Nga Johana Lubonja
Gjuha shqipe nuk është vetëm një mjet komunikimi, por një shtyllë identiteti dhe një pasuri që kërkon kujdes të përhershëm.
Kristina Jorgaqi, gjuhëtare e njohur dhe një nga zërat më të besueshëm në debatin publik për standardin e shqipes, rikthehet në vëmendje me një mision konkret: hartimin e një ligji për gjuhën në Republikën e Shqipërisë.
Në këtë intervistë për gazetën DITA, Jorgaqi flet për domosdoshmërinë e këtij ligji, nevojën për një drejtshkrim të përditësuar dhe sfidat që shqipja përballet sot në një realitet shoqëror dhe teknologjik që ndryshon me shpejtësi.
Me shqetësim, por edhe me një përkushtim të qetë profesional, ajo sjell një apel: është koha të veprojmë seriozisht për të mbrojtur dhe përforcuar gjuhën tonë.
Prof. Jorgaqi, një nga fushat e gjuhësisë ku ju kontribuoni, është ajo e planifikimit gjuhësor, në kuadrin e të cilit jeni marrë edhe me çështjet e drejtshkrimit të shqipes. Këtu në gazetë redaktorët e korrektorët tanë e përdorin Drejtshkrimin e gjuhës shqipe (1973) (variantin në letër dhe korrektorin automatik), por ankohen pasi nuk gjejnë gjithnjë përgjigje për pyetjet që iu lindin. A ka ardhur momenti që të kemi një manual drejtshkrimi më të pasur e më të plotë?
Ka kohë që përdoruesit e shqipes së shkruar ndjejnë nevojën për të patur një kod drejtshkrimor të plotësuar e të përditësuar, pasi ka kaluar tashmë një gjysmë shekulli që kur u botua manuali i parë i drejtshkrimit të shqipes standarde.
Ky manual, sado cilësor dhe efikas të ketë qenë, pas 52 vitesh ka nevojë të rishihet. Shqipja ka ndryshuar e është pasuruar, pasi kanë ndodhur ndryshime të mëdha në shoqërinë ku ajo funksionon si mjet komunikimi. Ndryshime madje nuk kanë ndodhur vetëm në shqipe, por edhe në shumë gjuhë të botës për shkak të fenomeneve të globalizimit dhe dixhitalizimit.
A është një praktikë që haset edhe në gjuhë të tjera kjo e rishikimit dhe e pasurimit të manualeve drejtshkrimore?
Drejtshkrimi i gjuhës shqipe (1973) është një vepër e hartuar me shumë profesionalizëm nga gjuhëtarët më me emër që Shqipëria kishte asokohe, si Eqerem Çabej, Mahir Domi, Androkli Kostallari dhe Emil Lafe. Zgjidhjet që ata dhanë, u mbështetën mbi realitetin gjuhësor dhe dijen e kohës, duke i pajisur shqiptarët me një mjet reference të saktë e praktik të shqipes standarde.
Por një manual drejtshkrimor nuk është një libër i shenjtë, i cili nuk preket. Ai është një kod gjuhësor që, për të funksionuar me efikasitet, duhet të plotësohet e përditësohet sa herë që gjuha pëson ndryshime të konsiderueshme.
Kjo është arsyeja pse në shumë prej kodeve drejtshkrimore të gjuhëve që fliten në Europë, si spanjishtja, cekishtja, portugalishtja, frëngjishtja, rumanishtja, norvegjishtja etj., është ndërhyrë herë pas here për përmirësimin dhe përditësimin e tyre.
Me çfarë frekuence është ndërhyrë?
Që të krijoni një ide, po ju jap disa statistika. Në manualin drejtshkrimor të rumanishtes është ndërhyrë 4 herë (mesatarisht cdo 26 vjet) që nga v.1881, kur ai u botua për herë të parë. Në kodin drejtshkrimor të çekishtes janë bërë 6 ndërhyrje të rëndësishme prej vitit 1902 e deri sot, mesatarisht cdo 10-20 vjet, ndonëse rishikime të vogla janë kryer cdo 5 vjet.
Kurse për rregullimin e drejtshkrimit të frëngjishtes Akademia franceze (1635) ka ndërhyrë mesatarisht cdo 38 vjet që nga viti 1694 e deri sot. Interesante është të vësh re që, në periudha lëvizjesh e zhvillimesh të rëndësishme politike e sociale, ndërhyrjet e saj kanë qenë më të shpeshta, çdo 15-20 vjet, kurse në periudha më të qeta, çdo 40-50 vjet.
Ndryshimet, siç mund ta kuptoni, nuk kanë qenë shumë të shpeshta, pasi një kod drejtshkrimor duhet të jetë edhe i qëndrueshëm, që ta kryejë si duhet funksionin e tij: jo vetëm të përcaktojë normat e drejtshkrimit të një gjuhe standarde, por edhe t’i përhapë e t’i ngulisë ato në përdorim.
