Albert HABAZAJ
Rrënjët e Tribunit Popullor
Hysni Kapo (Tërbaç, 04.03.1915 – Paris, 23.09.1979) është një nga majat më të larta të historisë së Tërbaçit në rrjedhat e kohës, tribun popullor, një nga udhëheqësit më të ndritshëm të Luftës dhe të Punës në Shqipërinë e shekullit XX. Ai rrjedh nga mëhalla Bitaj, një nga tri mëhallët fshatformuese të fshatit Tërbaç (Bashkia Himarë, Qarku i Vlorës), nga një familje bujare dhe atdhetare – Habazaj e Tërbaçit, derë e parë e oxhak i madh në Lumin e Vlorës dhe në Labëri, ndër familjet më të njohura në trevën e Vlorës. Stërgjyshi i tij Lulo Abaz Mehmeti ka qenë Kapedan i Tërbaçit, njëri ndër udhëheqësit popullorë që u shqua gjatë Kryengritjeve Antiosmane të shek. XIX në Shqipërinë e Jugut, krahas Zenel Gjolekës, Çelo Picarit, Rrapo Hekalit, Tafil Buzit, Hodo Nivicës, Dervish Ali Dukatit, Cane Miftarit dhe shumë trimave të shpatës shqiptare kundër reformave të Tanzimatit. Për Lulo Habazin janë thurur e kënduar mbi 400 këngë. Ja njëra: “O Lulo Abaz Mehmeti,/ O mali në mes të detit/ Ç’i ktheve gjoksin Dovletit./ që në Tanzimat e tutje/ të mbeti palla mbi supe”…
Xhaxhai i tij Murat Tërbaçi ishte anëtar i “Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare” në Luftën Kombëtare të Vlorës, 1920; ndërkohë dhe një ndër mësuesit e parë në prefekturën e Vlorës gjatë vitit 1913 kur Qeveria e Përkohshme e Vlorës me kryeministër Ismail Qemalin dhe Ministër Arsimi Luigj Gurakuqin hapi 10 shkollat e para shqipe.
Besniku i Popullit
Tek emri dhe vepra e Hysni Kapos gjejmë mishërimin e luftëtarit trim, udhëheqësit vizionar dhe mendimtarit të hapur për mirësi, që nuk i përket vetëm Tërbaçit, Vlorës e Labërisë, por mbarë Shqipërisë. Jeta e tij është e lartë, sepse është shkruar me gjak, me djersë dhe me lavdi. Besnik i Popullit, Komisar i Lirisë, Idealist Universal, Bujar Human, Trim i Tramundanave, Burrë Shteti dhe Shqiponjë Kombëtare; Ai është nga të rrallët drejtues të LANÇ (ndoshta i vetmi), që mori plagë në luftë kundër pushtuesve nazistë. Ai gëzonte një respekt mbarënjerëzor në Shqipëri, ndoshta sa askush tjetër. Ai u bënte vetëm të mira të gjithë njerëzve që i drejtoheshin dhe i qanin hallet e tyre, pa dallim politik, vërtet pa dallim feje, krahine e ideje. Ai qe i thjeshtë në lartësinë e tij, po aq dhe autoritar e personalitet me karakter të fortë. Në kupolën e udhëheqjes dhe drejtimit të vendit, ai mbulonte Çështjen e Kuadrit, ndërkohë që ishte Komisar i Ushtrisë Popullore për Shqipërinë e kohës që jetoi. Hysniut i thanë Besniku i Partisë, për idealet e larta që synonte qe i tillë, por Ai ishte Besniku i Madh i Popullit, Komisar me dritë i Lirisë. Në kujtesën tonë emri i Tij ka profilin e Besnikut të Shenjtë të Idealit të Lartë.
