Shënim i redaksisë
Këto kujtime të profesor Nasho Jorgaqit që nuk janë botuar asnjëherë më parë janë një trashëgimi e gjallë e shpirtit të tij, e sjellë në redaksinë e Ditës me mjaft dashuri e përkushtim nga e bija, Kristina. Për stafin dhe lexuesit, ky është një moment i veçantë takimi me pjekurinë e mendimit, pasurinë e përjetimeve, atë elegancë që vetëm penat e mëdha dinë t’i falin kohës. Përmes këtyre rreshtave, figura e çmuar e Nasho Jorgaqit i ndarë nga ne, 4 vite më parë, në 25 gusht 2022, rikthehet midis nesh jo vetëm si studiues e shkrimtar, por si njeriu i hollë, vëzhgues.i kujdesshëm i epokave, ruajtës i palodhur i memories kombëtare. Këto faqe mbartin atë ngrohtësi të brendshme, atë qetësi intelektuale dhe atë respekt për fjalën e shkruar që profesore Kristina ka ditur ta përcjellë me kaq finesë në vatrën tonë të përbashkët.
Ju ftojmë t’i lexoni këto kujtime si një bisedë të ngrohtë me historinë, letërsinë dhe jetën vetë, një dhuratë me vlerë të jashtëzakonshme që mban gjallë tisin e çmuar të mendjes e shpirtit të Nasho Jorgaqit:
Nga Nasho Jorgaqi
“…Pas ndarjes nga jeta të nënës së tim eti, Afrovitit, transferimit të babait në Ballsh dhe zhvendosjes së hallës sime, Elpiniqit, tek gjyshja në Fier, shtëpia në lagjen Shën Koll në Elbasan mbeti e shkretë. Në fakt, ajo ishte bërë e pabanueshme, për shkak të tuberkulozit, që kish prekur time gjyshe dhe xhaxhain. Merret me mend se çfarë duhet të ketë përjetuar im atë, Vasili, së bashku me të motrën, kur u desh të shkëputeshin një herë e përgjithmonë nga shtëpia atërore pa mundur të merrnin prej saj asgjë, madje as rrobat e trupit.
Ngjarjen e braktisjes së dhimbshme të shtëpisë mbaj mend që babai ma ka treguar një herë të vetme gjatë jetës, ashtu i kapluar prej një emocioni të thellë. Shtëpinë, shumë vite më vonë, do t’ua kërkonte një familje e varfër nga fisi, të cilëve babai ua dhuroi. Pasi e hapën dhe e dezifektuan, kushurinjtë u vendosën në vatrën e braktisur të Jorgaqëve, duke u shprehur mirënjohje të pamatë të zotërve të saj, që u treguan aq bujarë.
Në janar të vitit 1931 babai u martua dhe dasmën e bëri në Fier, në shtëpinë e gjyshes nga e ëma. Pas kësaj çiftin e priste streha e re në Ballsh, ku babai qe emëruar si gjykatës paqtues i nënprefekturës së Mallakastrës. Pak ditë pas dasme, familja e re tok me hallën arritën në Ballsh, në këtë qytezë-fshat, kryeqendër e krahinës, që shtrihej mes Myzeqesë e Labërisë.
Atyre që vinin për herë të parë, Ballshi u linte një ndjesi trishtimi. Me përjashtim të 3-4 ndërtesave, ku ishin zyrat shtetërore, të tjerat qenë ca shtëpi-kasolle të rralla e të shpërndara andej-këtej. Familja e re u vendos në shtëpinë e mikut të babait, Kamber Belishovës, një emër i nderuar i parisë mallakastriote.
Fillimisht shoqëria e babait do të përbëhej nga disa nëpunës të administratës së nënprefekturës, kurse me vendasit njohja e miqësitë do të vinin në punë e sipër. Mallakastra asokohe ishte një krahinë e pazhvilluar, me një popullsi të varfër, që merrej kryesisht me blegtori dhe ullishte. Njerëzit ama qenë të zgjuar e punëtorë, patriotë e trima, të besës e gjithë temperament, që të kujtonin më shumë malësorët sesa fusharakët. Ata tregoheshin të përzemërt e të respektuar me të ardhurit, veçanërisht me nëpunësit.
Gjykatësi i ri do të përballej në punën e tij kryesisht me probleme të tilla, si konflikte për çështje pronash, hakmarrje, shkelje zakonore etj. Do të kishte të bënte me një shoqëri në përgjithësi patriarkale, që ishte e ndarë në fise e klane dhe ku shtëpitë e para përpiqeshin të ndërhynin e të kishin privilegje në zgjidhjen e çështjeve gjyqsore. Siç do të më thonte më vonë im atë, atij do t’i duhej të tregohej i matur, i paanshëm në zbatimin e ligjit, por herë-herë edhe kurajoz.
Kështu shpjegohet respekti që fitoi dhe miqësia që lidhi me njerëz të nderuar të familjeve të shquara vendase. Ai mbeti mik për shumë e shumë vite me Kamber Belishovën, Bektash Cakranin, Zenel Hekalin, familjen Klosi e të tjerë. Qenë këta miq, që e ndihmuan për njohjen e jetës e të problemeve të krahinës dhe iu gjendën në situata të vështira. Familja jonë e vogël gjeti mikpritje bujare te shtëpia e Kamber Belishovës, që ngrihej mbi një bregore, prej nga dukej Ballshi. Aty do të lindja dhe unë një ditë të shtunë, në 30 tetor 1931. Ky ishte gëzimi i parë i familjes së re pas fatkeqësive, që kishte përjetuar babai me të motrën.
Ndërkaq puna e babait si gjykatës sa vinte e vështirësohej jo vetëm prej ngarkesës së madhe të gjyqeve, por edhe prej presioneve e ndërhyrjeve, që bënin një pjesë e parisë. Herë pas here atij i duhej të lëvizte me kalë nga një fshat në tjetrin, pasi puna e tij shtrihej në tërë krahinën. Pati kështu rastin të njihte e të provonte nga afër mikpritjen, bujarinë dhe miqësinë, që i falnin mallakastriotët.
Babai do të qendronte në Ballsh afro tre vjet dhe më pas, me që barra e punëve u rëndua, kërkoi të lëvizte. Në fund të vitit 1931 u emërua me të njëjtën detyrë në qytetin e Delvinës dhe në shkurt të vitit 1932, kur unë s’isha veçse një foshnje 3-4-muajshe, ne u larguam familjarisht. Detyra e babait si nëpunës i shtetit do të bënte kështu që Ballshi të figuronte si vendlindja ime në dokumentet zyrtare gjatë tërë jetës.
***
Transferimi i babait nga Ballshi në Delvinë do ta gëzonte familjen tonë të vogël. Delvina ishte një qytet i bukur e me histori, i ngritur në këmbët e malit të Sopotit, shtrirë mes gjelbërimit dhe ujërave të bollshme të Bistricës e të Syrit të Kaltër. Ne u vendosëm në një shtëpi të hijshme në lagjen Llakë, një lagje e krishterë në anën lindore të qytetit, ndër më të mirat asokohe.

Nga ky qytet, ku fillova të hidhja hapat e parë, kujtoj pazarin plot gjallëri dhe çezmat e shumta, por imazhi që më është ngulitur fort në mendje është ai i hënës, të cilën e shihja për herë të parë në qiell. Siç do të më tregonte mamaja, kur ajo u zhduk papritur e u fsheh pas reve, fillova të qaja duke kërkuar me këmbëngulje që ta shihja sërish. Mbresa do të më linte dhe kisha e qytetit, ku ime më dhe halla më çuan një të dielë për të më pagëzuar. Ngjyrat e ikonave, qirinjtë e ndezur dhe zëri i çuditshëm i priftit më bënë shumë përshtypje.
Me sa më ka treguar më vonë halla, kam qenë fëmijë i urtë, i dashur, i shoqërueshëm dhe aspak i bezdisshëm. Kaloja kështu nga krahët e mamasë në krahët e hallës e të grave fqinje. Tërhiqesha fort pas ngjyrave dhe aromave të luleve, të cilat më qetësonin sa herë qaja apo grindesha. Nuk më pëlqente të qëndroja i mbyllur në shtëpi, po, kur ndodhte, rrija në dritare dhe shikoja shpendët, kafshët dhe njerëzit, që lëviznin nëpër rrugë. Pas dy vjetësh u bëra me një vëlla, që ia vunë emrin Kujtim. Shtëpia u gjallërua, ndërsa unë, edhe pse u gëzova, bëja herë pas here skena xhelozie duke e trazuar dhe pickuar vëllain e vogël.
Kur jetonim në Delvinë, babai na mori një herë e na çoi në Korfuz për disa ditë. Për herë të parë pashë detin, që më habiti, por dhe sikur më trembi me madhësinë e tij dhe dallgët që përplaseshin në bordin e anijes. Nga Korfuzi më kanë mbetur turbull në kujtesë disa copëra pamjesh të qytetit dhe kishës së Shën Spiridhonit. Ne kishim atje dajën e babait, Mihal Tiçon, që ishte pronar i një hoteli me kazino. Babai me kolegët e tij dhe disa autoritete të nënprefekturës së Delvinës vinin këtu ndonjëherë për të luajtur e për t’u relaksuar.
