Ish-kryetari i Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), Bedri Islami, e ka cilësuar vendimin e Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit të rëndë, disproporcional dhe të papranueshëm.
Sipas tij, aktgjykimi krijon një precedent shqetësues dhe ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si është trajtuar përgjegjësia e katër udhëheqësve të UÇK-së.
Islami, i cili i njeh nga afër katërshen e UÇK-së dhe ka bashkëpunuar me ta gjatë luftës, ka kundërshtuar pretendimin se ata kishin kontroll absolut mbi çdo veprim të strukturave të UÇK-së.
Ai në një intervistë për “Euronews Albania”, ka argumentuar se një kontroll i tillë nuk mund të ekzistonte në një formacion gueril të krijuar dhe të zhvilluar në rrethana lufte.
Më tutje, Islami ka thënë se e sheh Apelin si fazën kryesore të betejës për rrëzimin e vendimit, duke përmendur raste të mëparshme nga drejtësia ndërkombëtare ku dënimet e shkallës së parë janë ndryshuar ose janë përfunduar me pafajësi.
Islami ka kërkuar gjithashtu një angazhim më të madh institucional e diplomatik nga Kosova dhe Shqipëria për të analizuar aktgjykimin dhe për të mbështetur ekipet mbrojtëse të liderëve të UÇK-së.
Intervista e plotë:
Do rikthehemi edhe njëherë tek vendimi i djeshëm i Gjykatës Speciale dhe kam kënaqësinë të kem zotin Bedri Islami, ish-kryetar i Lëvizjes të Kosovës (LPK). Zoti Islami përshëndetje. Faleminderit që u bashkuat.
Bedri Islami: Faleminderit për ftesën!
I nderuar, si e patë vendimin dje? Cili është komenti i parë kur dëgjuat shqiptimin e atij vendimi?
Bedri Islami: Gjatë parashtrimit të vendimit, pra të asaj pjese të vendimit që bëri gjykatësi Smith, u parashikua, u mendua që do të ketë dënim, sepse gjithë hartimi i tij, pra, i asaj pjese që u bë publike, sepse dënimi të vërtetë ka disa qindra mijëra faqe, paralajmëroj që do të ketë një qëndrim të ashpër, megjithëse nuk mendoja se do të ishte kaq i ashpër dhe kaq ekstrem.
Është një vendim shokues. Është një vendim i cili e ka tronditur gjithë klasën politike në Kosovë, sidomos ata cilët në shumë vite jetë i janë përkushtuar çështjes së lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës, shtet ndërtimit dhe shtet formimit të Kosovës. Thelbësor, ose të thuash pjesë e Trupës drejtuese shumë e rëndësishme kanë qenë të katër shokët dhe miqtë tanë, të cilët morën vendimin e parë të gjykatës së faktit, si quhet, dhe tani presin apelin. Pra, ishte një vendim di proporcional i tmerrshëm, i jashtëzakonshëm. I papritur, mbështetur në të dhëna dhe dëshmi që nuk përbënin bazë për të ndërtuar një dënim të tillë, por që, si pritej, dhe si kishte ndodhur edhe në dy raste të tjera, rasti Limaj dhe rasti Haredinaj, të shpallte pafajësinë e plotë.
Mendoj se vetëm fakti apo shembulli që do të sjell tani, që në dy anët e barrikadave, pra në dy anët e asaj që gjykatësi Smith e quajti fillimisht konflikt i armatosur dhe pastaj e quajti luftë, ishin dy njerëz të cilët merreshin me propagandën, të cilët kishin fat krejtësisht të ndryshëm.
Nga njëra anë zoti Jakup Krasniqi, një militant i hershëm i çështjes kombëtare, i dënuar edhe më herët me 10 vjet burgim në demonstratat e vitit 1981, i cili kryente rolin e shefit të informimit, zëdhënës në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe në anën tjetër ishte ministri i Informacionit i qeverisë së Millosheviqit, të cilët, aktualisht njëri vazhdon të jetë president dhe synon të zgjidhet kryeministri i Serbisë, ndërsa tjetri i cili ishte në mbrojtje të vendit të tij, ishte në mbrojtje të vizionit edhe të idesë së tij të lirisë, të popullsisë civile, dënohet me 25 vjet burgim.
