Nga Leart Kola
Botuar në DITA
Prej kohësh tanimë fushatat tona elektorale mungojnë në atë që duhet të ishte thelbi i tyre, debate për idetë se si duhet të zhvillohet vendi, kjo e fundit nuk bënte përjashtim, kryesisht për arsye të konfuzionit të opozitës, e cila nuk ishte e unifikuar as në ide as në organizatë, për pasojë pamë disa prej kandidatëve më të dobët të historisë së zgjedhjeve, ku numri 1 ishte Belo i Tiranës, një barcaletë levizëse që thyente jo vetëm rregullat inxhinierike (me nënkalimin e sheshit Skënderbej) por edhe ato të matematikës, kur në sondazhe shtoheshin njerëzit që deklaronin që nuk e njihnin (e si mund t’i vesh faj).
Në këtë atmosferë ishte e pashmangshme, që Partia Socialiste të fitonte një numër të madh Bashkish, madje duke thyer edhe bastione klasike të djathta, shpesh herë me një përpjekje minimale elektorale.
- Publicitet -
Kjo fitore dërrmuese krijoi ndjesinë e një panevoje për të performuar në aspektin programor dhe ne qytetarët u privuan për fat të keq, nga zgjedhja e ofertës më të mirë, e u desh të shkojmë me të vetmen ofertë të logjikshme, që ishte në tregun e ideve me njërën dorë duke votuar e me tjetrën duke kryqëzuar gishtat që kjo përgjegjësi historike, që i jepet PS të gjej sa më shumë njerëz të përgjegjshëm duke qenë se në horizont nuk po duket ndonjë kundërshtar serioz, që të vendosë në dyshim këtë forcë.
Sidoqoftë, pika besoj unë ku u arrit kulmi i fushatës, ishte ajo që u bë virale në internet, numërimi nga Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj i shkollave të ndërtuara e rindërtuara në Tiranë në emisionin opinion, një shifër historike, e dua ti përsëris sepse ndonjëherë me cinizmin që na ka kapluar nuk arrimë dot të përjetojmë lajmet e mira, por ky është vertet një lajm i mirë, sepse janë 40 shkolla të ndërtuara nga fillimi dhe 29 shkolla të rikonstruktura, një investim serioz dhe për një vend europian, jo më rajonal (nuk dua as ta krahasoj me Lul Bashën, kryetarin para Erionit, që jo vetëm nuk nguli një gozhdë por hoqi dhe ato gozhdat që ishin të ngulura).
Sfidën me punën fizike kjo administratë e ka fituar në këndveshtrimin tim, por ajo që mbetet për t’u bërë është një sfidë dhe më e madhe ajo që shkon përtej tullave dhe llacit, dhe është ndërtimi i një shoqërie të drejtë, një shoqëri që nuk ndërton për më të fortët e më të pasurit, por një shoqëri që ndërton për të gjithë pjesëtarët e saj, dhe që i jep një start të barabartë, sidomos anëtarëve më të rinj të saj.
Për këtë kam disa sugjerime se çfarë mund të bëhet brenda mureve të shkollës tani, që muret veçmë janë ndërtuar. Si mund të kthehet ky investim i madh në një motor jo vetëm të zhvillimit shoqëror, por edhe të korrigjimit të kapitalizmit, që gjithnjë e më shumë po ndan klasat në Shqipëri.
1. Ushqimi në Shkolla:
E di që kushton shumë, por nuk ka rëndësi sa kushton, sepse nuk ka kosto më të lartë se sa të privosh një fëmijë nga dija sepse nuk po merr vitaminat dhe proteinat e nevojshme. Nuk është vetëm një çështje pamundësie për ata që janë në nevojë (dhe pse sot është bërë e pamundur edhe për ata që rëndom quhen klasa e mesme), por një çështje e drejtësisë sociale, ku vetë shoqëria merr përsipër që të sigurojë një fillim të barabartë për të gjithë fëmijët, pavarësisht nga kushtet financiare të prindërve.
Kostot financiare që mund të paguajmë sot nuk kanë të krahasuar me të mirat që do të marrim në të ardhmen, clirimi i kësaj energjie shoqërore do e kthej këtë investim dhjetëfish (nëse flasim në terma ekonomik)
2. Shkollat si Qendra Didaktike:
Nuk e di çfarë ndodhi me shkollat si qendra komunitare, di që palestrat funksionojnë për komunitetin për aktivitete sportive, por ajo që kam në mendje është diçka më e madhe se aq.
Është një program që do të mund të ndihmonte edhe në aspektin didaktik. Ata që kanë mundësi dërgojnë fëmijët e tyre në kurse të ndryshme dhe ata që nuk kanë mundësi nuk e bëjnë këtë. Në këto kushte, ne i ndajmë fëmijët, duke shkaktuar padrejtësi sociale pse mos të ofrohen këto kurse falas nga shkollat pas orarit të mësimit që të sigurohemi se çdo fëmijë ka mundësinë e barabartë për të marrë dije dhe të gjithë më pas të jenë të barabartë përpara mundësive në të ardhmen, dhe secili prind të jetë krenar për këtë pa pasur nevojë të futet në borxhe për të plotësuar kërkesat. Për të mos përjashtuar më pas faktin, do ishte një hapësirë e rëndësishme për socializim dhe krijimin e komunitetit në një epokë ku teknologjia po rrit vetminë, jo vetëm te fëmijët, por edhe te të rriturit.
3. Një trajnim masiv për të sjellë mësuesit në shekullin ku jetojmë.
Më bëri përshtypje një letër e hapur që kishte bërë një nxënës, ku drejtohej ish-ministres së arsimit, Evis Kushi, me fjalët “të urrej që na bëre të bëjmë mësim dhe të shtunën.” Kuptohet prej kësaj letre që shkollat janë vende ku fëmijët duan të largohen sa më shpejt. Asgjë nuk mund të funksionojë nëse ata që janë përgjegjës për objektin e arsimit nuk e bëjnë atë një vend të këndshëm dhe modern.
Mesuesia mbetet një profesion ku dikush “ngec sa për një rroge” dhe jo pse e ka vokacion këtë pune
Shkolla ka nevojë të modernizohet jo vetëm në mjete didaktike, por mbi të gjitha në trurin e mësuesit. Ata duhet të pranojnë teknologjinë e re, të trajnohen për të komunikuar me fëmijët e lindur në epokën e internetit dhe të bëhen mjeshtrat e përshtatshmërisë në një shkollë që duhet të jetë një hapësirë ku fëmijët të kenë momentet më të bukura, dhe jo ato më traumatike.
Ne nuk e kemi ende këtë dhe për këtë arsye, duhet të investojmë në rroga, trajnime etj., që të kemi një staf më të kualifikuar i cili i mëson fëmijët të përballen me vështirësitë e këtij shekulli ku jetojme jo atij të kaluarit!
Shkollat i kemi, një pjesë shumë e rëndësishme e punës është bërë. Mbi këtë arritje duhet ndërtuar për shoqërinë e të nesërmes, e cila duhet të jetë jo vetëm më e zhvilluar, por edhe më e drejtë!
—-
©Copyright Gazeta DITA
Rubrikën e autorit mund ta lexoni çdo të shtunë në gazetën DITA. Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.