Enver Kushi
Në krye të herës, përtej fjalëve gati-gati rutinë, duke përshëndetur Akademinë e Arteve dhe Shkencave, profesorët e nderuar Fatos Tarifa, Ksenofon Krisafi për organizimin e kësaj veprimtarie përkujtimore shkencore në 2-vjetorin e kalimit nga kjo jetë të Moikom Zeqos, njeriut dhe krijuesit shumëdimensional, si dhe Lidën, Arnisën, Kleitën, Epidamnin, por edhe miqtë e shumtë të tij në këtë sallë e jashtë saj, në Shqipërinë Londineze dhe atë kontinentale si Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, diasporë, më lejoni të ndaj me ju, si amanet, gëzimin e Moikom Zeqos.
Shtëpia Botuese “24 Gramata”në Athinë ka botuar antologjinë poetike dy gjuhëshe shqip dhe greqisht “MAGJIA E INFINITIT”, të Moikom Zeqos, përkthyer prej Petro Çerkezit, këtij krijuesi fisnik, që vjen nga minoriteti grek në Shqipëri Petro Çerkezi mes të tjerash, në parathënien e këtij botimi, shkruar me shumë kulturë e dashuri, thotë: “Zeqo është ndoshta poeti më i guximshëm i letrave shqipe, një vizionar me përmasa të mëdha që prej kohe, ka kaluar kufijtë e Ballkanit. Metafora është shtëpia e tij, simbolika qielli i tij. Frymon me malet dhe detet, ndërton shkallë me të gjithë poetët e botës ( të gjallë e të vdekur), mishëron kulturën e shekujve dhe ndërton kullën e vet fastastike me një stil modern, duke përçuar mesazhe universale . . . “ Faleminderit Petro Çerkezit! Faleminderit poetit Kristo Tumanidhi redaktor i këtij libri që e njihte nga afër Moikom Zeqon! I bëj këto falenderime në emër të Moikomit, shpirtit të tij, sepse jam dëshmitar i bisedave me të e që e priste me padurim këtë libër, në gjuhën e Homerit, Kavafit, Seferit, Elitit, Ricosit, Kazanzaqisit .
Prof. Fatos Tarifa, para disa javësh, më telefonoi duke më thënë se më 15 të këtij muaji, Akademia e Arteve dhe e Shkencës dhe do të përkujtonte emrin dhe veprën e Moikom Zeqos e se edhe unë do të referoja, ndoshta disa kujtime për të. E falenderova profesorin dhe e mendova gjatë se për çfarë mund të flisja në këtë përkujtimore . . . Mendova të sillja disa kujtime që nga njohja jonë në shtator të vitit 1967, vitet studentore, zborin në një repart ushtarak në periferi të Shkodrës gusht-dhjetor 1971, më pas vitet 1973-1975, ku Moikomi erdhi në shkollën e mesme të qytetit të Rrogozhinës ose më saktë, dënuar nga Pleniumi IV, pastaj vitet më pas, vitet ’90, kur Moikomi u bë ministër i Kulturës (jo më shumë se 6 muaj), e veçmas vitet 2001-2005, kur Moikomi ishte drejtor i Muzeut Kombëtar apo vitet e sëmundjes së papritur e veçmas verën dhe vjeshtën e vitit 2019, kur ai u shtrua në dhomën 10, të Pavionit të Hematologjisë. Pastaj ndërrova mëndje dhe prof.Tarifës i dërgova këtë temë referimi: “ Letrat e Moikomit, si kronika të kohës dhe njerëzorja në to”.
Unë nuk dua ta paraqes veten si kryemiku i Moikomit, pavarësisht në miqësinë tonë të gjatë, fjala “mik” është përtej kuptimit të kësaj fjale. Dua të nënvizoj një të veçantë në këtë miqësi: letërkëmbim me të dhe fatin që jo vetëm i kam ruajtur, por që i gjeta javën e katërt të karantinës, kur ishim mbyllur “në shpellat tona”, do të thonte Franc Kafka. Po sistemoja arkivin tim modest, kur në një dosje të vjetër kartoni me ngjyrë gri të hapur, ishin ato: letrat e Moikomit. E hapa kapakun e dosjes gri dhe ndjeva menjëherë një aromë të çuditshme vitesh dhe kohërash. Pastaj i lexova një nga një, duke dëgjuar mes rreshtave të një shkrimi si prej një dore murgu erudit, zërin e Moikimit që vinte nga muaj, stinë dhe vite të ndryshme. Ishin 25 letra, që fillojnë nga janari i vitit 1972 deri me 5 prill 1973, ndërpriten në këtë muaj, sepse Moikomi i dënuar nga Pleniumi IV, e sollën mësues në shkollën e mesme të Rrogozhinës, për të rifilluar më 12 prill 1976 dhe mbyllur me 4 letrat e fundit: 5 tetor 1996-10 qershor 1997, kur ai, bashkë me Lidën, Arnisën, Kleitën dhe Epidamnin, ishin në Uashington DC, për studime.