Nisur nga shifrat që paraqitët më sipër, a mos janë pak si shumë 52 vjet, gjatë të cilave ju gjuhëtarët nuk keni kryer asnjë ndërhyrje në Drejtshkrim? Për ç’arsye ka ndodhur kjo?
Janë vërtetë “pak si shumë”, siç thoni ju, sidomos po të mbajmë parasysh që prej më shumë se 3 dekadash kanë ndodhur ndryshime përmbysëse në shoqërinë shqiptare e atë globale, për pasojë ka patur ndryshime edhe në gjuhë.
Arsyeja e parë e mosndërhyrjes, sipas meje, duhet kërkuar në situatën e krijuar në Shqipëri pas ndërrimit të regjimit politik. Mbase ju kujtohet gjatë viteve ’90 një valë diskutimesh kontestuese lidhur me shqipen standarde dhe bazën e saj dialektore, toskërishten letrare. Standardi konsiderohej si vepër e regjimit të vjetër dhe ky akuzohej se kishte diskriminuar gegërishten duke mos e ngritur gjuhën standarde mbi bazën e këtij dialekti.
Diskutimet, edhe pse të bëra kryesisht prej joprofesionistësh, ngjallën shumë frikë ndër gjuhëtarët për ndonjë shfuqizim a “përmbysje” të mundshme të standardit me anë të ndonjë vendimi politik (çka për fat të mirë nuk ndodhi). Ishte pikërisht frika ajo që ushqeu qëndresën e shumicës së gjuhëtarëve në mbrojtje të standardit, çka gjeti shprehjen e vet më të qartë në vullnetin për mosprekjen e tij, duke marrë drejtshkrimi kështu edhe një vlerë simbolike.
Rezistenca ndaj ndryshimeve në kodin drejtshkrimor të shqipes asokohe është e kuptueshme, po pse ende gjithë kjo tejzgjatje?
Tejzgjatjen e favorizoi një rrethanë siç qe destrukturimi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në v.2007. Heqja prej varësisë së saj e instituteve kërkimore-shkencore, mes të cilave dhe e Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë, dhe vënia e tyre nën ombrellën e një institucioni të krijuar rishtas, si Qendra e Kërkimeve Albanologjike (2008), krijoi një paqartësi dhe çorientim lidhur me organizmin përgjegjës për planifikimin e mëtejshëm të drejtshkrimit të shqipes.
Sot kjo pengesë institucionale nuk ekziston më. Instituti i Gjuhësisë e i Letërsisë si pjesë e Akademisë së Shkencave duhet të vazhdojë t’i ushtrojë funksionet e autoritetit rregullues të drejtshkrimit të shqipes, njësoj si përpara 2007-s, sikurse akademitë në pjesën dërrmuese të shteteve europiane.
Drejtshkrimi i gjuhës shqipe (1973) është produkt i këtij institucioni, të cilit afërmendsh që i takon edhe e drejta e rishikimit, plotësimit dhe ribotimit të tij.
Cilat janë ato çështje të drejtshkrimit, që duhet të rishikohen?
Në Drejtshkrimin e gjuhës shqipes (1973) nuk ka nevojë të ndërhyhet për të bërë ndonjë përmbysje a reformë të thellë, pasi nuk ka lindur nevoja për ndërmarrje të kësaj natyre. Pa dashur të futem në detaje teknike, të pakuptueshme për lexuesin e gjerë, ndërhyrjet duhet të kryhen duke ruajtur parimin themelor mbi të cilin është ngritur drejtshkrimi i shqipes (parimi fonemik), por duke zgjeruar pak më shumë veprimin e disa parimeve të tjera ekzistuese, si parimi morfologjik e ai etimologjik.
Eshtë e vërtetë që Drejtshkrimi ka mbetur i pandryshuar për mbi gjysmë shekulli, por ndërkohë janë organizuar shumë forume shkencore e ka patur një veprimtari të pasur botuese, ku janë vënë në dukje qëndrueshmëria dhe efikasiteti i këtij manuali e natyrisht edhe disa mangësi të tij. Kështu, shumë prej gjuhëtarëve janë në një mendje se duhet ndërhyrë për të rishikuar:
a. Drejtshkrimin e ë-së së patheksuar në disa grupe fjalësh (a duhet të vijojë të shkruhet p.sh. lojtar, amtar, furrtar, gjithkush, gjithcka, burrë, kalë etj. apo të shkruhet lojëtar, amëtar, furrëtar, gjithëkush, gjithëcka, burr, kal etj.?)
b. Drejtshkrimin e emrave të përveçëm të njerëzve e të vendeve të huazuar rishtas (a duhet të shkruhet siç e kërkon rregulla e Drejtshkrimit (1973) Donald Tramp, Emanuel Makron, Fridrih Merc etj. apo siç del kudo në media Donald Trump, Emmanuel Macron, Friedrich Merz etj.?)
c. Drejtshkrimin e huazimeve të reja, sidomos ato prej anglishtes (të shkruhet sipas normave ekzistuese onlain, çekap, rialiti shou, çet, lizing etj. apo të ruhet shkrimi i fjalëve prej gjuhës nga vijnë online, check up, reality show, chat, leasing etj.?)
