Nga Fatos Tarifa
Njeriu ka nevojë për inteligjencën artificiale. (Po të mos kishte nevojë për të, nuk do ta kishte krijuar).
Në një kohë kur inteligjenca natyrore e atyre që qeverisin vendin po dëshmon, ditë pas dite, kufizimet e saj përballë problemeve të mëdha të shoqërisë, ndoshta nuk është pa interes të flasim për një lloj tjetër inteligjence—atë artificiale. Jo sepse kjo e fundit mund të zëvendësojë të parën, aq më pak përgjegjësinë, gjykimin dhe urtësinë njerëzore, por sepse ajo po bëhet një nga instrumentet më të fuqishme që njeriu ka krijuar për të zgjeruar aftësitë e veta për të njohur, për të kuptuar dhe për të vepruar.
Historia e njerëzimit është, në një kuptim real të fjalës, historia e përpjekjeve të njeriut për të kapërcyer kufijtë që natyra i ka vendosur. Teleskopi e çoi shikimin përtej horizontit të syrit; mikroskopi e futi atë në botën e së padukshmes; telefoni e çliroi zërin nga kufijtë e distancës; avioni i dha njeriut aftësinë për të fluturuar; ndërsa interneti e bëri komunikimin dhe qarkullimin e informacionit pothuajse të menjëhershëm në shkallë planetare.
Inteligjenca artificiale ështe episodi më i ri në këtë histori të zgjerimit të mundësive njerëzore, por ajo prek një kufi edhe më të veçantë: ajo nuk zgjeron vetëm fuqinë e shqisave, të lëvizjes apo të komunikimit, por edhe kapacitetet njohëse të njeriut. Kjo merr një rëndësi veçanërisht të madhe në një epokë kur sasia e informacionit mbi natyrën, botën dhe shoqërinë është rritur në përmasa të paimagjinueshme dhe vazhdon të shtohet nga dita në ditë, ndërsa kapaciteti njerëzor për ta përvetësuar dhe përpunuar atë—dhe koha që kemi në dispozicion—mbeten të kufizuara.
Inteligjenca artificiale ndihmon pikërisht në kapërcimin e kësaj mospërputhjeje. Ajo mund të kërkojë, përzgjedhë, përpunojë dhe sintetizojë, në një kohë shumë të shkurtër, sasi informacioni që një individi do t’i kërkonin shumë më tepër kohë. Në këtë kuptim, inteligjenca artificiale nuk është vetëm një zgjerim i kapaciteteve njohëse të njeriut; ajo është edhe një mjet për të ekonomizuar atë që asnjë teknologji nuk mund ta prodhojë dhe as ta rikthejë-kohën njerëzore.
Edhe pse aftësitë njerëzore janë të kufizuara, vetë fakti që njeriu ka krijuar inteligjencën artificiale dëshmon se sa e madhe është fuqia krijuese e mendjes së tij. Ata që me frikë mendojnë se inteligjenca artificiale mundet një ditë ta bëjë të padobishme inteligjencën njerëzore dhe ta sundojë atë, duhet të mos harrojnë se një inteligjencë që arrin të krijojë instrumente të afta për të shumëfishuar kapacitetet e veta jo vetëm nuk është bërë e panevojshme, por ka mundur tê zgjerojë fushën e veprimit të saj.
Sfida me të cilën ndeshet njerëzimi nuk është se inteligjenca artificiale do të zëvendësojë inteligjencën njerëzore dhe do të bëjë që ne të mos mendojmë më në mënyrë të pavarur prej saj. Sfida është e do të jetë gjithnjë e më shumë se si ne, njerëzit do të duhet, do të dimë e do të mundemi, që si çdo shpikje tjetër teknologjike, ta përdorim inteligjencën artificiale për nevojat tona dhe në dobinë tonë–për të menduar më shumë, më shpejt dhe më mirë.
Inteligjenca artificiale mund të përpunojë në pak çaste sasi informacioni për të cilat një individi do t’i duheshin vite dhe, në mjekësi, shkencë, arsim, ekonomi, komunikim dhe kërkim, mund të zgjerojë në mënyrë të jashtëzakonshme horizontin e veprimit njerëzor.
Pikërisht këtu qendron çështja më e rëndësishme. Siç kanë venë me kohë në dukje Marksi dhe Weberi, zbulimi i një teknologjie të re nuk na thotë asgjë për qëllimin për të cilin do të përdoret ajo. Teknologjia shumëfishon aftësinë njerëzore për të vepruar; ajo nuk përcakton vetvetiu nëse ky veprim do të jetë i mirë apo i keq. Prandaj, çështja themelore nuk është nëse inteligjenca artificiale është në vetvete e mirë apo e keqe. Ajo është, para së gjithash, një instrument. Çështja është se kush e përdor, për çfarë qëllimi dhe me çfarë përgjegjësie.
Historia e energjisë bërthamore na ofron këtu një analogji dramatike. Zbulimi i reaksioneve bërthamore hapi mundësi të jashtëzakonshme për shkencën, prodhimin e energjisë dhe mjekësinë, por e njëjta dije bëri të mundur edhe krijimin dhe përdorimin e armës atomike. Problemi nuk qëndronte te njohja e atomit në vetvete. Njeriu zbuloi dhe mësoi të përdorte një forcë të natyrës; ishte po njeriu ai që vendosi se për çfarë qëllimesh do ta përdorte atë.
E njëjta dilemë shfaqet, në forma të reja, me inteligjencën artificiale. Ajo mund të ndihmojë në diagnostikimin e sëmundjeve, në zbulimin e barnave të reja, në parashikimin e rreziqeve natyrore, në përmirësimin e arsimit dhe në zgjerimin e dijes. Por mund të përdoret gjithashtu për manipulim, survejim, dezinformim, luftë ose forma të reja kontrolli. Sa më e madhe fuqia e instrumentit, aq më e madhe bëhet përgjegjësia e atij që e përdor. Pikërisht për këtë arsye, frika nga inteligjenca artificiale nuk duhet të na çojë në refuzimin e saj.
Njerëzimi nuk ka përparuar duke hequr dorë nga shpikjet e reja për shkak të frikës se ato mund të keqpërdoren. Ai ka përparuar duke mësuar—shpesh edhe pas gabimeve tragjike—t’i vendosë fuqitë e reja që krijon nën kontrollin e arsyes, etikës, ligjit dhe përgjegjësisë shoqërore.
Problemi, pra, nuk është vetëm se çfarë mund të bëjë inteligjenca artificiale, por se çfarë duhet të bëjmë ne me të.
Teleskopi e zgjati shikimin tonë drejt yjeve; mikroskopi e çoi atë në thellësinë e qelizës; inteligjenca artificiale po zgjeron fuqinë tonë për të përpunuar dijen, për të kuptuar dhe për të zgjidhur probleme. Por teleskopi nuk vendosi kurrë se çfarë duhej të kërkonim në qiell dhe mikroskopi nuk vendosi se çfarë duhej të bënim me atë që zbuluam.
As inteligjenca artificiale nuk duhet të vendosë se çfarë lloj bote duam të ndërtojmë. Ajo mund të zgjerojë fuqinë e mendjes njerëzore, por qëllimet e kësaj fuqie duhet të mbeten njerëzore.
Njerëzimi ka nevojë për inteligjencën artificiale jo sepse mendja njerëzore është bërë e panevojshme, por pikërisht sepse ajo mbetet e pazëvendësueshme.
DITA
