Prof. Ksenofon Krisafi*
Botuar në DITA
Moikom Zeqo, përvjetori i dytë i ndarjes së tij nga jeta, u përkujtua në Tiranë, më 15 qershor 2022, nga Akademia Shqiptare e Arteve dhe e Shkencave dhe Muzeu Historik Kombëtar, me një forum shkencor. Moikomi ishte, studiues erudit, poet, shkrimtar, shkencëtar, historian, arkeolog, akademik, piktor, publicist, ministër, deputet, politikan etj, që ka një prodhimtari unikale në shumanshmëri, cilësi e sasi.
Në disa mijëra faqet e shkruara prej tij ka edhe jo pak që flasin për aspektet institucionale dhe juridike të formacioneve të ndryshme politike, që kanë ekzistuar në trojet iliro-shqiptare. Për to kam pasur kënaqësinë të diskutoj shpesh me Moikomin. Shkaku kishte të bënte ndër të tjera edhe me faktin se unë jam bashkautor i kreut të parë të botimit “Historia e shtetit dhe së drejtës në Shqipëri”. Libri, është frut i një pune të lavdërueshme i autorëve me vlera dhe emra të mëdhenj në fushën e jurisprudencës si Luan Omari, Arben Puto, Grigor Gjika, Feti Gjilani, Zejnullah Ballanca, Gramoz Hysi, Nazmi Biçoku, Koço Nova, Aleks Luarasi etj. Ai u shkrua në vitet ’70 të shekullit të kaluar dhe u botua si pronë intelektuale e Universitetit të Tiranës. Me pas është ribotuar vazhdimisht, me autorësinë e pronësisë intelektuale të ndryshuar!
Ajo që ka rëndësi për çështjen, objekt i këtij shkrimi, është fakti se të gjithë autorët e tij janë juristë. Edhe pse, siç u theksua, janë nga më të spikaturit e vendit, njohuritë e tyre historike, kryesisht janë pjesë e kulturës së tyre të përgjithshme, doemos edhe e leximeve nga secili prej tyre për periudhën e vet, të materialeve historike, botimeve, monografive, shkrimeve shkencore, burimeve të ndryshme arkivore etj. Nga ana tjetër në këto 30 vjet në disa prej universiteteve të vendit, por edhe në Kosovë, ligjërimi i kësaj lënde bëhet në një masë të madhe nga historianë. Disa prej tyre janë nga më të mirët që ka Bota shqiptare. Por, siç na rezultonte në bisedat me Moikomin, fakti që libri i “Historisë së shtetit dhe së drejtës në Shqipëri”, është përgatitur vetëm nga juristë, pa bashkautorësi me historianë, që do të ishte shumë e dëshirueshme dhe ligjërohet nga historianë, të cilët mund të mos i kenë njohuritë themelore juridike në fushën e shtetit dhe së drejtës, ia relativizon disi vlerat.
Bisedat rreth këtij libri, cilësia dhe vlerat e të cilit nuk mund të qortohen, me Moikomin ishin tërheqëse, sepse çelnin diskutime që kërkonin dhe kërkojnë elaborim të mëtejshëm, për të shkuar drejt një zgjidhjeje më optimale.
Moikomi, nga ana e vet, me begatinë e jashtëzakonshme kulturore, njohuritë e pafundme historike, dijet për shtetin dhe të drejtën, befasonte vazhdimisht me diskutimet e tij, për disa nga periudhat e zhvillimit të shtetit dhe së drejtës në Shqipëri. Kjo ndodhte sepse ai kishte fakte, të dhëna, argumente etj në disa nga fushat e shkencës, ku kishte depërtuar thellë. Për to ai, jo vetëm që ka diskutuar me specialistë të ndryshëm, por edhe ka shkruar shumë. E ka nisur që nga zanafilla e shtetit dhe së drejtës te ilirët dhe ka trajtuar çështje që kanë të bëjnë me shtetin dhe të drejtën në Iliri, në shtetet ilire dhe në kolonitë greke në bregdetin ilir, të cilat ishin të njëjta apo të ngjashme me ato të popujve të tjerë.