ç. Përdorimin e shkronjës së madhe (të vazhdojë të shkruhet p.sh. mesjeta, krishtlindjet, bajrami etj. apo Mesjeta, Krishtlindjet, Bajrami etj.?) etj.
Meqenëse e përmendët, desha të ndaleshim pak te shkrimi i emrave të përveçëm të rinj. Ndonëse ne në redaksi e dimë rregullën e drejtshkrimit, sipas së cilës ata duhen shkruar pak a shumë siç shqiptohen në gjuhët nga vijnë, me vetëdije nuk e zbatojmë. Eshtë shumë e vështirë, gati e pamundur, që çdo ditë ne të mësojmë shqiptimet e dhjetëra emrave që depërtojnë nga gjuhë të ndryshme të botës. A duhet konsideruar kjo një shkelje e rregullave drejtshkrimore?
Këtë që bëni ju te Dita, e bëjnë të gjitha mediat pa përjashtim si në variantet e tyre në letër ashtu dhe online. Sot ka një rikthim masiv te praktika e shkrimit të emrave të përveçëm të huaj si në gjuhët prej nga ato vijnë. Shkruhet, fjala vjen, Antoine Griezman, Massimiliano Alegri, Eric Jacobs, Giuliano Simeone, Clemenceau etj. (jo Antuan Grizman, Masimiliano Alegri, Erik Xhakobs, Xhuliano Simeone, Klemenso etj.).
Jemi rikthyer te modeli që ekzistonte në shqipe përpara Luftës së Dytë Botërore dhe ai që praktikohet sot në shumë gjuhë të tjera (italishte, rumanishte, spanjishte, portugalishte, norvegjishte, suedishte, hollandishte, finlandishte etj.).
Kuptohet atëherë që zgjidhja e Drejtshkrimit nuk është më efikase dhe duhet ndryshuar. Me informacionin e pamatë që qarkullon sot dhe komunikimin e jashtëzakonshëm edhe në kohë reale në saje të revolucionit dixhital, gjuhët kanë kontakte të paimagjinueshme mes tyre, prej nga depërtojnë me qindra emra çdo ditë.
Ruajtja e grafisë origjinale është më praktike, se kursen kohë dhe energji, që do të duheshin për t’u gjetur atyre emrave shqiptimin përkatës. Përvec kësaj, ndihmon në identifikimin e menjëhershëm të tyre.
Duhet ndryshuar vetëm për median apo dhe më gjerë?
Do të ishte mirë që në variantin e rishikuar të manualit drejtshkrimor të parashikohej një rregull, që lejon ruajtjen e grafisë/shkrimit origjinal të emrave të përveçëm të njerëzve e të vendeve të huajtur rishtas nga gjuhë që shkruhen me alfabete me bazë latine. Kjo të rekomandohet për t’u zbatuar jo vetëm në media, por edhe, e sidomos, në të gjitha tekstet shkencore, shkencore-divulguese, në dokumente zyrtare etj.
U gjenda para ca ditësh përpara një serie librash të përkthyer në shqipe, botime të karakterit shkencor-divulgues, ku dhjetëra emra psikologësh, sociologësh, filozofësh, shkencëtarësh etj. ishin dhënë në tekst të shkruara sic shqiptohen. Kush do të donte që të thellohej në jetën, idetë dhe veprën e këtyre autorëve, me ç’emra mund t’i kërkonte ata në internet?!
Emra të huaj njerëzish e vendesh shqipja ka plot. Ju mendoni se duhet vendosur një rregull që të rishkruhen të gjithë si në gjuhët prej nga vijnë?
Unë iu referova më sipër vetëm emrave të përveçëm që kanë hyrë rishtas në shqipe, por shqipja ka edhe një “inventar” a fond tradicional të pasur emrash të huaj, që kanë depërtuar aty prej kohësh. Ato janë ngulitur sipas një shqiptimi të caktuar e po në bazë të tij edhe shkruhen, si p.sh. Varshavë, Stamboll, Selanik, Mynih, Bruksel, Bolonjë, Shopen, Zhan D’Ark etj.
Ndërkohë në kronikat e lajmeve e të emisioneve të ndryshme në televizion syri t’i kap edhe të shkruara si në gjuhët prej nga vijnë: Warszawa, Thessaloniki, München, Bruxelles, Bologna, Chopin, Jeanne D’Arc etj. Kjo kategori emrash duhet t’i përmbahet rregullës ekzistuese të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe (1973), pra, të shkruhen ashtu siç shqiptohen dhe sipas sistemit shkrimor të shqipes.
