Prof. dr. Bardhosh Gaçe
Në traditën dhe pasurimin e polifonisë shqiptare, përgjatë shekujve të fundit, një vend të veçantë zë kënga tradicionale e fshatit Kaninë në Vlorë. Disa nga etnomuzikologët më në zë si: Ramadan Sokoli, Beniamin Kruta, Spiro Shituni, Haxhi Dalipi, Reshat Osmani, Fitim Çaushi, Tish Daija, Ermir Xhindi, Neki Dredha etj., në gjurmimet dhe studimet e tyre, kanë nxjerrë në dritë një varg tiparesh dhe veçorish, të cilat kanë përcjellë nëpër kohë etnokulturën e banorëve, shpirtin artistik dhe krijues.
Në botën artistike dhe kulturore të polifonisë së Kaninës, janë ngjizur tema e motive të larmishme që kanë të bëjnë me doket dhe zakonet, botën mitologjike dhe heroike, dasmën dhe dashurinë, shpirtin lirik dhe peizazhin natyror e shpirtëror të banorëve nëpër shekuj. Kronikat venedikase të shek. XV-XVI, midis njoftimeve të tjera shënojnë se në kalanë e Kaninës dhe sheshet e ullinjve të fshatit ekzekutoheshin nga banorët edhe këngë e valle polifonike, ku i këndohej trimërisë dhe dashurisë. Ashtu si në ceremoninë e dasmës së Donika Arianitit me Gjergj Kastriot Skënderbeun, të dhënat thonë se “dhëndri” dhe “nusja” me kurorën e luleve të malit të Shashicës, u pritën “nga vallet dhe këngët e bukura labe”. Edhe në kronikën e Abu Uruçit, dëshmohet se, për pritjen e Sulltan Sulejmanit, sanxhakbeu i Vlorës, Kara Sinan Pasha, organizoi një ceremoni madhështore në pllajën e Gurit të Prerë (Skrapar), ku pas përshëndetjes, i dhuroi 100 kupa me flori, në prani të këngëve e valleve polifonike, si dhe grupit të sazeve.
Mjaft materiale folklorike të Kaninës, të mbledhura nga Kolë Kamsi qysh në vitet ’20-’30 të shek. XX, ato të gjurmuara nga Rebi Alikaj dhe Musa Muho, Qemal Haxhihasani, Fatos M. Rrapaj, Beniamin Kruta, Spiro Shituni, Kozma Vasili, Haxhi Dalipi e mjaft të tjerë, kanë begatuar arkivin e Institutit të Kulturës Popullore në Akademinë e Shkencave në Tiranë, ndërsa mjaft këngë të tjera janë incizuar e përcjellë në Radio Televizionin Shqiptar.
Bota tematike dhe motivuese e këngës polifonike të Kaninës, shpërfaq vlera të rralla artistike dhe estetike, ajo shoqërohet në jetën tradicionale të banorëve edhe me një material të pasur etnografik, arkitektura e banimit, kostumet popullore, veshjet e qëndisjet e grave e fëmijëve me fije ari e argjendi, mëndafshi me ornamente e zbukurime të ndryshme popullore.
Në rrjedhën e kohërave, mjaft rapsodë e këngëtarë popullorë kanë lënë gjurmët e tyre në këtë traditë të mrekullueshme, duke u përcjellë deri në kohët tona e gjallë dhe dinamike. Në këtë pasuri etnokulturore, kënga polifonike e Kaninës, në fund të shek. XIX dhe fillim të shek. XX, u njoh me emrin e bartësit të saj të mrekullueshëm Adem Mersini, këngëtar e rapsod i shquar jo vetëm në Kaninë, por në tërë Labërinë.

Kënga “Babademçe” e Kaninës e ka marrë këtë emër prej rapsodit dhe këngëtarit të famshëm të këtij fshati Adem Mersinit (1862-1930). Ai u rrit dhe u ushqye me traditat dhe këngët e fuqishme të Lumit të Vlorës dhe të zonës së Dukatit, ndikimi i të cilave është i dukshëm në këngën e tij. Adem Mersini ka qenë i njohur si një ndër “këngëtarët” edhe për logatjet dhe vajtimet më të çjerrë.
