Ilirian Ballaj
Tani që edhe për ne shqiptarët janë hapur rrugët e botës, vemi e vimë, shkojmë tek fëmijët. Na merr malli për Shqipërinë, vijmë këtu. Na merr malli për fëmijët, për nipër e për mbesa, shkojmë atje. E kështu zigzagu ynë ngjitet. Zbret, më falni.
Sekush vend, ka të mirat dhe jo të mirat e veta. Ne tonat e të tjerët të tyre, por sikur të marrim dhe të japim tek njëri-tjetri mirësitë, vlerat, do të ishte dobiprurëse, për të dyja palët. Për shembull në Toronto, Kanada:
Polici, mik i fëmijëve
Janë policët e dalë në pension, vullnetarë, që merren me vajtjen dhe ardhjen e fëmijëve nga shkolla, të sistemit parauniversitarë.
Nxënësit e sistemit parauniversitar në Toronto, por edhe në të gjithë Kanadanë, si gati në të gjithë botën, shkojnë në shkollë në orën tetë me atë zonale e vijnë prej saj në orën trembëdhjetë, përsëri me të tyren. Edhe tek ne kështu ndodh, madje vihet në punë edhe policia e shtetit. Por ajo se si bëhet kjo punë, ndryshon shumë e janë po shumë larg njëri-tjetrit. Ajo që të bën përshtypje atje, është se 15 minuta para orës tetë dhe trembëdhjetë, në rrugët pranë shkollave lëvizin vetëm mjetet e transportit të nxënësve, të cilët janë të pajisura me tabela, qarkullimi tjetër devijohet nëpër anësore, në se shkolla është në rrugën kryesore, hyrja bëhet nga pas. Paralizohet lëvizja tjetër dhe tërë këtë punë e bëjnë policët vullnetarë që, sikurse kanë emrin, e bëjnë pa pagesë. Ata janë burra dhe gra pensionistë, që kanë shërbyer në sistemin e qarkullimit rrugor, deri 85 vjeç, të paisur nga Bashkia e Torontos me pelerinë të kuqe në dimër e me xhaketë po të kuqe në verë, me kapele të zezë, me tabelë që, ne se dënimin e merr prej tyre, zor se do ta fitoje një ankesë në se e bëje, por që kush nuk para e bën, sepse edhe ligji shpesh ishte ndënë ta. Vetëm ishin korrektë sa më s’ka. Nxënësit i njihnin dhe buzëqeshnin sa i shikonin, ata i përshëndesnin mirëmengjes dhe dorën në tabele, që nuk e ndanin nga nxënësit gjersa të kishin kaluar trafikun. Makina e tyre rrinte në një cep të një kryqëzimi, gjithnjë me fenerët ndezur. E në pasdite përsëri kjo punë. Quheshin policët vullnetarë të dëshiruar, policë të gjithpushtetshëm e miqtë e fëmijëve. Në kryqëzimin tonë, para shkollës, ishte një gjerman në origjinë, që e njihnin të gjithë fëmijët, Shvarc, e që fjalën mirmëngjes e shqiptonte gjysmë gjermanisht. Ata janë gëzimi i fëmijvë dhe i prindërve, përshëndeteshin edhe në ditë të zakonshme në rrugë, në se takoheshin. Por edhe një grua shërbente po aty, police vullnetare, që fëmijët i thoshin Madonna nga që ishte shumë e bukur, edhe pse e moshuar. Të gjitha makinat, pa përjashtim në rrugët dytësore, sa shikonin fëmijët që lëviznin në trotuar, menjëherë ulnin shpejtësinë, ndalonin në kthesë tek vija e bardhë në gjysmën e rrugës anash, u transmetonin fëmijëve me dorë që të lëviznin, pastaj ngadalë, qetë, pa asnjëherë borie në qytet, vetëm për emergjencë,vazhdonin në heshtje, në rregullsinë ligjore. Nga gjithë ajo punë tepër e merakshme, ata ishin bërë pjesë e familjeve të fëmijëve, ishin bërë të lagjes, njihnin njëri-tjetrin.
Rreptësia ligjore për tymosjen
Në këtë pikë i gjithë qyteti, por edhe jashtë tij, kudo që shkuam, kishte një rreptësi të pafalshme, tepër të ashpër, strikt, të patoluerueshëm. Edhe fytyrën e prishnin ruajtësit kur të zinin me cigare, të vinin gjobën, në se nuk kishe ta kalonte në portal, në se i shmangeshe, lajmëronte policinë, që vinte e të merrte, të verifikonte, marrje gjobën dhe ikje.