Jo të gjithë e kanë të lehtë ta bëjnë dallimin mes emrave të huaj tradicionalë dhe atyre jotradicionalë, pasi nuk ka kritere të sakta e të prera. Si i bëhet në këto raste?
Sigurisht që këtë dallim janë në gjendje ta bëjnë vetëm njerëz që kanë një formim arsimor e kulturor të mirë. Të tillë presupozohet të jenë gazetarët, redaktorët, përkthyesit, hartuesit e përmbajtjeve të ndryshme dhe në përgjithësi të gjithë ata që e kanë gjuhën e shkruar mjetin kryesor të punës. Mund të ndodhë, megjithatë, që dallimi të mos bëhet dot nga që nuk mund të thuhet gjithmonë prerazi se çfarë duhet konsideruar emër tradicional dhe çfarë jotradicional.
Për këto raste do të vlente një rekomandim a rregull e përgjithshme, që duhej shtuar në Drejtshkrim, sipas së cilës, nëse zgjidhet një trajtë shkrimi e emrit, ajo duhet të përdoret si e tillë përgjatë gjithë tekstit. Fjala vjen, nëse zgjidhet të shkruhet Albert Einstein si në gjermanisht dhe ky emër përdoret disa herë në tekst, duhet shkruar vetëm kështu dhe jo i alternuar me trajtat Albert Ajnshtajn e Albert Ainshtain siç shqiptohet në shqipe.
Pra, duhet të ketë një përdorim koherent të trajtës shkrimore të zgjedhur të emrit. Shkrimi i emrave të përveçëm të huazuar rishtas është pikërisht një nga ato çështje të drejtshkrimit, ku rregullat e prera, të ngurta e të zbatuara mekanikisht, nuk janë efikase.
Në vend të tyre do duhej të zbatohej një normë më tolerante, më elastike, gjithmonë në përputhje me realitetin mjaft kompleks e të nuancuar gjuhësor e jashtëgjuhësor.
Në gazetë kemi probleme edhe me emrat që vijnë prej gjuhësh me alfabete jolatine. Tjetër zgjidhje jep Drejtshkrimi e tjetër praktikë ndjekim ne…
Sipas Drejtshkrimit, emrat që hyjnë prej gjuhësh që shkruhen me alfabete jolatine, si greqishtja, rusishtja etj. duhet të shkruhen afërsisht ashtu siç shqiptohen në gjuhët nga vijnë, por me alfabetin e shqipes, si p.sh. Maria Kalas, Andreas Papandreu, Qiriakos Micotaqis, Sergei Lavrov etj. Ndërkohë në median tonë ato gjenden të shkruara njësoj siç dalin në shumë gjuhë të tjera, pra, sipas një sistemi ndërkombëtar transliterimi: Maria Callas, Andreas Papandreou, Kyriakos Mitsotakis, Sergey Lavrov etj.
Natyrisht që ju gazetarët e keni më të lehtë t’i shkruani ashtu siç i gjeni në burimet prej nga i merrni lajmet. A do të revokohet Drejtshkrimi në këtë pikë? Për këtë duhet të vendosin planifikuesit gjuhësorë, që do të merren me rishikimin e tij, pasi të peshojnë nëse është më e përshtatshme një zgjidhje “lokale” apo një zgjidhje “globale”.
Vitet e fundit në artikujt e përkthyer, por edhe në shkrime origjinale që botojmë ne në shtyp, ka shumë fjalë të marra nga anglishtja. Disa prej tyre madje ka kohë që edhe i shkruajmë si në anglisht, si p.sh. “transmetim online”, “status në facebook”, “u bë pjesë e një reality show” etj. A duhen konsideruar këto raste si shkelje të normave gjuhësore të shqipes?
Drejtshkrimi (1973) parashikon që fjalët që huazohen prej gjuhësh të tjera, duhet të shkruhen sipas shqiptimit me të cilin ato përdoren në shqipe dhe sipas sistemit shkrimor të saj. Pra, duhet shkruar, fjala vjen, onlain, jo online apo çekap dhe jo check up.
Kuptohet atëherë që ruajtja e shkrimit origjinal të anglishtes përbën një shkelje të normës. Po ndërkohë praktika e shkrimit të anglicizmave të reja me grafinë që ato kanë në anglisht, është bërë një dukuri mbizotëruese në shumë gjuhë të botës. Me këtë grafi a shkrim ato janë regjistruar tashmë edhe në fjalorë shpjegues të italishtes, frëngjishtes, rumanishtes, gjermanishtes etj.
Përhapjen e këtij modeli shkrimi e ka favorizuar njohja masive e anglishtes dhe kthimi i saj në gjuhë të komunikimit global falë edhe mjeteve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit. Eshtë krijuar madje një “fond” anglicizmash me përhapje ndërkombëtare, që i takojnë botës së modës dhe spektaklit, politikës, financës dhe ekonomisë, teknologjisë informatike, sportit etj., dhe që e ruajnë në shumicën e rasteve shkrimin origjinal anglez.
