Nga Ilir Demalia
Më 1 korrik 2025, u mbush një vit nga ndarja nga jeta e Ismail Kadaresë, shkrimtarit më të njohur shqiptar të shekullit XX. Një përvjetor që duhej të ishte reflektiv, analizues dhe një moment i çmuar për të diskutuar trashëgiminë e tij, u kthye në një paradë ceremonialesh që më shumë ngjanin me kujtimet e diktatorit Enver Hoxha se sa me mënyrën perëndimore të përkujtimit të figurave letrare.
Akademia e Shkencave dhe Kuvendi i Shqipërisë organizuan ceremoni përkujtimore me tone të larta patriotike, lavdëruese, të shoqëruara nga fjalime që në frymë e fjalor do të kishin qenë më të përshtatshme për një kongres partie sesa për një vlerësim të një autori të letërsisë moderne. Kryetarja e Kuvendit u shqua për pathosin e saj të papërmbajtur, që të kujtonte ligjëratat e Lenkës së Byrosë Politike.
Në këtë atmosferë ku dominonte hiperbola dhe adhurimi publik, mungoi ajo që është më e nevojshme sot: analiza kritike. Nuk u fol për Kadarenë si autor i formuar në një sistem totalitar. Nuk u diskutua për marrëdhënien e tij me pushtetin. Nuk u përmend asnjë nga veprat që ai i kushtoi udhëheqësit komunist (Dimri i Madh) apo qindra vargjet për partinë, për shokun Enver, për Stalinin.
Pse heshtim? Pse kemi frikë të flasim për kompleksitetin?
Kadare është padyshim një nga shkrimtarët më të mëdhenj që ka prodhuar letërsia shqipe. Ai modernizoi prozën, solli në letrat shqipe mitin, simbolin, dhe një frymë evropiane që mungonte. Por ai është një autor që ka ekzistuar brenda një sistemi represiv dhe ka shkruar nën hijen e tij. Si çdo shkrimtar i madh i një vendi të vogël e të izoluar, ai u përball me dilema: të ekzistonte duke u përshtatur, apo të fshihej dhe të heshtte. Zgjodhi të ekzistonte.
Në vend që këto dilema të trajtohen në mënyrë serioze, diskutohet për mauzoleum për shkrimtarin, për propozime që do i kishin bërë nder vetëm ndonjë perandori lindore, jo një vendi që pretendon të jetë pjesë e familjes evropiane.
Një zë i ri tregonte me krenari që kishte bërë 11 intervista me Kadarenë dhe ai nuk i kishte refuzuar asnjë. Por intervistat nuk janë analiza. Dhe vepra letrare nuk matet me frekuencën e intervistave, por me përmbajtjen, kontekstin, ndikimin dhe mënyrën se si përballon kohën.
Letërsia jonë nuk është vetëm Kadare
Një nga gabimet më të mëdha që përsëritet në këto përkujtimore është paraqitja e Kadaresë si i vetmi shkrimtar që i ka dhënë diçka letërsisë shqipe. Kjo është historikisht e pasaktë dhe intelektualisht e dëmshme. Letërsia shqipe nuk është një monolog. Ajo është një kor. Kadare është një zë i fuqishëm brenda këtij kori, por jo i vetmi.
Pa Buzukun, Barletin, Bardhin, Fishtën, Konicën, Mjedën, Koliqin,Poradecin, Petro Markon, Migjenin, pa Kutelin, pa Martin Camajn, pa Arshi Pipën, pa Agollin, pa Kongolin, pa Pashkun, pa dhjetëra të tjerë, ne nuk mund të ndërtojmë dot historinë letrare moderne shqiptare. Dhe më keq akoma: nëse historia e letërsisë reduktohet në një emër të vetëm, atëherë ajo kthehet në mit, jo në dijeni.
Çfarë fshihet pas kësaj mënyre përkujtimi?
Mënyra si u përkujtua Kadare na tregon diçka më të thellë: se mendësia komuniste nuk ka vdekur, vetëm ka ndryshuar formë. Adhurimi i figurave publike, mungesa e debatit kritik, ceremonia si zëvendësim i analizës — janë të gjitha simptoma të një kulture që nuk ka hyrë ende në pluralizëm të vërtetë kulturor.
Në Perëndim, për figurat e mëdha bëhen konferenca, shkruhen analiza, ngrihen polemika. Victor Hugo, Balzac, Hemingway, Gëte — janë autorë që nderohen, por edhe analizohen pa frikë. Sepse vetëm kështu ruhet vlera e tyre: duke i parë nga të gjitha këndet, jo vetëm nga njëra.
Kadare nuk ishte shenjt. Ai ishte një shkrimtar i madh që jetoi një jetë komplekse, në një kohë të vështirë, dhe që nuk u shkëput kurrë plotësisht nga pushteti. Ai ndërtoi një vepër të gjerë, të përbërë nga romane, ese, poezi dhe polemika. Por edhe nga heshtje, rreshtime, dhe luftëra të brendshme.
Nderimi i vërtetë kalon nga analiza
Po të kishte një mënyrë për të nderuar Kadarenë me dinjitet, ajo do të ishte një konferencë kombëtare për veprën dhe rolin e tij në diktaturë dhe pas saj. Një ballafaqim i hapur me pjesët e errëta dhe të ndritshme të veprës së tij. Një leximi i ri përmes optikës së post-totalitarizmit. Një hapësirë për të thënë se vepra e tij është pjesë e trashëgimisë sonë, por jo gjithçka që kemi.
Deri atëherë, çdo përvjetor i Kadaresë që kthehet në shfaqje idhujtarie është një simptomë e mungesës sonë për të kuptuar se si duhet të ndërtojmë raportin me të shkuarën — dhe me figurat që ajo ka prodhuar.