Në historiografinë ushtarake italiane, rasti tragjik i divizionit “Peruggia” përmendet si një ndër shembujt më të dhimbshëm të shfarosjes së një grupimi të organizuar ushtarak pas firmosjes së kapitullimit të Italisë fashiste më 3 shtator 1943. Nga ana tjetër, për arsye se me këtë emër lidhet edhe një ndër përpjekjet më të propaganduara të nacionalistëve shqiptarë si luftëtarë kundër fashizmit, që u shoqërua me shumë jetë të humbura e sidomos me atë të njërit prej eksponentëve të zëshëm të Ballit Kombëtar, Hysni Lepenica, odiseja e “Peruggia-s” që zë fill me ngjarjen e Grehotit: (kazermat italiane pranë Gjirokastrës) është përmendur shumë herë.
Megjithatë, në kohën kur kemi mundësi të shfrytëzojmë dëshmi personazhesh, dokumente dhe hulumtime nga të gjitha palët e përfshira në këtë ngjarje, është e udhës t’i rikthehemi asaj çka ndodhi shtatorin e mbi 72 viteve të shkuara në trekëndëshin Gjirokastër-Sarandë-Porto Palermo, me synimin e hedhjes sa më shumë dritë mbi shfarosjen e mijëra ushtarëve e oficerëve italianë që kërkonin me dëshpërim, të ktheheshin në atdhe.
Divizioni “Peruggia”, pjesë e korparmatës IV të ushtrisë italiane, kishte zbritur nga Mali i Zi në muajt korrik-gusht 1943 për t’u dislokuar me komandë në Grehot të Gjirokastrës, duke zëvendësuar divizionin “Firenze” me detyrë kontrollin e linjave Gjirokastër-Porto Edda (Sarandë)-Tepelenë-Këlcyrë. Siç dihet, firma e daljes nga lufta e marshallit Badoglio me forcat aleate më 3 shtator 1943, që zyrtarizoi kapitullimin e qeverisë fashiste, u anonçua për trupat italiane jashtë vendit më 8 shtator dhe ky lajm nuk mbërriti kudo.
Ndaj dhe lajmin e daljes nga lufta (Massimo Coltrinari, La resistenza dei militari italiani all’estero), më shpejt e morën vesh rastësisht nga radioja ushtarët italianë, sesa komandanti i divizionit, gjenerali Chiminello. Në kaosin që lëkundej mes gëzimit për kthimin në shtëpi dhe pikëpyetjes sesi duhej vepruar, komanda italiane kontaktohet si nga krerët partizanë shqiptarë të Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër (ku ndër negociatorët kryesorë ishte edhe majori anglez i atashuar pranë tyre, Tillmann), edhe nga Balli Kombëtar, që u kujtua se ky ishte rasti për marrjen e armëve dhe logjistikës së bollshme në këmbim të sigurisë për kthimin e trupave në atdhe. Pa harruar se po ato ditë, kishte mbërritur edhe një oficer gjerman që parashtroi po ato kërkesa.
Këtu zë fill mpleksja e situatave mes pavendosmërisë italiane në pritje të kotë të urdhrave eprore, presioni i ballistëve dhe partizanëve, shthurja e disiplinës mes oficerëve dhe ushtarëve italianë dhe keqkuptimeve që sollën të ashtuquajturën “luftë të Grehotit”. E nga të gjitha burimet konfirmohet të paktën një fakt: Që komandanti i Ballit Hysni Lepenica, atë pasdite të 14 shtatorit 1943 nuk u vra në luftime me italianët, por u zu në një shkëmbim fatkeq zjarri fillesa e të cilit ende mbetet misterioze. Ja çfarë thonë dy dëshmitarë të palëve kundërshtare për këtë fragment.
Limoz Veip Runa, i datëlindjes 1918, nga Nivica e Kurveleshit, në dëshminë e tij pas viteve 90-të për luftën e Grehotit, ka shpjeguar se:
“Mbasi u angazhova në detyrën e kryetarit të çetës së Ballit për Nivicën dhe kam qenë në Drashovicë, në fshatrat e Lumit të Vlorës, në Mifol me të gjithë çetat e Kurveleshit, u ndodhëm në Gjirokastër, kur Italia nënshkroi aktin e kapitullimit. Vendosëm që t’i bënim një ultimatum forcave italiane që ndodheshin në Grehot dhe për ta dorëzuar isha caktuar unë, sepse dija italisht dhe anglisht. Ende pa shkuar të dorëzoja ultimatumin, vjen Hysni Lepenica, i cili kishte disa ditë që kishte marrë detyrën e komandantit të Ballit për zonën Vlorë-Gjirokastër dhe do të shkonte për në Libohovë.
