Petrit Brokaj
Kështu ka kaluar jeta e tij, nëpër dallgë, herë të egra, herë të buta, por gjithmonë fitimtar. Është fjala për “Doktorin e Shkencave Mjekësore” dhe “Qytetarin e Nderit të Vlorës”, kirurgun e njohur, Odisea Papa. Nuk e mbaj mënd ditën e parë dhe rastin, kur edhe unë hyra në rrethin e miqve të tij që, njohjen nga larg, e kthyem në një miqësi, e cila nuk u ndërpre në asnjë çast, por e dija se, cili ishte Odisea si njeri dhe si mjek. Sikur t’i përmblidhja disa nga cilësitë e tij, do të veçoja: modelin familjar, vullnetin e hekurt, guximin, ambicien profesionale dhe qëndrueshmërinë edhe para pengesave e vështirësive.
Si edhe për shumë të tjerë, jeta për të nuk ka qenë “fushë me lule”. Lindi në Nartë në vitet e para të pas çlirimit nga okupatori fashist dhe kaloi një fëmijëri të vështirë, pastaj një rini si gjimnazist dhe student, por, njëkohësisht, edhe si një notar me emër. Pas përfundimit të fakultetit të mjekësisë, tashmë, i fejuar edhe me shoqen e fakultetit, Sofikën, emërohet pedagog në shkollën mjekësore të Vlorës. Por, ëndrra e tij ishte diku tjetër, te kirurgjia. Dhe, kështu, paradite ai jepte mësim në shkollë, kurse pasdite e shikoje të vishte bluzën e kirurgut, i përkrahur nga ish drejtori i spitalit, dr. Engjëll Isarai dhe nga ish shefi i kirurgjisë, dr. Servet Braka.
Janar 1971. Kthesa drejt së ardhmes si mjek. Është data e fillimit të specializimit në klinikën e tretë të spitalit nr.2, data e realizimit të ëndrrës së tij për kirurgji. Tani, për të, siç thotë vet dr. Odisea, fillon një jetë tjetër, jetë e një pune pa orar, plot sfida, me suksese, por edhe me ankthe, përplasje, herë me vështirësi e herë me të panjohura, diku përkrahje, diku xhelozi. Megjithatë…pasioni, këmbëngulja, thellimi në studime, bashkëpunimi me kirurgë të dëgjuar si : me prof. Petro Cani, prof. Besim Elezi, prof. M. Basha, prof. L. Kreshpa, etj. shumë shpejt do ta bënin atë të përmendej si një nga mjekët më të mirë të kirurgjisë së spitalit të Vlorës. Nën drejtimin e tij, reparti I kirurgjisë rriti nivelin professional të shërbimit, forcoi frymën e kolektivitetit dhe përballonte një volum të madh pune. Janë të shumëllojta rastet që ai, në bashkëpunim me kolegët e tij kanë operuar dhe, janë pa numur pacientët që u kanë shpëtuar jetën. Ai kujton dhe vlerëson punën e përbashkët me kolegët e kirurgjisë si Ziadet Muhameti, Kristaq Bisholla, Sali Osmëni, Zija Saliu, Aleksandër Cami, Adriana Demalia, Pullumb Kulla, Pullumb Haxhiu etj. Në kujtimet e tij zë një vend të veçantë respekti për ish drejtoreshën e spitalit Liri Balili, nën drejtimin e së cilës mjekët e rinjë patën një mbështetje të veçantë dhe shtoi rezultatet pozitivë të këtij institucioni.
