DR. JORGJI KOTE
Këtu e 80 vite më parë, më 29 Korrik 1946 në Paris filloi “Konferenca e 21 Shteteve Fituese të Luftës së II Botërore për Paqen » me praninë e rreth 2.000 delegatëve. Bisedimet e Paqes zgjatën deri në fund të Tetorit 1946. Pastaj diplomatët përpunuan tekstin përfundimtar, i cili u nënshkrua më 10 Shkurt 1947.
Katër fuqitë më të mëdha të kohës kishin ftuar përfaqësuesit e 17 shteteve të tjera fituese për të biseduar mbi paqen me 5 vendet ish aleate të Hitlerit me qëllim që të hidheshin themelet e marrëdhënieve të ardhëshme miqësore ndërkombëtare në Europë. 7 vende të tjera ishin ftuar me statusin e vëzhguesit.
Vendi ynë, kryesisht për shkak të kundërshtimeve greke nuk ishte atje si anëtar me të drejtë vote, por me statusin e të Ftuarit për të paraqitur pikëpamjet e tij. Ato u parashtruan më 21 Gusht 1946 në fjalimin e gjatë dhe pse të mos e themi dinjitoz të Enver Hoxhës në Paris; aty ai dha argumenta të shumtë dhe bindës mbi ndihmesën e madhe të popullit shqiptar në luftën kundër fashizmit italian dhe nazizmit gjerman; të ilustruara me mesazhe dhe vlerësime pozitive për luftën tonë nga liderë francezë, britanikë dhe amerikanë.
Përveç nihilizmit grek të kontributit tonë në aleancën e madhe anti-fashiste dhe akuzave të paqena në kuadrin e Ligjit absurd të Luftës, sidomos zgjedhjet e 2 Dhjetorit 1945 dhe incidenti i parë në Kanalin e Korfuzit në Maj 1946 patën ndikimin e tyre negativ në mungesën e mbështetjes britanike dhe amerikane; lëvizje e gabuar e tyre, që jo vetëm nuk ndihmoi, por dha efektet e kundërta në të ardhmen politike të vendit tonë.
Ndërkohë, ashtu si mbas mbarimit të Luftës së I Botërore në vitin 1919, edhe në Paris nuk ishin ftuar përfaqësues zyrtarë të Gjermanisë. Këtë të fundit e përfaqësonin tri fuqitë e mëdha, SHBA, Britania e Madhe dhe Franca, të cilat pas Konferencës së Potsdamit në Gusht 1945 e kishin ndarë në tri zona të administruara prej tyre ndërsa pjesën lindore e administronte Bashkimi Sovjetik.
Konferencën e çeli Kryeministri francez Georges Bidault, i cili ndërmjet të tjerash pohoi : « Jemi të bindur se të gjitha vendet tona, me frymën e bashkëpunimit miqësor do të punojmë për realizimin e detyrave të mëdha që na janë ngarkuar“
Nisur nga përvoja negative e Versajës në vitin 1919, Konferenca e Parisit përballej me një mision që ishte pak të thuhej herkulian. Shqetësimi ishte që të shmangeshin gabimet fatale të Versajës, të cilat në vend të « paqes së përjetshme » të synuar çuan brenda fare pak viteve në përhapjen e nazi-fashizmit dhe shpërthimin e Luftës së II Botërore sërish nga Gjermania këtë radhë naziste.
Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se në Paris nuk u vendosën sanksione ndaj vendeve humbëse, por në përpjestimer e duhura dhe të realizueshme. Në këtë kuadër, Italia hoqi dorë nga kolonitë e saj në Afrikën e Veriut dhe territoret e pushtuara në Europë gjatë periudhës 1938 – 1941, ato mbi bazën e Marrëveshjes së Munihut dhe të Vjenës. Ndërkohë, pjesa më e madhe e ishullit Istria iu dha Jugoslavisë. Italia mbajti Tirolin e Jugut që ishte ndarë nga Austria në vitin 1920.
Shumë më të dhimbshme ishin për Italinë reparacionet e luftës. Mbi bazën e vlerës së arit më 1 Korrik 1946, ajo duhet të dëmshpërblente Greqinë, BS-së, Etiopinë dhe Shqipërinë me shumën e përgjithshme prej 360 Milion Dollarë, shumë e barazvlefshme me 310 Ton ar 24 karat. Në një kohë kur Banka Italiane në vitin 1939 dispononte vetëm 120 ton ar, e cila deri në vitin 1945 u reduktua në 20 ton.
Edhe Finlanda shumë më e vogël duhet të dëmshpërblente BS-në në shumën prej 300 Milionë Dollarë, ndonëse rezervat e saj të arit në vitin 1939 ishin vetëm 7 ton. Pjesa e mbetur do të kompensohej me prodhimin industrial të atij vendi.
