Nga Agim Blloshmi
Bedri Bogdani është një nga fëmijët e Qerim Bogdanit. Familja e Qerimit bëri bujë në 1975 kur arriti vetë i shtatë të kalonte kufirin në një natë të ftohtë prilli dhe të arratisej nga Shqipëria.
Rrëfimi i Bedriut është njerëzor dhe është sjellë në DITA nga Agim Blloshmi. Megjithëse ikën nga fshati i tyre, ku pamundësia dhe më pas një fletërrufe ua bëri bashkëjetesën të pamundur, ata u kthyen me amanetin e babait sapo Shqipëria u hap.
Më poshtë, një rrëfim që nuk duhet humbur botuar nga rubrika HISTORI e gazetës Dita.
Bedri, si vendosët të largoheshit nga Shqipëria? Cila është historia e familjes suaj?
Vendosën nëna me babën për t’u larguar nga Shqipëria. Pas luftës ne ju përkushtuam bujqësisë. Kishim blegtori tre muajt e verës si i gjithë fshati. Shkonim në stan me delet. Jetonim shumë mirë, paguanim taksat në mënyrë të rregullt, sipas ligjit që kishin vendosur. Pas disa kohësh u bëmë kooperativë rreth vitit ’66-’67. Asokohe përfundoi ngritja e kooperativave të zonave malore, pasi zonat fushore ishin mbyllur më përpara. I dorëzuam dele, lopë, kuaj. Na lanë nga 10 kokë bagëti, një lopë dhe 500 metra tokë.
Kur u bëmë kooperativë kanë ardhur në shtëpinë tonë mbi 20 burra nga Komiteti i Partisë Librazhd dhe nga fshati. Kërkonin firmën që jemi dakord për t’u future në kooperativë, pra për të dorëzuar tokën edhe bagëtitë.
Atë natë ishte vetëm nëna se babai ishte në Myzeqe. Nëna ju tha unë nuk firmos, nuk kam prurë tokë andej nga kam ardhur, tokën e ka burri dhe nuk hedh firmë pa ardhur ai. Atë natë nuk hodhëm firma, ata ikën. Kur erdhi babai erdhën përsëri. Kanë ngrënë shtatë bukë cerepi, bukë e pjekur me saç sepse qëndruan tërë natën. Por bagëtitë baba i lëshoi malit, i hoqi nga kasolla që të mos i merrnin. Baba tha më mirë le t’i hajë ujku.
Ishin bagëtitë tona, të rritura me mundim. Kishim 80 kokë dhi pëllnja, 50 kokë dele, kalin, lopën, një ka, të cilin e kishim për të punuar tokën.
Na thanë në fillim që do ju paguajmë. E vlerësonin 100 lekë një dele ose dhi, kaun e parmendës, 4 000 lekë. Më vonë erdhi urdhëri që duhet të dorëzohen falas. Kështu që fshati nuk mori asnjë lekë. Disa kishin nga 200-300 kokë bagëti, nuk morën asgjë.
Miliona vlenin, shteti na i mori pa lekë. Dhe shteti sot nuk na hap një rrugë. Ajo rrugë është paguar prej fshatit. Por askush nuk ka ndërmend të bëjë mirë për popullin.
Babai im e kishte bërë shtëpinë me gurë. Pas asaj që ndodhi nuk kishim ku të mbillnim, pasi përpara i bënin shtëpitë në vende të gurta, pra nuk zinin tokën e bukës me ndërtime. Babai kishte bërë shumë vite ushtar në kohën e Zogut, më pas i ka shërbyer shtetit në mënyrë vullnetare, gjatë luftës që ka qënë partizan. Nga ngricat i kishte të dëmtuar gishtat e këmbës dhe mezi ecte. Mesi dhe këmbët i dhimbnin gjithë kohën. Kur nisi puna në kooperative nuk punonte dot për shkak të sëmundjes. Shkonte me ato pak bagëti që kishim, pasi nuk mund të bënte asnje punë tjetër. Më vonë filloi buka me racion. Ia prenë edhe racionin, nuk i jepnin sepse për shkak të sëmundjes nuk mund të punonte në koperativë. E kishte të pamundur. Shkonte tek doktori, ai jepte vetëm tre ditë raport se ashtu ishte rregulli, ligji.
Atëkohë vëllai i madh shkoi ushtar dhe më pas shkova edhe unë. Jetonim me shumë zor se shtëpia duhej mbajtur, duhej mbajtur familja. Pasi mbarova ushtrinë baba na tha që do të largohemi nga Shqipëria sepse është e pamundur të vazhdojmë kështu. Baba kishte qënë më përpara në kufi, bënim tregti, kishim edhe njerëzit tanë. Kështu vendosëm të largohemi. Dmth vendosën të dy prindërit që do të largohemi.