Nëse do të zbërthenim kuptimet fillestare të fjalëve letër, letërkëmbim apo komunikim, do të nënvizoja “ fletë ku shkruajmë diçka dhe i a dërgojmë dikujt larg nesh, këmbim i letrave me dikë, hyj në lidhje me dikë etj. etj.
Sot në kohët moderne të globalizmit dhe revolucionit të paparë të internetit dhe rrjeteve sociale, kuptimet e mësipërme të fjalëve letër, letërkëmbim etj. kanë dalë jashtë mode, duke e çuar njeriun në shkretëtirë shpirtërore. Letrat e shkruara nga duart njerëzore, kanë një peshë tjetër, ndërsa ato që shkruhen nga mëndje krijuese, siç ishte Moikimi, ku bëhen bashkë njeriu dhe poeti, njeriu dhe shkrimtari, njeriu dhe eruditi i rrallë, pesha e tyre e shumëfishtë, do të thoja sa shpirtërore, aq edhe si kronik, i kalon këto caqe. Thelbin e kësaj Moikom Zeqo pak a shumë, e shpreh në letrën që më ka dërguar në datën 15 maj 1972:
“Lexoja një ditë vargje nga folklori. (Shpesh foklori është si ata gurët që duken të zakonshëm, por që kanë minerale të jashtëzakonshëm). Aty letrat krahasohen me pëllumbat. Mendoj se populli s’ka patur parasysh vetëm ngjyrën e bardhë . . . “
Dhe përtej fjalëve, gati-gati të njejta, që përsëriten në çdo letër si:” I dashur Enver!, Veri!, I dashur Veri!, Veri!, Të përshëndes! Apo thjeshtë Veri”, shkruar, siç thashë më lartë, me një kaligrafi të çuditshme, ndjen zërin njerëzor, shpirtin e madh të njeriut dhe mikut, por edhe atmosferën e kohës. Ato janë shkruar herë-herë me nxitim, herë-herë në qetësi, në zyrat e redaksisë “Drita”, restorantet e Tiranës, shtëpinë e vjetër në Durrës, nga ballkoni i së cilës, dukej muri i vjetër rrethues i Durrësit, shtëpinë e re, nga ku dukej deti e stacioni i trenit dhe trenat e pasagjerëve e deri në Uashingtonin e largët. Dhe kudo në këto letra me hapërira kohore dhe gjeografike, është Moikomi ynë apo Tovi ynë, edhe si kronikan, duke dhënë një informacion për Tiranën dhe atmosferën në kryeqytet, veçmas në vitet 1972-1973, që ishte shumë më ndryshe, sesa në kohën tonë, ku kujtesat e saj po zbehen, duke e kthyer në një qytet ku betonimi, po varros të shkuarën.
Më 15 maj 1972, Moikimi mes të tjerash shkruan për Qytetin Studenti: “Tani është pranverë. Studentët ikin, ikin. Qyteti i Studentëve boshatiset. Tani hapat në këtë qytet tingëllojnë çuditshëm në vetminë e tyre.
O ç’qytet, ç’qytet!”
Në këto letra Moikimi përshkruan Tiranën në jetën e saj, rrugët e pastra, trenat, xhirot, vapën e verës, restorantet, Lidhjen e Shkrimtarëve, atmosferën në të, redaksinë e gazetës “Drita”, debatet etj. etj.
