SHËNIM I REDAKSISË: Autori i kësaj analize, Prof. As. Dr. Jetmir Aliçka, është një nga ekspertët më të mirë të problematikave të arsimit në Shqipëri dhe ka eksperiencë shumëvjeçare brenda dhe jashtë vendit në mësimdhënie dhe drejtimin e ekipeve edukuese. Aktualisht drejton shkollën e njohur ELITE. Më poshtë analiza e plotë e profesorit:
Nga Jetmir Aliçka
Testet e provimeve të Maturës Shtetërore u dekonspiruan. Një lajm i keq, dhe si i tillë u perhap me shpejtësi. Media, si zakonisht, nxitoi e para.
Qindra e mijêra prindër e maturantë u shqetësuan. Dhjetra apo qindra telefonata nga prindër dhe maturantë kërkonin të dinin pak më shumë. Institucionet drejtuese të arsimit, të gjitha, pa përjashtim, në alert. Mijëra administratorë të mjediseve të provimeve, të stresuar…
I provuar e pranuar ky dekonspirim edhe nga Ministrja e Arsimit dhe e Sporteve, Znj. Kushi. Mjaft domethënës edhe ky pranim. Nuk u fsheh, nuk u përgënjeshtrua, siç ka ndodhur në raste të ngjashme.
Fatkeqësisht lajmi i keq përbën lajm tek ne. Në pamje të parë po cënohej kollona vertebrale e Maturës Shtetërore, parimi i meritë preferences në pranimet e shkollave të larta.
Por çfarë ka ndodhur?
Në dy provimet e para të MSH në gjuhën angleze dhe Gjuhë-Letërsi, pak kohë pasi kishte filluar provimi, testet dolën në media. Hipotetikisht po ndërtojmë një analizë modeste. Po e fillojmë sipas teorisë së përjashtimit, për t’ju afruar sa më shumë të vërtetës.
Testet nuk besoj se u dekonspiruan para se të fillonte provimi, pasi dihen hallkat, rruga dhe personat përgjegjës në këtë proces. Po e shpjegojmë shkurtimisht:
Testi hartohet nga një grup specialistësh, të cilët mbi bazën e nje fondi të dhënash, pesë deri dhjetë fish më shume se të dhënat e testit, ngujohen në mjedise të veçanta dhe nuk kanë asnjë lloj komunikimi me jashtë. Ata qëndrojnë të ngujuar dhe të monitoruar nga organe të specializuara, që nga momenti që testi i hartuar printohet, futet në zarfa të sekretuar, shpërndahet nën shoqërimin e policisë në qendrat e provimit dhe deri kur koha e provimit përfundon.
T’i marrim me radhë:
Këta specialistë është e pamundur të dekonspirojnë, janë njerëz me integritet moral e profesional, janë të monitoruar e të investiguar 24/24, por njëkohësisht kanë deklaruar personalisht se pranojnë pasojat penale, nëse dekonspirojnë. Në 16 vjet MSH ka ndodhur një rast kur testi u dyshua (por nuk u provua) që u dekonspirua nga këta specialistë dhe dy, tre raste, kur pjesë të testit janë dekonspiruar jo nga specialistët që përpilojnë testin përfundimtar, por nga ata specialistë që pasurojnë fondin e të dhënave (siç shpjeguam më sipër, ky fond është 5 fish apo 10 fish më shumë se ato çka përmban testi përfundimtar).
Hallka tjetër… Shpërndarësit e testeve për në qendrat e provimit janë përfaqësues të MAS dhe policisë. Probabiliteti për të qenë ata dekonspiruesit është pothuaj zero edhe për faktin se çdo zarf është i sekretuar dhe nëse një zarfi i është prishur sekretimi, ai denoncohet menjëherë nga marrësit në dorëzim nëpër qendrat e provimit.
Po ashtu, përjashtohet që testi është dekonspiruar para provmit, kohë kur hipotetikisht janë dy mundësi: Hipoteza e parë, dekonspirimin e ka bërë një person që në rastin më të mirë ka dashur të ndihmojë fëmijën apo të afërmin e tij dhe ka kompromentuar një nga hallkat e mësipërme (por në këtë rast ai nuk kishte pse ta mediatizonte këtë gjë, pasi do të ishte në dëmin e tij dhe fëmijës së tij, pra, interesi i të dyve ishte qe gjithshka të mbetej sa më e fshehtë)
Dhe hipoteza e dytë, një person, ka vepruar me qëllime dashakeqe për të “minuar sistemin”. Por ky do ta kishte bërë dekonspirimin para provimit dhe jo gjatë provimit, pasi dëmi që do të krijonte do të ishte në kufijtë e një skandali. Dhe kjo do t’i interesonte më shumë.
Atëherë, mbetemi tek dekonspirimi i testit nga persona brenda, gjatë provimit. Që janë dy palë: administratorët dhe maturantët. Administratorët, këtë vit janë përzgjedhur dhe trajnuar si asnjë herë tjetër në këto 16 vjet të MSH. Po ashtu duhet thënë se monitorimi me kamera ka qenë me shumë më tepër cilësi.
Nëse do ta bënte ndonjë nga administratorët do të duhej të ishte menduar mire, pasi po i hynte një aventure që do t’i kushtonte karrierën, pa përjashtuar dënimin penal. Kjo, gjthësesi mbetet për t’u parë.
Pala tjetër, maturantët. Pa dyshim, me pajisje të sofistikuara teknologjike, të cilat nuk detektohen dhe që nuk mungojnë, kanë fotografuar testin dhe e kanë derguar tek persona jashtë mjediseve të provimeve.
