Nga Çapajev Gjokutaj
Ndarja nga jeta e profesor Ali Xhikut, 83 vjeç, nuk është thjesht një lajm i trishtë kronike akademike; është shuarja e heshtur e njërit prej autoriteteve dinjitoze të historiografisë sonë letrare.
Ai iku ashtu siç jetoi: pa zhurmë, fisnik në mendim e fisnik në sjellje, modest në jetë dhe gjithë vlera në veprat që na la. Portreti i tij mbetet ai i një shkencëtari që autoritetin e ndërtoi mbi integritetin moral dhe ftohtësinë e kërkimit shkencor, larg zhurmës dhe përpjekjeve për vëmendje.
Për mua, kjo humbje ka edhe një përmasë vetjake, që i kalon kufijtë e nderimit të thjeshtë ndaj një figure publike. Kam pasur fatin e madh dhe privilegjin e rrallë ta kem profesor në auditoret e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë dhe më vonë, kur u bëmë kolegë dhe miq, pata privilegjin tjetër të njoh nga afër virtytet e tij humane, si dhe të mësoj shumë gjëra për metodologjinë e studimit të historisë së letërsisë.
Profesor Aliu kishte një dhunti të rrallë: dinte të dëgjonte me vëmendje, të këshillonte pa u imponuar dhe të ruante distancën e duhur emocionale, e cila nuk lejonte kurrë që biseda të binte në cekëtirë. Ky raport i afërt më ka lejuar të njoh nga pranë një njeri të gatuar me parime të forta, që fliste butë, por saktë dhe që mbrojtjen e së vërtetës e kishte busull si në jetën e përditshme, ashtu edhe në analizat e tij.
2.
Profesor Ali Xhiku pati guximin teorik ta vështronte letërsinë shqipe jo si një ishull të shkëputur, por si një degëzim të natyrshëm në detin e madh të rrymave dhe vizioneve artistike mbikombëtare. Projekti i tij madhor historiografik, i cili nisi me studimin „Rrjedhave të letërsisë arbëreshe“ dhe kulmoi me „Letërsia shqipe si polifoni“, për t’u kurorëzuar tek „Sprovë për një tjetër histori të letërsisë shqipe (1555–1944)“, mbetet një sipërmarrje e çmuar, që synon një histori të plotë të letërsisë kombëtare në një këndvështrim mbinacional.
Profesor Xhiku solli në shqip metodologjinë më të mirë të shkollës franceze të letërsisë së krahasuar, veçanërisht teoritë e Yves Chevrel-it, duke vërtetuar se takimet me „tjetrin“ dhe ndikimet reciproke janë nevojë e lindur e vetë procesit letrar.
Nga kjo perspektivë e gjerë, ai e analizoi letërsinë e traditës (që nga shekujt XVI–XVII, te romantizmi rilindas e deri në vitet e pavarësisë) jo përmes skemave të ngurta kombëtare, por si një gërshetim zërash: nga jehonat e humanizmit kristian te prurjet e mjediseve myslimane dhe lëvizjet kulturore ortodokse, të gjitha këto të lidhura në rrjetin ndërletrar të Mesdheut dhe të Ballkanit.
Si koleg dhe mik, mbaj mend se sa herë që diskutonim për këto tema, ai insistonte se vlera e letërsisë sonë rritet kur guxojmë ta krahasojmë, pa kompleks inferioriteti, me modelet europiane. Nuk e duronte dot reduktimin e historisë së letërsisë në një listë të thjeshtë biografish apo datash.
Për të, historia e vërtetë shkruhej përmes evoluimit të gjinive. Ai besonte dhe provoi se vlera e një vepre të madhe, qofshin poemat e De Radës, lirikat e Serembes apo proza e Migjenit, qëndron te thyerja e kanonit, te kapërcimi i rregullave të ngurta të gjinisë për të krijuar vlera të reja.
Në këto diskutime më shfaqej i plotë portreti i tij: një studiues med horizont të gjerë, që nuk mbylej në dogma, por që kërkonte te historia e letërsisë atë që ai e quante Weltanschauung, vizionin e veçantë mbi botën, me të cilin çdo epokë zbulon dhe ngjiz vetveten.
3.
