Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Humbës dhe krenar? Të ngopesh me lugë të zbrazët
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kulture > Humbës dhe krenar? Të ngopesh me lugë të zbrazët
Kulture

Humbës dhe krenar? Të ngopesh me lugë të zbrazët

Published: June 21, 2023
Shpërndaje

Dritan L. Kodra

 

Idiomat e një gjuhe përbëjnë limfën e saj, sepse, në mënyrë konçize, me fjalë të kursyera, shprehin një kuptim të thellë, duke pasur kështu një aftësi të madhe bindëse.  Idiomat kanë lindur nga përvoja e gjatë e një populli, nga vuajtjet e gëzimet e tij, nga rrjedha e kohës apo të papriturat e jetës së tij. Kështu është edhe kjo idiomë e shqipes: Të ngopesh me lugë të zbrazët.  Po në ç’rast, në ç’situatë na vjen në gojë një shprehje e tillë? Këto kohë, jemi të detyruar ta kujtojmë gjithnjë e më shumë kur shohim histerinë lidhur me fillesat e gjuhës shqipe, histeri që ka marrë një përhapje të çuditshme. Me këmbëngulje, me vetëmburrje, me arrogancë, persona të ndryshëm për nga përgatitja ose mospërgatitja kulturore, rreken të vërtetojnë se gjuha shqipe është nëna e të gjitha gjuhëve; se është gjuhë e natyrës; se kjo gjuhë nis me fillesat e njerëzimit, se nuk ekzistojnë gjuhë të tjera: të gjitha, po ama të gjitha, me çdo fjalë të tyre, janë shqip. Fjalë që na i kanë marrë, na i kanë grabitur. Këtyre “studiuesve” nuk u mjaftojnë dështimet që kemi pasur gjatë historisë: copëtimi i trojeve arbërore gjatë shekujsh, dëmtime të rënda që na kanë ndodhur edhe prej përçarjeve tona, e nga të cilat kanë përfituar të huajt për të na grabitur. Tani këta aventurierë shtojnë një dështim tjetër: sipas tyre qysh prej lindjes së njerëzimit,  gjuetia ndaj shqipes ka vazhduar pa u ndalur. Çka do të thotë se kemi pësuar humbje pas humbjesh, të cilat s’kemi qenë në gjendje t’i ndalim. Ndërkohë, grabitësit, me gjuhët e tyre “që s’janë të tyret”, kanë krijuar kryevepra të mrekullueshme, në art, në letërsi, në shkencat.  I kanë shijuar, i kanë pasur udhërrëfyes për të ecur përpara. Ne, të grabiturit, të humburit, humbësit, kemi mbetur duarthatë dhe, pra, s’na mbetet veç të ngopemi me lugë të zbrazët.  Të shpikim për të vërtetuar të pavërtetueshmen, të krijojmë një “shkencë” tonën, shqiptare, pa pyetur për shkencën botërore. Se kjo na ndihmon ta mbajmë kokën lart! Humbës vërtet por me kokën lart!

- Publicitet -

Kjo mani, ky fiksim për ta quajtur shqipen gjuhën e parë të njerëzimit, të shtyn t’u bësh pyetjen këtyre të fiksuarve pas vjetërsisë së shqipes: Pra, shqiptarët erdhën pas majmunëve? Sipas logjikës së tyre, kështu duhet të jetë. Dhe kjo më kujton një fëmijë, që, pasi dëgjonte prindërit të thonin se njeriu ka ardhur nga majmuni, pyeste: Ishin majmunët pastaj erdhën shqiptarët?  Fëmija i vogël me shqiptarë kuptonte njerëzimin. Po kjo logjikë funksionon me sa duket edhe për disa të rritur: Njerëzimi fillon me shqiptarët.  Kjo prirje, pjellë e një padijeje të padëgjuar, është një shërbim i madh që u bëhet armiqve të shqipes, sepse hedh poshtë studime të çmuara, të bëra me kompetencë të lartë shkencore nga studiues shqiptarë e të huaj të njohur edhe ndërkombëtarisht. Duke hedhur baltë mbi institucionet tona shkencore shkohet drejt triumfit të injorancës mbi shkencën.

