Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Hunda e Konicës
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kulture > Hunda e Konicës
KultureLajmi i fundit

Hunda e Konicës

Published: February 17, 2026
Shpërndaje

Nga Pëllumb Kulla

Ca kohë pas dërgimit të eshtrave të Konicës nga Amerika në mëmëdhe, mbi gropën ku zunë prehje ato, u ngrit një bust i Faik Beut. Më pas akoma, busti u gjet me hundë të thyer nga një mjet i fortë. Njeriu u gjet, bile u zu me presh në duar. Unë nuk arrij ta shpjegoj dot se përse autoritetet shqiptare nuk bënë fare shamatë. Njeriu që i theu hundën Konicës, isha unë!

Që ta zemë me radhë… Një natë, në mes të qytetit të Nju Jorkut, thashë një gjë me mend që mori dhenë. Bëhej mbledhja e shoqatës “Mërgimtarët e burgosur nga diktatura”. Nuk zgjidhnim dot një kryetar. U ngrita:

- Publicitet -

— Ah, bre, të mira janë këto nënat shqiptare, të mira, — thashë atë natë, — por kanë veç një të metë të madhe: pjellin më shumë komandantë se ushtarë!

Më rrëmbyen krahëkëmbë dhe më hodhën përpjetë për këtë llaf të mençur. Nuk më linin të bija përdhe.

— Thuaje prapë! Thuaje prapë! — më thoshin në kor.

E unë, përmbi krahë, që nga maja e tavanit: “Të mira janë nënat…”. Ata tund e shkund. Or po, edhe e deshin ta dëgjonin, e nuk më linin ta mbaroja! Herë arrija deri tek “e meta”, herë tek “e pjella”, por te “ushtarët” nuk arrita dot më.

Të nesërmen më lajmëruan që e thëna ime e famshme kishte dalë në gazetën që kemi këtu në Nju Jork. Nxitova ta blija. U hoqa mënjanë në një qoshe dhe e hapa. Desh më dolën kokërdhokët e syve! Gazetari, që edhe më kishte rrahur shpatullat bile, e përshkruante mbledhjen tamam. Tregonte se si qenë kacafytur kandidatët për kryetar të shoqatës dhe pastaj u hiqte një dru të mirë: “Nënat shqiptare kanë veç një të metë të madhe, se pjellin më shumë komandantë se ushtarë! Mirë e ka thënë këtë i madhi Faik!”

Pikë e zezë! Nga na doli ky Faik?! Nga e gjeti për mua këtë emrin Faik?! Një mik i ditur më sqaroi që ishte fjala për Faik bej Konicën, që gjer dje i kishte kockat aty në Boston. Ai më këshilloi të mos kruhesha me Konicën!

— Po këtë Konica e paska thënë bukur, — më tha, — këtë të nënave që pjellin…

— Po atë e thashë unë, bre! — i kundërshtova.

— Thirri bre Peço mendjes e mos u bëj gaz i botës! — më ra me noçkë në ballë. — E ke lexuar Konicën-o? Jo! Ç’tregon kjo?!

— Kjo tregon akoma më mirë që është e imja! Se unë e thashë!

Fillova të mendohem. Mos e kisha dëgjuar gjëkundi e nuk e mbaja mend?! Mos e kish thënë edhe ai? Gjersa shqiptarët Faik beu i njihte mirë, siç i njoh dhe unë! I hyra Konicës, o miqtë e mi, dhe ia lexova tëra ç’pat shkruar: asgjëkundi nuk e kishte thënë!

E bukura qe se që nga ajo ditë gazetat në Shqipëri, një e dy e atë shprehje përmendnin. Thuhej se ajo frazë e Konicës qenkësh zbuluar tamam në kohë, sepse vendi i shqiptarëve na qenkësh bërë pëllëmbë e parti me kryetarë. Dreq o punë! Një jetë të tërë në mëmëdhe, Konicës nuk i qe dhënë leja t’i përmendej asnjëra nga fjalët e mençura që pat thënë, kurse tani, pa e vrarë shumë tutkën, i lidhnin në qafë edhe kravata që s’ishin të tijat.

