Nga Isuf Kalo / 1942 – 2023
Më 8 nëntor 1941, siç dihet, u formua ilegalisht në Tiranë Partia Komuniste Shqiptare. Dy javë pas saj, më 23 nëntor 1941, në një rrugicë tiranase, në shtëpinë e kosovares Bije Vokshi, u themelua edhe Organizata e Rinisë Antifashiste Shqiptare. Falë propozimit të Qemalit, Nexhmija ishte e para dhe e vetmja vajzë apo “shoqe militante”, mes 14 delegatëve burra, si bashkëthemeluese e kësaj organizate rinore. Ajo u zgjodh edhe në kryesinë e saj, si përfaqësuese e të gjitha të rejave dhe grave shqiptare. Aty Nexhmije Xhuglini pa dhe u takua për herë të parë edhe me Enver Hoxhën. Ai kishte ardhur si i deleguar i Partisë Komuniste Shqiptare. Që nga ajo ditë, fati i Nexhmijes do të ndryshonte e do të merrte përgjithmonë rrugë tjetër. Marrëdhënia e saj me Enverin, imponues nga imazhi, oratoria dhe pamja fizike, u zhvillua në mënyrë të vrullshme e të pandalshme.
Ndërkohë, miqësia e saj me Qemalin vazhdoi, në dukje po aq korrekte shoqërore si më parë, por rrethanat ndryshuan. Qemali u fejua me Drita Kosturin, njërën nga ish-shoqet e saj të celulës së shkollës. A ishte dhe a mbeti gjithë kohën miqësia mes Qemalit dhe Nexhmijes vetëm miqësi? “Miqësia, shkruan Gregoire Delacourt në librin ‘Lista e dëshirave të mia’, mund të shndërrohet në dashuri. Por dashuria kurrsesi jo në miqësi.”
Ndoshta për këtë nuk arritën ta dinin të vërtetën as ata vetë. Por në librin e kujtimeve të Nexhmijes për atë periudhë, mes rreshtave ndihet me takt të hollë një farë zhgënjimi si pengmbetje, një dhembje, keqardhje shpirtërore miqësore (apo një lloj xhelozie femërore a shoqërore?) për zgjedhjen, sipas saj jo të qëlluar që bëri Qemali në fejesën e tij. Ajo fejesë ndodhi pasi ai vajti për studime në Itali, ku, siç shkruan ajo, “iu ngjit nga pas” edhe Drita Kosturi.
Nexhmija vetë, zakonisht mjaft e rezervuar në fjalorin e saj, e cilëson ish-shoqen e saj të shkollës dhe të celulës me tone jo admiruese, madje disi të ashpra, si “revolucionare anarkiste”. “E çiltër, por jo aq e ekuilibruar.” “E parregullt në mbajtjen e vetes.” E thënë më haptazi, “jo e denjë për Qemalin”. Për ta mbështetur edhe më tej pakënaqësinë e saj, ajo citon fjalët që i paska thënë Qemalit Bije Vokshi: “Mor bir, ç’a t’u desh me u përzi me atë çikë?”.
***
ENIGMA E SHKUESIVE
Ka pak interes për të ditur nëse pati apo jo nuanca rozë në miqësinë e hershme mes Nexhmijes e Qemalit. Sido të ketë qenë, ajo nuk e cenoi aspak integritetin moral, as sinqeritetin dhe korrektësinë e saj në dashurinë e jetës së saj, atë me Enverin.
Diçka tjetër, që mund të ketë më tepër interes, është ajo që Nexhmija ka evidencuar si pa dashur në rrëfimet e saj për fejesën e Qemalit. Ajo ka të bëjë me mënyrën sesi stiseshin fejesat dhe martesat mes militantëve tanë të parë komunistë. Në përpjekjen për ta shpjeguar misterin me të cilën Drita Kosturi mundi ta “magjepste e ta bënte për vete” Qemalin, Nexhmija, në kujtimet e shkruara, tregon një element tronditës të keqpërdorimit e sakrifikimit të detyruar të ndjenjave njerëzore e të integritetit të militantëve të rinj komunistë “në shërbim gjoja të revolucionit, të kauzës komuniste dhe të interesave të partisë”.