Para disa kohësh prof. Xhevat Lloshi në një emision televiziv, shpjegoi, me një gjuhë të qartë e të kuptueshme për masën e teleshikuesve, funksionin e etimologjisë si shkencë që merret me studimin e prejardhjes së gjuhëve. Kjo përballje e tij me  të ekzaltuar që e quajnë studimin e shqipes territor ekskluziv të tyre, qe një guxim qytetar nga ana e tij. Së pari se pranoi  një debat mes gjuhëtarit dhe të vetëshpallurve gjuhëtarë, ndërsa debatet në rrafsh shkencor bëhen mes nivelesh të barabarta. Ndërsa profesorit iu desh të mbajë një gjakftohtësi të pashembullt duke duruar jo vetëm mungesë të theksuar dijeje, jo vetëm “argumentime” që s’ka institucion shkencor t’i pranojë, qoftë në Shqipëri qoftë në botë, por edhe ndërprerje fjale, ngritje zëri, mungesë edukate elementare.

Një tjetër emision, Arnautistan, i drejtuar nga Mustafa Nano, e preku përsëri këtë problem. I ftuar, profesor Edmond Tupe. Edmondi, me humorin e tij të njohur, kishte zgjedhur një mënyrë tjetër për  të vënë në dukje absurditetin e shpjegimeve etimologjike popullore. Kishte ndjekur logjikën e kësaj të fundit, duke “shpjeguar” prejardhjen nga shqipja të disa emrave e fjalëve të huaja, si p.sh. që emri i përveçëm Memfis vjen nga fisi shqiptar i Memave. Në goditjen e marrëzive, humori është më efikas  se kritika serioze.  Dikur thuhej me humor për Amerikën: ha, mer, ik. Tani po thuhet me seriozitet.

Këta persona, ndonjë edhe me tituj shkencorë, me pretendimet e tyre nuk ngrihen vetëm ndaj studiuesve shqiptarë të etimologjisë së shqipes, por edhe ndaj albanologëve të shquar ndërkombëtarë të djeshëm e të sotëm. E megjithatë kanë ndjekës, dhe jo pak. Problemi, pra, është më i madh  nga sa  duket. Te masa e paditur ata prekin telin e atdhedashurisë, por e ndier kjo atdhedashuri si kundërvënie ndaj kombësive të tjera, si mohim i arritjeve të të tjerëve, si karshillëk ndaj tyre, e deri si urrejtje ndaj tyre, çka shpie në një nacionalizëm të sëmurë. Këta ndjekës janë të lumtur që po “zbulojnë” se ne kemi diçka shumë më të madhe se vlerat e mbarë njerëzimit: kemi gjuhën nënë të të gjitha gjuhëve!! Nuk na mjaftojnë  mungesat e mëdha në kulturën gjuhësore e në atë të përgjithshme, nuk na mjaftojnë përpjekjet për shkatërrimin e standardit, ku hyjnë edhe prirjet për të krijuar komb kosovar e gjuhë kosovare, jo nuk na mjaftojnë. Prirjet shkatërruese nuk po njohin kufi. Bashkimi bën fuqinë, është  sentenca e njohur qysh në lashtësi, por për këta përçarës duket se po zëvendësohet me: Përçarja bën fuqinë.

Të këtillët ia kanë plasur shpirtin edhe atë Zef Pllumit, që qe shprehur: Nuk na sjell lavdi lashtësia në qoftë se nuk jemi të qytetnuem. Nuk na sjell lavdi origjina në qoftë se jemi të përçamë.