Duhani mund të pihej vetëm në vendet ku ishte shkruar se ishte vend për tymosje, me tabelë dhe sigël. Të bën përshtypje, se tabela pranë shkollave, lajmërojnë jo tymosjen por edhe dënimin me gjobë, në se i afrohe shkollës me cigare ndezur më pak se pesë metra dhe gjoba ishte, deri 5000 dollarë kanadez. Gjobë kishte edhe në se e ndizje cigaren tek stacioni i autobusit duke qenë në pritje. Në se dikujt i pihej, fshehur tërhiqej në një kënd dhe tymoste shpejt e shpejt. Natyrisht atje kishte edhe vende ky tymosej edhe marihuanë, por në vende të posaçme,të rrethuar dhe me front jo nga rruga ku lëvizin njerëzit, kishte edhe çokollatë me gjethen e saj sipër e fotografuar, por në lokale të veçanta, kishte edhe treg pijesh alkoolike, por veç dhe të deklaruara e ku tregtohej vetëm pije alkoolike e asgjë tjetër. Unë nuk para i kisha qejf ato shënimet për këtë treg se më dukeshin sikur tjetër thoshin. Cigarja kishte këndin e caktuar edhe në familje ku jetonin edhe fëmija, në lokale publike, por në se e shkelje qoftë edhe pakë, penaliteti ishte tepër i rëndë, madje barazohej me atë, në se hidhje një camcakiz në rrugë.
Liqenet, shumë qenkan, shumë!
Liqenet e Torontos janë një mrekulli më vete, janë shumë, një miku im edhe kishte vjershëruar, të cilën ma lexoi një ditë, i mahnitur prej tyre, sepse kishte ardhur rishtas, kishte qenë edhe ai oficer e ishte formuar me rregullin që edhe i mungonte në Shqipëri e që thoshte se edhe Shqipëria ka shumë të mirat e saj e sidomos plazhet verore të rivierës shqiptare. Dhe kishte vjershëruar në mënyrën epike të tij:
Vatra plotë liqene.
Shumë qenkan, shumë.
Ngjajnë dhe si dete,
Ngajnë dhe si lumë.
Kur i sheh nga larg
.ngjajnë me njolla hëne.
Kur u qase pranë,
sheh fytyrën tënde.
Dimrit kryesisht ose tërësisht të ngrirë, verës të frekuentueshëm për plazh, rreth tyre, në breg hidhet zhavor, por edhe në brendësi të tyre, të pastruar sa më s’ka, të kthjellët po ashtu që t’i pishë, që qarkullojnë me njëri-tjetrin e që lidhen bisht pas bishti pambarim, rreth tyre me plotë pemë edhe mbi shekullore si driza të buta, panja, bline, lisa, rrush i egër kokërrvogël, mollë të egra, parqe pranë tyre, lëndinë me barë të kositur e të kultivuar por edhe të pajisura me tavolina, stola, pishina të cekëta në formë saçi me kupën nga lartë lart për fëmijët e vegjël, me fusha tenisi, me kënd për qentë, me kopshte ku kultivohen zarzavate e që mund të marrish në se je nevojtar, por që nuk i prekte kush me dorë, me tualete, me makinën e akullores që kur vinte lëshonte një muzikë që derdhen fëmijët rreth saj e që personeli edhe lozte me ta e i dëfrente me shakatë që bëjnë, me pistë për patina, me pistë akulli në dimër, me lavjersë, lëkundëse, rrëshqitëse, hapësirë vrapimi, pedalimi me skuter, biçiklete. Etj, etj.
Liqenet e Torontos janë nga më të ndryshmit, të lundrueshëm, me ura lidhëse, me dërrasë druri anës për shëtitore, me shkallë ngjitëse e zbritëse, mbushur me shpendë të egër, rosa, pata, që të rrinin tek këmbët nga që nuk i trazonte njeri, pulëbardhat e ketrat atje ta rrëmbenin biskotën nga dora. Ato ishin edhe vende plazhi për njerëzit, sepse sikurse dihet, oqeani ka vështirësitë e veta. Rreth tyre ka vetëm akomodim, ka stola, ka tavolina, ka rrugë për të ecur në këmbë, për të pedaluar, etj. Anës liqenit ke edhe kujtesat si: kujdes bimë heluese, gjarpër jo helmues, mos shko më tutje, ndiq tabelat, ndiq shënjat, etj.
