Nga Bedri Islami
Botuar në DITA
Në një qytet, në të cilin, njerëzit kanë pritur gjatë dhe në 32 vite janë zhgënjyer duke pritur ndryshimin e premtuar, është tejet e vështirë të ngjallësh shpresën. Është njëri nga ato misionet që duken të pamundur, aq më tepër se, në secilën dekadë është premtuar shumë, është bërë fare pak drejt së mbarës, dhe, shumë më tepër drejt se prapështës. Shkodra është një qytet i tillë. Që ka besuar shumë, ka pritur gjatë dhe është zhgënjyer fort.
Është premtuar gjithçka pas vitit 1990. Është premtuar që qyteti i mbretërve do të jetë Zonjë, me mrekullitë e falura të saj. Punëtorëve që shkonin në zonën industriale iu premtuan paga të denja, që të mos jenë “ lypës”, thoshin pardesy bardhët, por me rroga të denja, por, në më pak se një vit rreth 40 mijë punëtorë mbetën të pa punë. Iu thanë se, pak ditë pas fitores, dhjetëra e qindra anije të mëdha, të ankoruara në portet e Barit, Brindisit, Triestes, Ankorës do të sillnin mrekulli për banorët e kësaj treve, por anijet morën të rinjtë , të rejat, hemorragji që nuk po ndalet as sot e kësaj dite; iu tha se “ ne qeverisim, bota na ndihmon”, ….., “ e na po rrimë”, pat thënë me humor një shitës i vjetër, por bota erdhi me forcat ushtarake ndërkombëtare për të vendosur rregullin.
E shkuara mbetet në të kaluarën e saj. Që nga viti 1991 Shkodra u qeveris nga e djathta. Ajo ishte një dispozitë votash për PD-në dhe vendi ku ishte besuar se asgjë nuk do të ndryshonte. Ndoshta dita më e vështirë në jetën politike të Berishës ka qenë mbrëmja e 14 majit, kur Shkodra kishte menduar ndryshe. E lodhur nga qeverisja e njerëzve përgjithësisht të pa aftë dhe nganjëherë mediokër, nga përplasjet e vazhdueshme mes qeverisë së majtë që afronte dhe drejtimit lokal të djathtë që nuk “ përkulej” për të thith investimet e qeverisë, nga banalizimi i pushtetit dhe sherret mes atyre që u kishin besuar, në 14 maj votoi me masivitet ndryshe. I besoi qeverisjen e saj forcës politike që e kishte refuzuar në 31 vite. Përmes dy të deleguarve të saj, njëri bir i qytetit, Benet Beci nga një familje e njohur, që shquhej si organizator e realizues i punëve të mëdha; tjetra, jugore, Eliza Spiropali, e papritur për shumë kënd, por që bëri ndryshimin.
Ka një dallim të madh mes ndryshimit që ndodh në një ditë votimi, edhe pse shumë gjëra e kishin bërë të domosdoshëm këtë ndryshim qeverisje, dhe besimit që ndryshimi po ndodh. Kjo e dyta është më e vështirë, që zgjat në kohë dhe jep garanci për vitet e ardhshme.
Si do të ndodhte kjo?
Në fakt kjo ka të bëjë me dy gjëra themelore: mbajtjen e fjalës së dhënë , se kësaj here çdo gjë do të jetë ndryshe dhe në kahun e së mbarës, dhe angazhimin e shumë strukturave një herësh për të ngjallur besimin fillimisht, dhe pastaj për t’i dhënë qytetarinë këtij besimi. Për ta bërë atë pjesë të jetës së njerëzve, të qenësishëm dhe real. Që nis nga punët e vogla të zyrës, deri në projektet e mëdha. Nëse të parat kanë të bëjnë me atë gjë të përditshme që është qeverisje reale, me njerëzit në punë, pra, duke i gjetur cilitdo punën që mund të bëjë më mirë dhe më saktë, deri në afrimin e mendimit të çdo njeriu, edhe të atij që nuk ka votuar për të qeverisur e majta, por që në mendimin e tij është për të bërë Shkodrën ashtu si duhet të jetë. Deri në afrimin e projekteve të mëdha, të cilat disa herë e kalojnë pragun e bashkisë, për të shkuar në planet e qeverisë.