Atë natë që do niseshim, therrëm një dash dhe e poqëm mirë. U mblodhëm rreth sofrës të gjithë, ishim shtatë veta. Dy motrat i kishim të martuara, nuk u treguam atyre. Por nana ju pati thënë, sepse nuk rrinte dot pa ju thënë. Kishte besim. U ulëm të hanim, ushqimi ishte shumë i mirë, por nuk na shkonte poshtë në stomak.
Pasi hengrëm baba i tha nënës, këtë e mbajë mend si tani, që na e ban hallall se do nisemi për rrugë që të dalim matanë në Jugosllavi, por nuk dihet a do të dalim të gjallë se mundet të na vrasin ushtarët. Nëna u ngrit në këmbë dhe tha: Po, jua kam bërë hallall të gjitha, keni bekimin tim (përlotet)
Atëhere u ngritëm të gjithë në këmbë u përqafuam. U nisëm për rrugë. Ishte shumë vonë dhe sapo kishte filluar një dëborë. Morëm pak ushqim me vete dhe atë që kishim e lamë në sofër të shtruar. Babai ecte përpara. Kur kaluam Qafën e Vaskut dhe morëm malit, në atë moment na arrin edhe qeni i shtëpisë. Kishte këputur zinxhirin dhe kishte ardhur pas nesh. Kishte kuptuar që nuk do ktheheshim më kurrë. Ishte një qen shumë i veçantë.
Kemi vazhduar të ecim deri në shkallën e Borretit. E kaluam lart se ishte shumë dëborë. Aa më shumë i ngjiteshim malit dhe kufirit, dëbora ishte më e dendur. Ishte dëborë e trashë, por patëm fat se nuk kishte ngrirë. Në një pikë, afër nesh kaloi edhe tufa me ujqër. Ne nuk lëvizëm. As qeni nuk lehu vetëm se i shikonte me sy.
Ne u nisëm nga shtëpia në orën 08.00 të darkës. Babai la një letër në shtëpi, e la tek oxhaku. Aty shkroi se ne po ikim në Jugosllavi sepse këtu në Shqipëri nuk po mundemi të ngopemi me bukë. Edhe në kufi la po të njëjtën letër, se bëri dy copë. Kufirin e kaluam në orën 08:00 të mëngjezit me ditë.
Askush nuk dyshoi para nisjes?
Gjithë ditën ne punuam në kooperativë. Unë u takova me shokët, madje disa prej shokve u thashë natën e mirë dhe mirupafshim. Jakupi, njëri nga shokët, më tha: Po përse na thua “mirupafshim”. I thashë do shkoj të fle, se nesër nuk dihet a jemi gjallë. Ka qënë data 1 prill 1975 .
Si e gjetët rrugën natën dhe me dëborë?
Rrugën e dinte babai se kishte qenë edhe para se të bllokohej kufiri. Bënim pazaret në Strugë.
Çfarë ndodhi konkretisht që morët vendimin ekstrem?
Ju thashë që babai u bë dita ditës më i pakënaqur, pasi racionin e bukës nuk na e jepnim, ne ishim shtatë fëmijë nuk ngopeshim me bukë. Ju thashë që baba prej sëmundjes kishte dhimbje të këmbës nuk delte dot në punë dhe ndaj nuk na e jepnin atë racionin. Ai kishte luftuar në luftën Nacionalçlirimtare, por nuk e kursyen, e nxorën edhe në fletërrufe. Këtu u thye gjithçka. E nxorrën babain në karikaturë dhe talleshin gjithë fshati.
Kishin nxjerrë një breshkë dhe babën të hipur mbi breshkë kurse nëna duke e tërhequr me litarë. Na demaskonin kot, na kanë përzënë me zor. U detyruam të ikim. Ikëm nga njerëzit që bënin këto lojëra duke na tallur në qender të fshatit Rrajcë. Pas fletë-rrufesë kur delte vëllai i vogël, Qaniu, nga shkolla, shokët e tallnin dhe qeshin me të. I thonin, shif ku e ke babën e nënën, majë breshkës. Vëllai theu xhamin, stendën ku ishte vendosur fletërrufeja dhe e grisi letrën. Më pas kanë dashur ta rrahin vëllain.
Kjo është historia. Nuk kemi dashur të ikim por po na torturonin keq. Punonim aq shumë pa pushim, lodheshim shumë, por nuk na dilte. E dinte i gjithë fshati. Vëllai im i madh bënte dy-tre norma në ditë, po ashtu edhe unë. Shërbimin ushtarak e kryem me sukses për t’i shërbyer shtetit, vendit tonë. Prapë na përbuznin, çfarë mund të bënim?