“Ndoshta Qemali nuk ishte çliruar, shkruan ajo, nga forca e disiplinës si militant komunist, nga ai mentalitet i gabuar i grupit, që në emër të interesave të punës sonë ilegale për të krijuar baza komuniste ‘sajonte martesa’. Kështu me këtë mentalitet, vazhdon më tej Nexhmija, u martuan Zylfie Tomini me Xhemal Canin, që hapën pastaj shtëpinë ku u formua Partia Komuniste. Gjystina me Zef Ndojen, që hapën si bazë shtëpinë, e cila u bë baza e dytë e Komitetit Qendror provizor dhe ku u vendos arkivi i partisë. Po kështu u martuan Selfixhe Ciu me Xhemal Brojën, që hapën si bazë shtëpinë në Shkodër”.

Një martesë të tillë “për interesat e partisë me dikë të cilit nuk ia thotë emrin, ajo pohon se ia patën propozuar edhe asaj, por që e kishte refuzuar vendosmërisht. Më pas, kur Nexhmija pati krijuar lidhjen me Enverin dhe i tregoi atij për këtë propozim të përçudnuar, ai i dha asaj të drejtë”. “Sa mirë ua ke bërë”, i tha ai. Mirëpo a nuk do të thotë ky fakt se ajo veprimtari monstruoze komandohej nga dikush tjetër, pa dijeninë dhe miratimin e Enverit? Pra, lind një enigmë e pasqaruar me hollësi deri tash. Kush e paskej ditur dhe paracaktuar se ku dhe kur do të themelohej Partia Komuniste, për të cilën qenka sajuar dhe realizuar që më parë martesa “patriotike” e “militantëve Zylfije me Xhemalin”, të cilët pastaj do ta ofronin shtëpinë e tyre për këtë eveniment historik? Kush paskësh qenë ky i “fuqishëm” i fshehtë, me mendësi të tillë që sajonte martesa gjoja në interes të lëvizjes e të Partisë dhe planifikonte ngjarjet që do të ndodhnin në të, pa njoftuar liderët shqiptarë në krye të saj?
Kush i seleksionoi, kush i lajmëroi dhe ua organizoi udhëtimin, vendtakimin e delegatëve, rojet, programin paraprak të mbledhjes themeluese, kateringun e kancelarinë e domosdoshme në kushtet ilegale të okupacionit dhe pa mjete komunikimi? Edhe në ditët e sotme, kur disponohen mjete moderne të shtypit, elektronikës, transportit dhe telekomunikimit, është tejet e vështirë të organizohen me vullnetarizëm individual evente të tilla.
Kush e zgjodhi shtëpinë e nipave të kosovares Bije Vokshi në Tiranë, për të themeluar Organizatën e Rinisë Komuniste? Pse pikërisht ajo dhe jo një shtëpi tjetër tiranase? Kush dhe si siguroheshin teknika, mjetet e kamuflazhit me kostume e kapele aristokrate, biçikleta, syze, pasaporta false, pajtonë e mjete të tjera konspirative, me të cilët lëviznin të maskuar ilegalët e parë komunistë? A mund t’i realizonte të gjitha këto vetë Partia Komuniste, ende e pakrijuar apo e sapokrijuar, por pa burime logjistike e financiare? A mund të realizoheshin të gjitha këto nën hundën e okupatorit kaq thjesht, kaq lehtësisht apo spontanisht, vetëm nga amatorët militantë të ditëve të para?
Mos vallë diçka është mbajtur e fshehur dhe fshirë më pas qëllimisht në historikun e lëvizjes dhe të Partisë sonë Komuniste?
Mos vallë mbështetja organizative në prapaskenë nga ana e Partisë Komuniste Jugosllave të atëhershme (për hir të interesave të saj) ka qenë më e hershme, më e gjerë, më e koordinuar profesionalisht e materialisht sesa ajo çka është pohuar deri sot vetëm si prani “rastësore” e Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës në mbledhjen themeluese të 8 nëntorit? Mendja të shkon te ky i fundit, edhe për lidhjen e pastaj martesën e Mehmet Shehut me Fiqirete Sanxhaktarin, atëherë të dy në shtabin komandues të Brigadës së Parë, ku “këshilltar” i pandarë pranë tyre në atë brigadë qe pikërisht Dushan Mugosha. Apo për divorcin misterioz të Hysni Kapos me gruan e parë, me të cilën kishte edhe një djalë, të kryer në heshtje, dhe martesën e tij, fill pas Çlirimit të vendit, me Vito Kondin, ish-sekretaren e Shtabit e personalisht të Enverit.