Zoti Krasniqi ishte vetëm një vit në funksionin e zëdhënësit të UÇK-së, nga qershori i vitit 1998, deri në qershorin e vitit të ardhshëm, dhe, megjithëse ndaj tij nuk kishte asnjë dëshmi, asnjë, për arrestime, keqtrajtim, burgosje, lëndime, e aq më pak vrasje, përsëri është dënuar me 25 vite burg, më shumë se sa shefat e lartë ushtarakë serbë, të cilët bënë masakrat e shumta në Kosovë. Ndërsa ministri i Informacionit të qeverisë së Millosheviqit, presidenti serb Vuçiç, gjatë kësaj periudhe kohore, mbulonte dhe arsyetonte vrasjen e më shumë se 11 mijë shqiptarëve, djegiet e qindrave e mijëra shtëpive, përdhunimet makabre të 20 mijë grave e vajzave, varret masive, në anën tjetër, një ish mësues, përpiqej për lirinë e vendit të tij, për ruajtjen e jetës njerëzore, dinjitet dhe shtet të pavarur. Vetëm ky shembull dëshmon se sa i rëndë, i pa drejtë dhe i pa justifikuar është dënimi i dhënë.
Pra është një humnerë që krijoi dhe një precedent i rrezikshëm, i cili , në qoftë se do të mbetet në fuqi edhe në Gjykatën e Apelit , ose më tej, do të jetë, si të thuash, një teh shpate i ngritur mbi gjithë ato vende, mbi gjithë ato popuj të cilët kërkojnë lirinë e vendit të tyre, kërkojnë pavarësinë e vendit të tyre, kërkojnë të drejtat njerëzore dhe kërkojnë që populli i tyre të jetë i lirë dhe i bashkuar. Pra është një vendim i cili kalon të gjitha caqet e mendjes njerëzore, kalon të gjitha caqet e arsyes njerëzore dhe si i tillë është e natyrshme që është i papranueshëm, jo vetëm për popullin e Kosovës, por për gjithë miqtë dhe të dashamirët të cilët në vite dhe etapa të ndryshme ndihmuan qoftë në lirinë e Kosovës, qoftë në shtet formimin e saj dhe në pavarësi.
E kuptoj, zoti Islami duke u ndalur pak tek kujtimet tuaja me të katërt nga ta, ndoshta me zotëri Jakup Krasniqi më shumë, dhe me Thaçin më shumë besoj apo jo, pra me të katër, por ndoshta me këta të dy më shumë për shkak të pozitës. Kur dëgjuat atë artikulim të vendimit për këto torturat që pre supozohen që janë bërë, çfarë menduat?
Bedri Islami: Shikoni unë i njoh që të katërt nga afër. Kam bashkëpunuar me të katërt në shumë vite. Natyrisht me zotin Thaçi dhe Krasniqi kam punuar më shumë , sepse vetë pozitat ose funksionet që kemi pasur atëherë, kanë qenë të domosdoshme të kishim një lidhje të vazhdueshme dhe koordinim të vazhdueshëm, qoftë unë si kryetar i Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe Thaçi si drejtor politik i UÇK-së dhe njëkohësisht pjesë udhëheqëse e Lëvizjes Popullore të Kosovës. Por, unë i njoh nga afër këto njerëz. E di që kanë qenë të gatshëm të sakrifikonin gjithçka. E di që në të gjitha rastet kur ato kanë pasur informacion për ndalime të paligjshme ose për akte të tjera që kanë të bëjnë me trajtime jonjerëzore të të ndaluarve, ndërhyrja e tyre ka qenë e furishme. Por, jo vetëm kaq. Ekzistojnë mjaft dëshmi të tjera, që nga deklaratat politike, informacionet, komunikatat, intervistat, bisedat, rregulloret, të cilat kanë dëshmi të përbashkët pikërisht vëmendjen për të zbatuar çdo konventë ndërkombëtare, çdo ligj dhe, qartësisht është bërë e njohur se lufta jonë nuk ishte kundër popullsisë civile, ndaj atyre që mendojnë ndryshe, ndaj etnive që përbënin Kosovën. Deri në muajin shkurt 1999 asnjë protestë nuk ka ekzistuar nga shteti serb, nga institucione e organizata ndërkombëtare. E para e këtij lloji është nga një organizatë , me seli në qytetin Gopingen të Gjermanisë, për katër të zhdukur nga komuniteti serb në Kosovë, dy nga të cilët më pas u dëshmua se jetonin, ndërsa dy të tjerë kishin qenë bashkuar me para ushtarakët serb , në njësitë ndëshkuese të tyre.
