Prof. Xhelal Gjeçovi, SHBA
Gjykimi për katër themelues e ish udhëheqës të UÇK, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ka hyrë në një fazë dramatike, ku çdo gjë mund të ndodhë. S`është çudi që heronjtë, që luftuan e rrezikuan jetët e tyre për çlirimin e Kosovës të shpallen fajtorë për krime që s`kanë të bëjnë fare me ta, mbi bazën e një akuze të mbushur me të pavërteta, që synon të kënaqë kriminelët në Serbi, që s`kanë njohur e s`janë dënuar për krimet monstruoze të kryera ndaj një popullsie paqësore dhe të pa mbrojtur. Koha provoi katërcipërisht dyshimet që ekzistonin qysh kur u krijua Gjykata Speciale, mbi qëllimet e saj, kur ke parasysh se i gjithë ky skenar ogurzi u gatua në kulisat e politikës serbe dhe ruse. Për opinionin shëndoshë e objektiv është tashmë e qartë se kjo që po ndodhë në Hagë, është vepër e qarqeve antishqiptare jashtë, por dhe e grupeve të caktuar brenda Kosovës, që s’iu bashkuan kur duhej luftës çlirimtare, e jo pak prej tyre flirtuan me okupatorin për të sabotuar rezistencën popullore kosovare. Janë pikërisht këto forca të errëta, antishqiptare që po përpiqen sot për të deligjitimuar UÇK-në, me akuza e dëshmi false, në përpjekjet për të bindur gjykatën dhe opinionin se kemi të bëjmë me një organizatë terroriste e “ndërmarrje kriminale”, që s`paska luftuar kundër okupatorit, për çlirimin e Kosovës, por paska shfrytëzuar rrethanat e krijuara për qërim hesapesh me kundërshtarët politikë, e në këtë kuadër paska kryer krime, duke ekzekutuar njerëz të pa fajshëm, pa gjyq e pa prova.
- Publicitet -
Qëllimi është që të diskreditohet UÇK-ja dhe të zhbëhet lufta dhe sakrificat e popullit të Kosovës, të udhëhequr nga legjendari Adem Jashari dhe bashkëpunëtorët e tij, ndër ta dhe katër të përmendurit që po gjykohen në Hagë, të cilët i dolën zot Kosovës në momentet më të vështira, duke u ballafaquar me dinjitet me makinerinë e luftës e me gjenocidin e egër serb, të paparë që synonte shfarosjen dhe zhdukjen e një popullsie paqësore e autoktone, që jetonte në shekuj në trojet e veta, në vendin e të parëve të tyre.
***
Në rrethana të tilla lindi UÇK-ja, si nevojë objektive, e domosdoshme për të shpëtuar Kosovën nga rrënimi, popullsinë nga asgjësimi e zhdukja dhe Çështjen Kosovare nga likuidimi. Një organizatë si kjo, e krijuar nga populli, radhët e së cilës u mbushën me bijtë më të mirë, që sakrifikuan dhe jetët e tyre për Kosovën e shtrenjtë, të lënë amanet nga të parët, që ta ruajnë e ta mbrojnë me çdo çmim e sakrificë, nuk do të binte kurrë në pozitat që pretendohet. Ajo kishte dalë në arenën e historisë me një mision historik e human, të bashkonte e të angazhonte në luftë e të shpëtonte qytetarët pa dallim, patriotët e të gjithë krahinave, orientimeve e interesave, që për momentin kalonin në plan të dytë, për t’i hapur rrugë një bashkimi të fuqishëm, duke ripërtërirë në kushtet e reja historike traditën dhe përvojën e viteve të Luftës së Dytë Botërore. Misioni që ata morën përsipër të realizonin ishte çlirimi dhe krijimi i Kosovës së lirë, të pavarur e demokratike. Këtij misioni do t’i qëndronte besnik deri në fund Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për të hyrë dhe vetë në histori, si njëra nga ngjarjet dhe arritjet më të mëdha të Kosovës e të kombit shqiptar.
