si qendër të botës, Frang Bardhi vendosi në qendër të veprës së tij kombin shqiptar si bartës të vlerave njerëzore dhe europiane. Në këtë kontekst, ai mund të quhet me plot gojën një nga humanistët më të plotë të shekullit XVII në Europën Juglindore.
Frang Bardhi është përfaqësuesi më i shquar i humanizmit shqiptar pas Marin Barletit, me të cilin ndan jo vetëm prejardhjen dhe shpirtin atdhetar, por edhe përpjekjen për t’i dhënë kombit një zë në historinë europiane. Barleti e mbrojti figurën e Skënderbeut në shekullin XVI përmes biografisë së tij të famshme, ndërsa Bardhi e mbrojti në shekullin XVII përmes gjuhës, fjalorit dhe debatit shkencor.Ai është pararendës i denjë i ideve që do të shpërthenin më vonë në shekullin XIX me Rilindjen Kombëtare, ku gjuha, kultura dhe historia shqiptare u kthyen në aksin themelor të identitetit kombëtar. Në këtë kuptim, Frang Bardhi është një humanist i ndërgjegjshëm kombëtar, që punoi me mjete kulturore në shërbim të vetëdijes shqiptare në një periudhë errësire dhe dominimi të huaj. Trashëgimia e Frang Bardhit është e shumëfishtë: gjuhësore, historike, kulturore dhe identitare. Fjalori i tij është një gur themeli për albanologjinë dhe një dëshmi e hershme e përpjekjeve për kodifikimin e shqipes. Vepra e tij apologjetike është një ndër shembujt e parë të polemikës për ruajtjen e figurave kombëtare dhe përballjen me falsifikimet historike. Sot, pas më shumë se tre shekujsh, Frang Bardhi mbetet shembull i dijetarit humanist shqiptar, që vuri dijen në shërbim të kombit, duke dëshmuar se edhe në kohë të vështira, mund të ndriçojë një dritë që tregon rrugën. Fjalët e tij në parathënien e fjalorit, “Në të errët dhe pak dritë vlen e kushton më shumë”, mbeten një moto aktuale për çdo përpjekje kulturore dhe kombëtare në dobi të së vërtetës dhe trashëgimisë kulturore dhe historike në gjuhën shqipe.
Bibliografi:
- Bardhi, F. (1635). Dictionarium latino-epiroticum. Rome: Typis Sacrae Congregationis de Propaganda Fide.
- Bardhi, F. (1636). Georgius Castriotus Epirensis, vulgo Scanderbeg. Rome: Typographia Propagandae Fide.
- Elsie, R. (1997). Early Albanian Literature: A Short History. Wiesbaden: Otto Harrassowitz.