Por gjykatësi Smith dhe katërshja që e përbënte trupën gjykuese, asnjëherë, në asnjë paragraf, nuk arritën të bënin të bënim të qartë, pra, përtej dyshimit të arsyeshëm që komanda hierarkie vertikale e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte kaq e përsosur, në mënyrë absolute e përsosur ,saqë çdo gjë që ndodhte edhe në njësitë e fshatrave, si quheshin në atë kohë pikat e fshatrave, të ishin të kontrolluara. Është një absurditet i jashtëzakonshëm, i cili nuk ndodh jo vetëm me një ushtri guerile e cila pati një rritje, një hov të shpejtë të rritjes pas 5 marsit të vitit 1998 , me rënien e fisit të Jasharëve dhe luftën heroike që u bë aty, por as në ushtritë më të përparuara të botës nuk ndodh kjo, një kontroll absolut. Në fund të fundit këto të katërt që u dënuan, pra, në shkallën e parë të gjykimit, nuk ishin as ushtarakë të lindur, as ushtarakë të përgatitur. Në shumicën e tyre ata , para luftës kishin qenë si gjithë të tjerët. Tre prej tyre ishin studentë, Hashimi, Kadriu dhe Rexha. Njëri ishte mësues, drejtor shkolle, kryetar i Lidhjes Demokratike të Drenicës, zoti Krasniqi. Pra nuk ishin njerëz të profesionit dhe nuk ishin mësuar me këto komanda. Hartimi i aktakuzës ishte si të kërkonte themi në një fjalë në Shkodër: ‘Halen e peshkut në përpeq”, pra e keqja u kërkua aty ku nuk ishte, gjykata ngulmoi të gjente të kërkonte dëmtimin, aty ku dëmtimi nuk ishte ndodhur dhe e krijoi, jm i bindur se jo rastësisht, përshtypjen përmes akt leximit sikur çdo arrestim, çdo keqtrajtim, çdo dënim, çdo dhunë, çdo vrasje ishte bërë jo vetëm me miratimin e tyre, por personalisht prej tyre. Pra ka një disakordancë të jashtëzakonshme, të dhimbshme, i cili do të ketë pasoja jo vetëm në jetën politike të Kosovës, jo vetëm në marrëdhëniet e ardhshme mes Kosovës dhe shtetit serb, jo vetëm në marrëdhëniet e ardhshme mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, por do të ketë edhe në vende të tjera që aspirojnë për çështje të lirisë dhe të pavarësisë së tyre. Është një vendim thellësisht i gabuar. Është një vendim tragjik për vetë sistemin e jurisprudencës ndërkombëtare, por, për më tepër, është edhe një dënim që i bëhet popullit të Kosovës, i cili e kërkoi dhe sakrifikoi për lirinë..
I nderuar, kam ndjesë meqë përmende popullin e Kosovës. Si duk ai artikulimi në emër të popullit të Kosovës?
Bedri Islami: Është tragjikomike. Domethënë në emër të popullit të Kosovës, ju, që ishit pjesë e lirisë, që ishit pjesë e ndërtimit të shtetit të Kosovës, e shpalljes së pavarësisë, do të qëndroni 81 vite në burg. Në mos qoftë cinike, nuk e di se çfarë është.
Populli i Kosovës kishte dalë në shesh, e kishte shpallur haptas verdiktin e tij, që ju shpallim të pafajshëm.
