– Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë
– Kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste
– Anëtarëve të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin
– Anëtarëve socialistë të Kuvendit
Zonja dhe zotërinj,
Ju shkruaj sepse nuk mund të hesht. Flas sepse nuk duhet heshtuar. Nga askush. Në radhë të parë nga ju, si përfaqësues të popullit e të interesave të tij. Dhe ju shkruaj jo nga pozitat e një opozitari, por si njëri prej jush, si një intelektual në origjinë dhe me bindje socialiste, ndoshta edhe më socialiste se e shumicës prej jush.
Këto ditë ju ka ardhur një kërkesë nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për t’i hequr mandatin e deputetes një anëtareje të Kuvendit. Bëjeni. Mos iu shmangni kësaj kërkese. Drejtësisë dhe SPAK-ut, që ai Kuvend e ka krijuar me votat e të gjithë anëtarëve të tij, nuk keni pse i trembeni, nëse nuk keni arsye të keni frikë.
Prej kohësh dëgjojmë kryeministrin e vendit të flasë për një gjoja “Republikë të Prokurorëve” që po krijohet, mesa duket në imagjinatën e tij, i trembur nga veprimtaria e SPAK-ut, që njëra pas tjetrës po zbulon afera të mëdha korruptive nga anëtarë të kabinetit të tij qeveritar dhe nga drejtues të të gjitha niveleve të administratës shtetërore.
Nuk ekziston një mundësi e tillë. Mos e hani këtë mufkë të kryemistrit. Nuk mund të ketë prokurorë që venë në rrezik themelet kushtetuese të Republikës sonë. Paniku që përpiqet të mbjellë kreu i qeverisë dhe i shumicës parlamentare synon të zhvendosë vëmendjen nga rreziku real i një diktature të mazhorancës, apo i një “tiranie të mazhorancës”, nëse huazoj fjalët e presidentit Thomas Jefferson. Ky është rreziku që mund të minojë demokracinë tonë, jo lufta kundër korrupsionit në nivelet e larta të qeverisjes dhe kundër krimit të organizuar.
Me fjalë të tjera, zonja e zotërinj, demokracisë sonë dhe fateve të Republikës sonë parlamentare rreziku mund t’i vijë nga ju, prej shumicës së anëtarëve të atij Kuvendi, nëse ju—jo prokurorët e SPAK-ut dhe gjykatat tona—përpiqeni të mbroni korrupsionin dhe të korruptuarit, këtë herë një zëvendëskryeministre, që e keni në radhët tuaja.
Prej jush kërkohet të vendosni heqjen e mandatit të saj. Duhet ta bëni. Të mos hezitoni. Ju duhet të votoni ndërgjegjjen tuaj, jo dëshirën apo frikën e kreut tuaj. Nëse një anëtare e Kuvendit, që mban edhe postin e një ministri e të zëvendëkryeministrit të vendit, akuzohet për shkelje të ligjit dhe shpallet e pandehur nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ju duhet t’i përgjigjeni kërkesës së kësaj të fundit. Për të mirën e interesave të popullit e të vendit. Për të mirën e fateve të kësaj republike demokratike.
Për të mos u bërë edhe ju bashkëfajtorë në krim, ju duhet të mos i dilni në krah e të mbroni askënd që shkel ligjet e këtij vendit, ato ligje që ju vetë i hartoni dhe i miratoni. Në emër të Popullit.
Mos i tradhëtoni interesat dhe besimin e qytetarëve që ju kanë votuar për interesat e njërit prej jush, që ka shkelur ligjin dhe të kreut të qeverisë, që i trembur e në mënyrë absurde përpiqet ta mbrojë atë. Shërbejini interesit publik, mos veproni në kundershtim me të.
Ju nuk jeni gurë shahu të mbyllur në një kuti, prej së cilët dilni vetëm kur këtë e kërkon kryeministri dhe bëni vetëm lëvizjet që do ai, njëlloj sikur t’ju bënte zbor. Shumë prej jush vërtet janë votuar si pjesë e listave që ka hartuar kryeministri, por ju jeni qytetarë të lirë të kësaj republike, të ngarkuar nga populli me një detyrë të lartë e fisnike—të përfaqësoni, të shprehni dhe të mbroni interesat e tij.
Sot jetojmë kohë historike. Jetoni edhe ju me frymën e kësaj kohe, jo kundër saj. Shërbejini kohës që jetojmë, mos dilni kundër saj. Mbështeteni drejtësinë e re, mos u bëni mbrojtës të padrejtësisë.
Dhe drejtësia nënkupton se para ligjit të gjithë jemi njëlloj të barabartë. Ajo është e njëjtë për të gjithë. Askush nuk është mbi ligjin, i paprekshëm prej tij, imun ndaj tij. Ka ardhur koha që ju, në atë Kuvend, me një vendim solemn, të vendosni heqjen e çdo imuniteti për anëtarët e tij. Imuniteti parlamentar është legjitimim i së keqes, i së paligjshmes dhe i frikës nga ndëshkimi për shkeljen e ligjit. I vetmi imunitet që ju duhet të keni është për fjalën tuaj të lirë si ligjvenës, siç ndodh në Mbretësinë e Bashkuar, në Shtetet e Bashkuara, në Kanada, Suedi, Norvegji, Hollandë, në Australi apo në Zelandën e Re. Në këta vende, anëtarët e parlamentit mund të hetohen, të arrestohen e të ndëshkohen si çdo qytetar i zakonshëm.
