Prej muajsh në e-mailet zyrtare të Hoteleve të Sarandës po vijnë mesazhe “mashtruese” nga individë me të dhëna të rreme. Duke u hequr si klientë që duan të kryejnë rezervime apo si klientë të pakënaqur, ata dërgojnë mesazhe duke bashkangjitur skedarë të formatit .zip. Me pretendimin se kanë një listë pakënaqësish ndaj hotelit, apo kërkesa specifike lidhur me rezervimin, ata i kërkojnë personit që menaxhon e-mailin e hotelit, që të hapë këto skedarë me qëllim njohjen me të dhënat që klienti ka nisur.
Në jo pak raste, kërkesa është bërë edhe përmes aplikacionit “Whatsapp” në të njëjtën formë. Pas hapjes së skedarit, mashtruesi nga ana tjetër arrin të vjedhë të dhëna kompjuterike apo bankare duke mundësuar vjedhjen e parave nga kartat e klientëve. Ditën e djeshme, gjyqtari Alban Veçani ka pranuar kërkesën e Prokurores Esmeranda Basho, për detyrimin e kompanisë “Whatsapp” që t’i dorëzojë oficerëve të policisë të dhënat kompjuterike të një numri telefoni, me qëllim identifikimin e një personi që fshihet pas një rasti të tillë mashtrimi në Ksamil.
Konkretisht Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit me shkresën nr.1139k datë 29.05.2023 ka referuar materialet hetimore mbi bazën e të cilave është regjistruar procedimi penal nr.287/2023 për veprën penale “Mashtrim kompjuterik” parashikuar nga neni 143/b/1 i Kodit Penal. Në analizë të materialit ka rezultuar se në datë 22.05.2023, nga Oficerët e Policisë Gjyqësore të Njësisë “C”, Hetimi Krimit Kompjuterik, pranë Departamentit të Policisë Kriminale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, është shkuar pranë “O… Hotel”, në Ksamil dhe i është marrë kallëzimi i shtetasit E. T, pasi dyshohet se persona të panjohur kanë ndërhyrë në të dhënat e biznesit të tij.
Më datë 02.05.2023, ka bërë kallëzim penal shtetasi E. T. pasi ka konstatuar se më datë 12.04.2023 në aplikacionin e Booking i ka ardhur një mesazh nga klientja, Tina Mailes dhe në të cilin i kishte shkruar se ajo së bashku me shokët e saj do vinin në hotelin e tij. Ajo i kishte shkruar që ta kontaktonte në numrin e “Telegram” +447423*** dhe që ti kërkonte ti jepte të dhëna shtesë në lidhje me akomodimin e saj në hotelin e tij.
Tek mesazhi në Booking ajo i ka shkruar që ju lutem më kontaktoni në “Telegram” ose përndryshe do të bëj anulimin e rezervimit. Më datë 13 Prill 2023 i ka shkruar në rrjetin social dhe ka kontaktuar me të. Ajo i ka kthyer përgjigje më datë 12.04.2023 dhe i thoshte që kishte rezervuar një dhomë në hotelin e tij dhe i ka shprehur që kishte alergji nga një numër i madh kimikatesh dhe për këtë arsye ajo i ka dërguar një link i cili ishte në formatin zip dhe që ishte me password 2023. Ajo e ka njoftuar se ky link duhet të hapej nga një kompjuter sepse në aparatin celular nuk hapet.
Më pas kallzuesi e ka hapur këtë link në laptopin e tij dhe e ka shkarkuar. Mbas shkarkimit të “file” i cili ishte në formatin zip, ska konstatuar asnjë anomali dhe s’ka kuptuar asnjë. Më pas më datë 20 Maj 2023 i ka shkuar një mesazh në Boooking në të cilin i shkruanin se një nga klientët e tij ka pasur një faturim jo korrekt dhe se klientit i janë marrë më shumë para se sa kërkohej për të bërë rezervimin në hotel.
Gjithashtu, të premten më datë 19.05.2023 ka pasur një ankesë nga një klient tjetër i cili i ka shkruajtur kallëzuesit në “Whatsapp” dhe që i ka thënë që ishte një person i cili prezantohej si menaxhere e “O… Hotel” dhe me numër telefoni 00306982*** dhe që i kishte dërguar një link për të bërë rezervimin në hotelin e kallëzuesit.
“File-in” në fillim e ka shkarkuar në laptopin e tij dhe që më pas këtë laptop e kishte formatuar pasi dyshonte që hakuesit i kanë marrë të gjitha të dhënat e llogarive të tija nga ky laptop pasi aty i ka ruajtur të gjitha. Kallëzuesi ka dorëzuar me screenshot bisedat e zhvilluara në rrjetin social “Whatsapp”, “Telegram”, dhe tek “Booking”.
p.c. / dita