Bashkë me Mehmet Shehun ishin dy krahët më të fuqishëm të udhëheqësit të Shqipërisë socialiste; sepse të dy kishin shumë autoritet dhe respekt në popull; sepse të dy kishin luftuar në krye të njësive taktike, operative, operativo-strategjike dhe strategjike për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj dhe bashkëpunëtorët e tyre, lakenjtë vendas; sepse Hysniu ishte trim, i drejtë, i urtë dhe i dashur, ndërsa Mehmeti ishte trim, i rreptë, i zoti dhe serioz. Që në kohën e luftës, Hysniu kishte pseudonimin Besniku, Mehmeti e kishte Vjosa dhe ata e nderonin shumë njeri-tjetrin, thuhej se e donin sikur të ishin vëllezër. Por vdekja e Hysniut prishi shumë gjëra të mëdha. Apokalips politik në drejtimin e vendit. Vdiq nga sëmundja në Paris apo e helmoi Ramizi?! Dyshimet kanë qenë qysh më 23 shtator 1979… E qau me lot gjithë Shqipëria, Mehmet Shehu mbajti Fjalimin e Lamtumirës. Ndërsa vrasja e Mehmetit qe aq çoroditëse, sa s’thuhet. U vetëvra apo e vranë, as sot nuk dihet, se hamendësimet e dyshimet janë të mëdha. Flitet, se po të ishte gjallë Hysni Kapo, Mehmet Shehut s’ do t’i kishte ndodhur 18 Dhjetori 1981…
Në fjalorët enciklopedikë shqiptarë
Emri i Tij është regjistruar për rolin dhe vendin që ka në historinë kombëtare dhe gjendet në të gjithë fjalorët enciklopedikë shqiptarë, krahas figurave të njohura të Botës Shqiptare. Në botimin e nivelit akademik, më të fundit nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë “Fjalor Enciklopedik Shqiptar” shkruhet: “KAPO Hysni (1915-1979). Një nga drejtuesit e PKSH, të Luftës ANÇ dhe të shtetit shqiptar pas çlirimit, Hero i Popullit, Hero i Punës Socialiste. Lindi në Tërbaç të Vlorës. Gjatë Luftës ANÇ veproi si drejtues politik e ushtarak për organizimin e Partisë e të luftës së armatosur, në fillim në qarkun e Vlorës e më pas në shkallë vendi. Sekretar politik i Komitetit Qarkor të PK për Vlorën (1941-1943). Në Konferencën I të Vendit (mars 1943) u zgjodh anëtar i KQ të PKSH; në Konferencën II NÇ (shtator 1943) anëtar i Këshillit të Përgjithshëm NÇ; në Kongresin e Përmetit (maj 1944) anëtar i Këshillit ANÇ dhe i kryesisë së tij. Komisar politik i Br. VS 91944), përfaqësues i KQ të PKSH dhe zv. Komisar politik i Shtabit të Zonës së Parë Operative (1943-1944), anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ (1944), Komisar politik i Korparmatës I të UNÇ. Pas çlirimit u ngarkua me funksione të larta në sektorë të rëndësishëm të shtetit, të ekonomisë, të ushtrisë e të diplomacisë; në v. 1950-1956 qe ministër i Bujqësisë dhe zv. kryetar i Këshillit të Ministrave. Anëtar i Byrosë Politike të KQ të PPSH nga v. 1944, sekretar i KQ të PPSH (1956-1979). Përfaqësoi PPSH në Mbledhjen e Bukureshtit (1960). Deputet i Kuvendit Popullor në të gjitha legjislaturat. Vdiq në Paris pas një sëmundjeje të rëndë. [Fjalori Enciklopedik Shqpar, 3; Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, f. 1117; zëri përgat.: Xhelal Gjeçovi]. Ky është një informacion i përgjithshëm, që vjen si jetëshkrim zyrtar për Hysni Kapon.