Do të ishte mirë që në variantin e rishikuar të Drejtshkrimit të përfshihej një rregull, që të lejonte shkrimin si në gjuhën nga vijnë të anglicizmave që kanë hyrë e përdoren në shqipe kryesisht për mungesë fjalësh gjegjëse të shqipes, po që nuk janë përshtatur a integruar nga pikëpamja shkrimore.
Këto madje të shkruhen gjithmonë me kursive për t’u dalluar nga huazimet e përshtatura, si p.sh. bitcoin, bluetooth, brunch, chat, e-mail, facebook, freelance, iPhone, iPad, live, outlet, output, etj.
Unë jam shprehur edhe më parë për nevojën a dobinë e një ligji për gjuhën në Republikën e Shqipërisë dhe e kam mbështetur fort idenë e realizimit të tij. Jam, madje, në krye të një grupi pune të ngritur nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, që ka përgatitur tashmë një draft a version paraprak të këtij ligji.
Dy janë arsyet kryesore, sipas meje, pse ky ligj është i domosdoshëm, që të çohet e të miratohet sa më shpejt në Parlament. E para, një ligj për gjuhën përbën një detyrim kushtetues. Çfarë do të thotë kjo? Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë (1998) ekzistojnë disa nene me përmbajtje gjuhësore, ndër të cilat dy janë më të rëndësishmet: neni 14.1, që e shpall shqipen gjuhë zyrtare të shtetit shqiptar, dhe neni 59/g, që garanton përkujdesjen e shtetit ndaj saj.
Këto dispozita themelore ligjore e vënë shtetin përpara detyrimit që të hartojë një legjislacion të posaçëm mbi gjuhën, siç kanë bërë edhe shumë shtete evropiane, që kanë nene kushtetuese lidhur me gjuhën a gjuhët e tyre zyrtare: Franca, Polonia, Rumania, Sllovenia, Finlanda, Estonia, Suedia, Kosova, Lituania, Maqedonia, Malta, Sllovakia etj.
E dyta, një ligj për gjuhën është një instrument mbrojtës e mbështetës për shqipen në rrethanat në të cilat ajo gjendet sot. Të mos harrojmë që prej më shumë se 3 dekadash shqipja po funksionon si mjet komunikimi i një shoqërie të hapur e në përballje intensive me gjuhë të tjera, shpesh më të zhvilluara e më të kultivuara se ajo.
Mbas pak vitesh shqipja do të përballet edhe “zyrtarisht” me 24 gjuhët zyrtare të një organizmi mbikombëtar si Bashkimit Europian. Duhet punuar në mënyrë të vetëdijshme a të planifikuar për ta përpunuar, kultivuar e pasuruar më tej shqipen, që ajo të funksionojë pa vështirësi në nivele të tilla.
Për ne gazetarët një ligj mbi gjuhën asociohet me gjobat për shkelje të normave gjuhësore, sidomos të atyre drejtshkrimore. A është kjo, në të vërtetë, përmbajtja e një ligji për gjuhën?
Ta reduktosh një ligj për gjuhën vetëm në sanksione e penalitete për shkelje të normave drejtshkrimore, është një koncept semplist, madje i gabuar. Por nuk ju vë shumë faj, kur kujtoj se ka edhe gjuhëtarë, që e kundërshtojnë një ligj për gjuhën pa e patur fare idenë se çfarë parashikon ai. Për ta, një ligj për gjuhën është një formë diktati, e papranueshme për rendin demokratik në të cilin jetojmë…
Po e sqaroj atëherë për të gjithë.
Eshtë e vërtetë që Kushtetuta jonë e ka shpallur shqipen si gjuhën e vetme zyrtare në Republikën e Shqipërisë, por kaq nuk mjafton. Duhet edhe një ligj i posaçëm, ku të artikulohen, pra, të shprehen qartë e saktë, sferat a domenet e përdorimit të shqipes si gjuhë zyrtare, si dhe të garantohet ky përdorim. Këto dihen, janë të vetëkuptueshme, thonë disa.
Po nëse është kështu, atëherë pse ka kaq shumë raste, kur shqipja “devijon” nga funksionet e saj zyrtare për t’ia lënë vendin gjuhëve të tjera, veçanërisht anglishtes e italishtes?! Eshtë e vërtetë që sot nuk gjen aq shumë mallra e produkte të importuara pa etiketa të përkthyera sa disa vite më parë, por ama gjen etiketa të shtypura në shqip që të duhet një lupë e çfarë lupe për t’i lexuar.