Tradita e këngës “Babademçe” të Kaninës u ushqye dhe u rrit me këngët e odave të burrave, të Kaninës e të Labërisë. Në Kaninë fshatarët të thonë për Adem Mersinin: “kur këndonte ai, hapeshin penxheretë” “Fustanella e Adem Mersinit është me shtatëdhjetë fletë”. Ende këndohen në këtë fshat disa nga këngët e dashurisë dhe të dasmës të këtij rapsodi e këngëtari të njohur.
Në këngën “Bejkë, moj vetulla prerë” autori këndon “Po të më dërgosh haber,/ bejkë, moj vetulla prerë,/ të dalim Shashicë njëherë,/ të mbledhim lule me erë,/ fjalë të ëmbla sheqer”. Ndërsa në një këngë tjetër e cila është e kënduar dhe e përhapur edhe në Drashovicë, Vodicë, Mavrovë e Peshkëpi, e që këndohet “Babademçe” thuhet: “Shokë, m’u prish fiqiri,/ gjashtë lira ja kish syri,/ pesë xhevahirë gjiri,/ Nazua kur ikte tutje,/ bënte isharet me supe,/ herë-herë me cullufe…”. Ashtu si dhe në këngët e tjera të rapsodit Adem Mersini, motivet e tij ngrihen mbi ngjarje të jetuara dhe persona konkretë. Kur këndohej një këngë dashurie tërë fshati e dinte se kujt i kushtohej edhe pse ajo mbetej anonime.
Kënga e Adem Mersinit u ushqye nga luftërat dhe trimëritë që rridhnin prej shekujve. Këngët e tij që i kushtohen Mahmud Bej Vlorës, Ismail Qemalit, 28 Nëntorit dhe flamurit, si dhe luftëtarëve të tjerë të shquar popullorë ka ruajtur karakteristikat e këngës së Kaninës si këngë trimosh. Kënga e tij ka qenë shumë e lidhur me kështjellat, betejat dhe luftëtarët. Në këngën e njohur e të përhapur edhe në fshatra të tjerë të Lumit të Vlorës “Vranë Delo Kamberinë”, rapsodi këndon: “Ç’u ndez një zjarr në Kaninë,/ vranë Delo Kamberin,/ seç u zu me xhelepçinë,/ nuk ja numëruan mirë,/ tetëqind ja nxorrë njëmijë.” Elementet e logatjes janë të pranishëm edhe në këngën që ai ngriti për Mahmud Bej Vlorën kur këndon: “Dolli zonja në bedenë,/ ulërin e tundi dhenë,/ po pyjet për Mahmud Benë: – E kam burrin a ma prenë?,/ As e vranë e as e prenë,/ po e shtinë në bedenë./ Në bedenat e kalasë,/ për rizanë e fukarasë…”. Këtë natyrë ruan edhe kënga “Nga Janina asqerë vinë” ku rapsodi bën fjalë për krerët e “Besëlidhjes Shqiptare” dhe luftën e tyre të vitit 1830 kundër Emin Pashait dhe forcave osmane.
Kënga “Babademçe” e Kaninës është thirrur edhe “kënga pleqërishte”. Rapsodi dhe këngëtari popullor ka lënë më shumë se 86 këngë popullore. Ato janë një fond i pasur në hambarin e këngës së Kaninës dhe të Lumit të Vlorës.
