Dr. Jorgji Kote
Në vitet 20 të shekullit të kaluar dhe më vonë, futurizmi ishte ndër rrymat më të përhapura letrare dhe artistike në Europë. Themeluesi i tij është italiani Philippo Marinetti me “Manifestin e futurizmit“ të shpallur në vitin 1909. Me pak fjalë, futurizmi synonte ta shkëpuste letërsinë, poezinë dhe teatrin nga e kaluara, ndonëse pa e mohuar tërësisht atë, duke e çliruar fjalën, dhe krijimtarinë letrare nga sintaksa, theksi, rima dhe elementë të tjerë të panevojshëm; që arti, letërsia dhe bashkë me to lexuesit dhe shikuesit të shihnin nga e ardhmja, dmth zhvillimi dhe modernizimi i shoqërisë.
Një ndër përfaqësuesit më të shquar të futurizmit letrar të njohur për publikun tonë ishte Vladimir Majakovsi bashkë me shkrimtarë të tjerë sovjetikë dhe në vendet e lindjes. Edhe në vendin tonë gjatë periudhës së realizmit socialist, letërsia dhe artet u orientuan drejt futurizmit, në gjurmët e politikës dhe ideologjisë së asaj kohe. Shkrimtarët dhe artistët e asaj periudhe konsideroheshin “ndihmës të Partisë për edukimin socialist“.
Në jo pak raste, krijime të tilla të politizuara futuriste ishin «taksa“/“haraçi” që artisti paguante për mbijetesë dhe sukses.
Tani futurizmi në arte dhe letërsi i takon të kaluarës. Mirëpo pas viteve 90 dhe në vazhdim, ai është rishfaqur gjerësisht në politikën tonë, nëpërmjet premtimeve të bujshme për të ardhmen , kësaj radhe të ndritur “ demokratike dhe europiane”.
Natyrisht premtimet në vetvehte nuk kanë ndonjë të keqe; madje është normale dhe pozitive kur ato bëhen sidomos në fushata zgjedhore, ku partitë shpalosin programet dhe alternativat e tyre për të ardhmen dhe në raste të tjera jubilare.
Kjo mund të thuhet për premtimin madhor “Shqipëria në BE 2030“ mbasi ai është tejet mobilizues, sado e vështirë të jetë mbajtja e tij. I tillë është dhe premtimi për mikpritjen e Samitit të NATO-s për herë të parë në vendin tonë në vitin 2027, objektivi që më 2040 të bëhemi fuqia më e madhe energjitike rajonale dhe ndonjë premtim tjetër realist për të ardhmen e afërt.
Por shqetësimi këtu qëndron te tepërimet dhe abuzimet që bëhen me futurizmin politik, duke e kthyer atë në refren, retorikë, parodi dhe propagandë në ndonjë rast edhe butaforike; sidomos kur politika e çdo krahu i përdor premtimet si eskapadë nga realitetet në terren, si gjethe fiku për të fshehur dhe mbuluar të vërtetat, dështimet, gabimet, aferat dhe skandalet; të gjitha këto, në emër të ardhmes së bukur me premtime të bujshme, që në shumë raste nuk mbahen dhe harrohen.
Gjithashtu, ky lloj futurizmi është i dëmshëm se mohon ose anashkalon debatin, analizën, qëndrimet kritike ndaj gabimeve dhe pësimeve, duke i hapur rrugën papërgjegjshmërisë institucionale dhe për pasojë keqqeverisjes në të gjitha nivelet.
Pa pretenduar për një analizë shteruese, por më tepër si një aperitiv për reflektim, më poshtë përmenden shkurt disa prej shembujve më pikantë në këtë drejtim.
Qysh 10 vite më parë, kur fituam statusin “kandidat“, BE-ja na kërkoi të tregonim kujdes me mbetjet dhe riciklimin e tyre. Mirëpo çuditërisht u hoq dorë nga ndërtimi i landfildeve, duke i zëvendësuar me incineratorët ose djegësat famëkeq, nga të cilët shteti ka humbur mbi 400 milonë Euro.