Puna më së shumti, por ndonjëherë edhe miqësitë e detyronin babain të dilte jashtë qytetit. Delvina rrethohej nga fshatra të bukura dhe pjellore, si Bamatati, Stjari, Lefterhori e të tjerë. Në Bamatat babai mori dhe një djalë me rrogë, që e quanin Enver, për të ndihmuar mamanë në punët e shtëpisë dhe për t’u kujdesur për ne fëmijët. Punëtor dhe i sjellshëm, Enveri u bë pjestar i pandarë i familjes sonë. Madje dhe kur u larguam nga Delvina, e morëm me vete. Ai u rrit e u burrërua midis nesh. Fëminia ime s’mund të kuptohet pa Enverin. Ai u bë krahu i djathtë i mamasë, sidomos kur lindi vëllai i tretë, të cilit i vunë emrin Krisanthi, në kujtim të vëllait të babait të ndarë para kohe nga jeta. Më pas atë do ta thërrisnim Aleksandër.
Prindërit e mi ishin të kënaqur nga jeta që bënin në Delvinë, edhe pse të afërmit i kishin larg. Gjatë asaj kohe nuk mbaj mend që të kemi udhëtuar tek ata. Gjithë bota ime ishte e përqëndruar te shtëpia dhe oborri. Mbanim pula, që unë i kisha për zemër, sidomos kur çelnin zogj, por argëtohesha dhe me macen, Zusin, që e mbaja në prehër në dhomën e zjarrit. E teproja ndonjëherë kur e ngacmoja dhe e tërhiqja prej bishti. Duke u rritur, dashuria ime nuk ishte vetëm për babanë, mamanë, hallën, që s’më ndante nga vetja, për dy vëllezërit e vegjël, por edhe për Enverin, të cilit i qepesha prapa si manar.
Një ditë dëgjova nga mamaja që do të largoheshim nga Delvina, sepse babai do të shkonte me punë në një vend tjetër. Sic do të merrja vesh më vonë, ai e kish mbushur afatin e detyrës në Delvinë dhe ishte emëruar gjykatës në nënprefekturën e Konispolit. Ndërkohë një nga agallarët e atjeshëm nuk kishte pranuar që të shkonte atje një gjykatës i ndershëm dhe zbatues korrekt i ligjit. Kishte vajtur kështu në Tiranë dhe kishte takuar kryeinspektorin e oborrit mbretëror, Xhaferr Ypin. I kishte kërkuar që ai gjykatës të mos vinte në Konispol, por të degdisej në një vend tjetër sa më larg të ishte e mundur. Tim atë do ta transferonin atëherë në Tropojë me të njëjtën detyrë. Do të lëviznim kështu nga njëri skaj në skajin tjetër të Shqipërisë.
Për prindërit kjo duhet të ketë qenë një situatë jo e lehtë, pasi mbaj mend fytyrat e tyre të mërzitura dhe faktin që flisnin çobançe mes tyre për të mos u kuptuar. Ndërkohë unë i gëzohesha idesë së udhëtimit. Kurse miqtë e të njohurit ishin të shqetësuar se si do ta përballonin prindërit tërë atë rrugë deri në Tropojë, me tre fëmijë të vegjël. Na bindën të merrnim me vete dhe Enverin, pa të cilin nuk do të ish i lehtë ai udhëtim i gjatë e me probleme. Erdhi dita që do të niseshim, pasi mblodhëm plaçkat e shtëpisë dhe u ndamë me fqinjët e miqtë e familjes, ashtu mes lotëve dhe përqafimeve. Hipëm në një kamion të gjithë e me gjithçka kishim.
Para se të mernim rrugën për Tropojë, qëndruam disa ditë në Lushnje te gjyshi nga mamaja. Nuk e harroj gëzimin e madh që përjetova nga pritja aq e ngrohtë, që na bënë njerëzit e mamasë, kur arritëm atje. Kishin një shtëpi të madhe dykatëshe, ngritur mbi kodër, që zotëronte gati gjithë pamjen e Lushnjes. Ishte hera e parë që gjyshërit shikonin nipat, pasi lëvizja atëherë ishte e vështirë. Nuk dinim kujt t’i gëzoheshim më parë nga njerëzit e fisit, që vinin e na takonin. Ditët që qëndruam te gjyshi, m’u dukën si festë.
Gjyshin, Jakov Bozon, e ndërmend si një burrë të pashëm, me mustaqe e të thinjur, shumë të dashur me të gjithë, po sidomos me ne fëmijët. Sa ndenjëm atje, nuk na u nda një çast duke na përqafuar e duke na dhënë karamele e ëmbëlsira. Nuk dinte si të na gëzonte e argëtonte sa më shumë. Si nip të parë që më kishte, mua më mbante më afër, duke më marrë për shëtitje me kaloshinën e tij e pastaj më çonte në dyqanin e vet, ku u mburrej njerëzve për nipin që i kishte ardhur.
Një mëngjes më ngriti shpejt nga gjumi, më hipi përpara në kalin e tij kuqalosh dhe u nisëm për Golem, një fshat në të dalë të Lushnjes, ku kish pronat e tij. Rrugës, teksa qëndroja majë kalit, i habitur pas fushave të gjelbëruara dhe pemëve të lulëzuara, gjyshi zuri të më tregonte një përrallë me kuçedër. Më pas ia nisi të fërshëllente një melodi dhe herë pas here më puthte kokën. Kujtoj që pa pritur më shpëtoi çiçi, aq sa e laga dhe gjyshin. U ndjeva keq e fillova të qaja. Ai më shtrëngoi fort në gjoks dhe nisi ta ngiste kalin me të shpejtë deri sa arritëm sipër te kisha, pranë kodrës, ku ishte stani i bagëtive.
Atje zbritëm e u takuam me çobanët, që më futën mes tufës së deleve, prej nga pastaj nuk doja më të ikja. Kujtoj që më dhanë qumësht të ngrohtë të përsheshur me bukë misri. Ky do të ishte udhëtimi im i parë dhe i fundit me gjyshin, sepse pas disa ditësh ne u larguam nga Lushnja hipur në kamionin e ngarkuar me plaçkat e shtëpisë.
Rrugës mora vesh se po shkonim në drejtim të një qyteti, që quhej Shkodër, por që mua s’më thoshte asgjë. Bashkë me ne për të na shoqëruar erdhi dhe tezja, Urania, dhe burri i saj, Arqile Tiço. Nuk e di se ç’rrugë bëmë dhe sa orë zgjati. Mbaj mend vetëm që fjeta në prehrin e Enverit, deri sa më zgjuan kur iu afruam Shkodrës, dhe sytë më ndeshën papritur një kështjellë të madhe mbi kodër.
Buzë mbrëmjes, kur hymë në qytet dhe po kalonim me makinë përmes rrugës kryesore, në të dy krahët e saj u ndezën nëpër shtylla ca drita të çuditshme. Ato nuk u ngjanin llampave që kishim në shtëpi, apo fenerëve në rrugë. Qenë tjetërsoj, si ca poçe të rrumbullakta, që lëshonin dritë të fortë, e që, siç na shpjegoi babai, ishin dritë elektrike. Këtë dritë të bukur, që më çuditi, e pashë për herë të parë në Shkodër, ashtu siç më la pa mend edhe qyteti i madh me shtëpi të bukura dhe ca rrugë si në përralla.

Kur shkuam në hotel, atje na priste djali i xhaxhait të mamasë, Koli Bozo, që ishte student në gjimnazin e Shkodrës. Të nesërmen ai na nxorri shëtitje nëpër qytet. Ne fëmijët nuk dinim çfarë të shihnim më parë, ndaj ishim më shumë të habitur sesa të gëzuar. Na hutonin hapësirat e mëdha të qytetit, rrugët e gjera e plotë lëvizje, kambanoret e kishave dhe minaret e xhamive. Edhe njerëzit, madje, që flisnin një gjuhë, të cilën ne nuk e merrnim vesh. Pas shëtitjes, xhaxhi Koli na çoi të dilnim në fotografi të gjithë së bashku në studion “Marubi”, që ishte buzë rrugës kryesore.
Kur hymë brenda, mua m’u morën mendtë nga fotografitë e varura nëpër mure dhe nga dritat e aparatet e shumta. Mjeshtri që erdhi të na fotografonte, ishte një burrë i thinjur dhe shumë i sjellshëm. Ai na vendosi ne fëmijëve ulur, ndërsa të rriturit në këmbë. Gjithë ajo përgatitje zgjati aq shumë sa na humbi durimi, por më në fund burri prapa aparatit shkrepi një dritë vetëtitëse. Fotografitë pritëm nja dy-tre ditë për t’i marrë e pastaj s’dinim si të gëzoheshim kur pamë veten të fiksuar aq bukur. Ato nuk kishin lidhje fare me fotografitë që kishim bërë deri atëherë.