Ilirët, theksonte ai, si kur ishin të bashkuar në shtetet e tyre ose të integruar në kolonitë helene të bregdetit, që ishin ngritur mbi një substrat ilir, kishin akte juridike të mirëfillta dhe ndonjëherë mjaft cilësore. Kishin kushtetuta, legjislacion civil, penal, procedural etj. Natyrisht nuk ishin të formatuara në kuptimet e sotme juridike, çka nuk mund të na çojë në konkluzionin se kishte kode civile, kode penalë etj, gjersa deri më sot nuk janë gjetur të tilla. Por, sidoqoftë në veprat e autorëve antikë, greko-romakë, në punime të studiuesve shqiptarë e të huaj, në të dhëna që vijnë nga objekte të zbuluara gjatë gërmimeve arkeologjike në vendbanimet ilire, dallohen gjurmë që hedhin dritë si për ekzistencën e tyre, ashtu edhe të akteve të tjerë juridikë, që flasin për organizimin politiko-administrativ, format e shtetit dhe evoluimin e tyre, për organet kryesore shtetërore në qendër dhe në krahina, për funksionet që iu ishin ngarkuar si dhe për elemente të tjera me interes të posaçëm në këtë fushë.
***
Në vitet 480-355 p.e.s. Dyrrahu – Epidamni, kishte kushtetutën e vet, “me institucione politike e juridike mjaft të ngjashme për nga natyra me ato të Athinës”. E kishte hartuar Aristoteli, autori i 158 kushtetutave (politeia) greke e të huaja, të kohës së tij. Epidamni ishte koloni helene. Por autorët greko-romakë si edhe studiues shqiptarë e të huaj, pohojnë se ato u ngritën mbi vendbanime ilire, ku grekët gjetën një qytetërim dhe një kulturë vendase, të cilën e përvetësuan dhe e bënë pjesë të institucioneve politike, juridike, sociale e kulturore që ndërtuan.
Moikomi fliste edhe për Apoloninë ilire, të themeluar po nga kolonistët grekë, në vitin 588 para erës së re, me pëlqimin e taulantëve. Në fillimet e saj, Apolonia ishte republikë e tipit oligarkik, e ndërtuar sipas modelit korintas. Aristoteli, i cili ishte gjithashtu autor i kushtetutës së saj, e konsideronte si shembullin e një oligarkie klasike. “Në gjirin e Jonit, thoshte ai, nuk ka demokraci si ai i rastit të Apolonisë.” Zhvillimet e mëvonshme brenda vendit dhe ndikimi i faktorëve të jashtëm, e shndërruan në demokraci. Kurse nga gjysma e dytë e shekullit IV p.e.re regjimi politik ndryshoi sërish. Institucionet e saj më të rëndësishme ishin mbledhja e qytetarëve (ose e popullit), këshilli i qytetit ose buleja, gjykata etj.
Me Moikomin bisedonim jo vetëm për sistemin e institucioneve shtetërore, përfshirë edhe sistemin gjyqësor në Apoloni, por edhe për ligjet që pasqyronin dhe rregullonin juridikisht marrëdhëniet ekonomike, politike dhe shoqërore. Si provë e një niveli të lartë zhvillimi i referoheshim Strabonit, i cili thoshte se: “Apolonia ishte një qytet me ligje shumë të mira, ndërtuar nga korintasit dhe korkyrasit” si dhe Herodotit, që shprehej se “apoloniatët nxorrën në gjyq qytetarin e quajtur Even, për moszbatim të detyrës dhe e dënuan me verbim.”
Subjekt i diskutimeve tona ishte edhe Kushtetuta e Epirit, sërish me autor Aristotelin, të cilin te “Politika”, ai e trajton si formacion politiko-territorial të ndryshëm nga ato helenë. Ajo parashikonte ndërtimin dhe funksionet e asaj që quhej eklesia, një lloj asambleje – parlamenti, me funksione legjislative, që formohej nga qytetarët e lirë të Epirit dhe që, hera-herës quhej symahia e epirotëve. Në fillim te molosët dhe më pas te shteti i Epirit, ajo gjendet me emërtimin Kuvendi i Popullit. Mblidhej disa herë në vit, në qendra të tilla si Passaroni, Dodona etj.
Vlerat e studimeve ilirologjike të Moikomit shtohen së tepërmi nga këndvështrimi shumëdimensional krahasues me historinë e qytetërimeve greko-romake dhe të popujve të tjerë.
Në një shkrim kushtuar kontributeve të Vittorio Pizanit për ngulmimet ilire në Itali, 30 vjet më parë, Moikomi, thoshte se ai, duke përdorur intrumentet gjuhësorë, bën përpjekje të jashtëzakonshme dhe të stërholluara për të afirmuar rëndësinë e pranisë së ilirëve në Italinë e Jugut.
Në këtë rafsh ai përmendte zbulimet dhe studimet e arkeologut italian Francesco D’Andria për kulturën nekropolitike të mesapëve dhe japigëve në Italinë e Jugut, të cilat, sipas tij janë të një rëndësie substanciale, bazike. Fjala vjen qarku i dallueshëm i mënyrave dhe dekoracionit të qeramikës mesape dhe japige, flet në favor të një popullsie ilire që konservon dhe e shtjellon traditën e vet në procesin e hapur të integrimit shekullor italik me popullsi të tjera etnike.