Tani, Kryeministri Rama i shpalli të vdekura incineratorët, për t’i zëvendësuar me Operatorin Kombëtar të Mbetjeve dhe me landfilde, me një vlerë prej mbi 100 milion Euro. Duke e justifikuar këtë me të drejtë me kërkesat e e kahhershme të BE-së dhe me efektivitetin e tyre.
Pa hyrë në debate partiake, ky lloj futurizmi që po tregon qeveria është i drejtë. Por ndërkohë, nuk mund të shmanget dot pyetja kritike pse ky premtim jetik mjedisor nuk shoqërohet me analiza dhe me nxjerrjen e përgjegjësive politike dhe institucionale, që dështime të tilla të mos na përsëriten më. As ndjekja penale e disa zyrtarëve të lartë nuk mjafton pa një analizë me frymë europiane.
Po ashtu, në vend të analizës së dështimit të 58 operatorëve të ujit dhe të tre reformave të 10 viteve të fundit në këtë fushë me 650 milionë euro humbje, me ngut njoftohet si shpëtimtar krijimi në të ardhmen i Operatorit Kombëtar të Ujit; mirëpo, mungesa e analizës së lartpërmendur nuk jep asnjë garanci se furnizimi normal me ujë të pishëm do të zgjidhet njëherë e mirë.
Ndonëse jemi të dytët në Europë për burimet ujore për frymë, ende as zonat bregdetare turistike nuk kanë furnizim të rregullt me ujë të pishëm. Ndërkohë, megjithë premtimet e shumta, ujrat e zeza vazhdojnë të derdhen pa mëshirë në përrenj, lumenj dhe në det.
Lidhur me zjarret, për shumë vite radhazi ato po përpijnë drurët, pyjet dhe zona të tjera të mëdha të vendit. Megjithatë nuk kemi dëgjuar për asnjë analizë, asnjë përgjegjësi, në nivel qendror dhe vendor, vetëm justifikime dhe tani së fundi disa dekorata për zjarrfikësit trima dhe premtime për krijimin e një flote avionësh zjarrfikësish në të ardhmen.
Mirëpo pyetja e madhe që shtrohet pa përgjigje është se pse nuk janë blerë gjithë këto vite këto avionë taksi? E kujt është përgjegjësia?
Shqetësimit të madh për largimin e barinjve të rinj nga vendi ynë, dëmtimin e kullotave dhe uljen e prodhimit të bulmetit, në vend të analizave tërësore, disa vite më parë ish ministrja e Bujqësisë iu përgjigj se problemi do të zgjidhej me krijimin e Akademisë së Barinjve, çka u bë virale dhe objekt humori në rrjetet sociale! Një shpikje alla shqiptarçe sepse askund nuk ka “akademi“ baritore!
Pastaj, jeta dhe përvoja e barinjve tanë, të cilëve u ka kënduar dhe Naimi i madh është akademi më vehte; por problemi për ta është se shteti nuk u krijon apo nuk u plotëson kushtet dhe kullotat! Madje, disa ditë më parë në Pogradec pati protesta kundër kthimit në panele fotovoltaike të kullotave në fshatin Çëravë që janë jetike.
Disa vite më parë u dha premtimi tjetër futurist se problemet e performancës së ulët të administratës tonë do të zgjidheshin me përdorimin masiv të internetit. Dhe në fakt, përparimet në këtë fushë, janë të njohura dhe të prekshme. Mirëpo, problemi është se numri i punonjësve të administratës tani çuditërisht është dyfishuar!
E megjithë internetizimin masiv, hallet dhe telashet e njerëzve nuk kanë të sosur. Mjafton të ndjekësh emisionin investigativ “ Fiks fare” dhe bindesh për realitetet e trishta, kur hallexhiut i vjen vërtet në majë të hundës nga pengesat burokratike dhe për zgjidhjen e kërkesave më të thjeshta nga pushteti vendor.