Në Shkodër ndënjëm disa ditë, pasi kishin filluar shirat dhe kjo e bënte të vështirë udhëtimin tonë drejt veriut. Ishte viti 1936.
***
Ishte mëngjez herët, mugëtirë, kur dolëm nga hoteli dhe u ndamë me njerëzit tanë, para se të hipnim në makinën që na priste. Dëgjova që plaçkat tona qenë nisur përpara. Ndarja ishte e dhimbshme, pasi shkonim në një vend të largët e krejt të panjohur mes malesh. Rrokeshim në qafë dhe fshinim në heshtje sytë e përlotur. Në një moment unë ia plasa të qarit, i ndjekur dhe nga dy vëllezërit e mi. Kujtoj tezen që mundohej të na qetësonte duke na përkëdhelur e duke na dhënë secilit nga një çokollatë.
Teksa makina u nis, mua nuk më hiqeshin sytë nga pamjet e qytetit që linim pas, deri sa dolëm në një rrugë të shkretë dhe prej andej vumë re majat e maleve të zbardhura nga dëbora. Nuk vazhduam gjatë me makinë. Ndaluam dhe zbritëm prej saj, atje ku na prisnin kuaj të mëdhenj, disa malësorë e një xhandar i armatosur. Prej këtej u bë nisja në një rrugë pa rrugë në drejtim të Tropojës. As sot nuk e di se çfarë itinerari ndoqëm, por dija se do të bënim një udhëtim shumë të gjatë e të vështirë. Siç dëgjoja nga bisedat e babait me mamanë, ne do të shkonim “në fund të botës”, “prapa diellit”, shprehje që atëherë nuk i kuptoja.
E vërteta ishte se atë ditë nuk kishte as diell dhe retë nxinin në të katër anët. Ishte shumë ftohtë dhe frynte një erë, që vinte prej maleve. Të gjithë kishim hipur mbi kuaj: babai në një kalë dhe mamaja në një tjetër, kurse ne fëmijët na vendosën në kalin e tretë, që ishte më i madh. Mua më hipën mbi samar, kurse Kujtimin dhe Aleksandrin i vunë në dy kashuna varur në dy anët e samarit. Na mbuluan me një velenxë të trashë e të ashpër, që na mbronte nga era e ftohtë, bora dhe shiu. Në krye na printe një burrë i gjatë, me feste të bardhë dhe mbledhur me një shami të zezë. Dy malësorë tërhiqnin kuajt, kurse xhandari me armë në krah ecte anash. Pas kuajve tanë qëndronte Enveri, i cili kujdesej për ne të vegjlit dhe na fliste herë pas here.
Gjatë udhëtimit, që s’mbaj mend sa zgjati, kaluam nëpër shtigje malesh me të përpjeta e të tatëpjeta, nëpër dëborë, përmes mjergullës e të ftohtit, që gati na merrte frymën. Një kalvar i vërtetë, që s’u përsërit më kurrë në jetën time. Për t’u shplodhur kuajt dhe ata që na shoqëronin, duhej të ndaleshim herë pas here. Madje, kur filloi të ngrysej, qëndruam në një kullë guri rrethuar me gardh të lartë, ku hëngrëm darkë e fjetëm.
Të nesërmen u vumë rishtazi për rrugë, në të njëjtin formacion dhe po në atë terren me ngjitje-zbritje, bri humnerave dhe përrenjve malorë, por larg shtëpive të pakta të malësorve, që dukeshin e zhdukeshin. Gjendja u bë më e rëndë, kur filloi një dëborë e dendur, që jo vetëm binte mbi velenxat tona, por na errësonte dhe pamjen e rrugës. Ndërkaq babai zbriste herë pas here të na shikonte dhe të na thoshte ndonjë fjalë inkurajuese a përkëdhelëse. Rruga nuk kishte të sosur dhe udhëtimit nuk po i shihej fundi, aq sa ne, të lodhur e të friksuar, zinim e qanim ose thoshim fjalë pa kuptim. Atëhere afrohej Enveri dhe na qetësonte. Po kjo nuk zgjati, pasi të papriturat vinin njera pas tjetrës, herë kur kuajve u rrëshqisnin këmbët nga akulli e herë kur shfaqeshin papritur kafshë të egra, që mua më kujtonin përrallat e dëgjuara në shtëpi. Më zinte frika edhe se mos na dilnin përpara hajdutët dhe na vrisnin.
Pjesën e fundit të udhëtimit ne fëmijët e kaluam në gjumë dhe, vetëm kur po afroheshim, babai dhe mamaja na zgjuan. Ne nxorrëm kokat nga velenxa e ngarkuar me dëborë dhe shihnim diellin, që kish dalë e shkëlqente në mes të qiellit të kaltër. “Dhe pak e do të arrijmë”, na tha babai duke na dhënë gështenja të pjekura. Kur dielli ishte mbi kokat tona, na u shfaq së largu pamja e një fshati të madh me shtëpi të shpërndara në një pllajë mali, përtej një lumi që shkëlqente nga drita e diellit. U gëzuam aq shumë, sa e hodhëm velenxën dhe lëshuam ca të bërtitura ngazëllimi. Ishim ndalur në një shesh mali, prej nga dukej një ndërtesë e madhe, ku qenë lidhur disa kuaj e përqark barisnin një tufë qensh. Ai ishte hani, ku do të pushonim. Babai na u afrua fytyrëqeshur dhe na zbriti nga kali duke na përqafuar një e nga një. Pastaj të gjithë së bashku, të kapur për dore, shkuam te hani, që të hanim dhe të pushonim. Aty babain e prisnin disa burra, që, siç do më thonte mamaja, qenë punonjës të nënprefekturës së Tropojës si dhe komandanti i xhandarmarisë.
Pasi pushuam dhe drekuam, u nisëm sërish për rrugë dhe pas disa orësh, më në fund, arritëm në Tropojë. Prisja të shihja një qytet, që t’i ngjante Delvinës, por u zhgënjeva, pasi më doli para syve një fshat i madh.

Hipur mbi kuaj kaluam nëpër një rrugë të gjatë, që përshkonte Tropojën dhe zbritëm mu në fund të saj, buzë së cilës gjendej shtëpia, ku do të banonim. Hymë në atë shtëpi dykatëshe të ndërtuar prej guri dhe u ngjitëm nëpër ca shkallë druri, ndërkohë që Enveri dhe dy malësorë me qeleshe sillnin plaçkat tona. Nga dritarja e pasme e shtëpisë vura re një të tatëpjetë të butë, që, siç do ta mësonim më pas, të nxirrte te hani. Në krah të rrugës ishin kovaçanet e Tropojës e ca kasolle, kurse përballë shtëpisë, ngritur mbi një kodër, qenë kazermat e rojeve të kufirit e më tutje, ato të xhandermarisë.
Ditët e para, përvec babait, ne të tjerët nuk dolëm nga shtëpia. Gjithë kohën mamaja me Enverin rregullonin e sistemonin plaçkat, që kishim sjellë me vete. Vetëm pas dy-tre ditësh trokiti dera e shtëpisë dhe erdhi një burrë i panjohur për të na uruar mirëseardhjen. Ishte i gjatë, i qeshur dhe fliste me zë të lartë me një të folur si e jona. Ky burrë, që më hyri në zemër menjëherë, e kishte emrin Halil Kadare dhe punonte me babanë në gjykatë si ftues gjyqi. Kish ardhur nga Gjirokastra në Tropojë për të siguruar një rrogë, me të cilën të mbante familjen, që e kish lënë atje. Kishte vetëm një djalë të vogël, që e quanin Ismail. Xha Halili u lidh ngushtë me ne e u bë njeriu i shtëpisë. Babai e ftonte shpesh, por ai vinte edhe vetë. Ne fëmijët gëzoheshim, se na sillte karamele e na tregonte përralla, ndërsa me babanë shtrohej në muhabet e bënte shumë shakara.
Pas disa ditësh do të ishte xha Halili që do të më merrte mua, si më i madhi i fëmijëve, për të parë Tropojën. Me të dhe babain kaluam nëpër një rrugë të gjatë dhe arritëm në qendër, te një shesh i hapur, ku ngriheshin disa ndërtesa zyrash, mes të cilave dhe gjykata.
– Ja, atje punojmë ne, babai yt dhe unë,- më tha xha Halili duke treguar ndërtesat me gisht. Mbaj mend që pas tyre kishte disa dyqane si dhe një kafene me karrige jashtë, ku shkuam e u ulëm. Unë rrija i heshtur teksa shihja i habitur malet që ngriheshin drejt qiellit, ashtu të zbardhura nga dëbora e me retë mbi krye. Për herë të parë dëgjova emrat e tyre, Shkëlzeni dhe Bjeshkët e Gashit, që, të dyja së bashku, thirreshin Alpet e veriut. Babai dhe xha Halili u shtruan në muhabet duke pirë kafe, por biseda e tyre u ndërpre kur erdhën në tavolinën tonë nënprefekti, kryetari i bashkisë, komandanti i kufirit dhe ai i xhandarmarisë.