Emri i tij – në libra e këngë
Për Hysni Kapon është shkruar shumë nëpër libra të ndryshëm historikë, politikë, diplomatikë, biografikë e publicistikë nga autorë shqiptarë dhe të huaj. Emri i tij përmendet në mjaft shkrime, për të janë thurur poezi dhe janë kënduar këngë. Emri, lufta, qëndrimi dhe vepra e tij përfshihet edhe në botimet folklorike të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore, Sektori i Poezisë dhe Prozës, në Kolanën “Trashëgimi kulturor i popullit shqiptar”, Folklori Shqiptar, Seria V, vëllimet V, VI, VIII: “Këngë popullore për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe Ndërtimin Socialist: këngë për dëshmorët e heronjtë e popullit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”, Tiranë, 1982, përgat.: Kozma Vasili, Mustafa Gërcaliu. Kushtuar Atij është botuar libri “Hysni Kapos: këngë dhe ligjërime popullore”, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1985, përgat.: Kozma Vasili, Bardhosh Gaçe, ku përfshihen 122 njësi folklorike nga të gjitha krahinat e vendit. Po ashtu këngë shumë të bukura dhe emocionuese janë kënduar nga grupet folklorike të Pilurit, Tërbaçit, Tragjasit, Bënçës, Vranishtit etj. dhe janë përfshirë në librat e autorëve Lefter Çipa, Kujtim Mici, Hamdi Pulo, Maliq Lila, Muhamet Tartari etj., përkatësisht drejtues artistikë të grupeve të sipërcituar. Qysh gjatë luftës, kur u plagos në Epopenë e Drashovicës, në betejën e parë frontale kundër pushtuesve nazifashistë (15.09-04.10.1943) për Të u thur kënga: “Moj Mavrov’ e Drashovicë” nga xha Selimi i Bratit. Artisti i Popullit Selim Hasani është autori i kësaj kënge mbarëpopullore, e cila bën jetë aktive folklorike edhe sot e kësaj dite jo vetëm në fshatrat e Lumit të Vlorës. Kujtojmë që xha Selimi luftoi më Njëzetën në Vlorë kundër pushtuesve italianë, luftoi dhe më Dyzetetreshin në Drashovicë kundër pushtuesve gjermanë dhe më pas, edhe pse 60 vjeçar, në radhët e Brigadës V Sulmuese Heroinë e Popullit, pas Hysni Kapos e Shefqet Peçit me partizanët trima për çlirimin e vendit. Në luftën e Drashovicës, Hysni Kapo ishte sa drejtues aq dhe partizan i vijës së parë dhe u plagos rëndë në gju nga mortaja armike, ndërsa xha Selimi, i cili gjatë luftimeve ditë më vonë u plagos dhe vetë në të dy këmbët, në nofull dhe shpatull, aty për aty, në llogoret e luftës qëndisi dhe këndoi me shokët këngën për Komisarin: “Moj Mavrov’ e Drashovic / Ç’hata bëre atë ditë?/ Me topa me alitrikë/ Ç’ e bëre natën-ë ditë/ Bomb’ më bomb’ e thik’ me thikë/. Hysni Kapua petrit/ Përmbi tela ç’u vërvit/ Gjermane në gju ç’u flit:/ Dorëzohi, mor jezitë!/ S’keni par’ djemt’ e Shqiprisë,/ Opinga gome llastik/ Me jelek e pa këmishë,/ I marrin plumbat në sisë”.
“Biblilenjtë trembëdhjetë” – kënga më e preferuar e Tij
Ndërkohë vetë Hysniu, këngën e tij të preferuar kishte “Bilbilenjtë trembëdhjetë”, të cilën, sa herë bënte takime në vendlindje, e këndonte me moshatarët e fshatit e pleqtë mëhalljotë, duke ia marrë vetë. Ndoshta është një motiv mallëngjimi dhe krenarie që për Të kjo këngë ishte bërë më e dashura. Pikërisht, vëllai i strëgjyshit të tij Sinan Abazi (Habazaj) ka qenë ndër rapsodët popullorë më të vjetër që njihen, ndërkohë dhe kryeplak i fshatit. Nga historia kemi informacion të mjaftueshëm për Bilbilenjtë: Bilbilenjtë kanë qenë një çetë e armatosur, që kanë vepruar rreth viteve 1850-1860 dhe kanë kryer një aktivitet të gjerë e të dëgjuar në të gjithë krahinën e Labërisë dhe në disa zona të tjera të Jugut. Edhe mbas luftimeve të kohës së Tanzimatit, qëndruan maleve, duke vazhduar rezistencën duke u hakmarrë kundër qeveritarëve osmanë dhe feudalëve turq e vendës në