Dhe prapë, në vend të analizave dhe përgjegjësive të rastit, vjen premtimi futurist se këto probleme do na u zgjidhkan me dixhitalizimin e shërbimeve. Sikurse qeveria do të drejtohet jo më kryesisht nga ministrat por nga Inteligjenca Artificiale; kështu demek do shpëtojmë nga korrupsioni dhe të këqiat e tjera të tranzicionit të pafund.
Më tej, disa vite më parë, kur doli çështja e kontrollit dhe menaxhimit të dobët të territorit të vendit, u dha sihariqi futurist se këto difekte do të shmangeshin përfundimisht me dy satelitë ose « inspektorë qielli » që u hodhën në orbitë me vlerë 6 milion Euro! Ky lajm u dha me bujë deri në tribunën e lartë të OKB-së bashkë me krijimin e shtetit Bektashi; por rezultatet satelitore tashmë dihen.
Disa vite më parë u bënë premtime për mbështetjen e fermerëve me kredi të buta me ndihmën financiare të BE-së. Mirëpo dihet tani se si u shpërdoruan apo më mirë ta themi « shqip » u vodhën132 milion Euro nga programi IPARD i BE-së. Dhe megjithë këmbënguljen e BE-së, nuk ka asnjë analizë, as hetim penal, ndërsa ish Ministrja është këshilltare në Kryeministri; ndonëse për të njëjtin skandal, kolegja e saj kroate po ndiqet penalisht!!
Por prapë bëhen premtime futuriste për ta harruar këtë skandal që mund të na kushtojë dhe në vonesa në negociatat me BE-në, e cila ka kërkuar hetimin e atij skandali dhe daljen përpara drejtësisë të fajtorëve.
Po “shitet” me të madhe aksioni kombëtar i çlirimit të hapësirave publike, sikur të ishte « çlirimi i dytë » i Shqipërisë, siç konsiderohej dikur ndërtimi i Metalurgjikut në Elbasan! Ndonëse 12 vite në pushtet, vetëm gjatë kësaj vere qeveria zbuloi në Theth dhe gjetkë ndërtime pa leje dhe zaptimin e këtyre hapësirave. Ndaj në mes të natës, të zhegut dhe sezonit turistik nisi aksioni për çmontimin e tyre.
Ndërsa disa javë më parë, u shemb me tritor hoteli i ndërtuar pa leje nga ish shefi i IMT-së në Durrës. Mirëpo asnjë zyrtar i lartë, as vetë Kryeministri nuk na shpjeguan dot se si kishin vepruar nën hundën e tyre këta zyrtarë për vite më radhë?
Po satelitët dhe agjencitë e shumta të ngarkuara me këtë punë ku ishin? Përse duhet që ato t’i zbulojë si dikur Udhëheqësi, natyrisht me vite vonesë dhe t’i shkatërojë sikur të ishim në sistemin « Njeriu shtet »? Përgjigja e radhës vjen prapë me premtimin futurist se këtë çështje do ta zgjidhim me një ligj kundër “symbyllurve”!
Padyshim që “thembra e Akilit” te ne vazhdon të mbetet mbrojtja dhe mbështetja minimale sociale e shtresave në nevojë dhe e masës së madhe të pensionistëve. Megjithë premtimet e shumta gjatë mbi 3 dekada nga të gjitha forcat politike dhe në këto 12 vitet e fundit dhe nga PS-ja, si përfaqësuesja e tyre më e natyrshme, jo vetëm që premtimet nuk janë mbajtur, por as nuk po shihet ndonjë përmirësim real, me përjashtim të « lëmoshave sociale ».