Vendosa ta lija. Le ta marrë Faiku atë thënie! Ku rrafsha, mos u vrafsha! Unë një copë shofer isha, se mos isha ndonjë shkrimtar! Ku do ta botoja unë atë mendim! Keni parë juve vepra me një fletë, sa një letër cigareje?! Po megjithatë, sapo e dëgjoja që ngrinin në qiell Faikun për një përcaktim të saktë që kisha bërë unë, fap, më kërcente delli! Po pse o, në të sëmës, Konicës po, kurse mua nuk ma pranonin?! Meqenëse, demek, nuk paskësha thënë ndonjë fjalë tjetër të mençur më parë! Po kohë kisha-o, mund të thosha të tjera më vonë! Ose, nuk do të thosha më, xhanëm, por do shkoja me të shumtit dhe mjaltit të mençurisë mbi natyrën e shqiptarëve nuk do t’i kisha lënë veçse këtë pikëz… Nuk mundej-a?! Po pse…

Kjo davà zgjidhej vetëm në Tiranë! Kështu që, kur mora lejen, putha time shoqe dhe fëmijët dhe ia hipa aeroplanit. Në Shqipëri të tëra gazetat i gjeta tek përmendnin fjalën e mençur, të zbuluarën vonë, të Konicës. Sidomos njëra nga gazetat e vinte atë shprehje përditë në krye të një faqeje që botonte shkrime të rilindësve.

Unë vendosa dhe i vajta shefit të asaj gazete. Se në një vend do t’i nisja qarjet e mia, de! Kushedi se ç’i kishin thënë për mua drejtorit të gazetës! Mbase më përshkruanin si të luajtur nga trutë, mbase ndonjë tip me vidha mangët. Ai priti sa hyra unë dhe fap! — një kobure që kishte aty mbi tryezë e fshehu në sirtar. Mendonte se, mbase, do t’i duhej… As “ulu” nuk më tha, por më la aty si shtyllë trafiku. Më shihte të tërin nga koka te këmbët. Më pyeti tutje e tëhu dhe pastaj m’u kthye nga e para:

— E çfarë paske thënë ti?

— Ja… atë! — i thashë ca me drojtje.

— Atë? Cilën? — ulëriti e seç trazoi aty në sirtar. Mua m’u tha gjuha në gojë.

— Ja atë… që nënat tona pjellin më shumë komandantë…!

— E ke thënë ti?! — e shtrembëroi gojën me një lloj përbuzjeje vrastare.

— Unë! — i thashë dhe ngrita mjekrën me një lloj krenarie kombëtare.

— Po ta ha mendja ta thuash ti këtë perlë?!

— Perlë-perlë! Ja që më erdhi kështu, edhe e qita nga goja… E ajo na paska marrë dhenë!

Ai u hodhi një sy nja tri buzëkuqkave që kishte aty në zyrë dhe që një e dy e përpëlitnin qerpikët. Ato dukeshin si të fryra, por ama të qeshnin hapur kishin frikë, megjithëqë shefi i tyre e mbante dorën te sirtari.

— Sapo veni tej, në Amerikë, cave prej jush ju mbushet mendja se bëheni rilindës… Demek ti, na qenkëshe klaaa-sik!

Unë më parë u përmbajta, se u ofendova.

— Klasik të gjallë s’gjen, — ia ktheva duke vënë të dy duart te rripi i mesit që ia pata blerë një portorikani në një trotuar të Broduejt, — po i thoni atij klasikut tuaj të vdekur të ruajë dhentë e tija, se këtë dashin tim unë do ta ruaj vetë!

Atë pasdite këmbët më shpunë te përmendorja e Beut. Tre-katër ustallarë po bënin punime rreth piedestalit. Konica në mermer, tërë dëngla, e mbante vështrimin përpara, sikur kish turp të më shikonte në sy. Një punëtor erdhi e ndezi cigaren te mua. Më tha se te balli i piedestalit po i gdhendnin një shprehje madhore: “E meta e nënave shqiptare: lindin më shumë komandantë se ushtarë!” Më tha që kjo bëhej me vendim të Ministrisë së Kulturës dhe të Sporteve.

Ktheva dhe e pashë në sy Faikun. Hiç ai! Mermer! Gjoksin përpara dhe vështrimin drejt historisë!

— Dëgjoni, — u thashë punëtorëve. — Mos shkruani gjë njëherë sa ta zgjidh këtë çorapë! Ato fjalë që po gdhendni ju, i kam thënë unë!

— Do të qerrohesh që këtej, — më tha njëri që nga maja e piedestalit, — apo të hash ndonjë bythë sqepari!

Dhe i doli përpara Faikut, sikur unë të paskësha nxjerrë kallashnikovin. U duk sikur Konica i dha një të shtyrë me hundën prej mermeri dhe ustai u gjend në mes të llaçit. U bë helaq. E tërë inatin ma nxorën mua! M’u vërsulën, më vunë poshtë dhe më rrahën mu përpara Beut të Konicës. Ata paguheshin me orë pune e më mbajtën shtrirë gjer sa u mbaroi dita e punës! Ai, klasiku prej mermeri, as e prishi terezisë. Sikur nuk ishte fare aty, ai!