shërbim të të huajve. Në vitin 1855, ishin 13 kapedanë shtatlartë, me çepe e fustanellë, të njohur me emrin “Bilbilenj”, emër që e morën nga kryetari i tyre Bilbil Shako Progonati, vranë një feudal, i cili grabiste popullsinë e pafajshme të Zagorisë, Palopogonit. Çeta e Bilbilenjve ia shpërndau popullit pasurinë që i gjetën feudalit. Ekspeditat osmane kishin kapur çdo grykë, rrugë, luginë e fshatra për të kapur Bilbilenjtë e rrezikshëm për regjimin perandorak. Gjatë ndjekjes së rreptë nga ekspeditat e koshadheve, Bilbilenjtë erdhën e kërkuan strehim në Tërbaç, ku gjetën fisnikërinë e banorëve dhe besën tek paria e vendit, se u mbajtën fshehur në mal në shpellën e Somait, e cila ishte pronë e familjes së Sinan Habazit. Në kujtim të tyre, që nga ato vite dhe sot e kësaj dite, ajo shpellë ka marrë emrin e nderuar “Shpella e Bilbilenjve”. Valiu i Janinës kishte dhënë tesqerè (udhëzime), duke premtuar shpërblime të majme për ata që do të hidhnin në dorë Bilbilenjtë të gjallë apo të vdekur. Ekspeditat turke, të informuara, erdhën në Tërbaç dhe morën me pranga në duar kryepleqësinë e Tërbaçit: Sinan Abazin, Malo Micon, Laçe Hoxhën, Seit Salatin dhe Zenel Muratin, të cilët i internuan në Janinë. Ata u bënë një me besa-besë dhe Bilbilenjtë i fshehën nën gjuhë, si thotë fjala e urtë e popullit. Mbi popullsinë e Tërbaçit filloi terrori i egër e i pamëshirshëm deri dhe për pleq e fëmijë. Paria e Tërbaçit u liruan kur Bilbil Shakua me çetën e tij shkuan vetë në Janinë, që, po aq përbën një akt sublim të mirënjohjes ndaj besnikërisë, sakrificës dhe bujarisë tërbaçiote. Populli e kujton këtë ngjarje besnikërie e trimërie të rrallë me këtë këngë: “Të xhumanë në pasdrekë/ Tërbaç erdhën tesqeretë:/ Ç’më thua moj gramë e shkretë?/ Dorëzoni Bilbilenjtë/ Po s’i dhat’, do shkoni vetë/ Po ku zihen Bilbilenjtë?/ Po Bilbil Shakua me çetë/ Dolën nga shkëmbi me fletë/ Malet rreth erdhën rrufetë/ Tërbaçi nuk i jep djemtë!” Ja, kështu, natyrshëm vërejmë se Hysni Kapua ndihej mirë me historinë e të parëve të tij dhe të fshatit të lindjes, Tërbaçit të dashur, ishte krenar e i motivuar, i mbushur me nderim për aktin heroik të Bilbilenjve, i mbushur me dashuri për virtytet tërbaçiote, prandaj këtë këngë nuk e hiqte nga goja, sa herë i jepej rasti.
Vlerësime nga të lirë e ish-të burgosur
E vërteta është se, edhe mbas çlirimit, emri i Hysni Kapos nderohej edhe nga njerëzit e thjeshtë, nga punëtorët e fshatarët edhe nga fusharakët, edhe nga malësorët, edhe nga jugorët, edhe nga veriorët, edhe nga intelektualët, edhe nga kuadrot, edhe nga komunistët, edhe nga ata që nuk ishin në parti, apo që kishin edhe probleme politike e ideologjike, pra që nuk ishin në një mendje me vijën që ndoqi Enver Hoxha, por që kishin mendime ndryshe nga Udhëheqësi. Emri i Hysni Kapos respektohej edhe nga të lirët, edhe nga të burgosurit (e kemi fjalën për ata të burgosur politikë që nuk kishin bërë krime). Janë jo pak ish – kundërshtarë politikë, që shprehin edhe nëpër shkrime të botuara vlerësim dhe nderim për veprimet e kujdesshme e të vëmendshme dhe për gjykimin e urtë e të matur të Hysni Kapos. Janë përfaques të dëgjuar të krahut të vërtetë të djathtë (por jo të kësaj derexheje të padëshiruar ku është katandisur kjo e autoquajtur e djathtë sot). Ndoshta mund të jetë një shkrim më vete interesant ndoshta dhe studimor vlerësimi që i është bërë figurës së Hysni Kapos nga emra të njohur të së djathës klasike shqiptare. Në këtë artikull do të ndalojmë vetëm tek rrëfimet e një ish- të burgosuri politik, që ka bërë 42 vjet burg e internim, më shumë se çdo shqiptar tjetër, por që jetoi 93 vjet: 1924-11.09.2017