Mos u ligështoni e mos u mashtroni nga halli i kryeministrit se SPAK po ndërhyn në punët e ekzekutivit dhe se kërkesa e tij për pezullimin nga detyra e ministres dhe zëvendësministres në fjalë dëmton veprimtarinë normale të qeverisë. Jo. Aspak.
I njëjti kryeministër, sot në mandatin e tij të katërt në krye të qeverisë, ka shkarkuar nga detyra që ai vetë u ka dhënë dhjetra ministra e shumë zëvendëskryeministra kur ka dashur e si ka dashur. Asgjë nuk rrezikon qeverisja e vendit nëse nga kabineti qeveritar largohet edhe një, sidomos në rrethanat ulëritëse për të cilat bëhet fjalë. Asnjë qeveri nuk varet nga—dhe nuk mbahet me—një anëtar të kabitetit të vet; askush nuk është i pazëvendësueshëm në postin që ban dhe në funksionin që kryen.
Në ndërgjegjjen tuaj varen fatet e vendit. Kartoni në dorën tuaj do të dëshmojë ndërgjegjen tuaj, nëse e keni të pastër atë ose jo, nëse keni kurajë ose jeni frikacakë, nëse e doni këtë vend e këtë popull ose jo. Të tjerat, fjalët që thoni, ligjëratat që mbani, premtimet që bëni, nuk kanë asnjë vlerë dhe asnje rëndësi.
Nga ju kërkohet dhe pritet të votoni pikërisht vlerat dhe bindjet në të cilat besoni. Nëse nuk jeni të lirë ta bëni këtë, ju meritonin të quheni skllevër të frikës suaj.
Një armë, kur e mbaj me leje, mund ta përdorësh për t’u mbrojtur, ose për të vrarë. Armët tuaja në Kuvend janë fjala dhe kartoni. Me to mund të mbroni karriken tuaj, por edhe mund të vrisni frikën tuaj. Mund të mbroni interesin publik, por edhe mund të vrisni besimin dhe pritshmërite e qytetarve të këtij vendi.
Barra e përgjegjësisë mbi supet tuaja është mjaft e rëndë. Nëse e keni marë vetë mbi supe atë barrë, mbajeni denjësisht; nëse ua ka ngarkuar i pari juaj dhe ju e keni pranuar jo për ta mbajtur denjësisht, jeni servilë e frikacakë dhe do të mbeteni e do të mbaheni mend përherë si të tillë.
Unë njoh në Kuvend gra e burra të ndershëm e kurajozë, por më të shumtët, fatkeqësisht, nuk janë të tillë. Dhe nuk e di nëse kanë qenë ndonjëjerë ose mund të bëjen të tillë—të ndershëm e kurakozë. Po ata që janë, shpresoj edhe këtë herë ta dëshmojnë ndershmërinë dhe kurajën e tyre qytetare e politike. Të mos harrojmë: të gjithë jemi të vdekshëm, pra të përkohshëm; i pavdekshëm te çdonjëri nga ne është vetëm nderi.
Ka qindra ish-parlamentarë ky vend që sot nuk u hedh njeri sytë në rrugë a në lagjet ku banojnë. Bëhuni nga ata që kur të jeni edhe ju një “ish”, të mbaheni mend për mirë, për ndershmërinë dhe kurajën tuaj, e të respektoheni në qytetet nga keni ardhur e ku banoni nga ata që ju kanë votuar.
E kur të vini në një moshë si unë, apo më tej se unë, të mos u gëzoheni parave që keni bërë apo pensioneve që do të merrni, por vlerësimit e respektit publik për punët e mira që mund të keni kryer dhe për qendrimet e drejta që mund të keni mbajtur kur nga ju, si ligjvendës, është kërkuar pikërisht kjo. Siç kërkohet edhe sot.
Shumica e shqiptarëve i kanë kthyer besimin dhe shpresat e tyre te SPAK, një organ i drejtesisë sonë të re; sot, sytë dhe vëmendja e tyre janë kthyer nga ju, ligjvenësit e këtij vendi. U deshën gjashtë vite që shumica e qytetarëve t’i besojnë SPAK-ut; besimi te ju nuk është arritur ende. Sot keni një shans të vërtetë për ta fituar atë. Si?
Është fare e thjeshtë. Lëreni drejtësinë të bëjë punën e vet. Mos i vini gurë në njërën anë peshores së saj për ta penguar. Kjo është mënyra e vetme për t’u bërë pjesë e Europës.
Unë e dua Shqipërinë në BE, por nuk dua që shqiptarët të hyjnë në BE me qeveritarë që vjedhin, që vjedhin paratë e BE-së, por më shumë akoma vjedhin paratë tona, tuajat, të miat, të çdo shqiptari.
FATOS TARIFA