I them, se ne kemi vendosur që italianëve t’iu japim një ultimatum që të dorëzohen tek ne, ballistët. Hysniu më thotë: “Veproni!” Atëherë paraqitem tek dera e komandës italiane me ultimatumin në dorë, ua dorëzoj dhe u jap 4 orë afat. Komandanti italian, më kërkon leje që të shkojë në Gjirokastër, që të merret vesh me eprorët e tij dhe kur u kthye ishin së bashku me një major anglez. Majori anglez ndikoi shumë mbi të, në mos ai e vendosi, që italianët të mos u dorëzoheshin ballistëve, por partizanëve.
Kur ne kemi shkuar në Grehot për të dorëzuar ultimatumin, ngritëm flamurin kombëtar por në këtë kohë vijnë Bedri Spahiu, Liri Gega, Dilaver Poçi, Nexhmije Hoxha dhe ngulin flamurin e tyre krahas flamurit tonë. U thashë: O hajdeni me ne, ose largohuni. Ata u larguan. Ndërsa unë prisja tek dera përgjigjen e ultimatumit, nuk u mor vesh se kush bëri një provokim dhe italianët filluan të qëllojnë nga të tëra anët. Ballistët ishin të papërgatitur, dhe u zunë krejtësisht në befasi. Aty janë vrarë 36 veta, nga Nivica, Progonati, Lekdushi, Golemi etj. Vetë, u plagosa dhe urgjent më çuan në spitalin italian. Në kohën që plasi lufta, Hysni Lepenica kthehet nga Libohova dhe aty vritet. D.m.th, në atë pellg të vrarësh ku ndodhi masakra, u vra edhe Hysni Lepenica me gjithë shoferin e tij nga Lekdushi, jo se ka qenë Lepenica në luftime, siç është interpretuar… Ballistët u prenë ujin italianëve dhe në këmbim të oficerit rob italian më tërhoqën edhe mua, duke më dorëzuar tek Balli, ndërsa vetë italianët, zbatuan dorëzimin e tyre për tek komunistët, rrugës për në Sarandë”.
Nga ana tjetër, ish-partizani Mexhit Kokalari i datëlindjes 3 korrik 1924, avokat, publicist e historian, tregon:
“…Para ngjarjes së Grehotit, Bedri Spahiu na këshilloi të mblidhnim kafshët për të ngarkuar armët e italianëve, pasi këta kishin thënë se “armët do t’ua japim partizanëve të Enverit”. Në atë kohë Hysni Lepenica i shoqëruar nga doktor Imami (më pas drejtor i spitalit ushtarak të Tiranës) ishin mbledhur për drekë tek shtëpia e Sefedin Hadërit në Hazmurat të Gjirokastrës. Aty ishte doktor Imami, Hysni Kapo, Koço Muka, Safedin Hadëri dhe po diskutonin. Gjithçka që u zhvillua në Grehot, unë kam qenë prezent, sepse pasi mblodhëm kuajt në Lunxhëri, u nisëm drejt Grehotit, të bindur se do dorëzoheshin municionet nga italianët. Sipas tyre, gjenerali Chiminello pat thënë se armët do t’u jipen atyre që kanë anglezët me vete.
Në këtë kohë në kazermat hapin derën disa nga njerëzit e Partisë Komuniste që na thonë: Ikni se do plasë lufta. Ne sapo kishim kaluar Lumin e Thatë përballë kazermës dhe u befasuam se nuk ishim as të armatosur. Përpara nesh në rrugë kalon një makinë Mileçento e hapur me flamur shqiptar, që sapo u afrua tek porta e kazermës, u qëllua. Ky ishte sinjali i luftës që shpërtheu brenda kazermës për katër orë. Ne u tërhoqëm, duke lënë kuajt aty, pasi nuk e parashikonim se do kish luftë dhe u larguam barkas drejt Lunxhërisë. Pra, zjarri i italianëve u bë në drejtim të atyre qe kishin tek dyert, nacionalistëve. Në makinë na thanë se ishte Hysni Lepenica me Nano Gjonin (shoferin?!).Të nesërmen divizioni bëri lëvizjen drejt Delvinës….”.