Sa për kërkesat sovjetike për reparacione lufte kundrejt Hungarisë, Bullgarisë dhe Rumanisë, ato llogariteshin në 430 Ton ar. Por kjo ishte vetëm në teori, sepse të tria vendet ishin pushtuar nga BS-ja, ushtria e të cilës vepronte e lirë në të tria këto vende. Në vitin 1948 Stalini ua fali atyre gjysmën e borxheve, të cilat ato gjithsesi nuk do të ishin në gjendje t’i shlyenin.
Ka shumë diskutime dhe hamendësime lidhur me masën e madhe të këtyre dëmshpërblimeve të mundshme në kuadrin e reparacioneve të luftës për Gjermaninë, shuma e të cilave do të ishte e paimagjinueshme. “Tre të mëdhenjtë“ e botës, Roosevelti, Çurçilli dhe Stalini, në takimin e tyre në Jaltë në fillim të vitit 1945 kishin sugjeruar 55 herë më shumë se Italia. Ndonëse në fund të vitit 1945, Gjermania kishte gjithsejt vetëm 32.000 ton ar ose 36 miliard dollarë, 2/3 e të cilave ishin të depozituara në SHBA.
Në fakt, kërkesat për reparacione lufte ndaj Gjermanisë ishin diskutuar në një format më të vogël të Konferencës së Paqes në Paris në Janar 1946. Gjithsesi, Marrëveshja e Huasë e nënshkruar në Londër në vitin 1953 vendosi që kërkesat për reparacione lufte ndaj Gjermanisë të diskutoheshin pas ribashkimit të saj.
Dihet tashmë se pas ribashkimit gjerman nuk u zhvillua asnjë konferencë e tillë. Ndërsa “Marrëveshja 2 plus 4” e vitit 1990 për Ribashkimin Gjerman, siç e tregonte edhe vetë titulli, kishte të bënte vetëm me « Rregullat Përfundimtare lidhur me Gjermaninë“ ku reparacionet nuk figurojnë, duke e mbyllur këtë çështje në termat e të drejtës ndërkombëtare.
Ky konsiderohet fat i madh për Gjermaninë Federale, ca më tepër se të gjitha shtetet ish armiq të saj e njohën atë marrëveshje. Vërtet që Polonia dhe Greqia vitet e fundit kanë kërkuar reparacione lufte, por kjo është bërë kryesisht për nevoja të brendshme dhe të përkohshme politike dhe për të kënaqur orekset nacionaliste.
Pavarësisht nga këto sanksione dhe reparacione, sidpmos ndaj Gjermanisë Konferenca e Paqes në Paris ishte « si nata me ditën » me atë të nënshkruar në Versajë më 28 Qershor 1919. Në këtë të fundit, delegacionit gjerman nga Republika Demokratike e Vajmarit iu paraqit si « fakt i kryer » faji për luftën vetëm i Gjermanisë » duke vendosur sanksione të papërballueshme për gjithë popullin gjerman, duke e futur atë në një thes me drejtuesit e tij. Gjermania humbi 13 për qind të territoreve kudo në Europë dhe në Afrikë, ushtria e saj u reduktua në 100.000 vetë, iu ndalua prodhimi i armatimit luftarak, i tankeve, anijeve, nëndetësve, u bë demilitarizimi i zonës së Rinit, etj. Mbi të gjitha iu imponua pa asnjë logjikë ekonomike dëmshpërblimi në shumën maramendëse të reparacioneve prej 33 miliard Euro, e pamundur për t’u shlyer.
Dihet tashmë se ishin pikërisht vendimet skandaloze të Versajës që nxitën forcat naziste me në krye Hitlerin për të përshkallëzuar veprimet, për t’u ngitur në pushtet duke përfituar edhe nga dobësitë e demokracisë së re të Vajmarit dhe për të rimilitarizuar Gjermaninë deri në shpërthimin e Luftës së II Botërore. Ja pse thonë me të drejtë se « rrënjët e katastrofës së shekullit të kaluar u hodhën në Versajë në vitin 1919».
Natyrisht nuk mund të mohohet se Traktati i Versajës 1919 krijoi bazën ligjore ndërkombëtare për përfundimin e Luftës së I Botërore dhe hodhi themelet për krijimin e Lidhjes së Kombeve. Synimi i bashkëpunimit ndërmjet 45 shteteve palë në atë Lidhje ishte mbrojtja e parimeve të së drejtës ndërkombëtare kundër luftrave agresive. Mirëpo, Lidhja e Kombeve dështoi për shkak të vendimeve të padrejta të Versajës dhe të refuzimit të senatit amerikan që SHBA-të të ishin pjesë e Lidhjes, megjithë demarshet e shumta të Presidentit Wilson, i cili ishte nismëtar dhe lobist i saj.
