Nga Adrian Thano
Kryeredaktor i gazetës DITA
Egbert Lachaert është një nga politikanët më aktivë në Bruksel. Z.Lachaert ka depozituar një rezolutë në parlamentin federal belg për të detyruar qeverinë belge të prononcohet për sulmin terrorist të Banjskës dhe ta vendosë temën në rendin e ditës gjatë presidencës belge të BE-së, 6 muajt e parë të këtij viti.
Ish-kreu i flamandëve liberalë e njeh mirë Shqipërinë. Ai është një adhurues i natyrës shqiptare dhe vizitor i shpeshtë i vendit tonë. Bashkëshortja e tij është shqiptare.
Cili është problemi kryesor që sheh politikani i njohur belg në lidhje me bisedimet e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor. A është Serbia “e dashura” e Brukselit. Sa realist është parashikimi i Komisionit Europian se viti 2030 është viti i zgjerimit të BE-së me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Si i përgjigjet pyetjes nëse feja e një popullate është problem për anëtarësimin në BE dhe a qëndron kjo për Shqipërinë.
Këto dhe pyetje të tjera trajtohen në këtë intervistë të z.Lachaert dhënë kryeredaktorit të gazetës DITA. Në bisedë u përfshinë edhe pyetje nga bashkëpunëtorë të njohur të gazetës, si ish-diplomatët Fatos Tarifa e Shaban Murati, analisti Viktor Malaj, etj
DITA – Z.Lachaert, ekziston ideja se europianët janë vetë të paqartë në lidhje me “Projektin Evropian”, aq sa kur flasin për një “Europë të fortë”, ata nuk janë krejt të sigurt se cilës Europë po i referohen – Evropës së Jean Monnet, të Charles De Gol apo të Emmanuel Macron? Asaj të Helmut Kohl, Gerhard Schröder apo të Olaf Scholz? Europës së Margaret Thatcher apo asaj të Tony Blair (para Brexit)? Europës së Giulio Andreotti, Romano Prodi apo të Giorgia Meloni? Europës së Vaclav Havel apo asaj të Viktor Orban? A e dinë vërtet europianët se çfarë i pret në të tashmen dhe të ardhmen?
Egbert Lachaert – Zgjedhjet e fundit në Hollandë dhe Sllovaki u fituan nga forca politike që i kundërvihen vlerave si tregtia e lirë apo lëvizja e lirë brenda BE. Geert Wilders, i cili fitoi zgjedhjet në Holandë, për pak kohë, madje ishte pro daljes së Hollandës nga BE-ja.
Europianët nuk janë një popull i vetëm, BE-ja është një konfederatë kombesh. Shumë europianë ndihen sikur kanë humbur shumë prej fuqisë demokratike për të vendosur për fatin e tyre dhe se Europa vendos pak si tepër për ta.
Në vendet evropiane ka irritim të mirëfilltë për migrimin e pakontrolluar, abuzimin e sistemeve të tyre sociale nga të huajt dhe sigurinë. Shumë qytetarë ndihen të lënë pasdore nga forcat politike dhe besojnë se Europa nuk i mbron mjaftueshëm.
Kjo rezultoi në fitoren e forcave politike anti-BE, në zgjedhjet e fundit. Duhet që forcat demokratike t’i kundërpërgjigjen kësaj. Pakti i ri mbi migracionin në BE është fillimi i një përgjigjeje të tillë.
DITA – Shqiptarët dhe kombet e tjera të Europës Juglindore e shohin të ardhmen e tyre si anëtarë të familjes BE-së. Brukseli u ka dhënë atyre shpresë prej shumë kohësh. Megjithatë, anëtarësimi i tyre i plotë në BE nuk duket në horizont, prandaj shpresa dhe entuziazmi për anëtarësim duket se po shuhen në të gjitha këto vende.
Çfarë do i thonit shqiptarëve, malazezëve, maqedonasve, kosovarëve, serbëve dhe boshnjakëve? Të heqin dorë apo të mbajnë ende shpresë se së shpejti do të bëhen qytetarë europianë?
Egbert Lachaert – Problemi kryesor që shoh në lidhje me bisedimet e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor është se ata shpesh konsiderohen si një bllok vendesh që do të anëtarësohen së bashku ose nuk do të anëtarësohen fare.
Kjo nuk është në favor të vendeve si Shqipëria apo Maqedonia e Veriut, që tashmë kanë bërë reforma të suksesshme dhe kanë përqafuar dukshëm vlerat evropiane. Situata është tjetër për sa i përket Serbisë, nën ndikimin e Rusisë, apo Kosovës, e cila ende nuk është njohur nga të gjitha vendet.