Gjen markete, pjesë e një zinxhiri marketesh të huaja, në mjediset e të cilave gjithçka është shkruar në një gjuhë tjetër nga shqipja. Gjen shkolla ku mësuesit e shpjegojnë mësimin në gjuhën shqipe, nxënësit përgjigjen po në shqip, kurse tekstet me të cilat ata studiojnë, janë të gjitha në gjuhë të huaj. Lexon ftesa e thirrje për tendera e konkurse të publikuara në media, shkruar vetëm në gjuhë të huaja, sikur shqiptarët të jenë të gjithë poliglotë.
Nëpër qytete sheh gjithnjë e më pak njesi shërbimesh të emërtuara në shqip, vendet e të të cilave i kanë zënë tashmë emërtime nga gjuhë të tjera (hairdresser, barber shop, nails, dry cleaning, intimo, ottica, restaurant, fish shop etj.).
Po tabelat nëpër rrugë, që tregojnë drejtimin për në vende a objekte me interes për turistët, të cilat janë të shkruara vetëm në anglisht ose në anglisht e në shqip bashkë, a përbëjnë shkelje?
Shqipëria është bërë tashmë një destinacion për turistët e huaj, të cilët janë të pranishëm këtu gjatë gjithë vitit. Një mjedis miqësor për ta nënkupton edhe orientimin e qartë përmes tabelave publike të shkruara edhe në anglisht, përvecse në shqip (ku shqipja duhet të jetë dukshëm e para) sidomos në kryeqytet, në qytetet e mëdha dhe në vendet turistike.
Vendi që duhet të ketë anglishtja në raport me shqipen veçanërisht në mjediset publike (por jo vetëm) mendoj se duhet të parashikohet prej ligjit, pra, të mos i lihet dëshirës a vullnetit të individëve nëpër institucionet e pushtetit lokal.
Ju thatë më lart se në Kushtetutë ka një nen (59/g), i cili garanton kujdesin e shtetit ndaj gjuhës shqipe. Çfarë nënkupton kjo “e përkthyer” në një ligj për gjuhën?
Çdo shtet që e shpall në kushtetutë gjuhën e vet zyrtare, duhet të angazhohet për ruajtjen e prestigjit të saj duke i siguruar mbrojtje, zhvillim dhe përhapje. Eshtë pikërisht ligji ai që përcakton institucionet që duhet të përgjigjen për këtë, pra, institucionet e kujdesit, të kërkimit shkencor mbi gjuhën, por dhe ato të zbatimit e kontrollit të legjislacionit gjuhësor.
Eshtë detyrë e tyre që të garantojnë, mes tjerash, përdorimin publik të një shqipeje të qartë, të kuptueshme, të saktë, në përputhje me normat drejtshkrimore, rregullat e pikësimit, normat drejtshqiptimore e gramatikore. Për fat të keq janë kaq të shpeshta rastet kur syri të kap tekste reklamash nëpër ato që i quajnë city lights, moto të afishuara në mjedise publike, tekste lajmesh që dalin me titra në ekranet e kanaleve të ndryshme televizive, përfshirë dhe ato kombëtare, dialogë filmash të huaj etj. të shkruara në një shqipe të paqartë e gati qesharake për shkak të përkthimeve fjalë për fjalë nga gjuhë të tjera.
Një ligj natyrisht që nuk mund të bëjë mrekullira nëse ai nuk shoqërohet edhe me ngritjen e nivelit të dijes dhe formimit gjuhësor në shkollë. Sot kur mundësitë, burimet, mjetet janë të pafundme ai është shumë larg së qeni atje ku duhet.
Këshilla që jepte Joshua Fishman-i, një nga gjuhëtarët më të shquar të qindvjeçarit të fundit, për gjuhët e pakicave, vlen edhe për gjuhët kombëtare zyrtare: “Mos i lini gjuhët vetëm!”.

Shqipja e folur sot, sidomos në hapësirat publike dhe në rrjetet sociale, tregon qartë një varfëri të ndjeshme gjuhësore. Shumë shqiptarë përdorin një fjalor të kufizuar, shpesh të përzier me fjalë të huaja, zhargon ose shprehje pa kuptim.
Kjo nuk është vetëm çështje arsimi, por edhe pasojë e mungesës së leximit, e dobësimit të shkollës, e mungesës së kujdesit për gjuhën si pasuri kulturore.
Në një shoqëri ku komunikimi bëhet gjithnjë e më i shpejtë dhe sipërfaqësor, shqipja po humb thellësinë, hijeshinë dhe saktësinë. Dhe kjo varfëri gjuhësore shkon dorë më dorë me varfërinë e të menduarit. Kur nuk gjejmë fjalën e duhur, nuk gjejmë as mendimin e saktë.
Me patjetër duhet një ligj, ndryshe nuk e mbrojmë dot gjuhën nga huazimet e panevojshme dhe shformimet. Edhe huazimet e pashmangshme duhet të kthehen në monedhë të shqipes, vëren profesor Qosja.