Por është surprizuese për këtë përplasje, ajo çka thotë studiuesi italian Coltrinari një paragraf që po e sjellim në ligjëratë të drejtë:
“Një makinë që sillte një oficer madhor të regjimentit 130 të këmbësorisë, erdhi me lajme të këqija, Batalioni i Këlcyrës dhe i Përmetit, ishin çarmatosur prej partizanëve dhe ushtarët ishin vënë në rresht drejt Tepelenës. Pika e Tepelenës ishte çarmatosur nga gjermanët dhe italianët po i çonin drejt Vlorës. Mëngjesit të datës 14, kazermave u ishte prerë uji. Një komision i partisë nacionaliste shqiptare që ndërkohë bashkëpunonte me gjermanët erdhi sërish me një ultimatum që kërkonte dorëzimin e armëve brenda orës 17.00. Gjermanët nga Tepelena me telegram kërkuan që italianët të fillonin marshimin drejt Vlorës. Për të bllokuar zhvillimet, koloneli Lanza u dërgua në shtabin partizan ndërsa koloneli Rossi në atë nacionalist me të njëjtin mesazh “Nuk i dorëzojmë armët tek asnjë palë”.
Orët e para të pasdites, vjen nga Gjirokastra një kolonë shqiptarësh të Ballit Kombëtar, të prirë nga dy mesaxherë që kërkonin dorëzimin e armëve. U dha alarmi dhe mbi 60 gryka të rënda zjarri, veç armëve individuale, ishin gati. Por shqiptarët afruan në qetësi dhe në disa poste, shkëmbenin cigare me tanët, duke biseduar. Gjenerali Chiminello urdhëroi të mos shkrepej asnjë armë pa urdhrin e tij dhe ra në depresion të thellë psikik. Shefi i Shtatmadhorisë ishte edhe më apatik. Shqiptarët ishin ulur buzë rrugës duke folur mes tyre, disa hanin bukë, disa tundnin flamurin e tyre. Nuk dukeshin si grup luftarak, por si njerëz që kishin ardhur të merrnin plaçkën që u takonte (grupet e ballistëve shën.aut). Situata ishte e nderë. U tentua të kërkohej largimi i shqiptarëve ‘”ndërsa një postë ushtarake u zu prej tyre paqësisht, duke biseduar e zënë miqësi me italianët. Ndërkohë, se nga u dëgjua një krismë dhe pa asnjë urdhër, oshëtinë të shtënat nga të gjitha anët, si të shkarkohej një ankth i grumbulluar prej ditësh. Përplasja ishte e ashpër dhe nacionalistët humbën 300-500 njerëz. Më pas një komunikatë e tyre në Gjirokastër fliste për sulmin nacionalist ndaj kazermave italiane, për qindra ushtarë të vrarë dhe për 9-10 ballistë dëshmorë…”.
Sigurisht, një prej versioneve të pasluftës, ai i shkruar nga veterani Veiz Bajo që mban datën 10 prill 1984, nuk flet fare për përplasjen e italianëve me ballistët, por vetëm për lëvizjet e forcave partizane gjatë atyre ditëve në aksin Gjirokastër-Sarandë. Interesant është fakti që sipas Bajos, armët e forcave të divizionit u dorëzuan më 25 shtator:
“Më 25 shtator forcat e këtij divizioni, i dorëzuan të gjitha armët në Qafën e Gjashtës në Sarandë. Në atë mbrëmje, kur dielli i shtatorit sapo perëndonte, trimat e Duçes, që erdhën si triumfatorë më 7 prill 1939, tani u kishin rënë pendët, se i hidhnin përtokë pushkët, revolverat, mitrolozat, mortajat, topat, arkat me municione e bomba, flamurë dhe tërë salltanetet e tyre dhe largoheshin, si pula të lagura….” . Sipas Massimo Coltrinarit, armët u dorëzuan mesa duket nën urdhërat e gjeneral Chiminellos, më 27 shtator, pas marrjes së një radiogrami që konfirmonte rënien e Korfuzit përballë në duar të gjermanëve dhe dorëzimin e trupave italiane atje.
Megjithatë, para se divizioni të vihet në udhë drejt Sarandës mëngjesin e 16 shtatorit (dy ditë pas ngjarjes së Grehotit), duhet theksuar përçarja e thellë midis oficerëve madhorë italianë për mënyrën sesi duhej vepruar, në mungesë totale të urdhrave nga komanda qendrore e ushtrisë, tashmë e zhvendosur në Brindizi nën mbrojtjen e forcave aleate. I paaftë të marrë vendime, i tronditur psikologjikisht dhe nën presionin e oficerëve, sipas Coltrinarit, gjenerali Chiminello thirri një mbledhje të zgjeruar të oficerëve ku u peshuan të gjitha shanset. U vu re se ai, koloneli Lanza dhe disa të tjerë ishin pro dorëzimit të armëve tek partizanët shqiptarë, çka u kundërshtua fort nga koloneli i artilerisë Costadura, koloneli Cirino, kapiteni Tonzi e të tjerë. Përfundimisht, Chiminello u komunikoi personalisht ushtarëve se armët nuk do t’i dorëzoheshin askujt dhe se trupat do të viheshin në kolonë drejt Sarandës. Kështu ndodhi dhe italianët braktisën qytezën ushtarake të Grehotit duke i vënë flakën gjithçkaje që nuk e merrnin dot. Ata shoqëroheshin edhe nga një kamion e një blind i vogël gjerman (ndërkohë që vazhdimisht një avion gjerman vëzhgonte lëvizjet) dhe më 19 shtator pasdite, ushtarët e parë hynë në qytetin e Delvinës. Këtu një delegacion partizan hyri në bisedime dhe u ra dakord që momentin e imbarkimit në Sarandë drejt Italisë, armët e rënda t’u liheshin partizanëve. Por në Delvinë ndodhi edhe diçka tjetër, që do të shenjonte përfundimisht fatin e “Peruggia”-s.