Më shumë përshtypje më bënë këta dy të fundit, të veshur me uniformë të hijshme e armë në brez, si dhe mustaqe të gjata e fytyra serioze. Kryetari i bashkisë më gostiti me një çokollatë dhe zuri të më pyeste me të folmen e vendit, që unë s’e merrja vesh, ndaj dhe rrija kokulur. Vetëm kur babai nisi të m’i “përkthente” pyetjet, zura të flisja i druajtur pa ia ndarë sytë burrit të veshur me rroba shajaku, qeleshe të bardhë mbi krye dhe qostek argjendi varur në gjoks. Por dhe ai, si unë, nuk i kuptonte fjalët e mia, çka i bëri burrat të qeshnin dhe mua të më zinte turpi.
Në ditët që erdhën, kur koha ishte e kthjellët dhe qe zbutur pak i ftohti, ne fëmijëve na nxirrte shëtitje Enveri të kapur prej dore. Nëpër rrugë kishte pak njerëz, të cilëve ne u tërhiqnim vëmendjen nga veshja, pasi nuk ngjanim si vendas. Gjithë Tropoja e vogël e kish marrë vesh se gjykatësi i mëparshëm ishte zëvëndësuar me një “tosk”. Ardhja e një nëpunësi nga Jugu për të zbatuar ligjin në këtë zonë të thellë veriore mes Alpeve nuk ishte e zakonshme. Por këto punë i dinte Naltmadhnia. “Të gjithë shqiptarët janë vëllezër. Në shtet s’ka gegë e toskë, por shqiptarë”, kish thënë ai.
S’kaluan as dy-tre muaj, kur një ditë të dielë, teksa po hanim drekë, u dëgjuan nga larg disa breshëri të shtënash. Babai la bukën dhe doli menjëherë në dritare i shqetësuar. Kur krismat u përsëritën, ai urdhëroi Enverin të shkonte në komandën e xhandarmarisë dhe të thërriste një nga oficerët e shërbimit, që të vinte të takonte gjykatësin në shtëpi. Pa kaluar shumë ai erdhi bashkë me një oficer, i cili, pasi përshëndeti ushtarakisht, zuri t’i raportonte babait me zë të lartë mbi situatën. Një bajraktar martonte djalin dhe në dasëm kish ftuar gjithë bajraktarët e zonës. Ishin dasmorët që në gëzim e sipër “kishin qitë pushkë” sipas zakonit të vendit.
Babai rrinte i vrejtur dhe dëgjonte me vëmendje. Kur oficeri mbaroi raportimin, im atë nisi ta pyeste me një zë të rëndë, që s’ia kisha dëgjuar ndonjëherë:
-Kush janë, pra, këta që shtien?
-Bajraktarët, kush tjetër,- ia priti oficeri.
-Po ata, a e dinë ligjin që ka nxjerrë Naltmadhnia?
-Besoj se po, por i ka marr me vete gazi dhe rakia,- u përgjigj oficeri.
-Ka ndodhur ndonjëherë tjetër një ngjarje e tillë?
-Po, kur s’kishit ardhur ju.
Babai heshti dhe për një hop ra në mendime. Pastaj me një ton urdhërues i tha:
-Do të merrni një skuadër xhandarësh, të shkoni në vendin e ngjarjes dhe të arrestoni të gjithë shkelësit e ligjit.
-Si urdhnon,- u përgjigj oficeri, por papritur shtoi:- Po ata janë të gjithë bajraktarë!
-Ligji është njësoj për të gjithë!- i tha babai.- S’ka ligj të veçantë për bajraktarët. Nisu e pastaj kthehu më raporto!
-Si urdhnon!- thirri oficeri me qëndrim gatitu dhe pastaj u nis me të shpejtë i përcjellë deri tek shkallët nga babai.
Pas dy-tre orësh erdhi komandanti i xhandarmarisë së bashku me nënprefektin për të biseduar për situatën e krijuar. Mamaja dhe ne fëmijët shkuam në kuzhinë. Po nga fjalët që babai i tha mamasë më pas, do të merrja vesh se zbatimi i urdhërit të gjykatësit nuk ishte i lehtë. Nuk mund të nënshtrohej kollaj autoriteti i atyre malësorëve të ashpër. Aq më tepër që nënprefekti s’kish qenë dakord me urdhërin e gjykatësit të sapoardhur, i cili nuk i njihte mirë zakonet e vendit.
-Unë nuk merrem me zakonet, por me ligjin, që ata e kanë shkelur, -u tha babai.
-Zotni gjykatës, bajraktarët tanë janë besnikë të Naltmadhnisë. Ai u ka dhanë grada, rroga dhe armatim me leje të posaçme.
– Të gjitha këto unë i di,- ia ktheu im atë prerazi, -por tani duhet të zbatohet ligji. Ata do të qëndrojnë në burg. Përgjegjësinë e mbaj unë.
Pas kësaj ngjarjeje në shtëpinë tonë sikur ra zija. Prindërit flisnin pak. Babai rrinte shumë serioz, kurse mamaja dukej si e trembur. Kjo gjendje vazhdoi disa ditë, deri sa erdhi një përgjigje zyrtare nga Tirana. Çështja e bajraktarëve ishte raportuar te Naltmadhnia dhe ai kish dërguar fjalë: “Gjykatësi me të drejtë ka zbatuar ligjin. Bajraktarët të mësojnë nga gabimet që bënë, dhe të jenë shëmbull për gjindjen e malsisë”. Me këto fjalë të mbretit, ata u lanë të lirë.
Gjithë sa ndodhi dhe sidomos urdhërin e mbretit i mora vesh shumë më vonë, kur babai ia tregonte një miku. E vërteta është se, pas ngjarjes, autoriteti i gjykatësit të ri u rrit. Ditën e Bajramit, kur babai shkoi në xhami për urim dhe në mbarim të faljes, bajraktarët u ngritën dhe i shtrënguan dorën, duke i shprehur madje dhe ndjesë, në mënyrën e tyre, për çka kish ndodhur.
Me kalimin e kohës ne fëmijët u mësuam me mjedisin malësor, me njerëzit, të folmen e tyre, me klimën e sidomos me trajtimin që na bënin si fëmijë të gjykatësit. Shokët vendali që zumë, qenë djem të sjellshëm, të dashur e të çiltër. Unë u mësova me lodrat e tyre, që vinin në sprovë fuqinë fizike, por dhe zgjuarsinë. Nuk më harrohet bujaria që tregonin, kur na ftonin në shtëpi dhe na njihnin me gjyshët e prindërit si dhe na gostitnin me gështenja të pjekura, mollë e kumbulla, duke na dhënë dhe me vete. Por gëzimin më të madh e kisha kur shkonim te fusha prapa xhamisë, ku argëtoheshim me lodra popullore, sidomos kur sillnin dhe ndonjë kalë e më mësonin të hipja e të kalëroja, gjithmonë nën kujdesin e Enverit. Të vështirë e patëm në fillim për të kuptuar e komunikuar me të folmen e njeri-tjetrit, por dhe kjo kaloi aq sa me kohë unë dhe Enveri filluam të flisnim tropojançe edhe në shtëpi.
Veten e kujtoj me sytë që i mbaja shpesh nga bjeshkët, i joshur nga madhështia dhe bukuria e tyre, nga bardhësia e përhershme e dëborës, që zbardhte majat e larta. Ëndrra ime ishte që të shkoja njëherë deri atje, në mos deri lart fare, të paktën të afrohesha. Kur vinte vera, shokët e mi shkonin atje me prindërit për të kullotur bagëtinë. Madje që verën e parë ata na thanë të shkonim hipur mbi kuaj, të shoqëruar nga prindërit e tyre, por babai e sidomos mamaja nuk pranonin, me gjithë lotët dhe këmbënguljen time.
Për shkak të detyrës babai lëvizte herë pas here nëpër malësi. Nisej që në mëngjes herët hipur mbi kalë, i shoqëruar nga dy xhandarë të armatosur. Unë e ndiqja me sy nga dritarja i merakosur, për të mos thënë i frikësuar. Dyshimet m’i zgjonte revolveri, që ai vinte në brez para se të dilte. Gjatë afro katër vjetëve që ndenjëm në Tropojë, ai shkeli në shumë fshatra dhe njohu jo vetëm njerëzit, psikologjinë dhe zakonet e tyre, por u familjarizua edhe me relievin e klimën.
Sa për mamanë, ajo mbante barrën e shtëpisë dhe kujdesej për ne fëmijët. Shoqëria e saj ishin gratë e autoriteteve lokale dhe ato të të parisë tropojane. Shkëmbenin vizita, gjendeshin në gëzime e fatkeqësi te njera-tjetra dhe bënin ndonjë piknik në verë. Mamaja kish blerë dhe një kostum të malësisë së Gjakovës me dimi dhe jelek karakteristik, që e vishte me raste festash. I rrinte vërtetë bukur dhe ngjante tamam si gratë gjakovare.