Në studimet e tij ne fushen e te drejtes, ku dallonte te drejten zakonore nga e drejta pozitive, ka dale ne konkluzionin se e drejta zakonore shqiptare ishte tërësi e normave tradicionale qe rregullonin jeten e bashkesive ilire ne kohen e lashte, të transformuara gjate shekujve, për t’iu përgjigjur më mirë nevojave që impononin zhvillimet politike, ekonomike sociale etj.
Ai shihte tek ajo jo vetem substratin origjinal por edhe ndikimet e ardhura nga e drejta pozitive iliro-shqiptare si dhe nga e drejta e popujve, qe fatet e historise i sollen ne trojet shqiptare.
Me këtë sy i shihte Moikomi mormat e Kanunit te Lek Dukagjinit, Kanunit te Skenderbeut, Kanunit te Bendes, te Papa Zhulit, Shartet e Idriz Sulit etj, në të cilat strukturohej ngrehina paralele institucionale dhe juridike e Botës shqiptare, e ndryshme ose më saktë jo e njëjtë me atë të okupatorëve të huaj. Ajo organizonte dhe rregullonte jetën e përditshme të shqiptarëve, veçanërisht të atyre që banonin në rajonet malore të vendit.
***
Krahas të drejtës pozitive të shteteve pushtuese dhe të drejtës zakonore në trojet shqiptare vepronin edhe statutet e qyteteve mesjetare italiane, të cilët ishin konvertuar në formën e akteve konstitucionale ne statutet e Shkodres, Drishtit, Danjes, Durresit etj.
Për Moikomin paraqesin interes të dukshëm statutet e Shkodrës, zbuluar nga Luçia Nadin dhe sjellë në shqip në mënyrë mjeshtërore nga kolegu ynë, Pëllumb Xhufi. Moikomi bën një deklarim të fuqishëm dhe njëkohësisht elegant, duke u shprehur se
“Statutet e Shkodrës janë kodi i vetqeverisjes së qytetit dhe hinterlandit arbëror në shekujt XIV-XV, ku realiteti është arbëror në postulatin gjeografik, por edhe një modul ngjashmërie me Kotorin, Drishtin, Budvan, pra arbërorja është jo thjesht forma, por përmbajtja ekonomike e pronës, e njerëzve etnikisht të ndryshëm nga venedikasit..”
Studiuesen italiane Nadin e cilëson si një bosht të pazëvendësueshëm konceptual për shkencën moderne historike për Arbërinë veriore mesjetare në suazën europiane, por edhe ballkanike të kontekstit perandorak të Venedikut në Mesjetë.
Zbulimi i Nadinit e ngacmon Moikomin për të qëndruar disi më gjatë dhe për të sikcuar disa ide dhe mendime lapidare, që janë teza të rëndësishme për studime të mëtejshme për ndriçimin e asaj epoke.
Me kulturën e jashtëzakonshme, dijet poliedrike, talentin dhe aftësitë analizuese e përgjithësuese, Moikomi ka ndërtuar disa skica me vlerë për historinë e Arbërisë veriore mesjetare. Ai thotë fjala vjen se “Forma krijuese e Arbërisë Venedike është ajo e një domeni kolonial ballkanik nga brigjet italike… Revolucioni i kolonizimit grek në epokën arkaike dhe klasike (shekujt VII-V para Krishtit) në brigjet lindore po të Adriatikut është një shembulltyrë paraprijëse nga Jugu Mesdhetar e një lloj bote të globalizimit antik me konceptin e përparuar dhe modern të “polisit”… Modeli substancial i këtij kolonializimi sui generis, lidhet me strukturën e Komunës Qytetare, konceptualisht shumë e përparuar për Europën monarkike mesjetare… ku kultura juridike unifikon, por nuk e prek multikulturalizmin ose entitetet etnike…”
Po kaq mire njihte Moikomi edhe te drejten dhe institucionet e shtetit te perqendruar te Skenderbeut. Pata fatin që të kisha një nga shumë pak kopjet, e një libri voluminoz, me titull Sinopse për Skënderbeun, botuar në nëntorin e 2018. Autori shkruan në faqen e fundit të tij se ai nuk ka “statusin e librit publik”, sepse ka nevojë për t’u përpunuar për të marrë formën përfundimtare. Ma dha për të marrë ndonjë sugjerim. Por ai iku pa e mbaruar edhe pse, sipas meje, libri i tij për Skënderbeun është shumë i mirë.