Pasi arritët në ish-Jugosllvi si ju pritën?
Shkuam tek një kushërira jonë, halla e babait, se ajo ishte martuar në Ladorisht. Kur u ndanë kufijtë ajo mbeti andej. Na ndihmoi i gjithë fshati atje. Burri i hallës na garantoi qëndrimin. Na thanë nëse do të rrini në Ladorisht, do ju bëjmë shtëpinë e re të gjithë bashkë për gjithë natën. Po kështu edhe një kushëri tjetër yni, Kim Murtishi na mikpriti.
Mbështetjen që nuk e gjetëm në fshatin tonë e gjetëm atje. Edhe ekonomia pastaj. Me një ditë pune merrnim shumë ushqime, në fshatin tonë nuk ngopeshim me bukë.
Unë fillova menjëherë punë si bojaxhi në lyerjen e banesave në fshat, suvatimme banesash, pastaj usta marangoz. Kishte shumë punë dhe shqiptarë ishin dhe atje, na ndihmuan shumë.
Por shkuat drejt Belgjikës?
Nuk ishte e kollajshme, por me ndihmën e miqve babai shkoi në Beograd, në Ambasadën e Belgjikës. Kërkoi të shkonte atje dhe ata na lejuan. Të nesërmen u nisëm, sepse aty kishim mjaft miq si Hamit Lukën, Islam Bicakun. Edhe Kaim Murtishi i kishte miq se i kishte dërguar në Belgjikë. Kështu që ishim të garantuar për strehim dhe punësim.
Morëm trenin dhe kaluam gjatë rrugës në Zvicër. Mua edhe vëllain na ndaloi policia, na kërkoi dokumenta, sqaruam kush ishim, na akuzuan ju jeni spiuna të Shqipërisë. Aty bëri një punë të mirë Kimi. Atë nuk e mbajti policia, por ai u hodh nga treni dhe erdhi aty ku na kishin ndaluar. Zgjati rreth 4-5 orë debati. Vendosën të na nisnin për në Itali. Na dorëzuan te policia italiane. Policia italiane na liroi, na tha shkoni te ambasada e Jugosllavisë. Një italian na pa që ishim në gjendje të mjerueshme. Ai na dha disa para pasi nuk kishim, as neve as Kimi, pasi lekët e tij mbetën te e shoqja dhe ajo ishte në tren. Me paratë që na dha ai italiani, gjetëm një kabinë telefonike dhe i telefonuam Hamit Lukës në Bruksel. Pas tre ditësh në Itali, erdhi Hamit Luka bashkë me Islam Bicakun dhe djalin e Islamit dhe na morën.
Pasi u strehuam në Belgjikë nuk na pyeti më njeri për dokumenta, por filluam menjeherë punë. Atje kishte shume shqiptarë të arratisur nga Shqipëria. Shumë herë Sigurimi i Shtetit ka tentuar të na gjente edhe në ish-Jugosllavi, edhe në Belgjikë. Ndaj ikëm në Belgjikë, ndiheshim më të mbrojtur se kishte shumë shqiptarë që njihnim dhe situata ishte më e sigurtë.
Në 1991 juve u kthyet në Shqipëri? Nuk qëndruat në Belgjikë?
Unë pata ardhur kur filloi të zbutej Shqipëria. Kam sjellë ndihma të ndyshme, ilaçe, ushqime, kam ardhur dy-tre vjet para ‘91. Kam dërguar në Tiranë, por edhe në fshatin tim kam dërguar ndihma veshmbathje, ushqime, ilaçe. Kur u hap Shqipëria në vitin 1991 kemi ardhur menjëherë si familje në Rrajcë. Shtëpia ishte shembur, por toka aty ishte. Në vitin 1993 filluam ta rindërtojmë shtëpinë. Aty ndejti nana ime. Kur u kthyem nëna i mbushi sytë m lot dhe puthi tokën në të cilën na kishte lindur dhe rritur.
Në Belgjikë shteti u lidhi pension babait dhe nënës, megjithëse nuk kishin punuar asnje ditë. Ju dhanë pension të rregullt dhe ia dimë për faleminderit shtetit belg. Por baba para se ndërronte jetë na la një amanet. Kur Shqipëria të hapet, bëni një copë shtëpi atje dhe më çoni të prehem në tokën time pas vdekjes. Ndaj ne fëmijët me mundësitë tona e bëmë një shtëpi. Baba ndërroi jete në 1989 dhe nuk mundi ta rishihte Shqipërinë. Por trupi tij prehet në varrezat e fshatit të lindjes në Rrajcë Bardhaj. Ia vumë amanetin në vend.