E kjo është arsyeja që sot opinioni ndërkombëtar dhe miqtë e vërtetë të Kosovës janë me Hashim Thaçin dhe shokët e tij, me kauzën që ata përfaqësuan dhe realizuan. Në këtë betejë për jetë a vdekje ata nuk ishin vetëm. Përkrah tyre qëndronte mbështetja e fuqishme dhe e pa zëvendësueshme e faktorit ndërkombëtar, e miqve të vërtetë të Kosovës, SHBA, BE dhe NATO. Por, në këtë provë të vështirë për Kosovën, do të spikatë dhe solidariteti e uniteti kombëtar, mbështetja pa rezerva, që në fillim, e Shqipërisë dhe e shtetit shqiptar, që vunë në dispozicion të Kosovës, të luftës së saj çlirimtare të gjitha resurset, mjetet e mundësitë që dispononin, për ta ngritur e fuqizuar rezistencën kosovare në lartësitë e momenteve që kalonte Kosova dhe të misionit që kish marrë përsipër të realizonte, duke kontribuar në ndërtimin e logjistikës së nevojshme, pajisjen me armë e armatime, me kuadro ushtarake të përgatitur, me kulturë e përvojë, që do t`i përkushtoheshin aftësimit të luftëtarëve të UÇK-së. Jo pak prej tyre dhanë dhe jetën ne luftime me forcat okupatore.
Ky angazhim i gjithanshëm i Shqipërisë do të arrinte kulmin me strehimin dhe akomodimin e mijëra vëllezërve nga Kosova, të dëbuar me dhunë nga trojet etnike, të ardhur në vendin amë për t`i shpëtuar shkatërrimit e asgjësimit. Në këto momente të rënda,familjet shqiptare, në veri e në jug hapën dyert dhe zemrat,duke u krijuar vëllezërve e motrave nga Kosova një ambient të ngrohtë vëllazëror.
***
Në ditët tona vazhdon e njëjta traditë, i njëjti preokupim e angazhim, i pasuruar me fakte të reja që flasin vetë e s’kanë nevojë për komente,me qëndrime të pa lëkundura në mbështetje të Kosovës. Edhe kjo një meritë e qeverive që drejtuan vendin në gjithë këto vite të vështira për Kosovën, por jo të lehta dhe për Shqipërinë. Kryeministri shqiptar Edi Rama, është i pari dhe i vetmi politikan që në Beograd, në prezencë të autoriteteve më të larta të shtetit fqinj, u bëri thirrje që të njihnin Kosovën, pavarësinë e saj, një realitet i pa kthyeshëm, faktor paqe e stabilitetin ne rajon, me ndikim dhe ne raportet në mes dy vendeve, që përcakton ecurinë e përmbajtjen e tyre. Sa më shpejt që të kuptohet kjo, deklaroi Edi Rama, aq më mirë do të jetë për vetë Serbinë, se Kosova është aty, në vendin e vet, në vendin e të parëve, në të drejtën e zotit dhe të historisë dhe s`ka për të lëvizur kurrë që andej.
Në këtë kuadër inkuadrohet dhe interesimi e angazhimi në mbrojtje të udhëheqësve të UÇK-së që po gjykohen ne Hagë. Ai kërkoi me insistim dhe arriti të realizojë zhvillimin e një mbledhjeje të posaçme të Këshillit të Europës për diskutimin mbi akuzat e raportit e Dik Martit, të mbushura me gënjeshtra, se kinse në Shqipëri qenka bërë transplantim organesh të serbëve që humbën jetën në luftime. Një përpjekje e qëndrim i tillë duhet t`i kenë vënë në një pozitë të vështirë udhëheqësit e Kosovës, jo presidenten, një personazh pak e njohur e ndoshta dhe më pak e interesuar për këtë çështje, por kryeministrin Albin Kurti, një politikan që ka provuar mbi kurrizin e vet ndjekjet e persekucionin e regjimit serb dhe tani, çuditërisht po ndjek në qetësi gjyqin në Hagë, ndaj bashkëluftëtarëve të së njëjtës çështje, çështjes kombëtare.
***
Për UÇK-në dhe luftën çlirimtare në Kosovë, por dhe për zhvillimet e qëndrimet e sotme ndaj saj janë shkruar e botuar punime të shumta, të kolegëve në Kosovë e në Shqipëri, ku do të veçoja sidomos analizat e shkëlqyera, kurajoze të publicistit e studiuesit të njohur Shaban Murati, e krahas tij dhe jo pak autorëve të huaj, të cilat unë i kam ndjekur me vëmendjen që meritojnë.