Po si është e mundur, që në këtë bashkëbisedim ngrihet pyetja se si duhet të mbrojmë gjuhën Shqipe nga huazimet dhe keqoërdorimin e tyre me shqiptim të gabuar,kur juve vetë në shpjegimet e juaja përdorni më shumë se 50% fjalë të huaja të shqipëzuara. Shqetësimi kryesor tani për tani nuk është drejtëshkrimi por mbrojtja e gjuhës Shqipe nga fjalët e huaja ,që po zëvendësojnë fjalët e Shqipes dhe qê përdoren gjerësisht nga të ashtuquajturit ” intelektualë”, gazetarë, politikanë….etj….. Gjithçka që shkruhet dhe flitet në vitet e fundit në Shqipëri, është shumë e rënduar nga parregullësitë në drejtëshkrim dhe në përdorimin e fjalëve të huaja që zëvendësojnë ato të gjuhës Shqipe. Kjo dukuri është përcjellë dhe ngulitur edhe te brezat e rinj. Shumica e banorëve të një moshe të madhe, sot arrijnë me vështirësi të kuptojnë të folurën që përdoret nëpër lajme, emisione ose bashkëbisedime të ndryshme. Zgjidhja vjen vetëm duke hartuar një ligj të fortë që mbron gjuhën, të folurën, drejtëshkrimin dhe keqpërdorimin e saj nëpër shkolla,ekrane,gazetari,shtypshkronja dhe në politikë. Organet përkatëse duhet të zgjohen dhe të bëjnë punën e tyre. Fjalët e huaja që bëjnë emërtimin e sendeve,dukurive ose të shumë gjërave që deri dje në vendin tonë nuk njiheshin, patjetër që pasurojnë fjalorin tonë,kurse fjalët e huaja që zëvendësojnë fjalë të Shqipes, vetëm e shkatërrojnë gjuhën tonë.
Shqipja ka ndryshuar dhe eshte pasuruar,sepse kane ndodhur ndryshime te medha,.etj etj.-shprehet zonja ne interviste.
Shqipja as ka ndryshuar,as eshte pasuruar keto 34 vjet,por ESHTE NDOTUR me Barbarizma te gjuheve te tjera.
Dija e siperfaqshme,mesimi i gjuheve te huaja ne menyre diletanteske,pa themel,katundaria me celulare po ben hatane.
Mroklla,berdoklla qe mesojne nga gjuhet e huaja,tabelat dhe komandat e kompjutrave i kane futur ne gjuhen shqipe si derri ne thes dhe hajt ti heqesh dhe hajt ti fshish.Dhe po ti shprehesh shqip,,TE QUAJNE INJORANT,keta ore keta,moria katundareske,diletanteske me botoks,me hip hop,qe birren peroni cerek litroshe e kthejne gjithe pordhe me dy gishta.
Gjuha shqipe eshte Zot shpie ne Shqiperi.
Cfare mund te perkthehet shqip nga emertimet e teknologjive te huaja,qe hyjne ne Shqiperi,do te perkthehet shqip.
Nqs fjala kompjuter veshtire se perkthehet shqip dhe me veshtire te ndryshoje,te pakten kordoni ombilikal i Edi Rames fare natyrshem do te quhet KORDONI MEMESOR.
Nuk jam ne nje mendje me zonjen kur thote qe emrat,etiketat,ne gjuhe te huaja te shkruhen njejte si shkruhen ne ate gjuhe.Dmth Shakespeare te shkruhet Shakespeare si ne vitet 30 dhe jo Shekspir si ne vitet 70.Sepse do behet nje mish mash,nje gjurulldi.Ata qe i shkruajne nuk njohin as gjuhen origjinale,as shqipen.(une perdor turqizma dhe orientalizma per lezet,si krypa n`gjelle,edhe pse vetem nga keto fjale nuk rrezikohet sot gjuha shqipe))Prandaj emrat te vazhdojne te shkruhen ashtu si shqiptohen ne gjuhen shqipe,SIPAS STANDARTIT.
Nisma e zonjes gjuhetare eshte per tu perkrahur.NJE KOD DREJTSHKRIMOR I DETYRUESHEM PER SHTYPIN,TVte,INSTITUCIONET,ADMINISTRATEN,POLITIKEN,ARSIMIN E TE GJITHA NIVELEVE DHE SIDOMOS GJYKATAVE
ESHTE SOT DETYRE. jo mund te realizohet.Popullit kam kum botoksave,hyp hopave nuk ke c`i ben,por edhe poplli kam kum eshte i detyruar te hyje ne brazde te gjuhes se shkolles dhe administrates.
Kjo vajza e profesorit tim te nderuar Nasho Jorgaqi ka dale ne kte resme si Masa misi masa,botox,permaneti lagjes,si qytetstalinsja Sonila Meco.Po Jorgaqt e Elbasanit jane qindra vjet qytetare,Nuk jane katundare!
Kjo resme e dhjet mener seriozitetin e Nismes.