I zura pritë Ministrit të Kulturës. Dy ditë rresht! Të tretën, e zura kur po hipte në veturë. Nuk kisha takuar ndonjë ministër më parë. Zemra bap-bap! Pasi dëgjoi shpjegimet e mia dhe të nëpunësit që i rrinte pas, m’u kthye:

— Me se merreni?

Unë u gjenda ngushtë. Do t’i thosha tashi që vija nga Amerika ku punoja si shofer në një kompani taksish? Por ai, burrë i mirë, më ndihmoi:

— Merreni me punë mendore, keni ndonjë biznes tuajin?

Unë bëra “s’kam” me kokë.

— Ku banoni? Keni shtëpi? Familje, prona…?

Pyeti për tërë të tundshmet e të patundshmet. Mua m’u këput koka së bëri “s’kam”. Zotëria nuk e humbi durimin.

— Merreni me shkrime? Keni ndonjë lloj vepre në qarkullim?

— Ja, vetëm atë kam unë, — i thashë, — atë të nënave që… qumështin e nënës po më nxjerrin! Këtë kam unë në qarkullim, zoti ministër, e kjo po qarkullon ca si shumë.

Ministri ngrysi vetullat. Badigardët dhe shoferi avash-avash e afruan nga një dorë te të çarat e xhepave të djathtë. Zyrtari i lartë u buzëqeshi për t’i qetësuar.

— Kjo, në fakt, është shprehje tipike e Konicës, — tha ministri. — Kjo thënie e tij gjeniale nuk mund të gjejë eko më të mirë se në ditët e sotme! Në një konferencë shtypi këtë shprehje e citoi edhe Presidenti… Në Parlament e zuri në gojë kryetari i Opozitës. E duhet ta ruajmë këtë mjaltë të mençurisë kombëtare… Jo kushdo mund të thotë gjëra që gdhenden në mermer!

Dëgjova badigardët që me radio njoftonin qendrën: “Po nisemi. Ministri e sqaroi qytetarin që i preu rrugën!” Njëri prej tyre më futi krahun, ashtu si miqësisht, shoferi i hapi derën ministrit dhe vetura mori udhë.

Në darkë, te përmendorja e Konicës, unë isha tapë. Nuk mbaj mend se ç’kam nxjerrë nga goja, veç në një çast, qita një çekan dhe i theva hundën Beut. Po Konica, sado prej mermeri, paskësh pasur edhe ai badigardë. Kalova dy netë në polici. Aty pashë në televizor një nga ato buzëkuqkat e informacionit, e cila qe vendosur përpara bustit pa hundë dhe jepte çdo orë lajmin:

“…Në policinë e krimeve mendojnë të jetë i sëmurë psiqik ai taksisti i ardhur nga Amerika. Ai i ka thyer hundën Konicës duke u qarë se rilindësi i ka përvetësuar thënien e njohur lidhur me nënat tona burrëresha të bjeshkëve, stërmbesa të suljoteve që lindin komandantë… Në Akademinë e Shkencave na thanë që as mund të diskutohet autorësia mbi atë thënie të personalitetit tonë të shquar. Akademikët vërtet nuk e gjejnë dot me saktësi se kur dhe ku e ka thënë, por po e kërkojnë dhe do ta gjejnë atë, pasi dihet që regjimi i egër komunist për pesëdhjetë vjet u mundua ta fshehë dhe ta asgjësojë trashëgiminë e Konicës. Akti vandal i goditjes me çekan në hundë është tipik për mitomanët…”

Dhe buzëkuqka e informacionit lidhej herë me spitalin psikiatrik, herë me maternitetin, ku mbaheshin ca bebe të shëmtuara me hundë të rrjepura si piperka të kuqe. Po t’i vije re nga shalëkat, të porsalindurit ishin zgjedhur apostafat meshkuj, që mendja të të shkonte jo te ushtarët e thjeshtë, por te komandantët, strategët e ardhshëm të fitoreve. Pamjet me bustin e Faikut nuk rreshtnin. Shiu që binte dukej si çurg prej lotësh mbi faqet e bashkuara pa hundë. Hallemadhi dukej sikur qante, i penduar që erdhi në mëmëdhe, e sikur nga çasti në çast do të zbriste nga piedestali, do të merrte në një torbë kockat e tij e do t’ia mbathte për Rinas! E që andej, drejt e në Boston prapë!