Nëse BE-ja do t’i qaset gjërave me seriozitet, asaj i duhet të vlerësojë progresin e çdo vendi veçmas. Një tjetër çështje e rëndësishme është se vetë institucionet evropiane duhet të përshtaten për një BE më të madhe. Nëse për çdo çështje, vendimi duhet të jetë unanim, çdo zgjerim i bën gjërat edhe më të vështira në BE.
Pra, BE duhet të bëjë detyrat e shtëpisë për vete. Personalisht, besoj se Belgjika duhet të përdorë presidencën e vet të Këshillit Europian që, muajt e ardhshëm, të ndërtojë një rrugë të qartë dhe të drejtë për anëtarësim.
DITA – Për më shumë se një shekull, Serbia ka qenë zemra metafizike e të gjitha tragjedive ballkanike. Ajo ende duket se vijon të jetë problemi dhe sfida kryesore për të ardhmen europiane të Ballkanit Perëndimor. Miqësia e saj e ngushtë me Rusinë, marrëdhëniet e saj problematike me Kosovën dhe sulmet e saj ndaj Bosnjës janë shkaqe për paqëndrueshmëri politike dhe kërcënime për rajonin. Gjithashtu janë çështje shqetësuese për Uashingtonin e për Brukselin.
Megjithatë, ka një përshtypje se Serbia ka qenë gjithmonë – e ende është – “e dashura” e Evropës dhe Brukseli nuk do mundet të bëjë shumë për ta vendosur Serbinë në rrugën europiane. A është vërtet kështu dhe, nëse jo, çfarë duhet të bëjë Brukseli për të ndryshuar situatën aktuale?
Egbert Lachaert – Nuk mendoj se Serbia është “e dashura” e Brukselit. Përkundrazi, në mediat belge, për shembull, pasqyrohet shqetësimi i madh për ndikimin e Rusisë në Serbi, edhe pse nuk më ka rënë në sy vëmendja e mediave tona ndaj keqtrajtimit dhe arrestimit të liderit të opozitës demokratike në Serbi, kohët e fundit.
Shpeshherë më krijohet përshtypja se në mediat perëndimore nuk i kushtohet vëmendje çfarë ndodh në Ballkanin Perëndimor. Udhëheqësit belgë apo të ata të Europës Perëndimore nuk e dinë fort mirë si duhen vlerësuar vendet si Shqipëria, që përparojnë me busullën drejt Perëndimit. Do të ishte gabim i rëndë që vendet e Ballkanit Perëndimor të ktheheshin drejt Lindjes, veçse ndihen të lëna pasdore.
DITA – Por për vite me radhë, komuniteti i BE-së, e ka kushtëzuar anëtarësimin e plotë të Serbisë në BE me njohjen e Kosovës. Pse përfaqësuesit e saj diplomatikë – si z. Lajçak – e deklarojnë si sukses përfshirjen në kapitullin 35 të bisedimeve veçse thjesht miratimin e planit franko-gjerman?
Egbert Lachaert – Kur merren parasysh ngjarjet e fundit në Serbi, Serbia nuk mund të hyjë kurrë në BE. Nëse lideri kryesor i opozitës arrestohet nga shërbimi sekret dhe torturohet, demokracia serbe është qartazi në rrezik.
Ndikimi rus në Serbi është, gjithashtu, thellësisht shqetësues për BE-në. Rruga drejt njohjes së Kosovës është një tjetër kusht, por kjo sjell me vete edhe çështje për vendet e tjera që kanë frikë nga ndarja e rajoneve brenda vendeve të tyre që kërkojnë autonomi.
Ekziston një vullnet i qartë në mesin e shumicës së vendeve të BE-së që të avancohet me njohjen e Kosovës nga të gjitha vendet, por këtu shpesh ballafaqohemi me rregullin e vështirë të unanimitetit.
DITA – Një njësi ushtarake serbe kreu një sulm terrorist në Banjskë të Kosovës. A mund të hidhni dritë mbi arsyet pse BE hezitoi t’i referohej këtij akti ashtu si ishte, pra terrorist, dhe, në të vërtetë, BE duket se e ka harruar këtë akt agresioni kundër stabilitetit të Ballkanit?
Egbert Lachaert – Vota e BE-së për këto çështje është shpesh e ndarë. Në përgjithësi, ka mungesë interesi për tensionet në kufirin Serbi-Kosovë. Vendet e BE-së e nënvlerësojnë faktin se sa e volitshme do të ishte për Rusinë nëse një konflikt i tretë ushtarak do të lindte pas Ukrainës dhe luftës në Gaza.
