Ishte viti 2014, kur Hajrije Taushani la vendlindjen e saj, fshatin Mollas në Elbasan, dhe në një moshë të thyer, 67 vjeç, mori rrugën e largët drejt Sirisë. Nga andej, i kishte ardhur lajmi i hidhur se djali i saj 35-vjeçar, Sherif Taushani, kishte ndërruar jetë në luftë krah ISIS dhe kishte lënë të vetëm gruan e fëmijët.
Jo me të njëjtin qëllim si i biri i ndjerë, por me misionin e një gjysheje, Hajria mbërriti në kampin e ferrit Al Hol për të gjetur dhe kthyer pas në gjirin familjar nipërit e mbesat. Atje e moshuara nisi të kujdeset për fëmijë të mitur. Në gjirin e saj mbajti edhe dy fëmijë jetimë, të cilët i kishin humbur prindërit në luftë.
Kthimi në atdhe u bë jashtëzakonisht i vështirë. Ikja nga Siria u bë pas një kohe të gjatë, 12 vite më pas, sot 79-vjeçare, në operacionin e radhës të riatdhesimit nga autoritetet shqiptare. Në orën 01:20 të mëngjesit të hershëm të 26 gushtit, ajo preku tokën shqiptare.
Hajria mbërriti në Rinas duke i mbajtur dorën jo gjakut të saj, por një djali jetim, një 9-vjeçari për të cilin ishte kujdesur vetë në Siri. Nga fëmijët e djalit të saj të ndjerë, arriti të rikthejë në atdhe vetëm mbesën 17-vjeçare. Nuk dihet ende se çka ndodhur me fëmijët e tjerë dhe bashkëshorten që djali i saj i mori me vete kur u largua nga Shqipëria.
Bashkë me Hajrije Taushanin, të voglin jetim që ajo rriti e mbesën e saj, u riatdhesuan edhe Myrvete Dibra, dhe një vajzë e mitur. Të rikthyerit do të jetë në mbikëqyrjen e autoriteteve, të psikologëve për t’i shtruar rrugën e riintegrimit në shoqëri, përfshirë edhe vëzhgim nga antiterrori.

Në të djathtë (me jeshile), Hajrije Taushani në Rinas
Në operacionin e kthimit të tyre, kanë ndihmuar edhe familjarë të grave dhe fëmijëve, “të cilët kontribuan në këtë proces dhe me të cilët strukturat shtetërore qenë në kontakt të vazhdueshëm”, siç njoftoi kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla.
Me pesë shqiptarët e kthyer këtë herë, numri i të riatdhesuarve nga Siria arrin në 43. Për riatdhesimin e tyre, prej kohësh Antiterrori kishte nisur kontaktet me autoritetet siriane. Kthimi ishte vullnetar, ndërsa për shkak se asnjëri prej tyre nuk kishte dokumente udhëtimi, u desh ndërhyrja e Ministrisë së Jashtme për pajisjen me leje kalimi. Pas përfundimit të procedurave, pesë shqiptarët udhëtuan me avion nga Siria drejt Stambollit dhe prej andej drejt Tiranës, ku mbërritën në Rinas në orën 01:20 pas mesnate.
Në Siri dyshohet se ndodhen ende 17 shqiptarë që kanë qenë në kampet siriane, gra dhe fëmijë, kryesisht jetimë, si dhe 10 burra shqiptarë në burgje. Një pjese tjetër nuk i dihet ende fati. Ministria e Jashtme thotë se Task-Forca ndërinstitucionale do të vijojë procesin për kthimin e shtetasve të tjerë shqiptarë që ndodhen në Siri.
Riatdhesimi i fundit ka qenë i Eva Dumanit, edhe ajo e rrëmbyer nga babai xhihadist 12 vite më parë në moshën 9-vjeçare dhe e kthyer pranë familjes së saj 21 vjeç (shkurtin e këtij viti). Riatdhesimi i saj ishte i vështirë, pasi më herët kishte refuzuar të kthehej në atdhe me vëllain e saj kur qeveria nisi operacionet për kthimin e grave dhe fëmijëve nga kampet siriane, në 2020-ën.
j.l./ dita