Unë e di që edhe në Kosovë mund të ketë njerëz që janë gëzuar nga ky dënim, se jo të gjithë e kanë dashur luftën. Jo të gjithë e kanë pasur e kanë dashur idenë e lirisë. Tani, mund të flasim sa të doni për atë idenë që popull heroik e popull patriotik, por çdo popull heroik ka pasur dhe bashkëpunëtorë të shtetit serb, ka pasur njerëz që e kanë dëmtuar luftën çlirimtare, nganjëherë e kanë dëmtuar aq shumë, saqë mendoj se kanë qenë shumë tolerant disa pjesë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në emër të popullit të Kosovës është shpall Pavarësia e Kosovës dhe e ka shpallur Hashim Thaçi, por në emër të popullit të Kosovës nuk mund të dënohen, jo vetëm Hashim Thaçi, Veseli, Krasniqi apo Rexhep Selimi, por nuk mund të dënohet as njeri, i cili ka marrë pjesë në luftën çlirimtare dhe i cili nuk ka kryer krime. Por, asnjëri prej tyre nuk u akuzuar për krime individuale. Vetëm në një rast Thaçi dhe Veseli për rastin e një shokut tonë të organizatës, për të cilin gruaja e tij ka bërë deklaratë me shkrim që është rrëmbyer nga forcat serbe dhe për fat të keq, gjykatësi Smith, edhe pse nuk dëshmoi për asnjë fakt konkret, tha se kjo u arrit nga këmbëngulja dhe mirëkuptimi i familjes. Behajdin Allaçi, ë nga drejtuesit e rëndësishëm politik të organizatës, në një kohë të caktuar, është shpallur Hero i Kosovës dhe familja ka qenë pikërisht te presidenti Thaçi për të marrë titullin. Më është dukur si një dëshmi e sjellë nga rrjetet sociale, pa dëshmi konkrete, ose injorim të tyre. Mjerisht më bëri shumë përshtypje fakti , nuk e di se deri ku është i saktë, që të katër gjykatësit janë serbisht folës. Ndoshta është një rastësi e hidhur, por është një rastësi që zgjon vendime jo të mira.
Nga ana tjetër, edhe në vetë strukturën e tashme të shtetit të Kosovës janë jo të pakët ata që i kanë shërbyer me zell krijimit të mitit të rremë për krimet e UÇK-së, të drejtuesve të saj, si një premisë për të ardhur në pushtet.
E ke fjalën për Donika Gërvallën apo jo?
Bedri Islami: Donika Gërvalla është një shembull, ka edhe të tjerë. Dimal Basha, tani ministër në kabinetin Kurti, ka mbrojtur temë shkencore dhe ka qenë pjesë e autorësisë në libra kundër UÇK-së, e megjithatë zoti Kurti e bëri kryetar të Parlamentit. Kjo është një temë tjetër. Edhe Kurti e di shumë më mirë sesa gjithë ne të tjerët se, në qoftë se nuk do miratonte Thaçi dhe Parlamenti në atë kohë, krijimi i Dhomave të Specializuara do miratohej në Këshillin Sigurimit, sepse Këshilli i Sigurimit, ShBA-ja, vendet kryesore evropiane dolën haptas se ne do e bëjmë.
Ka plot të sajuara, direkt dhe brutale, të folura e të shkruara, me padurimin e marrjes së pushtetit, ashtu dhe vetëm ashtu, mbi fatkeqësira, edhe të atyre në Hagë, edhe të vetë kombit, që opozita e djeshme në Kosovë, qeveria e tanishme, ka ngritur, ka akuzuar, e vazhdon ta bëjë përmes zërave shumë afër saj.
Qëndrojmë pak se a mund të zhbëhet gjykata tani? Ka më vlerë të zhbëhet tani gjykata?
Bedri Islami: Gjykata nuk zhbëhet. Teorikisht mund të zhbëhet, por nuk zhbëhet. Nuk zhbëhet, sepse ka shumë deputetë atje që nuk duan të zhbëhet sepse janë të kënaqur me pushtetin. Thaçi provoi, sepse Dhomave të Specializuara u mbaroi mandati, provoi ta zhbëj, dhe menjëherë, shumë nga këta që sot e akuzojnë Thaçin se pse ngulm,oi të ngrihej nuk deshën ta zhbënin. Pra, këtu ka vetëm një rrugë. Tani ka një rrugë dhe dy shembuj, që mund të ketë frymëzim për të vazhduar betejën edhe beteja natyrisht do vazhdojë. Rasti i gjeneralit Gotovina, i cili u dënua 24 vjet nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës me Karla Del Pontin dhe pastaj, në Gjykatën e Apelit proces që ndodhi pas 17 muajve, ai mori pafajësinë. Ose rasti i gjeneralit Rahman Ademi, i cili ishte shqiptar luftoi në Kroaci ,u dënua në shkallën e parë pastaj doli i pafajshëm, pra ka shumë raste të tilla.