Për këtë arsye, unë kam depozituar një rezolutë në parlamentin federal belg për të detyruar qeverinë belge të prononcohet dhe ta vendosë këtë temë në rendin e ditës gjatë presidencës sonë të BE-së, 6 muajt e parë të këtij viti.
DITA – Në pikëpamjen tuaj, sa realist është parashikimi i Komisionit Europian se viti 2030 është viti i zgjerimit të BE-së me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor? A do të ndryshojë kjo qasje optimiste pas zgjedhjeve të qershorit 2024 për Parlamentin Europian, si dhe pas Këshillit të ri Europian dhe Komisionit Europian?
Egbert Lachaert – Besoj se ekziston një faktor motivues për përshpejtimin e procesit (të anëtarësimit) në Ballkanin Perëndimor dhe ai është konflikti në Ukrainë. Vullneti i Europës, ndoshta me përjashtmin e Hungarisë, është që Putini të mos e fitojë luftën në Ukrainë.
Mbajtja e Ukrainës afër dhe ndihma për Moldavinë janë pjesë e kësaj strategjie. Nuk mund të flitet për Ukrainën në BE, nëse nuk lejohet anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat, tashmë, kanë kaluar shumë reforma. 2030 mund të jetë (parashikim) realist, por, për mua, është e gabuar që 6 vendet të mos konsiderohen veç e veç, pasi historitë dhe rrugëtimet e tyre janë krejtësisht të ndryshme.
DITA – Ka kaluar pothuajse një çerek shekull që kur Turqisë iu dha statusi i kandidatit për në BE nga Këshilli Europian dhe, në Bruksel, askush nuk flet për anëtarësimin e saj në BE. A është harruar Turqia? A janë ndërprerë apo vonuar negociatat për anëtarësimin e Turqisë, që kanë filluar në vitin 2005? Deri më sot, asnjë prej vendeve që kanë nisur negociatat e anëtarësimit në BE, nuk është lënë jashtë. A do të jetë Turqia e para? Dhe çfarë mesazhi i jep kjo vendeve të tjera kandidate?
Egbert Lachaert – Shumica e vendeve të BE-së e shohin Turqinë si një vend që në një numër aspektesh nuk po shkon në të njëjtin drejtim me shoqërinë europiane. Vendi shihet si sistem autokratik, jo demokratik. Rruga e Kemal Ataturkut, duket, sikur është braktisur, pasi feja po luan një rol më të madh në shoqëri sesa më parë
Turqia është një vend me 82 milionë banorë. Një anëtarësim ka ndikim të madh në buxhetet, subvencionet dhe ekuilibrin e sferës së ndikimit. Progresi apo vullneti që Turqia të anëtarësohet në BE, në këtë pikë, është zero.
Edhe nga pikëpamja gjeografike, Turqia është kryesisht vend aziatik, jo europian. Dikur u ëndërrua që lidhja mes BE-së dhe Turqisë të forcohej, por, tashmë, të dyja kanë vijuar rrugën në kahet e veta.
DITA – Siç ju mund ta dini, shqiptarët, ashtu si qytetarët e mjaft vendeve të Europës Lindore para rënies së Murit të Berlinit dhe veçanërisht gjatë Luftës së Ftohtë, nuk lejoheshin të dilnin jashtë shtetit pa lejen e posaçme të autoriteteve shtetërore, një mundësi e të paktëve. Prej kësaj dhe çështjeve të tjera të trashëguara, pas vitit 1990, shqiptarët ishin të etur të largoheshin drejt Perëndimit dhe shumica e tyre e bënë këtë pa viza. Tendenca e emigrimit është ende një fenomen i përhapur.
Duke pasur parasysh se ndërsa nga njëra anë vendet e Europës Perëndimore kanë propaganduar për një kohë shumë të gjatë e lëvizjen e lirë të njerëzve (dhe mallrave), por, nga ana tjetër, i kanë “mbyllur” kufijtë e tyre për emigrantët nga Lindja e kontinentit, si do ta shpjegonit qëndrimin e Europës?
Egbert Lachaert – Sot për sot, migrimi është një nga çështjet kryesore të BE-së. Zgjedhjet fitohen ose humben prej kësaj. Në vendet e zonës Shengen, besohet se migrimi nuk është nën kontroll. Shumë vende vuajnë nga kriza e azilkërkuesve dhe nuk i kanë aftësitë të trajtojnë të gjitha kërkesat për azil në kohë.
Në shumë vende, kjo ka çuar në kriza politike. Grupe të mëdha emigrantësh janë vendosur ilegalisht në vendet e BE-së. Kthimi i tyre në vendin e origjinës është shpesh i pamundur sepse nuk ka marrëveshje për ta bërë të mundur riatdhesimin. Kjo çon në një imazh publik të dobët të qeverive, që nuk mbrojnë dot as kufijtë e tyre dhe nuk e menaxhojnë çështjen.