Por, kësaj here është rasti të ndalem pak në punimin e njërit nga katërshja që po gjykohet në Hagë, Jakup Krasniqi, ndër themeluesit e UÇK-së, sot i akuzuar, për ironi te fatit e të kohëve që jetojmë, për krime lufte, së bashku me shokët e tij, Thaçi,Veseli dhe Selimi. Bashkë me prof. Pëllumb Xhufin kemi marrë pjesë dhe kemi diskutuar mbi vlerat e këtij punimi në një ceremoni promovimi të organizuar në Fakultetin e Histori-Filologjisë në Tiranë, me iniciativën e historianes Valentina Duka, përgjegjëse e departamentit të historisë, sapo libri u vu në qarkullim. Me këtë punim, autori një politikan, por dhe historian e studiues serioz i ka bërë një shërbim historisë dhe admiruesve të shumtë, sidomos gjeneratave te reja, të interesuar për të njohur historinë e UÇK, kontributin në çlirimin ë Kosovës, pjesë përbërëse, shumë e rëndësishme e historisë dhe traditës kombëtare.
Libri është një nderim e një homazh për të gjithë luftëtarët trima të Kosovës, për heronjtë dhe për dëshmorët e saj të paharruar, për bazat e qëndresës së UÇK-së, për Prekazin, Drenicën, Vushtrinë, Dukagjinin etj., që u bënë mbështetje e fuqishme për UÇK-në dhe për luftëtarët e saj. Ai është dhe një nderim e mirënjohje për faktorin ndërkombëtar, për aleatët e Kosovës, për SHBA-në në radhë të parë, për NATO-n, për BE-në,në përgjithësi për botën demokratike, për mbështetjen që i dhanë Kosovës në momentet më të rënda të historisë së saj, pa folur për Shqipërinë e shtetin shqiptar, të cilët mbështetjen për Kosovën dhe luftën e saj çlirimtare e kishin preokupim e obligim kombëtar të dorës së parë.
Në punimin e Krasniqit e përgjithësisht të autorëve që janë marrë me këtë temë një vëmendje e veçantë u kushtohet raporteve të UÇK me faktorët e tjerë relevante, brenda dhe jashtë, kryesisht me aleatet, si SHBA, BE e NATO, e pa dyshim dhe me Shqipërinë, vendin amë. Kur flitet për raportet me forcat e grupimet brenda Kosovës, është e kuptueshme se ato me LDK kanë qenë prioritare, të një rëndësie të posaçme, pasi lidheshin drejtpërdrejte me fatet e luftës dhe rrjedhën që do të merrnin zhvillimet pas lufte. Për të kuptuar thelbin e kësaj çështjeje, ka rëndësi analiza e dy alternativave me të cilat dy subjektet shpalosën pikëpamjet për zgjidhjen e problemit. Njëra ishte alternativa e rezistencës paqësore e përpunuar dhe e zbatuar nga LDK-ja dhe lideri i saj Ibrahim Rugova dhe tjetra ajo e luftës së armatosur, të cilës do t`i përmbahej UÇK, një problem ky i diskutuar gjatë në rrethet e historianëve e studiuesve, në Kosovë e në Shqipëri. Natyrisht dy opsionet, dy alternativat e shfaqura nuk synonin të bënin karshillëk. Lufta nuk ishte garë midis tyre e aq më pak një arenë gladiatorësh, që do t`i kundërviheshin e asgjësonin njëri-tjetrin. Ato ishin dy subjekte e realitete, që synonin të njëjtën gjë, realizimin e misionit të marrë përsipër, heqjen qafe të pushtimit e sundimit serb.