Kështu, vendi ynë vazhdon të ketë nivelin më të ulët të mbështetjes sociale në Ballkanin Perendimor për njerëzit në nevojë, me vetëm 70 Euro në muaj, nga 131 Dollarë në Kosovë. Edhe sa i takon pagës minimale, jemi 34 për qind poshtë nivelit të rajonit, ndërsa me Europën jemi akoma më larg. Problemi sidomos me të moshuarit është se koha për ta nuk pret më për premtimepër me nesër e pasnesër; për ta duhet zgjidhje sot dhe jo mot!
Premtimi tjetër po aq i bujshëm por pothuajse i pamundur për t’u realizuar është ai i javëve të fundit që në vitin 2030 Shqipëria të jetë vendi i parë pa kryer veprime financiare me lekë në dorë! Eshtë dhe sipas ekspertëve të njohur premtim në ajër, që nuk mbështetet në gjendjen e ekonomisë dhe të informalitetit, sidomos të kapaciteteve tona kibernetike, me qëllim që të garantohet funksionimi normal i sistemit, kur dihen tashmë kërcënimet e mëdha për sulme kibernetike nga të katër anët, siç dhe ka ndodhur! Po, ashtu nuk janë marrë parasysh nevojat dhe veçoritë e bizneseve të mesme dhe të vogla, të fermerëve dhe aspekte të tjera praktike; rikujtojmë se vende shumë më të përparuara si Suedia, Zvicra, Belgjika, etj janë më të rezervuara në këtë drejtim dhe nuk e kanë objektivin zero me lekë në dorë!
Ndaj, është më e udhës që në vend të premtimeve futuriste dhe fluturuese, të merren masat për uljen e informalitetit ekonomik dhe përmirësime cilësore në aspektet e lartpërmendura; kështu do të mënjanoheshin në shkallë të gjerë pagesat me lekë në dorë, përpara se ato të hiqeshin plotësisht dhe në kohën e duhur.
Për fat të keq, ky futurizëm jashtë realitetit, që në disa raste ka rezultuar aventurë politike me pasoja që duan kohë të gjatë të riparohen ka kapur e karakterizuar dhe lidershipin e opozitës, si në qeverisje dhe në mbi 10 vitet e fundit në opozitë.
Shembulli më i freskët dhe domethënës këtu ishte logoja e saj në fushatën e zgjedhjeve parlamenare të 11 Majit “ Bashkë për një Shqipëri madhështore”! Aq sa kur dëgjoje fjalimet dhe premtimet e bujshme jashtëtokësore të liderëve të saj, të dukej vërtet se do të “ hanim bukë me lugë floriri”.
Mirëpo ajo fushatë me tone ultra triumfaliste ishte vendosur me naivitet politik në një sfond tejet të zymtë, ku po ajo opozitë si dje dhe sot vazhdon me akuza të panumurta ndaj shumicës qeverisëse, që e bënin qartazi të pamundur dhe një fitore minimaliste, e ca më pak madhështore. Atëhere kë të besoje, atë “kiamet të zi qeveritar » sipas opozitës apo sloganin e saj të fitores madhështore trumpiane?
E keqja është se ai super futurizëm krijoi iluzione te shumë zgjedhës se fitorja ishe e sigurt, ndaj nuk kishte nevojë as për votën e tij e as për vigjilencë; nga ana tjetër ajo krijoi idenë që përderisa bëhen premtime të tilla « në erë » opozita e ka davanë e humbur, ndaj nuk ia vlen të lodhemi për votat! Të dy këto skenarë ishin njeri më i keq se tjetri!
Pastaj, opozitës nuk i kërkonte njeri as fitore dhe as Shqipëri madhështore, por thjesht të sfidonte kundërshtarin, qoftë dhe me rezultat minimal, të merrte pushtetin dhe të luftonte për një jetë dinjitoze, me paga dhe pensione normale, furnizimin me ujë dhe energji elektrike, etj; të tjerat janë “luks” i panevojshëm.
—-
©️Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