Ja pse Konferenca e Paqes në Paris nxorri mësime nga pësimet e Versajës, duke korrigjuar dhe shmangur gabimet e saj fatale, me qëllim që të mos përsëriteshin më dy luftrat e përgjakshme botërore dhe t’i pritej rruga çdo konflikti të ri.
Këtu është shumë e rëndësishme të theksohet se produktet e mëvonshme gjeopolitike të Konferencës së Paqes në Paris, si në planin kombëtar dhe atë ndërkombëtar ishin krejt të ndryshme dhe shumë më pozitive se ato të Versajës, edhe pse Europa u nda në dy pjesë dhe filloi Lufta e Ftohtë. Kështu, më 4 Prill 1949 u krijua NATO dhe më 4 Maj 1949 Këshilli i Europës në Strasburg. Në vijim, më 8 Maj 1949, në pjesën perendimore të Gjermanisë që ishte nën zotërimin e SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe Francës u shpall krijimi i Gjermanisë Perendimore demokratike (RFGJ). Disa muaj më vonë, më 7 Tetor u krijua për karshillëk dhe nën ombrellën sovjetike Republika Demokratike Gjermane( RDGJ). Të dy këto vende dhe Europa ecën në shina të kundërta, duke u bërë pika vendimtare reference dhe përplasjesh në periudhën e Perdes së Hekurt.
Krejt ndryshe nga vitet ‘30, në vitet 50, Gjermania Perendimore njohu një “boom” të vërtetë ekonomik, që për nga përmasat dhe shpejtësia rekord e tij ka hyrë në histori, si “mrekullia ekonomike gjermane”. Mjafton të përmendim se gjatë kësaj periudhe, GDP-ja vjetore u rrit në mënyrë të qëndrueshme me 8 për qind, prodhimi industrial 150 për qind, dhe prodhimi i mallrave kapitale 220 për qind. Eksportet u bënë tipari dallues i këtij vendi, i cili në çdo 4 marka, një e siguronte nga eksporti.
Kjo “mrekulli” ekonomike e shoqëruar me shtetin social gjerman ndikoi në ndryshimin e shpejtë të imazhit të shkatërruar gjerman dhe në krijimin e një profili të ri pozitiv për të. Pa diskutim, Plani Amerikan Marshall i ndihmave ishte faktori i jashtëm më i rëndësishëm në këtë drejtim. Gjithsesi, pranohet gjerësisht se në themel të bumit të paparë ekonomik gjerman ishte konceptimi dhe zbatimi me sukses i “ekonomisë sociale të tregut” me ideator dhe zbatues, Prof. Ludwig Erhard ( 1897 – 1977) Ish-Ministër i Ekonomisë, i njohur si “ babai i mrekullise ekonomike gjermane”. Thelbi i kësaj mrekullie ishte konturimi dhe zbatimi me sukses i konceptit dhe praktikës së ekonomisë sociale të tregut që ka vazhduar deri më sot.
Ndërkohë, udhëheqësit vizionarë të Gjermanisë dhe të Francës e kuptuan se e vetmja alternativë afat-gjatë që do të garantonte paqe, stabilitet dhe begati social-ekonomike ishte pajtimi dhe miqësia, mbi të gjitha integrimi i tyre Euro – Atlantik; veçse këtë radhë bashkë me vendet e tjera dhe jo kundër tyre. Më 9 Maj 1950, “ babai” i Gjermanise moderne, Konrad Adenauer i tha me plot gojën “ Po” ofertës historike të Shumanit dhe Monesë për krijimin e Europës së bashkuar; krijimi i Komunitetit të Qymyrit dhe Çelikut ishte preludi i këtij procesi; mbasi qymyri dhe çeliku kishin qenë “ lënda e parë” e luftrave. Më 1958, këto dy vende bashkëthemeluan Komunitetin Ekonomik Europian ose Bashkimin Europian të sotëm. Ato “ tërhoqën” edhe Italinë, si humbëse e luftës dhe tre vendet e Beneluksit, që si vende të vogla dëshmuan se vërtet që humbën nga lufta, por fituan nga paqja.
Në vend të Lidhjes së dështuar të Kombeve, me nismën amerikane dhe të disa vendeve të tjera të mëdha më 24 Tetor 1945 ishte krijuar Organizata e Kombëve të Bashkuara( OKB) me filialet e saj, si « çatia » diplomatike e botës për të garantuar zbatimin e të drejtës ndërkombëtare.
Megjithë dobësitë dhe problematikat e aj, përvoja tregon se OKB-ja është e pazëvendësueshme, atë mund ta reformosh por jo ta çmontosh. Ashtu siç e ka thënë edhe ish Sekretari i Përgjithshëm emblematik i OKB-së Kofi Annan, i ndarë nga jeta plot 8 vite më parë « e vetmja alternativë në këtë botë të ndarë është një Organizatë e vërtetë e Kombeve të Bashkuara »
DITA