Shikoni desha të theksoj diçka që mund të jetë interesante për njerëzit që ta dinë. Aty fol shumë që këto ky grup, pra drejtuesit kryesorë që u dënuan, synoi pushtetin përmes luftës. Është ndër absurditetet më të mëdha që mund të ndodh. Askush nuk del të luftojë se do bëhem ministër apo do bëhet zëvendësministër apo kryeministër. Në luftë, lufta është një diçka shumë serioze, dhe mund të vritesh, dhe trupin mund ta gjejnë pas disa ditësh, ose asnjëherë, sepse ofensivat serbe kanë qenë të jashtëzakonshme. Nga zona Operative e Drenicës, për shembull , ne kemi pesë komandantë brigade të vrarë, ku katër prej të cilëve kanë ardhur nga perëndimi. Kanë qenë të gjithë anëtarë të Lëvizjes Popullore të Kosovës. Ka qenë Heroi i Kosovës dhe i Shqipërisë Fehmi Lladrovci, Heroina Xheva Lladrovci, heronjtë Ilaz Kodra, Abedin Rexha. Pra, kanë qenë figura të jashtëzakonshme. Pra, nga pesë komandantët që janë vrarë , katër kanë ardhur nga perëndimi. Pse shkuan ata në luftë?, për tu bërë kryetar komune, ministra. Fehmi Lladrovci kishte luftuar kundër pushtuesit serb dhe në Kroaci ishte heroi që kishte çliruar Gospiqin. Me mijëra njerëz janë kthyer nga Perëndimi për të luftuar. Nga të gjitha shtetet perëndimore, deri përtej Atlantikut.
Gjithkush e di se Thaçi dhe Veseli , gjatë kalimit të kufirit, disa erë mund të kishin rënë në prita. Mund të vriteshin në prita, mund të kishin sot bustet dhe përmendoret e tyre nëpër Kosovë e t’i çonim edhe lule, siç ndodhi më shumë të tjerë, siç u vrarë Adrian Krasniqi, Zahir Pajaziti, shumë e shumë të tjerë që kaluan kufirin me armë. Tani ata akuzohen dhe pse keni futur armë në Kosovë. Me çfarë do luftoje, me hunj? Pra, tani është koha që, qoftë shteti shqiptar përmes ndihmës së diplomatik ose në fushën jurisprudencës të shikoj me qetësi çfarë mund të bëjë të rrëzohet ai aktvendim jashtëzakonisht voluminoz. Vetë fakti që janë munduar përmes volumit të mbysin idenë tregon se aty fshihen mjaft gjëra për të cilët mund të kapen dhe të përgatitet një mbrojtje edhe më serioze. Këtë duhet të bëjë edhe shteti i Kosovës, qeveria e saj, sidodos mbështetjen politike, juridike dhe financiare.
Kurti e tha do vijojmë mbështetjen. Tani gjithmonë u referohem fjalëve…
Bedri Islami: Ai nuk është i çmendur që të thotë nuk e vazhdoj mbështetjen, por varet se si dhe sa është sasia mbështetëse. E ka detyrë shteti shqiptar, sepse dhe shteti shqiptar ka qenë dje në bankën e të akuzuarve, pavarësisht se nuk është dënuar kurrkush, sepse në dy rreth të Shqipërisë së Veriut, dy rrethe u përmendën kaq shumë herë në atë një pjese të vendimit të zotit Smith, sa që Shqipëria tani ka përgjegjësinë e saj për të sqaruar çfarë kanë qenë ato. Kanë qenë kampe dënimesh apo kanë qenë kampe stërvitje. Janë vrarë apo nuk janë vrarë njerëzit aty
Thuheshin se në veri edhe në aktgjykim thuhej në veri të Shqipërisë, pra në disa zona në veri të Shqipërisë…
Bedri Islami: Është detyrë e Shqipërisë tani të futet në këtë lojë më fuqishëm, jo vetëm me deklarata politike, sepse ato deklaratat politike harrohen shpejt. …apo në mënyrë konkrete të bëhet diçka, e cila do ndihmojë në çështjen kombëtare shqiptare.
Zoti Islami faleminderit! Shumë kënaqësi që kisha në këtë bisedë. Shpresoj t’ju kam sërish për të folur sërish për këto zhvillime pozitive jo për dënime, por për pafajësi në apel.
Bedri Islami: Faleminderit shumë. Jam plotësisht i bindur se do të ndodh kjo.