Vlerësime nga Petrit Velaj
Petrit Velaj është quajtur Mandela i Shqipërisë se ka bërë 37 vjet burg dhe 5 vjet internim, është nga të parët, ndoshta i pari në fillimvitet e Demokracisë ndër ish- të burgosurit politik që e përmend Hysni Kapon me respekt dhe thotë se ai më ka shpëtuar jetën 3 herë nga pushkatimi gjatë luftës dhe pas çlirimit. Për qëndrimin heroik të xha Petritit, poeti popullor Pelivan Barjamaj ka shkruar vargjet: “Ndënje në gryk’ të xhenetit/ dyzet e ca vjet kusur,/ edhe urë të kishe qënë/ do kishe rënë qëkur...”. Vlerësimi që i bën intelektuali atdhetar Petrit Velaj Hysni Kapos rrok përmasa të larta fisnikërie për vetë faktin, se xha Petriti jo vetëm që i shprehte në Vlorë në takime me njerëz të ndryshëm, sidomos me të djathtët, por se i botoi në libër. Dhe të mos harrojmë se, kur shkroi xha Petriti për Hysniun jemi në “kohën e zjarrit”, në vitin 1994, kur po të përmendje emrin e Hysniut quheshe antidemokrat, komunist, enverist e fyheshe deri te Molla e Kuqe, sepse mjaft kameleonë të pështirë si ekonomistë të lartë, mësues, mjekë e inxhinierë me universitet, drejtues partie dhe institucionesh në kohën e Enverit dogjën flamurin e kuq dhe valëvitën pa u skuqur flamurin blu dhe u “demokratizuan” deri në majë të thonjve, kthyen surratin nga fryu era… Konkretisht autori Petrit Velaj, tek kujton vitet si student i Shkollës Tregtare të Vlorës shkruan: … “Pranë shtëpisë kisha komshi xha Muratin, Murat Miftari nga Lumi i Vlorës, një patriot i njohur qysh në klubin “Labëria” dhe ngritjen e flamurit me Ismail Beun. Në Shkollën Tregtare të Ujit të Ftohtë, në klasat më të larta mësonte edhe nipi i tij, Hysni Kapo. Një gardh i ndante shtëpitë tona. Xha Murati ishte nga fisi Habazaj i Tërbaçit, dhe nga xha Elmazi kisha dëgjuar për traditat atdhetare të kësaj familjeje, për strehimin e Birlibenjve në shpellën e Tërbaçit, në rrëzë të malit të Çikës. Herë – herë, si më i madh, Hysniu më kontrollonte hartimet dhe problemet e matematikës. Xha Murati kishte marrë pjesë në luftën e Vlorës në 1920, bashkë me babain dhe xhaxhallarët e mi…” [Velaj, Petrit A.: “Një dritare burgu”, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1994, f. 13]. Në këtë libër, përveç shumë shumë temave delikate që trajton me objektivitet, dituri e vërtetësi, Petrit Velaj ishte nacionalist dhe drejtues i rinisë së Ballit në Vlorë, por që ka marrë pjesë edhe në çlirimin e Tiranës, ndërkohë i kushton faqe të tëra mirënjohjeje Hysni Kapos, që siç thotë, autori, i ka shpëtuar jetën tri herë. S’po futemi në imtësira të situatës së luftës, por ndalojmë tek rasti i Mamurrasit dhe i mëngjesit herët të 2 nëntor 1944, kur e nxorrën përpara një skuadre pushkatimi, partizanë të brigadës 23 S. “U lexua vendimi: “Dënim me vdekje”. Por në momentin që skuadra do të merrte urdhër për zjarr, shfaqet në kthesë të kodrinës së vogël, hipur në një mushkë, profesor Mihal Prifti nga Dropulli. Për mua – shkruan autori, ai mbeti i dërguar i zotit. Sa më pa, bërtiti me të madhe: – Mosni, more djem! […] Mihal Prifti ishte Komisar i Divizionit të Parë. Sa u afrua, urdhëroi: Zgjidheni, e njoh unë atë djalë. Nuk është nga ata që duhet pushkatuar ky. Ka qenë nxënësi im në Shkollën Tregtare të Vlorës. Unë jam nga Dropulli.. por më mirë t’ia dorëzojmë Hysni Kapos ta gjykojë ai… Pas dy orësh, më përgatiti një letër për Hysni Kapon. Letra ishte e gjatë. E futi në një zarf ku shkroi: “Shokut Hysni Kapo, Komisar i Korpusit të Parë. Personalisht” […] Mbërritëm në faqen e malit të Dajtit, në një fshat mes gështenjave shekullore, në kodrat e Zallherrit. Atë mbasdite që u sosëm atje, pranë një gështënje të moçme pashë të ulur Dali Ndreun, Liri Gegën e Hysni Kapon. Liri Gega sapo më pa, pyeti shoqëruesit se kush isha unë. Mbasi u informua urdhëroi: “Pse nuk e pushkatoni, Akoma e mbani?”