Me këtë kostum ajo ka dalë në disa fotografi bashkë me shoqet e saj, për të cilat do të ruante kujtime të paharruara, aq sa deri vonë i kujtonte emër për emër. Po me veshjen e malësisë së Gjakovës ka dalë në fotografi edhe babai. Me tirqe, xhamadan me qostek varur, qeleshe të bardhë në kokë dhe pushkë gjatoshe në dorën e djathtë, ai dukej si një burrë i vërtetë malësie, i gjatë dhe i pashëm. Ky është një nga portretet më të bukura të tij në albumin tonë familjar.

Tropoja s’ishte vecse pak kilometra larg nga kufiri me Kosovën, emrin e së cilës do ta dëgjoja për herë të parë në bisedat që babai bënte me miqtë. Shumica e tregtarëve të Tropojës qenë kosovarë, kryesisht gjakovarë, me disa prej të cilëve familja jonë kishte hyrje-dalje. Duke u rritur, mësova nga babai se Kosova ishte tokë shqiptare e shkëputur padrejtësisht prej Shqipërisë dhe se kosovarët qenë vëllezërit tanë të një gjaku. Me këtë të vërtetë u ushqeva që së vogli dhe me Kosovën do të ndjehesha i lidhur shpirtërisht gjatë gjithë jetës.
-Po kur jemi kaq afër, pse nuk shkojmë ta shohim Kosovën, siç bëjnë disa tropojanë?, gjeta rastin dhe e pyeta një ditë babain.
-Ata kanë njerëzit e tyre andej, prandaj shkojnë.
-Po ne,- e pyeta prapë,- a nuk i kemi vëllezër?
Ai nuk arriti të më përgjigjej, se atë çast trokiti dera dhe biseda u ndërpre. Kish ardhur një nga miqtë e babait. Ishte atëherë dimër dhe kish rënë dëborë e madhe, bënte shumë ftohtë dhe njerëzit rrinin më shumë mbyllur nëpër shtëpi.
S’kaluan as disa muaj dhe babai na gëzoi të gjithëve kur na tha se kish nxjerr pasaportat për një vizitë familjare në Kosovë.

Ishte maj kur u nisëm. Hymë nga qafa e Morinit, por u kthyem nga Hani i Hotit. Vizituam Prizrenin, Gjakovën e Pejën, ku na pritën disa miq të babait në shtëpitë e tyre. Unë isha tërë kohën i emocionuar dhe kurreshtar për çdo gjë që shihja e dëgjoja. Qenë vende të bukura e qytete të vërteta. Prizreni më bëri më shumë përshtypje nga madhësia, shtëpitë e rrugët, lumi që kalonte përmes qytetit, e sidomos shtëpia e Lidhjes së Prizrenit. Po kështu dhe Peja, ngritur rrëzë maleve. Kurse Gjakova na preku me pritjen shumë të ngrohtë që na bënë në familjen Spahia, që kishte dyqanin më të madh në Tropojë. Ne fëmijët ndjeheshim si në shtëpinë tonë. U miqësuam me bashkëmoshatarët tanë kosovarë, madje merreshim vesh mirë, sepse tani flisnim lirisht dialektin e tyre.
Koha kaloi aq shpejt sa, kur u kthyem në Tropojë, udhëtimi në Kosovë na u duk si ëndërr e bukur, që nuk do të përsëritej më. Mbaj mend që ne fëmijët dhe Enveri erdhëm prej andej me qeleshe të bardha në kokë, që nuk i hoqëm për një kohë të gjatë. Shokëve të mi tropojanë, kur më panë me qeleshe, u erdhi shumë mirë që unë tosku më në fund kisha pirë ujë bjeshke dhe kisha vënë qeleshe mbi krye, pra, isha ba “tamam malsuer”.
Pas një viti erdhi koha të shkoja në shkollë, e bashkë me mua dhe Kujtimi e Santi, ndonëse nuk e kishin mbushur moshën. Fillimi i shkollës do të ishte për ne ngjarja më e gëzuar dhe e paharruar e jetës, ndaj nisëm përgatitjet me kohë. Çantat e shkollës babai na i porositi në Shkodër dhe Gjakovë, por na bleu dhe rroba e këpucë të reja. Shkolla fillore e Tropojës ose e Trifushës, siç ishte kthyer në shqip zyrtarisht emri nga sllavishtja, ngrihej në një kodër të butë në të dalë të qytezës. Ndërtesën e saj e shikonim me kurreshtje nga larg, sa herë na qëllonte të kalonim andej pari. Ëndërronim që një ditë të bëheshim edhe ne nxënës të saj, por asnjëherë nuk guxonim të shkonim për ta vizituar. Një nga ditët e para të shtatorit, të veshur si për festë e me çanta në krahë, pasi na përqafoi mamaja, u nisëm për atje të shoqëruar nga babai dhe Enveri.
Para shkollës ishin mbledhur plot fëmijë e prindër, kryesisht burra dhe shumë pak gra. Çuditërisht kishte dhe vajza, që mbanin në duar lule. Sapo arritëm në sheshin para shkollës, babait iu afruan dhe i dhanë dorën, duke i uruar mirëseardhjen gjithë respekt, tre burra veshur me kostum e kravatë: drejtori dhe dy mësues. Drejtori ishte një burrë me mustaqe, trupgjatë e i thatë, që, siç mësova më vonë, quhej Latif Jaka nga Gjakova. Pas tridhjetë e ca viteve një rastësi fatlume do të bënte që unë të njihesha dhe të miqësohesha me të birin, Ymer Jaka, pedagog në Universitetin e Prishtinës dhe më vonë Ministër i Arsimit të Kosovës.
Para se të fillonte mësimi, u organizua një ceremoni e vogël dhe pas saj dolëm në fotografi të gjithë bashkë, nxënës e mësues. Unë me vëllezërit e mi dhe disa shokë u ulëm këmbëkryq te këmbët e mësuesve dhe ashtu e bëmë fotografinë.

Pastaj u shpërndamë nëpër klasa, të cilat qenë të vogla dhe të pakta, me përjashtim të njërës, ku u ulën nxënësit e klasës së parë e të dytë së toku. Shkolla ishte e vogël, me klasa kolektive, djem dhe pak vajza bashkë.
Kujtimi dhe Santi nuk e kishin mbushur moshën, por u regjistruan në shkollë si dëgjues. Megjithatë të tre ne vëllezërit na vunë në një bankë. Ne vinim pak më të shkurtër se nxënësit malësorë dhe ndjeheshim si të vetmuar e të druajtur, nga që nuk njihnim thuajse asnjë. Kur hyri në klasë mësues Behxheti, një burrë i pashëm e i qeshur, veshur me xhaketë të zezë me pantallona e këpucë të bardha, të gjithë u ngritëm në këmbë. Ai do të qe mësuesi i klasës së parë e të tretë.
Para se të fillonte mësimin, mësuesi bëri apelin dhe, kush dëgjonte emrin, ngrihej në këmbë dhe shqiptonte fjalën “këtu”. Pastaj thirri emrat tanë e na prezantoi.
-Këta djem nuk janë vendali, po vijnë prej Shqipnisë së poshtme, nga Tosknia. A e dini ju ku bjen Tosknia?
Të gjithë u përgjigjën me zë të lartë në kor “Pooo” dhe panë nga ne me dashamirësi, ndërsa ne qëndronim me trupin drejt dhe vështrimin e përhumbur. Ndërkaq hyri zoti Latif dhe ne u ngritëm në këmbë. Ai na shpërndau abetaret e na dha disa këshilla sjelljeje si dhe na tregoi për orarin e mësimeve. Kjo ishte dita e parë e shkollës e vitit arsimor 1938-1939, që kaloi gjithë emocion dhe nuk do ta harroja për tërë jetën. Kur ra zilja, kuptuam që kish mbaruar mësimi dhe dolëm nga klasa. Jashtë na priste Enveri për të na shoqëruar në shtëpi. Mamaja kish dalë poshtë shkallëve dhe ne, sa e pamë, iu hodhëm në qafë.
Në mendje më ka mbetur edhe dita kur mbaruam abetaren e unë s’e përmbaja dot veten nga gëzimi. Isha dhënë aq shumë pas mësimit të saj, sa hyra mes më të mirëve në lexim dhe recitim. Kisha shumë dashuri për librin dhe më pëlqente të shfletoja çdo libër që më binte në dorë. Fillova madje të shfletoja dhe libra të bibliotekës së vogël të babait, të cilat as i kuptoja fare. Mërzinë që më kapte nga kjo, ia shpreha tim eti e ai më shpjegoi se librat e tij nuk qenë për fëmijë, por për punën e tij si gjykatës. Ndryshe më ndodhi me arithmetikën. Kjo lëndë jo vetëm nuk më pëlqeu e s’më tërhoqi, por e kisha edhe të vështirë ta kuptoja. Kur hymë në veprimet arithmetike, mezi orientohesha e më dukeshin të pakuptueshme. Mësuesi e vuri re këtë që në fillim, kështu që zuri të tregonte kujdes me mua deri sa fillova të përmirësohesha disi. Por fakti është se kjo lëndë nuk më hyri asnjëherë në zemër.