Mua më vjen mirë që autorët që janë marrë me historinë e UÇK-së, përfshi dhe z.Krasniqi e trajtojnë me kujdes e objektivitet këtë temë, me të cilën janë bërë jo pak spekulime, duke e vendosur në kontekstin historik të kohës, në kushtet në të cilat ato janë përpunuar e zbatuar. Kjo ka bërë që ato të shihen siç ishte në të vërtetë, bashkudhëtarë të një rruge e të një misioni të përbashkët. Nuk duhet harruar se alternativa e parë, ajo e rezistencës paqësore, me gjithë problemet, realizoi dy gjëra të rëndësishme për Kosovën dhe për lëvizjen kosovare. Së pari, ajo bëri të njohur në arenën ndërkombëtare çështjen e Kosovës, kontribuoi në njohjen e sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar me vuajtjet e kosovarëve dhe drejtësinë e çështjes së tyre kombëtare, që pret zgjidhje dhe mbi këtë bazë në tejkalimin e paqartësive të fillimit dhe sigurimin gradualisht të mbështetjes së fuqishme e të qëndrueshme të faktorit ndërkombëtar. Së dyti, ajo kontribuoi në prezantimin e shqiptarëve me imazhin e tyre të vërtetë, duke i treguar botës demokratike se ata nuk ishin një popull i egër, nuk ishin terroristë, nuk ishin njerëz të dhunshëm, siç i paraqiste propaganda serbe, por njerëz të civilizuar e paqësorë, që dinë të demonstrojnë e të tregojnë kur duhet, edhe në situatat më të vështira, cilësitë e virtytet e larta morale e shoqërore, vetëpërmbajtje e humanizëm, zbatim korrekt të ligjeve të luftës dhe mbrojtjen e popullatës civile, qëndresë shembullore e sakrifica sublime, për një çështje që ia vlente të bëheshin, siç është liria dhe pavarësia e Kosovës, vendit të tyre të shtrenjtë. Por, kjo alternativë, rruga paqësore, me kalimin e kohës, nisi të shfaqë probleme, që çuan në dobësimin e efikasitetit, për rrjedhoje dhe të mbështetjes së popullit, që po i sosej durimi.
Në rrethana të tilla situata nuk mund të mbahej më në kufijtë e saj, pasi rrezikohej vetë çështja kombëtare. Në rrethana të tilla dalja e UÇK-së ishte shpëtimtare për të ardhmen e Lëvizjes dhe arritjen e objektivave të saj. Është meritë e themeluesve të UÇKsë, e Adem Jasharit, e Hashim Thaçit dhe e plote atdhetarëve e bashkëluftëtarë, ku do të veçoja intelektualin e shquar e patriot, profesor e akademik Rexhep Qosja, një figurë përbashkuese, me ndikim sidomos në qarqet intelektuale në Kosovë e Shqipëri, angazhimi i të cilit i bënte nder Kosovës dhe UÇK-së, luftëtarëve të saj.
Gjithë kjo plejadë veprimtarësh idealistë kanë meritën se kuptuan momentin historik,që nuk duhej lënë t`u ikte pa vëmendjen, impenjimin e angazhimin e duhur; kuptuan nevojën e kapërcimit të alternativës së ndjekur deri atëherë dhe krijimit të UÇK-së, angazhimit të saj në luftime me makinerinë serbe të luftës. Koha provoi se kjo zgjedhje, e projektuar nga këta udhëheqës, që sot akuzohen për krime,e te tjerë, shumica të rinj, të pjekur para kohe nga hallet e dertet e Kosovës, ishte e vetmja zgjedhje e drejtë, e mençur; shpëtimtare për Kosovën dhe të ardhmen e saj. Atë e diktonin kushtet e krijuara, nevoja për t`i dhënë fund pushtimit serb, që të merrnin fund dhe vuajtjet masakrimet,vrasjet e dëbimet masive të qytetarëve nga vatrat e tyre, burrave dhe grave, të rinjve e të rejave, pleqve dhe fëmijëve; mizori të pa para, që do t`i kishin zili dhe fashistët e nazistet, forcat më të errëta që ka njohur historia botërore. Një ndërmarrje e tillë, jo kriminale siç po përpiqet të perceptohet dhe të etiketohet në Hagë, por patriotike e atdhetare, u mbështet fuqishëm deri në fund nga faktori ndërkombëtar, aleatët tradicionalë dhe historikë, SHBA-ja në radhë të parë, por dhe NATO e BE. Me ndihmën dhe me mbështetjen e tyre të fuqishme, që arriti kulmin me ndërhyrjen e forcave të NATO-s, por dhe me angazhimin e sakrificat e UÇK, të luftëtarëve nga të gjitha krahinat e orientimet, bënë të mundur fuqizimin e e shndërrimin e rezistencën në një luftë të vërtetë popullore, të organizuar në bazë të principeve të saj, ku pjesëmarrësit nuk dalloheshin nga përkatësitë partiake, por nga angazhimi në luftë. Një angazhim e organizim i tillë solli ndryshime cilësore në teatrin e luftimeve dhe këtë nisi ta ndjejë thellë dhe regjimi serb i Milloshevit,që shpejt do të shohë e kuptojë se e kishte humbur davanë, kish humbur betejën me shqiptarët dhe disfata e tyre ishte e afërt, e sigurt dhe e pashmangshme, falë dhe angazhimit te drejtpërdrejt e te fuqishëm të SHBA dhe NATO-s, por dhe vendit amë, Shqipërisë. Kombinimi e shfrytëzimi perfekt i të gjithë këtyre faktorëve, bënë të mundur që Kosova të çlirohet nga sundimi shumëvjeçar serb, të fitojë pavarësinë dhe të ndërtojë shtetin e pavarur.