Moikomi njihte po ashtu edhe shtetin dhe te drejten e pashalleqeve shqiptare te Bushatllinjve dhe sidomos të Ali Pashe Tepelenes.
Moikomi, kurioz për gjithëçka dhe i etur për të përpirë përmbajtjen e çdo shkrimi ose libri për vendin e vet, fqinjët dhe Europën, ka lexuar shumë dhe ka shkruar mjaft edhe për institucionet politike e juridike në kohën e Lidhjes së Prizrenit si dhe për shtetin e pavarur shqiptar të themeluar në 1912.
Shkrimet e tij historike, ku preken edhe aspekte juridiko-institucionale të organeve që ekzistuan në trojet iliro-shqiptare, janë një kontribut për rishkrimin realist të historisë, për të cilin flitet abuzivisht shumë këto kohë, kur, fatkeqësisht, mohimi i saj dhe i vlerave të shqiptarëve, në favor të miteve dhe legjendave të stisura nga fqinjët, është shndërruar në një teknologji fasadë, speculative, e adoptuar edhe nga disa të ashtuquajtur analistë, që pretendojnë se dinë gjithëçka, duke mos ditur asgjë. Sepse Moikomi e njeh historinë, shtetin dhe të drejtën në gjithanshmërinë e vet dhe operon me to jo thjesht për të bërë një renditje ngjarjesh, personazhesh dhe zhvillimesh historike, por i përdor me sukses si instrument të fuqishëm shkencor për të depërtuar në thelbin e të vërtetave dhe në shkaqet e ndodhive, për të kontribuar në krijimin e ideve të qarta për shtetin dhe të drejtën që kanë pasur iliro-shqiptarët.
Tiranë, 15 qershor 2022
*Kumtesë e mbajtur në forumin shkencor, kushtuar përvjetorit të dytë të ndarjes nga jeta të Moikom Zeqos, organizuar në Tiranë, më 15 qershor 2022, nga Akademia Shqiptare e Arteve dhe e Shkencave dhe Muzeu Historik Kombëtar.
Pavaresisht se jam i djathte RESPEKTE per nje gjigand te kultures shqiptare. E kam fjalen per Moikom Zeqon
Mua me vjen keq,qe z.Krisafi nuk ka njohuri te thella per Historine dhe Arkeologjine,,sepse po te kishte do te kuptonte se z.Zeqo nuk i ka te vetat dekllarimet per shtetin juridik te ilireve te lashte,,por i ka marre nga Vepra Epiri dhe Iliria ne veprat e autoreve antike,te Hasan Cekes,.Ka punuar gjithe jeten Hasan Ceka me veprat e autoreve te lashtesise,te perktheje nga greqishtja e vjeter dhe Latinishtja per te nxjerre fragmentet,qe i kushtohen Ilireve dhe epiroteve,,.Pse? Qe t`i DEKLLAROJE Zeqo?
Per Kanunet dhe shartet e Maleve te Veriut dhe Jugut,I mblodhen nga goja e Popullit nje aradhe folkloristesh puneshume e fjalepake,,qe nga Frang Bardhi,Shtjefen Gjecovi,at,Martini,at Bumci,imzot Prenushi,Sako,Haxhihasani,Merorrapaj,,etj.etj..Keta o Krisafi jane BLETA QE BERI MJALTIN,,Qe ta shesi Zeqo,
Me profesionalizem ASKETIK gerrmoi ne shtresat e qytetit te lashte te Durresit arkeologu Vangjel Toci.Zbulimet e tij mbreselenese jane Hypokampfysi,mozaiku i bykuroshes se Durresit,Nymmfey,Amfiteatri gjigand,,,por per te DEKLLARUAR keto zbulime arkeologjike ne Gjermani referoi Zeqo,jo Ati puneshume i Arkeologjise Durrsake,Jo Ai qe ju poq koka ne diell 40 vjet per t`i nnxjerre ne drite.. Njimend punime te vete Zeqos jane Halucinacionet per Dodonen ne Tomorr te Gramshit Une qe po te shkruaj e kam njohur Zeqon dhe e cmoj shume Rolin e tij te pazevendesueshem si ciceron e Muzeut.Edhe shkarravinat mesjetare ne shpellat e Trenit,i beri te epokes se gurit.Te mahniste me fantazine e zhvilluar.Shqip i thone:Fluturonte me pras,..
Moikonizmi absurd si atribut i nje mediokri absolut, i shpalosur nga disa pseudoshkencetare qe flasin si e ema e Zeqos ne maje te thanes.
Ky K-ja me keto qe shkruan meriton medalje te arte si hipokrit nderplanetar.