Kur thash më sipër që jeta e dr. Odiseas është një “jetë nëpër dallgë”, kam parasysh, të paktën dy “dallgë” të mëdha:
E para, rikthimi në jetë pas një aksidenti të rëndë, kur shkonte me shërbim në spitalin e Tiranës. Ishte herët në mëngjes. Në rrugën e Novoselës, afër kripores, shoferin e autoambulancës e zuri gjumi dhe përplasja me një makinë tjetër rrezikoi deri në fatalitet jetën e doktorit. “ Nuk pata kohë as të trembem dhe as ndonjë mendim tjetër, veçse… do të vdisja”- kujton ai. Lajmi u përhap menjëherë. Ishte një ankth popullor nëse, do të shpëtonte apo jo. Por, kujdesi i veçantë i shtetit, sidomos, i ish ministrit të Shëndetësisë, Dr. Llambi Ziçishti dhe kryetarit të Kom. Ekz. të Vlorës, Sihat Tozaj, profesionalizmi I prof. Petro Cani, prof. Panajot Boga, prof. Besim Elezi, prof. Luter Kreshpa, Dr. Liza Naçi, si dhe vullneti i hekurt i vet doktor Odiseas, solli pas disa muajsh rikthimin në shërbimin e kirurgjisë.
Rasti i dytë lidhet me emigrimin e tij në Greqi. Ishte një largim jo pa adresë. Në Janinë e priste rektori i Universitetit të këtij qyteti, Dhimitër Glarosi, me të cilin ishte njohur gjatë vizitës së tij në Shqipëri, i ftuar nga dekani i fakultetit të mjekësisë. Pra, ai nuk iku për bukën e gojës, nuk iku si “tradhtar”, as nuk iku për të mos u kthyer më. Jeta në këtë vend të huaj, fillimisht, nuk ishte e lehtë. U vendos në qytetin Halkidha, ku do të kalonte mbi dhjetë vjet. Ftohtësia dhe xhelozia e kolegëve grekë, shumë shpejt do të fshihej nga durimi dhe aftësitë profesionale të Odiseas, mbështetur edhe nga shefi I repartit të kirurgjisë prof. Gjika. Ashtu si në Vlorë, edhe në Halkidha emri i dr. Odiseas u bë shumë i njohur. Diploma e tij mori statusin evropian dhe ishte në grupin kryesor të kirurgëve të kësaj klinike. Në Halkidha ai fitoi edhe miqësinë e shumë kolegëve, mirënjohjen e shumë pacientëve dhe kujtime të paharruara të banorëve të këtij qyteti.
Doktor Odisea e ushtroi profesionin e kirurgët në dy kohëra që u takojnë dy sistemeve. Ndryshimet, që ndodhën në këtë tranzicion të tejzgjatur, nuk cënuan aspak karakterin dhe prestigjin e tij si njeri dhe si mjek. Kursi I jetës së tij ishte I regjistruar drejt lartësimit të personalitetit në mjedisin shoqëror dhe atë mjekësor. Rikthimi aty, ku ai e nisi karrierën e tij si mjek, në spitalin e Vlorës, ishte një rikthim me forca të reja, me përvojë më të pasur dhe me një mentalitet shoqëror më evropian. Mbi të gjitha, dukej dashuria dhe përkushtimi për t’i shërbyer qytetit të tij. Ishte rikthim në atë kolektiv që e kishte drejtuar për shumë vite, por ishte edhe rizgjim I atyre forcave njerëzore e profesionale, që, fatkeqësisht, koha dhe politika i kishin cënuar.
Pas rikthimit të dr. Odiseas si shef i repartit të kirurgjisë, u duk rikthimi i besimit në aftësitë dhe shërbimin cilësor. U inkurajua mbështetja në aplikimin e metodave bashkëkohore. U pakësuan rastet e dërgimit të pacientëve në klinikat kirurgjikale të Tiranës. Dhe ajo që do të mbetet ngjarje në historikun e këtij institucioni, do të jetë lidhja dhe bashkëpunimi me spitalin e Pizës, në Itali.
Sot jeta e dr. Odisea Papa dhe bashkëshortes së tij, dr. Sofikës, shtrihet brenda hapësirës Amerikë – Shqipëri, Fontana (Kaliforni)-Vlorë. Një distancë mijëra kilometra, por që e shkurtojnë kujtimet e bukura, dashuria dhe respekti për vlonjatët, prania e përvitshme mes shokëve dhe miqve të shumtë, mirënjohja e qindra pacientëve që u ka shërbyer e u ka shpëtuar jetën. Të rrethuar nga kjo ngrohtësi njerëzore, ata kanë të drejt të krenohen.