Ndërkohë kisha ndryshuar e isha bërë ca si shumë krenar, sedërli, pak i ashpër, kokëfortë dhe prindërit kishin nisur të më qortonin. Kjo ndodhi sidomos pas ikjes së Enverit. Ai nuk e duroi dot klimën e ftohtë të Tropojës, por e mori edhe malli për shtëpinë e fshatin, që s’qe aq larg nga deti. Vërtetë i kishte qejf mollët, por malli e merrte për portokallet dhe fushat. Ikja e tij na dhembi shumë të gjithëve, sidomos ne fëmijëve. Boshllëkun që na la, nuk e mbushëm dot lehtë.
***
Aty nga prilli i vitit 1939, një muaj përpara mbarimit të vitit shkollor, në Tropojë ndodhi një ngjarje e çuditshme, që shënoi zyrtarisht pushtimin e qytetit tonë të vogël, më i largëti i të gjithë vendit. E kam parasysh si tani qytetin thuajse të shkretuar, me rrugët pa lëvizje, njerëzit që ecnin kokëulur e të trishtuar, dhe shumë të tjerë të mbyllur nëpër shtëpira. Askush nuk i gëzohej pranverës së bukur që kish ardhur. Edhe dëftesa e mbarimit të klasës së parë do të na shpërndahej në një si atmosferë të helmët. E ruaj edhe sot atë dokument të firmosur nga drejtori i shkollës dhe mësues Behxheti, që mban datën 5 maj 1939 dhe që na u dorëzua pa asnjë ceremoni.
Shqipëria ishte pushtuar në 7 prill prej italianëve dhe Tropoja priste me ankth se çdo të bëhej me fatin e saj. Në fillim u përhapën fjalë se forcat e kufirit dhe ato të xhandarmarisë, kazermat e të cilëve i kishim përballë shtëpisë, po përgatiteshin për rezistencë. Ushtria ndërkaq rrinte e mbyllur nëpër kazerma në pritje të një urdhëri. Po, sa për urdhërin nga Tirana e pushtuar, as që bëhej fjalë, siç nuk pritej asgjë dhe nga Kukësi, që ishte dorëzuar pa qitur kush asnjë pushkë.
Në këto kushte, autoritetet e qeverisjes vendore të qytetit, të hutuar dhe të çorientuar, mbylleshin çdo ditë në zyrat e tyre dhe prisnin, pa qenë të zot të organizonin qoftë dhe një rezistencë simbolike. Mes autoriteteve ishte formalisht dhe im atë, pasi vendimet ekzekutive i kishin kaluar nënprefektit e sidomos komandës ushtarake dhe asaj të xhandarmarisë. Megjithatë, në zyrën e nënprefektit, që kish dritaret nga sheshi përtej rrugës, u mblodhën kryetari i bashkisë, komandanti i kufirit, komandanti i xhandarmarisë, im atë si kryetar i gjykatës dhe disa burra nga paria e qytetit. Nuk e di pse babai më merrte ato ditë me vete dhe unë gjendesha padashur midis atyre burrave, që pinin kafe e cigare papushim dhe flisnin e diskutonin herë qetë-qetë e herë nervozë e me zë të lartë. Të gjithë rrinin në pritje dhe përpiqeshin të informoheshin për situatën nga korrierët, që venin e vinin në kufi fshehurazi, pasi linja telefonike ishte ndërprerë. Kur kish rënë prefektura e Kukësit, ç’mund të bënte sipas tyre një qendër e vogël si Tropoja? Aq më tepër që mbreti kish marr arratinë dhe qeveria e parlamenti nuk ekzistonin më.
Erdhi një çast kur diskutimet mbaruan dhe bisedat u fashitën. Mes tymit të dendur të duhanit dhe kutërbimit të frymës së rëndë të burrave, sytë e të gjithëve ishin përqëndruar te dritarja e madhe, që shikonte nga sheshi mbi kodrinën e vogël përkarshi selisë së nënprefekturës. Andej vështroja dhe unë, por pa kuptuar gjë, ndërkohë që më kish kapur frika se prej andej do të vinte e keqja. Rrija i heshtur dhe nuk guxoja ta pyesja babanë. Një situatë, as në qiell e as në tokë. Më vonë do të merrja vesh se autoritetet, tek rrinin ashtu, prisnin të hutuar ushtrinë pushtuese. Askush nuk ishte në gjendje t’i dilte për zot qytetit, as ushtria, as bajraktarët dhe as autoritetet e vendit.
Pikërisht ditën e tretë, aty nga orët e para të mesditës, kur ishte sosur durimi i autoriteteve, ndërsa ishin bashkuar me ta në zyrën e nënprefektit edhe disa bajraktarë e tregtarë tropojanë e gjakovarë, ndodhi e papritura. Sytë e mprehtë të komandantit të kufirit dalluan nga larg siluetën e një të panjohuri të çuditshëm, që po vinte në drejtim të sheshit.
-Vreni, vreni! Ç’asht ai qi po lëviz atje përmatanë?!- tha majori. Të gjithë u ngritën menjëherë në këmbë si të dëgjonin një urdhër ushtarak dhe i mbërthyen sytë te dritarja. Unë nuk arrija të shihja dot, pasi trupat e burrave ma kishin zënë tërë pamjen. Çava atëherë me kujdes midis tyre dhe iu afrova dritares. Kish rënë një heshtje e rëndë. Askush nuk arrinte të thoshte qoftë dhe një gjysmë fjale.
Njeriu i panjohur atje tej, si lëvizi disa herë lart e poshtë, ndaloi. Ngriti dylbitë që mbante varur në gjoks, dhe filloi të kqyrte rreth e qark, kryesisht në drejtim të nënprefekturës. Figura e tij tani dukej qartë, por u qartësua edhe më shumë, kur komandanti i kufirit nxorri menjëherë dylbitë e tij dhe ia dha nënprefektit, i cili, pasi zuri të vështronte, tha me zë të lartë:
-Po ky kenka oficer, bre burra! Vreni, vreni mirë! Armë s’duket se ka. Veç në kapele paska nji pendë gjeli.
-Jo, jo,- ia priti komandanti i xhandarmarisë. – Armët i ka në brez. Ka vesh këpucë alpine dhe kilota. Në dorë paska nji hu, jo bastun. Çfarë dreq ushtaraku kenka ky?!
-Ushtarak e shku ushtarakut…bash trim i çartun,- ia pat kryetari i bashkisë me fytyrë të vrejtur. -Mesa ma thotë mendja mue, ai na kërkon na. Po as na nuk jena burra, përderi sa jena myllë në mes katër mureve si gratë.
U bë një heshtje e frikshme. Kur im atë tha:
-Po meqenëse ai na kërkon ne, duhet t’i çojmë djalin e zotit S., që di italisht dhe merret vesh me të.
Të gjithë e miratuan dhe dërguan një xhandar për ta thirrur. Djali erdhi shpejt dhe u nis menjëherë në drejtim të oficerit të huaj. Të gjithë vijonin të mbanin sytë nga sheshi përtej dritares. Ata të dy u afruan pa i dhënë dorën njeri-tjetrit, folën shkurt dhe pastaj u ndanë. I dërguari ynë u kthye gati me vrap si i trembur dhe i hutuar.
-Është oficer i dërguar nga komanda e trupave italiane në Kukës. Ka ardhë në këmbë prej andej për të marr në dorëzim Tropojën. Ai nuk pranon të vijë vetë te ne, po duhet të shkojmë ne tek ai për me i dorëzu çelësat e shtetit të qytetit.
Askush nuk foli në fillim. Pastaj u diskutua nëse do të ishte ushtarak apo civil personi zyrtar, që do të shkonte ta takonte. U vendos që këtë detyrë ta kryente nënprefekti. Dhe kështu u bë, por ndërkaq, para se të nisej, u krijua një situatë disi komike. Oficeri i huaj kërkonte çelësat e qytetit, kurse nënprefekti kishte vetëm çelësat e zyrës së tij. Po nuk e zgjati, u ngrit, mori bastunin elegant që përdorte, dhe u nis bashkë me përkthyesin. Të gjithë pamë skenën, kur oficeri italian nderoi ushtarakisht, ndërsa nënprefekti vuri dorën e djathtë në gjoks dhe pas kësaj zgjati një tufë çelsash. Oficeri i huaj i mori dhe, si nderoi përsëri ushtarakisht, u kthye nga kish ardhur me hap të vendosur. Kurse nënprefekti, krejt i lëshuar dhe i hutuar, si qëndroi një copë herë pa lëvizur, mori të zbriste në drejtim të nënprefekturës. Sa hyri në zyrë, lëshoi këto fjalë:
-S’kam asgja me ju thanë. Ai s’bzani dhe unë s’bzana. Me kaq, masi i dhashë çelësat, u krye detyra. Kaq e pat dhe tash të shpërndahemi, burra.