Një nga shtyllat më interesante të mendimit të profesor Ali Xhikut ishte përcaktimi i prerë i kufijve dhe bashkëpunimit mes historisë së letërsisë dhe tekstologjisë. Në veprat e tij mbronte me ngulm tezën se historia e letërsisë ka një shkallë pavarësie relative; ajo nuk mund të priste pafundësisht në harresë derisa filologët të kryenin punën e tyre dhe të stabilizonin çdo tekst.
Profesor Xhiku na kujton se kuptimi makrohistorik dhe estetik i veprave të mëdha, si poezia e ndjeshme e Serembes apo strukturat komplekse të De Radës, ishin kapur saktë nga historiografia letrare edhe përpara se të dilnin botimet kritike të tyre. Megjithatë, kjo qasje e tij nuk ishte asnjëherë një zhvlerësim i filologjisë.
Përkundrazi, si një njohës i thellë i lëndës, ai e pranonte med ndershmëri se gabimet më të shumta dhe interpretimet sipërfaqësore në letërsinë tonë (veçanërisht në atë arbëreshe) kishin ardhur nga mungesa e botimeve të stabilizuara filologjike. Saktësia e imtësive gjuhësore, thoshte ai, është ajo që i jep mbështetje shkencore debatit dhe analizës së stilit të një autori.
Në këtë pikëtakim, profesori ngrinte një pyetje thelbësore mbi natyrën e vetë dijes letrare: a mundet historia e letërsisë të jetë një shkencë ekzakte? Përgjigja e tij ishte çmitizuese po aq sa edhe realiste. Letërsia, në thelbin e saj, është subjektive; e tillë do të mbetet edhe historia e shkruar për të. Pohimet e saj shpesh nuk mund të verifikohen med rigorozitetin e shkencave të natyrës, dhe ky „subjektivizëm kokëfortë“ buron nga pafundësia e dallimeve botëkuptimore midis njerëzve.
Por pikërisht këtu shfaqej optimizmi i tij shkencor: ai besonte se përmes debateve, leximeve të shumta dhe kalimit të kohës, mendimi shkencor arrin të konvergojë dhe të bashkohet rreth dukurive më të mëdha të ecurisë letrare. Kjo konvergjencë ia zbut subjektivitetin historisë, duke e shndërruar atë në një pasuri të përbashkët të kujtesës kombëtare.
4.
Kur flasim për profesor Ali Xhikun, është e pamundur të ndash shkencëtarin nga njeriu. Trashëgimia e tij më e gjallë nuk peshon vetëm në faqet e librave të tij, por jeton në memorien e qindra studentëve që kaluan nëpër auditoret e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës, si dhe në respektin e thellë që gëzonte te kolegët në rrethet akademike.
Për ne që patëm fatin ta njohim nga afër, profesori mishëronte atë brez intelektualësh që po rrallohet dita-ditës: njerëz për të cilët autoriteti buron ekskluzivisht nga thellësia e dijes dhe integriteti moral, e kurrsesi nga postet, zyrat apo dëshira për protagonizëm. I qetë në fjalë, i matur në gjykime, por absolutisht i palëkundur në bindjet e veta shkencore dhe etike, ai krijoi një institucion të heshtur moral në mjedisin tonë universitar.
Në marrëdhëniet njerëzore Ali Xhiku kishte një fisnikëri të natyrshme dhe një thjeshtësi që të bënte për vete. Si mik dhe koleg, dinte të gërshetonte bukur bisedat e të përditshmes me tema të interesit të përbashkët akademik. Kishte aftësi të forta për të krijuar një klimë besimi dhe lirie intelektuale, ku këshilla e tij nuk vinte kurrë si urdhër, por si një sugjerim miqësor. Ndershmëria e tij intelektuale ishte absolute; ai nuk bënte kompromise me të vërtetën për hir të konformizmit apo interesave të çastit.
I miri Ali iku ashtu siç jetoi, duke na lënë pas një model të rrallë: atë të studiuesit që kulturën e shihte si mision shpirtëror dhe jo si mjet për lavdi personale. Përballë zhurmës dhe sipërfaqshmërisë që shpesh na rrethon, figura e tij do të mbetet një pikë referimi e një profili akademik modest e dinjitoz.