Tre arsye për ta bërë këtë veprim: Arsyeja e parë për hobi, (mosha e adoleshencës) pra për të eksperimentuar e sfiduar me aftësitë e tyre rregullat e provimit; e dyta një maturant që ka një ambicie negative për të marrë një note të pamerituar, do të përfitojë në mënyrë të pandershme, duke fotografuar testin dhe pritur nga jashtë çelsin e zgjidhjes; dhe e treta, që sinqerisht nuk do të doja t’a besoja, nëse maturantë, në bashkëpunim me persona jashtë, duan të dëmtojnë këtë standard të MSH i sprovuar në vite dhe i perfeksionuar vit pas viti, duke e paraqitur si dështim të qeverisë . Personalisht dhe fatmirësisht, nuk i përkas qeverisë, dhe nuk bëj pjesë tek ata që i bëjnë avokatin e saj.
Cili ka qenë impakti tek procesi?
Në provimin e dytë, nëse testi do të dekonspirohej si rradhën e parë (dhe u dekonspirua) u angazhova me disa kolegë për t’ju bërë një pyetje maturantëve kur mbaruan provimin. Nga 495 maturantë, përfshi edhe shkollën time, pyetjes se a kishin ndonjë informacion, nëse testi ishte publikuar para dhe gjatë provimit, vetëm 5 prej tyre u përgjigjën “tani kur dolëm na thane se testi ishte dekonspiruar”.
Eshtë për t’u përmendur edhe fakti se pas këtyre dy provimeve nuk pati ndonjë informacion, qoftë nga mediat, instancat përkatëse apo maturantët, administratorët apo vëzhguesit për dekonspirimin e çelësit të zgjidhjes. Dhe kjo është po aq e rëndësishme.
Njëkohësisht, po supozojmë përsëri, se pas daljes së testit, për t’a zgjidhur do të duhej minimalisht 1 orë, për ta rikthyer e për të realizuar makinacionet e futjes së zgjidhjes do të donte kohën e vet, por edhe për t’a hedhur në fletën e provimit kërkon një kohë jo të vogël, atëhere shpërndarja e testit të zgjidhur tek maturantët e tjerë, në këtë rast ēshtë një mundësi që shkon drejt zeros.
Duke analizuar çka thamë më sipër, mbi bazën e fakteve të deritanishme, mendoj se parimi i meritë preferencës për këto 2 provime nuk është cënuar. Por padyshim nuk është pa pasoja. U cënua besimi i publikut. Që nuk është pak.
Pavarësisht parashtrimit të mësipërm, që jo pak njerëz kanë durimin dhe kohën e duhur për ta lexuar, vetëm lajmi i dekonspirimit, me dashje apo pa dashje, u shoqërua me shqetësimin e 30.000 maturantëve e 60.000 prinderve; u vu në dyshim puna , angazhimi i mijëra administratorëve, kontrollorëve; u vu në dyshim puna e institucioneve në varësi të MAS, të zyrave dhe drejtorive arsimore, e instutucioneve të specializuara të angazhuar në këtë proces etj.
U vu në diskutim puna e jashtëzakonshme e KMSH që ka evidentuar, parandaluar e zgjidhur problemet në kohën e duhur. Dhe kjo nuk është e drejtë. Nuk është e drejtë, pasi kam bindjen se duke qenë një nga autorët dhe aktorët e 16 viteve të funksionimit të MSH, konstatoj se përgjegjësia e këtyre ndodhive të padëshërueshme duhet parë pak më gjërë e më thellë.
Mendoj se duhet të ndyshojmë qasjen ndaj edukimit. Dhe konkretisht ndaj shkollës. Këta maturantë, që tentojnë të marrin atë qe nuk meritojnë, këta mësues që administrojnë provimet në menyrë abuzive, këta mësues që bëjnë vlerësime fictive, këta prindër që paguajnë e kompromentojnë mësuesit, këta prindër që ushtrojnë presione ndaj mësuesve etj. janë produkt i shkollës tonë, i sistemit tonë të edukimit.
Nëse nuk do të fillojmë me ndryshime drastike në sistemin e arsimit të lartë, në ato fakultete ku përgatiten mësuesët e ardhshëm, por vazhdojmë me mësues që ju mungojnë aftësitë profesionale, ndershmëria dhe dashuria per profesionin e mësuesit; nëse nuk krijojmë një frymë në gjithë shoqërinë shqiptare për domosdoshmërinë e mbajtjes pastër të shkollës sonë nga çuditë e këtij tranzicioni të tejzgjatur, duke evidentuar, diskutuar, debatuar , demaskuar e dënuar të gjithë rastet e fiktivitetit, abuzivizmit; nëse nuk do të forcohet disiplina në shkollë, pasi shkollat po na kthehen në vatra të vagabondazhit, pirjes së duhanit, alkolit, pse jo drogës; nëse nuk mbështesim me legjislacionin përkatës për të respektuar një nga shtyllat kryesore të mirëfunksionimit të shkollës, raportin të drejta – liri nga njëra anë dhe detyra – përgjegjësi nga ana tjetër; nëse nuk forcojmë cilësinë e shkollës etj. sado të përfeksionojmë MSH, gjithmonë do të gjenden maturantë, që duan të kopjojnë dhe të marrin më shumë se sa meritojnë. Gjithmonë do të gjenden prindër që ushtrojnë presion apo kompromentojnë një mësues apo administrator provimi, gjithmonë do të gjejmë mësues abuzivë që nuk kanë asgjë të përbashkët me profesionin e nderuar të mësuesit.
Do të duhet të rikujtojmë vazhdimisht, se edukimi është ai që mban gjallë të sotmen dhe të ardhmen e një vendi. Dhe edukimi nuk është prone e askujt, por pronë e të gjithëve.
—–
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