Pas këtyre fjalëve, askush nuk u ndje, por burrat nisën të dilnin nga zyra. Babai më mori për dore dhe dolëm në rrugë. Kur po ngjisnim shkallët e shtëpisë, pashë që babai fshiu sytë, ndërsa mamaja po na priste e merakosur.
Të nesërmen një taborr alpin i ushtrisë italiane hyri në qytet. Kazermat përballë shtëpisë sonë qenë zbrazur për tërë natën. Ushtarët i kishin nisur në shtëpitë e tyre, që të mos ballafaqoheshin me ushtarët e huaj. Tropoja u gjend kështu e pushtuar. Ndërkaq disa nga bajraktarët, të cilët babai tre vjet më parë i kish futur në burg, kishin dërguar njerëzit e tyre të armatosur për të na ruajtur shtëpinë para se të hynin italianët në qytet. Ishte ky një gjest fisnik i vendasve, që prindërit e mi nuk do ta harronin.
Pas pushtimit të qytetit ne do të qëndronim edhe disa javë në Tropojë. Prisnim të lidhej linja telefonike dhe babai të komunikonte me Tiranën. Por nuk vonoi dhe erdhi urdhri që babai me familjen mund të kthehej andej nga kish ardhur. U larguam atëherë nga Tropoja duke lënë, por edhe duke marrë me vete shumë kujtime.
***
Kthimi ynë nuk u bë andej nga kishim ardhur. Kësaj here i dolëm nga Mali i Zi. Zbritëm në Podgoricë, prej andej në Han të Hotit dhe pastaj dolëm në Shkodër. Ishte prag vere dhe sytë nuk na shihnin më dëborë, po veç gjelbërim pa fund dhe ujëra që zbrisnin nga malet e luginat e pjerrëta. Dëborën do ta ritakoja vite më vonë, një ditë dimri çuditërisht të egër në fushat e Myzeqesë. Do të kujtoja atëherë Tropojën dhe do të më zgjohej malli për qytetin e fëminisë sime të parë.
Kur hymë në Shkodër, ishte një ditë e nxehtë qershori dhe mua m’u duk sikur kishim zbritur në një botë tjetër. Para meje shtrihej qyteti me rrugë të shumta e ndërtesa të bukura, kopshte të lulëzuara, turma njerëzish që lëviznin veshur me lloj-lloj ngjyrash, karroca, pajtone dhe biçikleta. Ndryshe nga hera e parë, këtë radhë rrugët zhurmonin nga makina e motoçikleta ushtarake si dhe turma ushtarësh. Babai i vështronte i ngrysur, kurse unë, i habitur.
Në ato pak ditë që qëndruam në Shkodër, takuam përsëri kushuririn tonë, Koli Bozon, i cili na shëtiti prapë nëpër qytet. Më pas na çoi në shtëpinë e None Leskës, një mikeshë e mamasë. Por kujtimi më i bukur që më ka mbetur nga Shkodra, është filmi që pamë në kinema “Rozafa”. Çfarë gëzimi dhe lumturie provova unë dhe vëllezërit e mi teksa shihnim për herë të parë një film në kinema, edhe pse skenat e filmit ndërpriteshin herë pas here nga pamjet e luftës, që shfaqeshin në ekran, duke na futur frikën. Të nesërmen, kur u larguam nga Shkodra dhe morëm rrugën për në jug, nga dritarja e makinës do të shihja ngado kampe ushtarake, kolona ushtarësh, makina e motoçikleta luftarake dhe flamurin italian me tre ngjyra e atë shqiptar me shpatë anash.
Pas një udhëtimi shumë të gjatë, më në fund, arritëm në Lushnje dhe gjithë mall u ngjitëm lart mbi kodër, ku ishte shtëpia e gjyshit. Pasi u përqafuam me gjyshen, dajën dhe njerëzit e tij, plasi menjëherë vaji. Para një viti ishte ndarë nga jeta gjysh Jakovi, që mamaja e kish qarë nga larg për ditë të tëra. Me ardhjen tonë dhimbja qe rizgjuar, shoqëruar me vaje të thekshme. Tok me të mëdhenjtë qanim dhe ne fëmijët, sidomos unë, që gjyshi më kishte dashur aq fort. Ishte hera e parë që përballeshim me vdekjen në familjen tonë të madhe.
Më pas situata erdhi e u qetësua dhe ne fëmijët nisëm nga lodrat. Të nesërmen, megjithatë, teksa po hanim mëngjes, ndjemë një lëkundje të fortë dhe një zhurmë, që vinte nga larg. Kujtuam se po binte tërmet dhe vrapuam të dilnim jashtë, por daja, që erdhi pas pak, na tha që ishte jehona e një bombardimi. Qe bombarduar Fieri dhe ishte dëmtuar rëndë një lagje e tij. Të gjithë u tronditëm dhe u alarmuam, veçanërisht ne fëmijët.
Babai atë ditë nuk ishte me ne, pasi kish shkuar në Peqin për të marr detyrën e re. Mamasë dhe neve na rrinte mendja tek ai. Edhe pse në shtëpinë e dajës, Vasil Bozos, e kalonim shumë mirë, të ftuar për dreka e darka nëpër farefis, dëshira jonë ishte të mblidheshim sa më parë në shtëpinë tonë, për më tepër që prisnim të regjistroheshim në shkollë.
***
Nuk vonoi shumë dhe një ditë, papritur, erdhi një kamion, që mori plaçkat e shtëpisë sonë për t’i çuar në Peqin. Tok me to shkoi dhe mamaja. Kurse ne fëmijëve na u desh të prisnim shumë ditë, deri sa erdhi babai me një taksi dhe na mori. Unë isha shumë kurreshtar për qytetin, ku do të jetonim tani, të cilit as emrin nuk ia kisha dëgjuar kurrë. Kur e pashë, ishte një qytet i vogël, i shtrirë për së gjati, me një reliev fushor, i përshkuar nga një rrugë, që të çonte në Elbasan. Ajo që më pëlqeu, ishte kulla e bukur e sahatit dhe minarja e hijshme e xhamisë.

Megjithatë, as që i afrohej Shkodrës, por as me Tropojën nuk ngjante. Të paktën, Tropoja kishte në sfond Alpet, që nuk i gjeje në asnjë qytet tjetër të Shqipërisë.
Ne u vendosëm në një shtëpi të mirë njëkatëshe në rrugën kryesore, me një fushë përpara rrethuar me një gardh telash me gjemba, ku ne fëmijët do të luanim me shokët e rinj. Fqinj me ne do të qe familja e madhe e Osman Agës, pronar i disa mullinjve vaji dhe njeri me emër të nderuar. Kurse pak më tutje ishte familja e madhe e Gjinishëve, nga më të respektuarat e qytetit për patriotizëm. I pari i tyre, Ademi, ishte vrarë nga njerëzit e Zogut, kurse i biri, Mustafai, siç do të mësoja më vonë, ishte nga udhëheqësit e dalluar të Luftës.
Para se të fillonte viti i ri shkollor babai me mamanë na çuan një fundjavë në Elbasan. Ishte hera e parë që ne fëmijët do të shkonim në vendlindjen e babait dhe kjo na gëzoi pamasë. Vizituam atje pazarin e madh, kalanë, dyqanet e bukura, punishtet e zanatçinjve, furrat e bukës, lagjen Shën Koll, ku kishte lindur e ishte rritur babai. Mbaj mend që lëviznim me pajton nëpër rrugët e mbushura me njerëz. Me këtë rast bëmë shumë vizita në familjet e farefisit dhe miqve të babait, duke filluar nga Jorgaqët dhe Santot te Popajt, Delianët, Rusët, Dimitreskët, Llapushët, Dinçet, Dashët e të tjerë, të cilët na pritën me shumë dashuri. Ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte respekti i madh që kishin për babanë. Vura re, gjithashtu, se babai me farefisin dhe shokët e vjetër fliste në dialektin e Elbasanit, që mua çuditërisht më pëlqente.
Gëzimi i atyre ditëve të bukura u prish në fund nga një ngjarje e rëndë që na ndodhi. Një ditë para se të largoheshim, vëllai, Kujtimi, u aksidentua. U gjend papritur poshtë këmbëve të dy kuajve të një karroce ushtarake italiane dhe u gjakos në kokë e në krah. E dërguam menjëherë në spital, ku u mjekua dhe u mbajt nën mbikqyrje deri sa u përmirësua.
Me t’u kthyer në Peqin, filluam shkollën, unë në klasë të dytë, kurse vëllezërit në klasë të parë. Shkolla ishte më e mirë se ajo e Tropojës dhe mësuesit më të rreptë se ata që kishim lënë atje.