Ta hedhësh arapashin e Labërisë në gjethe panje
Panja është një pemë e madhe malore me gjethe të gjerë tip rrapi, mbase është edhe e njëjta familje, sepse ngjasojnë shumë. Kjo na ndodhi edhe në një një takim shqiptarësh, që nga që nuk patëm pjata mjaftueshëm, servirëm në fletën e panjës, ishte e këndshme, por e patëm vështirë ta gjenim, sepse atje nuk këput dot një gjethë, jo më disa. Sidoqoftë, në mënyrën tonë, ne e bëmë. I lamë mirë dhe i përdorëm në vend të pjatës.
Mblidhen emigrantët, edhe pse tash qytetarë të hershëm kanadezë, në festat tradicionale, indianë, kinezë, europianë, nga oqeania, ne ditë të shënuara, kujtojnë, nderojnë, takohen, njihen, shkëmbejnë përvoja, japin dhe marrin adresa për t’u takuar përsëri, marrin fëmijët, nipat dhe mbesat, flasin vetën në gjuhën e nënës, vijnë aty personalitete të shtetit të tyre ose përfaqësues të pakicave, njerëz të kulturës, të sportit, të shkencës, deputetë, guru, sheikë, princër, atamanë.
Mblidhen edhe shqiptarët, për çudi ata jetojnë në pjesën më të pasur të Torontos, pranë kullës ose në qytetin pranë, shumë pranë Torontos, Misissuaga buzë një liqeni të madh ku është edhe një tabelë e madhe; Mirësevini në Toronto. Toronto është kryeqyteti kulturor i Kanadasë.Janë një komunitet i madh që edhe mblidhen por jo aq shumë sa të tjerët, psh indianët, afrikanët, ne jemi europianë e pak më të ftohtë, edhe pse jo norditë.
Njihen, këndojnë shqiptarët këngë popullore e të muzikës sonë të lehtë, këmgë popullore, pa vijnë edhe këngëtarë shqiptarë, psh një natë e gdhimë me Silva Gunëbardhin. Një ditë duke ecur buzë liqenit me biçikletë me nipat e mi dëgjoj:
Ndënë portokalle, moj
Të njoha unë ty
Gjysho, tha nipi me mbesën përnjëgojë, shqiptarë si ne, gjysho, ja ku janë buzë liqenit, poshtë pemëve, janë shumë fare, haha, shqiptarë si ne.
Ndala, ishin tek tridhjetë vetë. Në zgarë piqnin mishin, në një kazan të madh alumini bënin harapashin, kënga vu, fëmijtë laheshin, gratë kokë më kokë në një shtroje të madhe në bar e ndënë hije, ca loznin letra. I përshëndeta. Me sa kuptova, kryesishtë lebër. I urova të kalonin mirë, më ftuan me gjithë nipat por nuk ndenjëm, thamë, si të mos ishim shqiptarë, se na prishet axhenda e shpejt u pendova, një e moshuar rëmbeu dy brinjë qengji, i vuri në letër e ua solli nipave, gjest shumë shqiptar ky i nënave tona që kurrë nuk shkonin tek të vegjëlit me duart bosh, edhe sikur pak sheqer në bishtin e shamisë, një kokërr vezë, unë qesha e u largova duke i uruar, nipa thanë nirëupaaaaafshiiiiim.
Festat shtetërore
Atje, pothuajse, nuk perdoret fjala kombëtare, më shumë shtetërore, përkujtimore. Shkolla ku studjojnë nipat e mi është në rrugën Davenport, rreth shtatë a tetë kilometra larg nga kulla e madhe në Toronto. Shkolla është e veçuar, e rrethuar, me parking, me fusha sportive, me bokse për të lëvizur nxënësit, me pasdite që paguhet, me pishinë. Para ishte një fushë e madhe që fëmijtë ia fusnin vrapit, rrëzoheshin, baltoseshin e pastaj drejt e në klasë sikur nuk kishin bërë asgjë, tre tjerë, ato pak minuta, loznin basketboll, tabelat e të cilit ishin ngritur direkt pranë derës së shkollës.
