Nga Johana Lubonja
Rama Duwaji, një vajzë e “Gjeneratës Z”, artiste dhe ilustratore e stilit të qetë, është sot gruaja e kryebashkiakut Zohran Mamdani. Çfarë do të thotë sot të jesh gruaja e një kryeqeveritari?
Tradicionalisht, “gruaja e kryeqeveritarit” qëndron pranë tij, por nuk flet shumë, shfaq ndjeshmëri, por jo fuqi. Koha ka ndryshuar, por struktura mbetet e njëjtë. Edhe kur gruaja është e re, e arsimuar dhe e pavarur, shoqëria pret prej saj një version të modernizuar të së vjetrës: Një grua e përmbajtur, mbështetëse, me imazh të pastër. Edhe gruas më autentike i kërkohet të jetë “e balancuar” në fjalë, në veshje, në sjellje.
Rama ndërkohë, është pjesë e kësaj epokës së re. Artiste, moshë e vogël, pjesë e një brezi që ka dalë dukshëm jashtë kornizave. Nuk është ajo që pret shoqëria të jetë. Pikërisht këtu fillon problemi: çdo formë ndjeshmërie ose sinqeriteti, tani duhet të përkthehet në një gjuhë të pranueshme për publikun. Çdo gjë rreth saj do lidhet me pushtetin. Autenticiteti zakonisht fillon të tretet.
Lindur më 30 qershor 1997 në Houston, Rama ishte fëmijë e shpërnguljeve gjeografike, identitare dhe shpirtërore. Vajza me origjinë siriano-amerikane, u rrit mes Teksasit dhe Dubait. Nga kulturat e ndryshme, mësoi se përkatësia nuk është një vend fiks. Ndaj në ilustrimet dhe animacionet e veta, përzien kujtesën me migrimin, të përkohshmen me të përjetshmen.
U diplomua në Universitetin e Komonuelthit të Virxhinias, përpara se të merrte një master për ilustrime në Shkollën e Arteve Vizuale në Nju Jork. Pjesa më e madhe e punës së saj është bardh e zi, me skena që kujtojnë botën arabe, me tension të brendshëm politik. Në 2022, veprat e saj u përfshinë në dokumentarin e BBC “Kush vrau gjyshin tim”, që hetonte vrasjen e një politikani jemenas në vitin 1974.
Në rrjetet sociale, ajo nuk i fsheh bindjet e saj: denoncon “imperializmin amerikan”, “krimet e luftës të Izraelit”, dhe “spastrimin etnik të palestinezëve”. Qëndrime që rezonojnë drejtpërdrejt me ato të bashkëshortit të saj.
Kjo e bën atë një figurë të fuqishme dhe frymëzuese, por edhe e vendos nën një presion të dyfishtë: për të qenë njëkohësisht autentike dhe bashkëshorte politikisht korrekte.
Të jesh gruaja e një socialisti në Amerikë është, në vetvete, një akt politik. Në një vend që ndërton krenarinë mbi individualizmin dhe suksesin personal, bashkëshortja e një socialisti që ka marrë kaq shumë pushtet bëhet pjesë e një narrative që lidhet drejtpërdrejt do apo nuk do, me sfidimin e sistemit kapitalist. Nuk është e lehtë të kërkosh drejtësi kolektive në një vend që shpërblen interesin personal.
Ndaj ajo do shihet këtej e tutje, njëkohësisht si frymëzuese dhe e rrezikshme; si simbol i ndjeshmërisë, por edhe si figurë që shkon kundër rrjedhës së Amerikës konformiste. Kjo pozitë është e brishtë: çdo fjalë, çdo veshje, çdo shikim do bëhet lexim politik.
Në fakt, ne nuk e njohim Ramën, njohim vetëm imazhin që media prodhon për të. Ndoshta edhe ky imazh i shërben më shumë politikës sesa vetë asaj.
Historia deri tani ka treguar se figura e “gruas progresive” ka qenë thjesht një fasadë moderne. Struktura ka mbetur edhe kur kostumi ka ndryshuar. Disa mendojnë se maska dhe hipokrizia do vazhdojnë për sa kohë ekziston fuqia dhe pushteti. Për këtë arsye, Rama Duwaji mbetet tani për tani një figurë interesante jo për t’u idealizuar, por për t’u vëzhguar. Do ta ruajë autenticitetin dhe qëndrimet e saj? Apo nën efektin e pushteti do ndryshojë?
Në një kuptim, Duwaji mund të bëhet edhe një figurë që shkon përtej Amerikës apo politikës. Në shumë shoqëri të tjera, përfshirë atë shqiptare, dëshira për të qenë vetvetja përballë presionit për të qenë “e pranueshme” është një temë që rritet në prezencë bashkë me gratë.
Në Shqipëri, për momentin, imazhi i “gruas së pushtetit” shërben ende si zbukurim i pushtetit, jo si shenjë e emancipimit. Ndoshta pikërisht këtu qëndron dallimi me gra si Rama Duwaji, që nuk kërkon të duket perfekte, por e vërtetë.
Kjo, në thelb, është sfida më e madhe e çdo gruaje pranë apo brenda pushtetit: të mbetet vetvetja pa u bërë instrument i tij.
—-
©️Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