Por ka përgjegjës për popullaritetin e autorëve të “lugës së zbrazur”. Nuk janë pa faj disa medie, sidomos ato pamore. Duke i ftuar në emisione që kanë për detyrë të përhapin dije, bëjnë të kundërtën. Është një institucion që duhet të kontrollojë cilësinë e mediave AMA. Por është sikur s’është.  Lejon gjithçka.  Sikur të mos ekzistonte ky institucion, ç’mund të bëhej edhe më keq për t’u dhënë popullaritet e “besueshmëri” personave që marrin përsipër barrë institucionesh të paqena dhe hedhin poshtë ato ekzistueset?  Nuk është taktikë e re të bëhesh i besueshëm duke përzier  ndonjë të vërtetë, me gjysmë të vërteta e me gënjeshtra. Duke qenë gjuhë indoeuropiane, shqipja ka fjalë të prejardhura nga kjo gjuhë e përbashkët e trungut gjenealogjik indoeuropian. Se cilat janë këto fjalë, këtë ndërmerr ta shpjegojë shkenca e mirëfilltë, dhe kjo nuk është e izoluar, por merr parasysh arritjet, sugjerimet, konkluzionet e shkencëtarëve të njohur ndërkombëtarisht. Atëherë, pse po arrin të “bindë” kjo “etimologjia” jonë e vetëshpallur? Ky është një problem që s’duhet t’ i lërë të qetë institucionet tona, e edhe mbarë shoqërinë tonë. Problem që nuk mund të shkëputet nga problemi i gjendjes katastrofike të kulturës e të edukatës së masës, siç vërehet sidomos në rrjetet sociale apo në telefonatat në TV-të e ndryshme. Le të pyesim: Si është niveli arsimor i shqiptarëve? Jo i disave që shkëlqejë po i masës? Nëse sistemi ynë arsimor do të kishte baza të forta,  nuk do të shihnim kaq shumë gabime gjithfarësh kudo, në librat shkollorë, në administratë, në shtypin e shkruar e në mediat pamore, në librat, në rrugët tona, madje deri edhe te kartat e identitetit! Dhe nuk do të kishte as ndjekës të “lugës së zbrazur”. Mos është gjë pa rëndësi të kesh ndjeshmërinë e duhur ndaj kësaj dukurie që na nxin faqen?  Ndërkaq mbeten të pashqetësuara  institucionet tona kulturore, që do të duhej të ndërmerrnin një shqyrtim serioz të shkaqeve, të pse-ve ndaj një gjendjeje të tillë turpëruese. Herë pas here artikuj shkencorë analizojnë, shpjegojnë me argumente, me fakte të pakundërshtueshme, ç’është që i përket shkencës e ç’është që u përket shpikjeve haluçinante. Por mbeten zëra të veçuar dhe s’arrijnë të ndryshojnë gjë. Veç kësaj, shkenca është e vështirë, janë më të pëlqyeshme ëndrrat në diell. Shkenca kërkon përgatitje të gjatë, të përkushtuar, specializim sipas degëve të ndryshme. Në rastin konkret, kërkon specializim në gjuhësi, e veçanërisht në etimologji. Tani, këta të fiksuarit pas “lugës së zbrazur” ç’specializim kanë? Asnjëri nuk është gjuhëtar e aq më pak etimolog.

Ç’i shtyn atëherë të merren me një profesion për të cilin nuk kanë përgatitjen e duhur? Nëse do të shkëlqenin në profesionin për të cilin kanë studiuar, nuk do të kishin nevojë të përpiqeshin të “shkëlqenin”, të bëheshin “dikushi” duke mos lënë mjet pa përdorur. Dhe mjeti është përfitimi nga zbrazëtitë e mëdha të shumë shqiptarëve në njohjen e vlerave të vërteta të kombit.

Përshtypjes jo të mirë që ka bota për ne, po i shtojmë edhe paraqitjen si qesharakë. Se janë të pashmangshme disa pyetje: Me këtë gjuhë kaq të vjetër, “sa vetë njerëzimi”, ku i kemi veprat, historikisht? Gjuhët e vjetra dëshmohen me vepra, të cilat i kanë ndihmuar lexuesit e tyre të ecin përpara. Mos na kanë ndihmuar ne pllakat sumere apo hieroglifet egjiptiane? Dhe pyetja tjetër: Kemi fitim apo humbje duke u përqendruar tek e kaluara e gjuhës e duke e lënë atë të nëpërkëmbet  në ditët e sotme? Përse vlen kjo humbje kohe e humbje energjie, ç’përfitim na sjell? Na bën më të ditur, na afron me qytetërimin e na bën komb të përparuar?

Do të doja që, kur thirren në intervista, t’u bëheshin këto pyetje të fiksuarve pas “lugës së zbrazur”.

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • “Mbro tokën”, në kulmin e protestave, BE mesazh “mbështetës” për protestuesit
  • E rëndë në Gjirokastër, mbytet në pishinë një 15-vjeçar, shoqërohen disa persona
  • Si po e ndryshon protesta ekonominë e mbrëmjes në Tiranë, të rinjtë heqin dorë edhe nga koncertet
  • “Protestat masive në Tiranë, përtej çështjes së mjedisit”, Radio France: Mobilizimi i parë i madh dhe i pavarur kundër qeverisë
  • Dezinformimi si mjet politik: Si u fabrikua ‘zhvendosja e investimit në Mykonos’

Komentet e Fundit

  1. MH on Letër e hapur për kryeministrin Edi Rama nga një socialiste: Pse ti dhe ne nuk jemi më një?
  2. demo on “Mbro tokën”, në kulmin e protestave, BE mesazh “mbështetës” për protestuesit
  3. Ethem Lalaj on Letër e hapur për kryeministrin Edi Rama nga një socialiste: Pse ti dhe ne nuk jemi më një?
  4. nastradini on “Mbro tokën”, në kulmin e protestave, BE mesazh “mbështetës” për protestuesit
  5. nastradini on “Mbro tokën”, në kulmin e protestave, BE mesazh “mbështetës” për protestuesit

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?