Caze si vone je moj vajze! Kur i kane bere kete kod fqinjet tane? Kaq e thjeshte eshte.
Ashtu si ne shume fusha Saliu perdori shkollen per ta lene Shqiperine ne erresire pa arsim! Qe diten e pare te shkolles pasi fitoi PD u vu re nje shthurje e plote! ATe gje te vetme qe u be ne kohen e socializmit Saliu i vuri kazme qe diten e pare! Shume nga te rinjte tane nuk dine te shkruJNE E FLASIN KEQ DHE PO SHKOJME DREJT ANALFABETIZMIT! Vini re Televizionet ! Gazetaret nuk dine shqip! Drejtshkrimi le shume per te deshiruar! Prokurore e gjyqtare nuk shkruajne dot per te bere detyren! Dhe ka nje emer Sal Rahm,UDB, sheqere Berisha!
Ku e shikon demua botoksin në fytyrën e Lubonjës nuk e marr vesh . Po mirë o demo , i vemë ferexhenë në kokë femrave si në kohën e Zogut tënd dhe rimë rehat .
Gjuhetarja e nderuar ka shume te drejte kur kerkon te behet nje ligj ne perdorimin e gjuhes shqipe sot.
Gjuha eshte nje organizem i gjalle dhe si i tille evolon ne rrjedhen e viteve. Per kete, ka nevoje edhe per perditesime te here pas hershme nepermjet konferencash, kongresesh, simpoziumesh, ku duhet te marrin pjese studiues serioze dhe jo lloj lloj sharlatanesh amatore e diletante, qe sot bejne zhurme shurdhuese ne media te ndryshme.
Nuk e lexova dot gjithe shkrimin se ishte i gjate, pastaj une , perveç “ë”-së qe ma dikton tastjera, shkruaj shqip vete dhe jo berxhdila. Te theme te drejten ne vitin 1913 kur fitoi zgjedhjet partia socialiste, mu be qejfi vetem per nje angazhim te kryeminstrit Rama: qe do saktesonte me ligj shkrimin e gjuhes shqipe ne dokumentat shqiptare te shkruara, sepse perveç “neologjizmave” qe na nxorri politikani liberal Fatos Nano, pa permendur ndonje shkrimtar me te hershem, tak edhe nje na e nxorri 7×7=42 fjalen “bullizem” e qe sot perdoret nga gjithe “intelektualet”, tv e kushdo qe e quan veten vip ose rrip. Shqipja gjate historise qe erdhi e gjalle deri me sot nuk eshte mbrojtur asnjehere me ligj sepse s’ka pase shtet e kushtetute si sot, por ka pase shqiptare. Ata e mbrojten dhe na e sollen ne te gateshme me shume gjera te tjera dhe me flamurin. Por liria qe sot eshte vetem çthurje ne parlament, çthurje ne media, çthurje ne gazetari e libra te shkruar, çthurje kudo, ben qe na u dashka nje ligj. Por ligje ne kemi dhe ne mbrojtje te drejtesise humane te njerzeve, perse nuk zbatohen? Ligje kemi dhe per kthimin e pronave, perse vriten gjyqtaret? Ligje kemi dhe me te drejtat dhe lirite, perse nuk zbatohen? E, pra, ne Shqiperine tone te varfer nga mendimi SHQIPTAR, çdo lloj ligj eshte formal dhe si duket edhe kryeministri harroi qe ta perpiloj e vendos ne dosjen e kushtetutes qe ta kishte gjykata kushtetuese si nje drite shqiptare qe nuk e gacmonte dot erresira. Gjykata kushtetuese! E perbere nga…nuk dua ta felliq bukurine e shkrimit se kjo zonja ka zbukuruar faqen e gazetes Dita me kete shkrim. Prandaj une nuk kam besim qe dhe me ligj do ndryshoje gje. Keto jane shqetesime te njerzeve te vertete qe mundohen te nxjerrin nga bataku gjendjen shoqerore dhe administrative te Shqiperise tone, por nuk do kete rezultat. Rezultati arrihet kur njerezit ta ndiejne dhimbjen e gjuhes si dhimbje kombtare. Mbase brezat qe do vijne do ta rregullojne ne se ndonje do ta vendose jo me forcen e ligjit po te kombures qe gjuha shqipe kush e tradheton te shkoje tek viktimat e Spartes dikurshme, ndryshe nuk degjojne me.
fjala, kot po te pyes une, po kjo “komburja” cfare kodosh fjale eshte? Shqip, apo jangllësh?
Nje kod drejtshkrimor i mire perditesuar eshte bere i domosdoshem,thjesh duhet te punohet nga gjuhetaret me te mire e profesioniste nga te gjithe trojet shqiptare.Kjo do te jete nje shtylle e re e forte per gjuhen shqipe.Uroj te behet sa me mire.Nuk eshte e politikes se Partive,eshte pune per kombin,Gjuhen Shqipe.