Në të parën gjithçka bie mbi barrën e pushtetit lokal. Ka të bëjë me atë çfarë bën çdo ditë Benet Beci dhe stafi që ka gjetur apo ka afruar aty. Përgjithësisht është i njëjti staf, mendësia po ndryshon. Vënie e tyre në lëvizje ishte sfidë e kryetarit të bashkisë, këtë po ia arrin. Bashkia po hap dyert për punë të vyera, duke mënjanuar atë që e mërzit qytetarin, e lodh atë, e bën të huaj. Që, në fund të fundit e bën të qytetarin subjekt të qeverisjes dhe njëkohësisht objekt i saj.
Nëse qyteti ka filluar të jetë më i pastër, më i lirë nga rrethinat që mbulonin trotuaret, kjo ishte fillesa. Nëse më pas erdhën asfaltimet e rrugëve kryesore, ishte vazhdim i natyrshëm. Ndriçimi dhe ndryshimi i hyrjes së qytetit, ka godinat e mëdha po marrin pamje tjetër, përmes një investimi serioz dhe madhor, kjo përsëri është vazhdë e fillimit.
Të gjitha kanë vlerë, por pas tyre fshihet ajo që ka nisur bulimin për të shkuar drejt shpresës që rritet. Nga të gjithë. Nga pjesa votuese ndaj kryetarit të ri të bashkisë, por edhe të tjerëve. Nga militantët e së majtës, por edhe nga ajo pjesë e popullsisë që gjithnjë kanë ngurruar të besojnë një përfaqësues të së majtës. Aq më tepër të jenë pjesë e ndryshimit, duke bërë të veten vizionin e ri për qytetin. Për një Shkodër ndryshe, të bukur, të hapur, të ndriçuar, ku jeta ka ritëm tjetër.
Pas saj vijnë sfidat e mëdha. Shumë prej tyre lidhen me qeverinë e së majtës, që e dinë se Shkodra e ka humbur durimin për të pasur ndryshimin, dhe se ngutja e qytetit drejt ndriçimit jetësor kërkon ngutje. Dhe, mbi të gjitha , ngutje të gjithanshme.
Këtu hyn roli i Eliza Spiropalit. Gruas që bëri hopin e papriture të Shkodrës, dhe që, kur askush nuk e priste, në mbrëmjen e 14 majit habiti gjithë vendin me rreth 13 mijë vota plus për të majtën, pikërisht në qytetin e së djathtës, ku Berisha kishte vënë pengun e jetës së tij. E habitshme për shumë kënd, por ja që e bëri.
Investimet e mëdha të qeverisë kërkojnë patjetër vëmendjen ndaj Shkodrës. Investimi i parë serioz që ka nisur në dy rrugët kryesore të qytetit, disa milionë euro, e gjitha investim qeveritar, pasojë e përpjekjeve qeveritare dhe të zonjës Spiropali dhe zotit Beci, që po realizohet me shpejtësi, pa zvarritje të ndjeshme, vrullshëm, do të jetë një hap drejt ngulitjes së shpresës. Sepse ka filluar, dhe, megjithëse duhet kohë të ngulitet, kjo do të ndodhë, sepse shenjat janë dhënë dhe janë të ,mbara.
Qyteti i Shkodrës është këto ditë ndryshe nga çdo fund viti. Lëvizja e madhe e njerëzve drejt asaj që është realizuar, panairit tregtar që do të zgjatë deri në fund të vitit, lojërat e shumta, që nga ato për fëmijë deri në patinazhin në akull; dritëzimi i qytetit, që nga qendra deri në skajet e tij, muzika, tregtimi disa ditor i një panairi tjetër me prodhime vendase, kanë sjellë atë që ka munguar, pranimin e festës së gjënë më normale në botë.
Në orët e mbrëmjes është e vështirë të lëvizësh në qendrën e qytetit. Qindra e mijëra njerëz mbushin rrugët e kalldrëmta. Prej shumë kohësh nuk e kisha parë qytetin tim të lindjes në këtë dritë.
Dua të mendoj se është koha e riardhjes së shpresës së ndryshimit.
—–
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016