Këngën polifonike të Kaninës, në vitet ’50-’60 të shek. XX, e pasuruan më tej edhe këngëtari i mirënjohur, Zaçe Kapllani dhe grupi i tij polifonik. Duke vazhduar traditën e mëparshme të gjyshit të tij, Luto Kapllani, rapsod dhe këngëtar i njohur, ai gjallëroi jetën e fshatit në dasma, koncerte e festivale edhe në Vlorë, Gjirokastër e Tiranë. Së bashku me këngëtarët: Sazan Sadiraj, Vendim Kapllanaj, Vengjar Hyseni, Eli Belaj etj., në arkivin e Institutit të Kulturës Popullore në Tiranë, gjenden rreth 52 këngë polifonike: “Moj Kanina me kala”, “Në zall të lumit do fle”, “Në luftën e Njëzetës”, “Këngë për Ismail Qemalin”, “Shkojnë zogjtë palë-palë”, “Iku djalëria, iku” etj.
Këngën “Babademçe” të Kaninës e ka pasuruar dhe çuar më tej rapsodi Meleq Kapllani (1940) i cili në më shumë se 100 këngë të ngritura prej tij ruan karakteristikat e këtij varianti, i cili fillon së kënduari shtruar e vazhdon valë-valë. Ky variant i këngës kaninjote është i ndërtuar me 6-8 vargje tetërrokëshe ndjekur nga një varg i përsëritur si refren. Kënga “Babademçe, nis shtruar nga marrësi, por në rrokjen e parafundit tek çdo varg, bëhet një ulje e zërit, duke i dhënë rast kthyesit të ndërhyjë. Edhe kthyesi i krijon mundësi hedhësit të ndërhyjë duke krijuar kështu kulminacione tingujsh.
Tradita e kësaj mënyre të kënduari në Kaninë ka lënë gjurmët e veta. Në Kaninë, kur fshatarët nisin të këndojnë thonë: Do t’ia marrim Luto Kapllançe”, do t’ia kthejmë “Barjam Isaçe” do t’ia mbajmë “Dervish Hasançe”.
Rapsodi Meleq Kapllani konsolidoi strukturën e të kënduarit të “Babademçes”, ku isoja e kësaj kënge përbëhet nga 5-7 e deri në 9 vetë. E veçanta që solli rapsodi Meleq Kapllani në këngën e Kaninës është se duke ruajtur ato tipare të traditës, në strukturën e këngës dhe interpretimin e saj, ai futi edhe gjysmë recitativin me një apo dy vargje tetërrokëshe.
Krahas “këngës pleqërishte” bashkë me të e pak më vonë u zhvillua edhe “kënga djemurishte”. Në këngën e Kaninës, në vitet ’70 u fut edhe dialogu dhe grupi u zgjerua me 15-17 vetë. Një kontribut të veçantë në pasurimin e saj ka dhënë edhe këngëtari Pirro Bregu me grupin e tij polifonik. Qysh në fillim të viteve ’70 të shek. XX, nën kujdesin e Zaçe Kapllanit dhe Meleq Kapllanit, ai u bë një interpretues i çmuar. Në repertorin e këngëve të kënduara prej tij, përfshihen më shumë se 70 këngë. Së bashku me grupin polifonik të Kaninës ka marrë pjesë në Festivalet Folklorike Kombëtare të Gjirokastrës, në Odën Dibrane, në koncertet në Prishtinë, Tetovë, Tiranë, TVSH, Top Channel, Itali, Francë e Turqi etj.
Sipas studiuesve: Ramadan Sokoli, Spiro Shituni, Tish Daija, Reshat Osmani e Haxhi Dalipi, kënga polifonike e Kaninës ka ndikuar fuqishëm edhe në krijimin e fizionomisë së këngës popullore qytetare të Vlorës. Mjaft motive e detaje të lirikës polifonike të Kaninës janë marrë e kultivuar nga kompozitorët Reshat Osmani, Themistokli Mone, si dhe nga sazet e Bilbil Vlorës, duke u dhënë atyre një dimension të ri muzikor dhe përhapje të gjerë. Kënga tradicionale e Kaninës, me vlerat e saj të rralla artistike dhe etnokulturore, e ka pasuruar më tej polifoninë shqiptare, duke u përhapur edhe në viset e tjera të Labërisë.
Vlorë, shtator 2023