Për më tepër, ka irritim në disa vende me sisteme shumë interesante të mirëqenies sociale, ku të ardhurve i sigurohet mbështetje dhe përfitime që nuk merren as nga ata që kanë punuar gjatë gjithë jetës së tyre. E gjithë kjo çon në një kërkesë të shtuar të një pjese të madhe të popullsisë për të qenë më të ashpër dhe të rreptë ndaj migrimit.
Për sa i përket Ballkanit Perëndimor, problemi aktualisht nuk është ai i azilkërkuesve apo migrimit për mirëqenie sociale. Shumë shqiptarë që jetojnë në Belgjikë, në mënyrë ligjore ose pa letra, punojnë. Për më tepër, Shqipëria është një vend që bashkëpunon mjaft mirë me qeverinë belge për kthimin e shtetasve që qëndrojnë ilegalisht.
Ka zëra të politikës, si vetë partia ime, që janë në favor të migrimit për të punuar në vendin tonë për të ardhurit nga vendet që bashkëpunojnë mirë me qeverinë belge, por, për momentin, nuk ka konsensus për fleksibilitet të shtuar. Gjermania, për shembull, në këtë drejtim është më progresive
DITA – Jo rrallë, europianët lindorë ndihen më pak të mirëpritur në vendet e Europës Perëndimore sesa miliona emigrantë nga Azia e Afrika, çfarë i bën europianolindorët “e papranuar” – të pyesin “a nuk është Europa e europianëve?” Si do e komentonit këtë?
Egbert Lachaert – Kjo ndryshon nga vendi në vend. Vala e parë e madhe e emigrantëve nga Europa Lindore, dy dekada më parë, përbëhej kryesisht nga staf teknik nga Polonia, Sllovakia, etj. Ata shiheshin si punëtor dhe u bënë thelbësorë për ekonominë. Për një kohë të gjatë kishte probleme me krimin dhe vjedhjet prej grupeve nga Rumania, Bullgaria dhe vende të tjera të Europës Lindore, çfarë dëmtoi imazhin e atyre vendeve.
Shqiptarët janë paragjykuar, prej kohësh, për shkak të kriminalitetit të drogës. Por me kalimin e kohës, europianët perëndimorë zbuluan se vendet e Europës Lindore po përparojnë me shpejtësi. Qytetet e bukura të Europës Lindore u kthyen në destinacione interesante turistike.
Vitet e fundit, belgët po zbulojnë Shqipërinë me ritme të shpejta, një diamant i pazbuluar për turizëm. Pra, siç e shihni, imazhi i evropianolindorëve ka ndryshuar dhe, sot, është përmirësuar shumë, edhe pse ka ende paragjykime për disa vende.
DITA – Z. Lachaert, a jeni në dijeni të asaj që besohet dhe pëshpëritet në mesin e kandidatëve të BE-së, pra se vendet të cilat nuk janë anëtarësuar ende në BE janë ata me shumicën e popullsisë myslimane?
Egbert Lachaert – Të qenit një vend musliman, në vetvete, nuk është problem, por pesha e fesë në çështjet shtetërore është. Europianët perëndimorë kanë vendosur një traditë, për mosndikimin e Kishës në çështjet shtetërore. Ata nuk duan të kthehen pas në kohë me (anëtarësimin) e vendeve ku udhëheqësit fetarë kanë ndikim të tepërt në çështjet shtetërore.
Për shembull, Shqipëria ka një shumicë myslimane, por kjo nuk ka asnjë ndikim në çështjet apo vendimet e shtetit. Prandaj, për një vend si Shqipëria kjo nuk do të përbëjë problem.
DITA – A besoni se BE-ja ka nxjerrë mësim nga agresioni rus në Ukrainë? Dhe cilat mund të jenë arsyet pse disa nga anëtarët e saj mbajnë marrëdhënie individuale me Moskën? A lidhet kjo me gazin rus apo Kremlini ka ende ndikim në disa vende të BE-së?
Egbert Lachaert – Jo, nuk mendoj se të gjitha vendet e BE-së e kanë kuptuar se agresioni rus nuk do të ndalet në kufirin ukrainas. Madje as shumica e tyre. Në ballë të rrezikut janë Moldavia dhe shtetet baltike.
Nëse ukrainasit nuk i mbrojmë së bashku dhe na mungon një strategji për mbrojtjen e vendeve të BE-së dhe të mbarë vendeve europiane që bien pre e ndikimit të Rusisë, të Kinës apo të të tjerëve, ne vemë në rrezik stabilitetin dhe paqen në kontinent.
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016