Lufta italo-greke që nisi në tetor të v.1940, na gjeti në Peqin. Atmosfera e luftës ndihej dhe në qytetin tonë të vogël. Kujtoj që për ditë e netë të tëra kalonin pa pushim në rrugën para shtëpisë sonë kolona ushtarësh italianë herë në këmbë e herë me makina e motoçikleta, madje dhe me biçikleta. Ne i shikonim ditën nga fusha para shtëpisë dhe natën nga dritaret e errësuara. Ishte një zhurmë e tmerrshme mjetesh, por në të rrallë dëgjonim dhe këngë, ca këngë luftarake. Italianët, kur qëllonte që ne fëmijët rrinim buzë rruge, na përshëndesnin me dorë, por ne rrinim si të ngrirë e nganjëherë, madje, pështynim në drejtim të tyre.
Pas mbarimit të kolonave pa fund të reparteve ushtarake të armëve të ndryshme, që shkonin në drejtim të Korçës për në frontin e luftës, qyteti sikur ra pak në qetësi. Ndërkaq u shtuan rojet e patrullat ushtarake në të katër anët dhe u kufizuan lëvizjet e njerëzve. Por nuk vonoi dhe pas disa ditësh u hap lajmi se të nesërmen do të kalonte nga qyteti ynë konti Ciano dhe populli duhet të dilte në rrugë e ta priste me lule e brohoritje. Në shkollën tonë u bënë përgatitje dhe u dhanë porosi që, të organizuar, të dilnim në qendër të qytetit dhe ta prisnim me entuziazëm. Me këtë punë merrej vetë drejtori si dhe dy mësues fashistë, por, nga ana tjetër, mësuesi Demir Godelli, që sapo ishte kthyer nga Bashkimi Sovjetik, më tërhoqi mënjanë dhe më tha:
-Dëgjo këtu, djali i gjykatësit! S’ka nevojë të merrni lule ti dhe shokët e tu, por gjethe. Dhe vërvitjani mbi kokë!
Kur shkuam para Bashkisë, ku qe mbledhur populli, më zuri syri nga larg babain. Vrapova për tek ai, në kohën kur po vinte makina me kontin Ciano. Tamam në këtë kohë pashë se sekretari i Fashos, E. B., po tentonte të qëllonte me shuplakë dajë Cenin, një mballomaxhi, që e njihte i gjithë Peqini si burrë babaxhan e të ndershëm. Ky nuk po demostronte si të tjerët e as po thërriste “Viva Ciano”. Babai ndërhyri menjëherë dhe, kur sekretari i Fashos e dërgoi dajë Cenin në karabinjeri, babai ndërhyri dhe e liroi, duke ngritur madje një aktakuzë zyrtare kundër E. B. Kjo e shqetësoi federalin fashist të Elbasanit, i cili erdhi disa herë për ta pushuar procesin.
Nuk kaloi shumë dhe prapë na thirrën të dilnim në rrugë për të pritur gjeneralin e lartë fashist Ettore Muti. Me emrin e tij u bë një gallatë e madhe. Të gjithë qeshnin dhe lëshonin fjalë poshtëruese nën tingujt e bandës ushtarake. Babai nuk doli atë ditë në pritje, sepse nuk pranoi të vishte këmishën e zezë fashiste. E. B.-ja u përpoq ta pushonte nga puna, por një farefisi ynë, që kishte një pozitë shtetërore, e shpëtoi babain nga pasojat.
Në Peqin gjetëm një mjedis të ngrohtë dhe mikpritës. Përveç Demir Godellit, që ishte vendas, babai u miqësua dhe me disa të ardhur, veçanërisht me dr. Pavllo Pavlin nga Bregu, një burrë kurajoz, i gojës dhe me humor, i respektuar në opinion si patriot dhe antifashist. Fqinjësia me Osman Agën na lidhi familjarisht. Dajë Osmani, siç e thërrisnin, qe burrë me emër të nderuar në qytet, fjalëpakë dhe hijerëndë, fetar fanatik dhe shumë autoritar. Unë i druhesha, megjithëse ne fëmijëve na jepte herë pas here ndonjë karamele, kur dilte nga shtëpia. Por çfarë ndodhi një ditë? Rastësisht dëgjova nga mamaja se dajë Osmani, edhe pse kish gjithë atë grua e një taborr me fëmijë, do të merrte një grua të dytë, pra, do të martohej rishtazi. Kjo e mërziti shumë mamanë, kurse ne fëmijëve, përveçse do të na habiste, edhe do na gëzonte, se do të bëhej dasëm e madhe. U drodh i gjithë qyteti, buçiti shtëpia nga dajret dhe oborri nga ahengu. Gjithë ceremonia e dasmës u bë para të ftuarve dhe ne fëmijëve.
Unë me një nga djemtë e dajë Osmanit isha moshatar, madje kishim shoqëri të ngushtë. Ai rrinte i mërzitur dhe kishte një inat të brendshëm, por që nuk e shprehte me fjalë. Herë pas here, megjithatë, psherëtinte dhe pinte cigare fshehurazi. Unë e shoqëroja dhe e ngushëlloja njëfarësoj me heshtjen time. Më vonë, nuk do të ma përmendte kurrë dasmën e dytë të të atit.
Nga koha e Peqinit nuk do të harroj shëtitjet e lodrat nga Kalaja dhe rrënojat e qytetit antik, por dhe notin që bënim në ujërat e Shkumbinit. Babai nuk na linte të shkonim vetëm në lumë, por të shoqëruar nga Vangjeli, një djalë nga Myzeqeja, i cili kishte zëvëndësuar Enverin. Mua, si më i madhi, më linte ndonjëherë të shëtisja vetëm ose me çunin e dajë Osmanit nëpër rrugët e qytetit të vogël.
Një mbrëmje, as vetë nuk e di se si, u gjenda para një shtëpie me drita të kuqe dhe perde të lëshuara. Më tërhoqi vëmendjen dhe ndalova hapat. S’kisha parë një shtëpi të tillë dhe doja të dija ç’ishte. Pashë një ushtar italian, që zbriti shkallët duke shtrënguar rripin e pantallonave dhe pastaj një grua me flokë të lëshuara, që e përshëndeste me dorë nga dritarja. Pas ushtarit italian doli një shqiptar me brekushe, i cili, sapo më pa, thirri:
-Hiqu këtej, o rrugaç! Dhe unë i ktheva kurrizin e ia mbatha vrapit. Të nesërmen, duke biseduar me Feritin, shokun e ngushtë të klasës, i tregova ngjarjen. Ai ia plasi gazit dhe më tha:
-Po ti paske shkuar atje ku shkojnë meshkujt e bëjnë qejf me kurvat! Më erdhi turp dhe nuk e zgjata muhabetin, por nga ajo ditë nuk kalova më asaj rruge.
Në Peqin mbarova klasën e dytë. Kisha marrë tashmë librin e këndimit, një libër që më bëri menjëherë për vete me vjershat, tregimet, përrallat dhe episodet nga historia e Shqipërisë. Aq shumë më tërhoqi, sa nuk e lëshoja nga dora. E rilexoja edhe jashtë shkollës, sidomos vjershat, të cilat mësuesi na i jepte si detyrë shtëpie për t’i mësuar përmendësh. Tani që i kujtoj ato kohë, them se pikërisht atëherë më lindi dëshira e madhe për të lexuar. Libri i parë që kam lexuar nga fillimi në fund ishte “Elbasani”, një libër me kapak të kuq, një poemë e gjatë kushtuar vendlindjes së babait, shkruar nga poeti Filip Papajani. Pas librit të këndimit qe pikërisht kjo vepër, që më hapi rrugën e leximit, të cilit nuk do t’i ndahesha gjatë gjithë jetës. Më tërhiqnin shumë asokohe edhe lodrat kolektive të moshës, siç qe futbolli, një lojë aq e përhapur, po ku unë isha më shumë spektator sesa lojëtar. Nganjëherë hyja në mes të lojës dhe tentoja t’ua prishja shokëve. Më pas hoqa dorë nga kjo kapriço, sidomos kur vëllezërit i thanë babait e ky më qortoi.
Koha e qëndrimit tonë në Peqin zgjati gati dy vjet (1939-1940). Në fillim të vitit 1941 babait i erdhi transferimi me të njëjtën detyrë në Gjykatën e Fierit. Largimi nga Peqini më krijoi një gjëndje shpirtërore gati kontradiktore. Edhe më vinte keq që po ndaheshim nga ky qytet mikpritës, por më vinte edhe mirë që po shkonim në një qytet më të madh, ku kishim njerëzit e farefisit të babait dhe të mamasë. Më kujtohet se atë ditë që ikëm nga Peqini, binte shi e frynte shumë erë dhe kjo e bënte më të trishtuar largimin tonë. Për më tepër shkonim në një qytet ku ne fëmijët nuk kishim shkelur ndonjëherë. Pasi babai u vendos në Fier, ne nuk do të lëviznim më prej andej….”
DITA