Në dokumentet gjermane të Vermahtit, bobina T 501-259 dhe bobina 314-671 fondi KA XXI, në faqet 4-13 jepet e dokumentuar dhe e firmosur nga dëshmitarët okularë, kapiteni italian Antonio Tonzi, kapiteni Sogglio Marina, nëntogeri Bregam Evelino dhe gjermanët: Rreshterë Shreder Vilhelm, Mahn Husber, Lippeld Fritz, Dorm Manfred, tetar Lohude Hejnrich dhe topçinjtë Bahert Vilhelm, Honer Franc dhe Vildaner Horman, ngjarja e mëposhtme:
“…Më datën 15 shtator në orën 14°°, kaloi në Gjirokastër një automjet gjerman, i cili tërhiqte një kamion. Ishin 8 ushtarë gjermanë të ardhur nga Janina dhe donin të arrinin pranë njësisë së tyre në Vlorë. Meqenëse ata nuk kishin karburant ne vumë në dispozicionin e tyre 1000 litra benzinë, por ua ndryshuam mendjen pasi rruga ndërmjet Gjirokastrës e Tepelenës ishte ndërprerë nga partizanët… Për këtë shkak i ftuam udhëtarët gjermanë, për t’u bashkuar me kolonën tonë, që donte të çante nëpër Jorgucat, Delvinë dhe Porta – Edda (Sarandë) me qëllim që së këtejmi, duke kaluar në qafën e Llogarasë të arrinin në Vlorë. Nesër në mëngjes kolona e fortë e përbërë prej rreth 6000 vetash u vu në lëvizje, duke marrë me vete mjetet ushqimore, armët, municionet, lëndët djegëse dhe materialet e domosdoshme… Ne arritëm në Delvinë, e në rregull të plotë, zumë të gjitha fortifikatat dhe qëndruam në këmbë në këtë qytet. Popullsia ishte e arratisur nëpër male, u kthye dalëngadalë përsëri në qytet, por për habinë tonë më të madhe na u desh të shihnim, se nga ora në orë, po shfaqeshin nëpër rrugë gjithnjë e më tepër komunistë të armatosur, të cilët me pëlqimin e gjeneralit lëviznin lirisht dhe nxirrnin patrullat e tyre.
Gjenerali dhe koloneli Lanza në Delvinë, thirrën kapiten Tonzin dhe i thanë, se situata qenka shumë kritike dhe se mund të vazhdohet me marshimin për në Porta Eda, për shkak të mungesës në ushqime, dhe se prezenca e ushtarëve gjermanë dhe të 5 vullnetarëve shqiptarë (që të gjithë këta të dënuar për vdekje nga rebelët dhe të kërkuar dendur nga ata), na kanë vënë në një pozitë të vështirë. Pjesa më e madhe e forcave italiane, donte të qëndronte disa ditë në Delvinë me qëllim që të priste ardhjen e një vaporri në Porta Eda, i cili, të bënte transportimin e tyre për në Itali. Komunistët garantonin ushqim për ushtarët italianë (një racion në ditë, bukë dhe ujë). E kuptuam, se me ushtarët gjermanë dhe me ata vullnetarët shqiptarë që ishin nën mbrojtjen tonë, nuk mund të qëndronin më gjatë në Delvinë. Vonë, në mbrëmje bëmë një takim të shkurtër sekret dhe vendosëm, që patjetër të tentonim për të kaluar për në Janinë, nesër në orën 4 të mëngjesit…”.