Më shtruan në psikiatri. Më tundën e më shkundën me ato terapitë me rrymë elektrike, që mos pyet! Tetë doktorë hijerëndë shikonin një kokëmushkë që përpëlitej nën korrent e ta vrisje nuk hiqte dorë nga avazi i tij:

— …Më-ë-ë-ë shu-u-u-më-më-më-më ko-o-o-ma-ma-ma-ma-ndantë se ushta-ta-ta-tarë-rë-rë!

Nuk arrija dot t’i telefonoja gruas e t’i thosha që kisha paguar groshin e valles e tani jepja njëqind e prej valles nuk dilja dot. Ç’ishin dru e korrente, tërë mbi mua po provoheshin!

Dola prej spitalit, po nuk kisha ndërmend t’i lija përpjekjet.

— Hajde bre në shoqatën tonë! — më tha njëri kur i qava hallin. — Ne po luftojmë për kthimin e pronave te zotërit legjitimë.

Më shpuri në një zyrë dhe u tha të më regjistronin.

— Ke shtëpi këtu? — më pyeti një burrë me regjistër të hapur.

— Nuk kam pasur kurrë!

— Po toka për të marrë?

— Asnjë pëllëmbë!

— Ke pasur fabrika, punishte, hotele?

— Ncë-ncë-ncë! — unë.

— Po çfarë të kanë marrë ty? — u habit ai.

— Një frazë, — i thashë. — Është si është, është timja! Kam thënë që ‘nënat shqiptare…’

— Le ta kesh thënë si të duash, vëlla! Ajo është prona jote!

Uli sytë te formulari që mbante përpara, lexoi aty diçka e tha:

— Dy pyetje të fundit që ua bëjmë të gjithë pronarëve: a pranon kompensim të një natyre tjetër, të përafërt, qoftë kjo në bregdet apo zonë malore?

— Jo mo, ç’malore?!

— Kështu e ka formulari këtu!… Pranon shpërblim në të holla, sipas tarifave shtetërore në fuqi?

— Kurrë!

— Bukur! Firmos këtu ku thuhet se për të marrë pronat ne ish-pronarët nuk do përdorim dhunë, dhe futu në mbledhje!

Atë ditë edhe ata do të zgjidhnin kryetarin e shoqatës, dhe mbledhja m’u duk si ajo e Nju Jorkut, si të tëra mbledhjet ku duhet zgjedhur në krye vetëm njëri. Një dhe një i vetëm! Mbledhja zgjati tetë orë dhe para votimit ma dhanë fjalën edhe mua, duke më prezantuar si përfaqësues të mërgatës nga Amerika. Teksa po flisja, ai burri që më regjistroi u ngrit e, pa ma prerë fjalën, më lëshoi mbi folëse përpara syve një pusullë, ku më shkruante me gërma të mëdha: “Kujdes, pronat s’janë bërë akoma tonat. Po shkelëm ligjet, shpiem ujë në mulli të qeverisë!”

Nuk e kuptova ku e pat llafin, po vazhdova fjalimin që u dëgjua me veshë të mprehur. Por salla u ngrit me ulërima miratimi e me duartrokitje, kur u thashë:

— Nënat shqiptare janë më të mirat në botë! Por kanë veç një të metë: pjellin më shumë komandantë se ushtarë! Këto fjalë të arta të… Faikut të Madh, t’i vëmë vëth në vesh!

Të nesërmen, nga sytë këmbët, ia mbatha për Nju Jork!

Marrë nga libri “Rrëfenjat e Amerikës”

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • Rama vijon të relativizojë temën e pronësisë: I ka dalë pronari edhe Teatrit të Butrintit
  • Totalisht e dështuar, por RTSH kërkon rritje të tarifës e buxhet shtesë në Kuvend
  • Asfalia greke, UDB, rusët, Albin Kurti dhe iranianët: A është kjo e vërteta e protestës së Tiranës?
  • Fundi i “vetmisë në majë”: Kur revolta nuk ka fytyrën e Berishës, por plagët e një Shqipërie të vjedhur
  • “Ai na tha që jemi grekë…” Edhe i riu me aftësi ndryshe, në protestë

Komentet e Fundit

  1. nastradini on Guacka e Zvërnecit
  2. habili on Fundi i “vetmisë në majë”: Kur revolta nuk ka fytyrën e Berishës, por plagët e një Shqipërie të vjedhur
  3. Anonymous on Tymnaja e “patriotëve”
  4. Luzati on Me dorën te barku, protestuesja: Jam këtu për vajzën që do vij në jetë
  5. K R on Me dorën te barku, protestuesja: Jam këtu për vajzën që do vij në jetë

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?