Mos vallë Mugosha, “këshilltari” politik serb, që e fliste mirë shqipen, pati mision, përveç procesit të formimit të Partisë Komuniste edhe atë të krijimit të arkitekturës udhëheqëse të saj me persona të njohur nga afër dhe të besueshëm të tij? Po t’iu referohesh letrave që i kanë dërguar Dushan Mugoshës, me pseudonim Sali Murati, në shkurt 1944 kur ai u larguar nga Shqipëria, qoftë Enveri, Mehmeti, Nexhmija, Fiqiretja e Nako Spiro etj., duket qartë se ata ndiheshin tepër mirënjohës dhe të obliguar, duke u shprehur me superlativa ndaj tij për “ndihmë në mësimet dhe kontributin” që ai kishte dhënë në vitet që qëndroi i komanduar nga Tito te ne, si për themelimin e Partisë Komuniste, ashtu dhe më pas, për organizimin e saj dhe më vonë krijimin e njësive të armatosura partizane, ku ndër më të shquarat prej tyre ishte Brigada e Parë, në shtabin e së cilës Mugosha ishte këshilltari kryesor.
Enveri dhe Nexhmija, Mehmeti dhe Fiqiretja i shkruan atij në ikje, secili letër më vete, me kaq dashuri dhe falënderime maksimale sa të bën të besosh se ai ka luajtur rol esencial jo vetëm për themelimin e partisë, por edhe në rrjedhën e jetës personale e ndoshta edhe atë familjare të tyre. “Para se të vije ti, i shkruante Mehmeti, ne nuk ishim parti, por ishim një grumbull bashibozukësh, ishim një turli zarzavatesh të hidhura.” Në një letër tjetër, Mehmeti i thotë: “Pas ikjes tënde, ne ndihemi jetimë”.
Mos vallë këta “të plotfuqishëm misteriozë miq a misionarë të huaj” përveç çifteve që përmend Nexhmija, planifikuan (fshehtas edhe nga të dy protagonistët) edhe njohjen e pastaj lidhjen martesore të Mehmetit me Fiqireten, madje edhe martesën e Enverit e Nexhmijes, në kuadrin e planeve titiste të pas luftës për krijimin e Republikës së Shtatë Jugosllave në Kosovë dhe në Shqipëri? Lidhja Enver – Nexhmije mos u planifikua nga misionarët jugosllavë si urë Shqipëri – Kosovë dhe Jug – Veri, që ishin të dyja të rëndësishme në planet e organizimit të rezistencës antifashiste te ne?
Pavarësisht nga rrethanat apo planet që mund të jenë kurdisur pas shpinës së tyre, lidhja mes Enverit dhe Nexhmijes u provua se, në të vërtetë, pati në themel një dashuri të shëndetshme, të natyrshme e të sinqertë. Ajo u zhvillua dhe rrodhi në vite si në një qiell pa re. Në harmoni e çiltërsi të admirueshme nga të dy. Pa konflikte, pa dredhi, pa dyshime e mosmarrëveshje nga të dy. Sepse dashuria, siç thotë Andre Maurois, përballon më lehtë mallin dhe vdekjen sesa dyshimin dhe tradhtinë.
Por ëndrrat dhe entuziazmi vajzëror i Nexhmijes në vitet kur do të përfshihej, bashkë me Ramizin, në forcimin e rinisë komuniste dhe edukimin e saj me dëshirën e zjarrtë për një botë të re, pa shfrytëzim, me barazi e begati për të gjithë, dalëngadalë u pakën e u shuan gjatë viteve, kur fati e vuri Nexhmijen pranë majës së pushtetit, përkrah Enverit, si bashkëpunëtore, bashkëshorte dhe nëna e fëmijëve të tij. Ajo nuk mund ta dinte asokohe se mbajtja e pushtetit ishte shumë më e vështirë sesa fitimi i tij.
*****
Botuar në Dita nga libri BLLOKU, botim i UET Press me lejen e të ndjerit, Dr.Kalo