Festa nderonte të rënët. U këndua Himni kanadez që nuk thotë më bijtë tanë, por njerëzit tanë, ai është redaktuar sepse bijtë diskriminon bijat, i përshëndeti një gjenerale në pension tek të tëtëdhjetat dukej, e gjatë si një selvi, me një trup të drejtë e tërë protokoll ushtarak që nga hapi, nderimi; që shkëlqente në ar nga dekoratat. Nxënësit ishin veshur me uniformën e ushtarit kanadez dhe demonstronin sikur sulmonin, sikur tërhiqeshin, bënin sikur binin, i tërhiqnin me barelë e me zvarritje në fushën e luftës, të gjitha imitime me balet, me komanda, boria e sulmit të rreqethte, e ç’nuk përjetova unë që kam qenë ushtarak për 20 vite në Shqipëri, deri në 1992, kur nuk u duheshim më për kombin. Këtu e ndjeva veten shumë keq. Ato të parat i kemi edhe ne, kush më shumë e kush më pak, kush më mirë e kush jo mirë. Ushtaraku atje ka status të zbatueshëm me përfitime të shumta. Psh në një resosr podrinor në dimër gjetëm shumë ish ushtarakë që i kishin akomoduar atje shoqata e ushtarakëve, falas, gratis dhe me protokoll shërbimi, jo do si do, të gjithë ishin veshur me uniformën e ushtarakut aktiv, me një distiktivë rezervist, në lirim ose në rezervë. I pashë dhe heshta e ula kokën. Po ne dreqin, a nuk jemi të tillë, kur e kush do të interesohet edhe për ne një ditë, që të shkojmë në një shtëpi pushimi ushtarakësh gratis . Po bëj pak humor, një shoku im i tha shokut tjetër që t’i bënte të fala atij më tej, ka vdekur i tha ky. E ai: “po pse, mua të gjallë më di?!”
Në shumë vende kishte obeliskë ose një pllakë e thjeshtë kujtese bakri buzë rrugës a buzë liqenit, ku shënoheshin betejat kundër invadorit, pjesëmarrësit edhe sikur tremijë të ishin, të rënët, atje lexova Meçan Luzati, Albania, vullnetar nga SHBA i rënë martir e që u gëzova, megjithëse ai kishte lënë jetën, ose ta them tamam, u krenova që paskemi luftuar e paskemi rënë edhe atje në luftën kundër nazizmit. Obelisku ishte shumë i lartë, të paktën tek 20 m, buzë liqenit, për rreth vetëm imitacione pengesash lufte, lule, anash pemë, dhe bosh pothuajse rreth e rreth, një shesh i madh sa ai i Tiranës tonë sot.
Festa e të vdekurve
Ajo që nuk më pëlqeu e që edhe jam ngjethur, ishte përkujtimi i asaj feste që mu duk makabre, se veç kungujve me tipare njeriu të gdhendur, ekspozoheshin kokalle, qefine, gjak, kafka, pluhurosje. Fëmijët visheshin sikur edhe tek ne tani në Tiranë, si fantazma e shkonin derë më derë e merrnin ëmbëlsira, aq sa nuk i ngrinin dot e u duheshin edhe prindërit me vete. Ajo festë zgjaste disa ditë e të terrorizonte, por që njerëzit atje ishin mësuar.
Atje kishte nisur edhe nje debat në se duhej bërë aq madhërisht ai rit, megjithatë ajo festë për herë e më e madhe, bëhej. Fëmijët e donin. Mbase nga që visheshin ndryshe atë ditë. Unë u shmangesha edhe kur kaloja rrugës. Prindërit harxhonin per atë festë, me veshjen e fëmijëve e për vit duhej të blihej nje e re. Dy debate më bënë përshtypje atje, kjo festa e të vdekurve, që thoshin se origjinën e kishte nga Evropa nordike dhe për Babo natalen, në se fëmijëve dhuratat ua sillte babi me mamin apo plaku i vitit të ri e që mesatarja ishte se fëmijëve ashtu u pëlqente, t’u thoshin se ua solli Babagjyshi, edhe pse e dinin që i kishin blerë prindërit e tyre. Madje në një debat në klasë, që ishte vlerësuar shumë, një shqiptar nxënës i klasë së katërt të nivelit të ulët, kishte thënë se unë e di kush mi sjell dhuratat, por kështu më pëlqen të më thonë, ajo është një prrallë e në fëmijve prrallat na pëlqejnë, por edhe juve po. Ishte trajtuar fort në medja dhe ka rënë ngacmimi në këtë pikë.
Kur më pyeti një xhaxhai im shumë i moshuar se sa orë bën rruga në Kanada, i thashë tek nëntë orë vajtje e po aq edhe ardhje. Ou, tha ai, sa Vlorë Gjorm, aq e kemi bërë ne me mushkë, afër fare. Ja kaq afër e kaq larg jemi sot me njëri-tjetrin, që japim dhe marrim.
Te lumte Pena!
Bravo Ilirjan!
Tregime mbresëlenëse nga të cilat përfiton duke mësuar e edukuar prej tyre. Ndonse i dinë, mirë është t’i lexojnë, sidomos, administratorët e qyteteve tona, për t’u afruar sadopak atyre.