. Duke dëgjuar këto fjalë, Hysni Kapoja m’u afrua pranë dhe duke më parë e lexuar letrën e profesor Mihal Priftit, pa e zgjatur u thotë partizanëve: “Shoqërojeni për në burgun partizan!” […] Hysni Kapua foli gjatë për mua, për familjen time, patriotizmin që kishin treguar. Edhe të tjerët [Dali Ndreu, Bako Dervishi, Vehbi Hoxha, shën. im – AH] miratuan fjalët e Hysniut. Vetëm Liri Gega kërkonte me çdo kusht që unë të ekzekutohesha […] Mbas atyre skenave, në mbrëmje, më mori Hysni Kapo dhe Bako Dervishi, miq të vjetër të familjes sonë. Secili në pozicionet e mendimeve të veta. Në fund të bisedës, Hysni Kapua më thotë se kemi menduar që ti Petrit, të bëhesh mësues i batalioneve të Korpusit të Parë. […] Një natë më ra radha të isha në truprojen e Shtabit të Korpusit, në Tufinë. Anëtarët e shtabit, Hysni Kapo, Tuk Jakova, Liri Gega etj. ishin shtrirë në një dhomë të madhe e po flinin. Aty nga ora dy, pas mesnate, bie zilja e telefonit. Ishte zëri i Mehmet Shehut. Kërkonte që Divizioni i Parë të dërgonte në vijën e parë të frontit me gjermanët, në çlirimin e Tiranës, dyqind djem të zgjedhur. Sapo mora njoftimin, shkova në dhomë, zgjova Hysni Kapon dhe i transmentova njoftimin […] Të nesërmen u bë një organizim i ri i forcave partizane. Vajta drejt e tek Hysni Kapua dhe i thashë se doja të isha ndër ata dyqind vetë që do të shkonin në vijën e parë të frontit në luftën e Tiranës. […] u nisëm për në front. Vija e parë e frontit fillonte tek Kinema Partizani, Rruga e Elbasanit, Kodrat e Saukut, deri tek stacioni i trenit […] një mëngjes pashë në stendën e batalionit renditjen e luftëtarëve më të mirë që kishin marrë pjesë në betejën për çlirimin e Tiranës. Midis emrave të vullnetarëve lexova edhe emrin tim, ku ishte shënuar me gërma të theksuara: “Petrit Velaj ka luftuar me trimëri e vetmohim në luftën e Tiranës. Për këtë gradohet oficer”. Duke bërë përpara në sheshin e shtabit, sa më sheh Hysni Kapua i thotë Liri Gegës: Ja, Petriti, luftoi me trimëri. E shikon çdo të thotë njeri i ndershëm? E njoh mirë unë familjen e tij. Me hyrjen e forcave luftarake në Tiranë, mua më thirrën në shtabin e Korpusit dhe më punësuan në ndarjen e letrave, sipas brigadave e batalioneve … pas disa muajve, duhet të ketë qenë prill 1945, me ndërhyrjen e Hysni Kapos, më emëruan për shoqërimin e stofërave ushtarake në fabrikën “Jovanoviç – Popoviç” në Gerdilicë të Jugosllavisë, afër Leskovacit… Njëherë, kur shkoja me punë në Jugosllavi, më ftuan në Beograd së bashku me shokët e mi, për të marrë pjesë në një takim… Aty ishte i pranishëm edhe shefi i misionit ushtarak, Vasil Konomi, i deleguari shqiptar për në Paris, Hysni Kapo si dhe kryetarja e gruas shqiptare Nexhmije Hoxha. Meqenëse isha në afërsi të krahut të Nexhmies, në një moment, mbaj mend që më pyeti: “Kush jeni dhe nga jeni?”. Unë nuk iu përgjigja menjëherë. Ajo e kuptoi dhe iu kthye Hysniut: “përse e keni sjellë këtu këtë ballist?” Hysniu, me atë natyrën e tij të qetë, kthehet dhe i thotë: “Nexhmije, Petriti ka qenë njëri ndër antifashistët e fortë të qytetit të Vlorës dhe nxënës i shkëlqyer i Shkollës Tregtare”… [Velaj, Petrit, vep. e cit., f. 37- 42]
Mund të duket e çuditshme, por në këtë jetë kurrë nuk kemi dëgjuar fjalë të papëlqyera për Besnikun e Popullit, Komisarin e Lirisë, por vetëm lëvdata për Hysni Kapon. Njerëzit e thjeshtë shprehen: “E pastë hallall vendin ku prehet, se është i vetmi burrë i asaj kohe, që prehet ku i ka dashur shpirti, në vendlindjen e tij”.