Në fakt ky grup italiano-gjermano-shqiptar ia doli aventurës për të mbërritur në Janinë dhe siç shihet nga dokumentet, ata raportuan për gjithçka në komandën gjermane: Kush oficer kishte tendenca pro-partizane apo pro-gjermane, si ishte sjellë gjenerali Chiminello dhe shtabi i tij etj, etj. Të ashtuquajturit “vullnetarë” shqiptarë që kërkoheshin nga partizanët ishin Nexhmedin Bejleri e Xhaferr Beqiri nga Libohova, Dule Beshtka, Nole Roci, Nazmi Roshi, Hilmi Hoxha.
Mëngjesin e 22 shtatorit 1943, divizioni “Peruggia” mbërrin në Sarandë, plot shpresa për imbarkim. Por një ditë më pas, nga thellësitë e Kurveleshit zbresin në qytet rreth 1500 ushtarë të gjendje të mjeruar, të çarmatosur e të grabitur nga të gjitha palët. Gjithsesi, më në fund u arrit kontakti me shefin e shtabit të ushtrisë italiane nga Brindizi, gjeneralin Ambrosio dhe një trupë prej 1500 vetësh u arrit të transportohet. Shfaqet sërish në Sarandë i kudondodhuri Tillmann, që edhe njëherë i kërkon Chiminellos dorëzimin e armëve për llogari të partizanëve. Po atë ditë (më 26 shtator) një zbarkim gjerman prej 30 vetësh eliminohet apo zihet rob nga italianët e partizanët shqiptarë, por Korfuzi kishte rënë dhe Ambrosio dërgon pasdite këtë mesazh: “Korfuzi ra. E pamundur tërheqja e trupave nga Porto Edda. Transferohuni në Porto Palermo ku do mundësojmë transportin tuaj…”.
Orët e para të 27 shtatorit, të drejtuar nga koloneli Lanza ushtarët e lemerisur formojnë kolonën për t’u nisur drejt Porto Palermos. Por kolona nuk nisej: Partizanët shqiptarë kërkonin me ngulm armët sipas marrëveshjes se Delvinës. Më në fund, pas dorëzimit të shumicës së artilerisë, armëve e pajisjeve, italianët arrijnë me shpejtësi rrufe në Porto Palermo: 55 kilometra marshim brenda një nate. Por ky do të ishte fundi. Gjenerali Chiminello dhe stafi i tij mbetën në Sarandë, ndërsa ushtarët që u mblodhën në Porto Palermo dhe në rrethinat e Borshit (Coltrinari i vlerëson në rreth tetë mijë vetë) pritën më kot. Gjermanët kishin hyrë më të fund në Sarandë dhe nisën operacionin e titulluar “Spaghetti”, të eliminimit të divizionit “Peruggia”.
Më 2 tetor Chiminello vendos të dorëzohet bashkë me stafin e tij, ndërsa koloneli Lanza tërheq ushtarët e tij drejt maleve të Kuçit me shpresë se nuk do të arrihet nga gjermanët. Operacioni “Spaghetti” drejtohet në terren nga grupi më i sofistikuar, batalioni I i regjimentit 99 malor gjerman, i drejtuar nga majori Dodel. Disa raporte gjermane flasin për numra italianësh robër që variojnë nga 3000 në 4 mijë e ca vetë, që ekzekutohen më pas grupe-grupe ndërsa një pjesë tjetër mbahen si punëtorë hamallëqesh nga nazistët. Disa të dhëna mbi oficerët i jep Massimo Coltrinari: Gjenerali Chiminello dhe ndihmësi i tij major Bernandelli, ekzekutohen pasditen e 4 tetorit. Në Limjon të Sarandës, më 5 tetor 1943, ekzekutohen rreth 150 oficerë të “Peruggia-s”, trupat e të cilëve hidhen në det.
Më 7 tetor, pushkatohen në vend 33 oficerë të kolonelit Lanza të kapur në malet e Kuçit. Më pas, mijëra të tjerë çohen në Bitolje (Manastir) e që andej në kampet gjermane të përqendrimit. Përfundimisht kjo ngjarje në histori, qoftë nga këndvështrimet e Ballit Kombëtar, partizanëve, gjermanëve, italianëve dhe anglezëve, ka një të vërtetë: shtabi italian ka qenë i përçarë pro partizanëve, pro ballistëve dhe pro gjermanëve. Ajo që është anashkaluar është roli qendror i anglezit Thilmann, ndërsa si përfundim, me keqardhje duhet nënvizuar se shpëtimtari i munguar i situatës do të ishte gjenerali fatkeq Ernesto Chiminello, i cili nëse do të kishte marrë vendime të shpejta ato ditë të çmuara, siç shkruan Massimo Coltrinari,“ndoshta do ta kishte sjellë gjithë divizionin e vet shëndoshë e mirë në atdhe”.
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.