Përpjekjet për të deligjitimuar UÇK-në dhe historinë e saj, drejtohen dhe ndaj tyre, ndaj aleatëve e ndaj Shqipërisë, duke menduar se kësisoj do të mund të arrijnë të ndikojnë e të dobësojnë lidhjet e natyrshme dhe mbështetjen e tyre, sidomos të SHBA, BE dhe NATO-s, që përbëjnë garancinë e moskthimit kurrë më mbrapa, të asnjërës nga dy pjesët e vendit, por ecjen përpara, së bashku, për të siguruar një të ardhme edhe me të mirë, të sigurt, për qytetarët dhe gjeneratat e reja, për të sotmen e të ardhmen demokratike.
Pikërisht ne vorbullën e këtyre zhvillimeve do të shfaqen si hiena demagogë me grada gjasme shkencore, që unë i kam quajtur kontroversë e të çoroditur, nga rehatia e përfitimet që mund t`u sjellin qëndrime të tilla, që pretendojnë se paskan zbuluar një gjë që të tjerët para tyre s’e paskan konstatuar deri më sot,se si rrjedhojë ndarjes ne vite nga vendi amë, në Kosovë qënkan krijuar elemente të rinj substancialë, që flasin për krijimin e një kombi te ri, me dallime cilësore nga ai në Shqipëri, për rrjedhojë nuk duhet hezituar të pohojmë e të pranojmë se tashmë kemi jo një komb unik, me dy gjymtyrët që e mbajnë në këmbë, Kosovën dhe Shqipërinë, por dy kombe të ndryshëm, me karakteristika të veçanta, njeri në Shqipëri e tjetri në Kosovë. Shërbim më të mirë se ky nuk i është bërë ndonjëherë armiqve të kombit shqiptar, pasi konfirmohet nga këta “koka të mëdha” se uniteti në mes dy pjesëve, Kosovës dhe Shqipërisë, paska marrë fund, e se nuk mund të flitet më për një komb unik, me dy pjesët vitale të saj, siç i ka lind nëna, natyra, por për dy kombe me karakteristika të veçanta. Zbulim më të mirë e më të bukur se ky nuk mund të gjesh në asnjë popull normal e komb të civilizuar. Ai ekziston vetëm në Kosovë(!).
Për fatin e mirë këto spekulime e manipulime nuk kanë mbetur pa përgjigje. Historianë e studiues, në Kosovë e në Shqipëri u janë kundërvënë me argumente shkencore, duke zbuluar synimet që shkojnë shumë larg, qëllimin që të zhbëjnë identitetin kombëtar.
Gjyqi në Hagë, ku po tentohet të zhbëhet historia e UÇK-së, pjesë e pa ndarë e historisë kombëtare, element substancial i identitetit kombëtar dhe predikimet për ekzistencën e një kombi kosovar të ndryshëm nga ai në Shqipëri, janë pjesë e një strategjie të njohur, të mirëmenduar që synon të goditë thelbin, palcën kurrizore të identitetit kombëtar, unitetin Kosovë-Shqipëri, dy pjesë integrale, që natyra i ka krijuar kështu siç janë, të bashkuara, ani pse, tani për tani, me dy shtete, që të jenë në gjendje të përballojnë sfidat e historisë e në këtë kuadër dhe spekulime të tilla të trasha, që ngrenë kokën herë pas here, pavarësisht dështimeve spektakolare që u është rezervuar në mënyrë të vazhdueshme.