Në letrën e datës 1 qershor 1972, ai më shkruan: “Letrat e tua gjithmonë më gëzojnë. Sot dielli ka mbuluar ajrin dhe është shpërndarë kudo, kudo. Ç’është kjo vapë? Po në Rrogozhinë si është koha? Tirana s’përfytyrohet dot pa vapën . . . “ Dhe më pas ai përshktruan, si në një etyd filmik, që unë do ta titulloja “ Fillim qershori në Tiranë”:
“Akullore, vajza, plazhi, trenat. Qytet prej dielli. Ç’është ky tropik? Mos janë ngatërruar meridianët? Mos drurët e mbjellë në rrugët e Tiranës do çelin banane ose arra kokosi? Duhet shkuar në breg të detit dhe të shohim ashtu, si plaku i Hemingueit në ëndërr luanë. Krifat e luanëve janë ndoshta retë, që vërtiten kot në muzg. Mungesë shiu. Shi. Shi. Ujë-vetëm ujë mund të krijonte legjendat e folklorit”. Tirana e fillimviteve ’70, vjen me imazhe sureale, si “kaloi një vit (jemi më 5 janar 1973). Unë kam këtë impresion: Shkon njeriu te këndi i lojrave, pranë sheshit ”Skënderbej” dhe shikon fëmijë hipur në kuajt, mjellmat, delfinët dhe figurat e tjera zoologjike tek arinjtë, te cirku që rrotullohet. Në vend të këtyre figurave të drunjta, ne u kemi hipur ditëve të vitit i tërë në fakt është një cirk vërtitës. I pandarë nga zhvillimi. . . “ Apo edhe kronika e restoranteve të kryeqytetit: “Në restorant hynin dhe dilnin njerëz. Vajza bjonde ( flokët bjonde më qetësojnë shpirtërisht, kurse të zestë nuk di pse më shqetësojnë (9 tetor 1972).
Mendoj se me interes është kronika mbi atmosferën letrare në Tiranë dhe Lidhjen e Shkrimtarëve. Ai herë pas here më informon se “Unë kam shkruar vjersha. A e le lexove ciklin që botova tek “Zëri i rinisë”? Cikli bëri një farë jehone. . . “( 19 mars 1972). Ose më 28 shkurt 1972, me dërgon dy strofa, që sapo i ka shkruar:
Zëri im ka mbirë si një pemë me gjethe të gjelbra fjalësh
Në bregun më të lartë të këngës
Me zërin tim lëvizin gjithë stinët,
Erërat dhe dielli.
Bie përmbys mbi tokën
Dublohen nga gurët, relieve i saj gjigand
Te formula e elementëve kërkomëni
Në ajër, në ujë dhe në diell dua të më gjeni.
Nuk mungojnë në këto letra informacionet për krijuesit e tjerë, me të cilët kemi qenë bashkëstudentë, si “Kam marrë letër nga Niko Kacalidha. I shkrova edhe unë letër. I dhashë adresën tënde” (28 shkurt 19972). Sefedin Çelën e tërhoqën në Skrapar ( do hapet një gazetë lokale dhe e tërhoqën për dy vjet). “Kam lexuar romanin e Kadaresë “Vitet 60”, si edhe 5 tregime të tij, që do të botohen tek “Nëntori”. S’kam fjalë. Gjithë këto ditë kam ndjerë peshën e madhe të letërsisë, si kurrë ndonjëherë. S’kam fjalë . . . “ (5 tetor 1972). “Në këtë numër “Nëntori” ka dy tregime të bukura të Thanasit”. Është fjala për Thanas Dinon (25 janar 1972). Nuk mungojnë të falat nga Shefki Karadaku, Llazar Vero, apo një takim me Tomorr Domin.
“Për romanin e Kadaresë, Quhet “Dimri i një vetmie të madhe”. Vetmi e dyfishtë. Romani është 500 faqe dhe del nga shtypi besoj nga muaji shkurt ose mars. . . Për mendimin tim ky është romani më i mirë i Kadaresë. Një çudi letrare dhe vepra ku Kadareja ngre probleme të mëdha tronditëse” (5 janar 1973). “Doli edhe romani i Ismail Kadatresë” (5 prill 1973)
Me shumë interes është kronika mbi atmosferën në Lidhjen e Shkrimtarëve. Në letrën e datës 5 janar 1973, ai më shkruan: “ Gjëja më e pabesueshme sot, ishte çelja e luleve të mimozave në lulishten e klubit të Lidhjes. Atmosfera letrare është e shqetësuar, ka debate të mëdha, kontradikta . . . “
Vetëm kaq, për të nënkuptuar se pas çeljes së mimozave në lulishten e klubit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, në palcën e dimrit, do të vinin ca stinë të akullta, ku shumë shkrimtarëve e artistëve do t’u bëhej një nga gjyqet më të egra nga Pleniumi IV. Një nga këto viktima do të ishte Moikom Zeqo, zëri më i fuqishëm dhe në pararojë të modernizimit të poezisë shqipe, që siç shkruan Vangjush Ziko në librin “ Moikom Zeqo, centaurui i poezisë moderne: “Risija e tij ka të bëjë me procesin e perceptimit dhe të mishërimit konceptual të realitetit dhe me “ rimagnetizimin” e figurave artistike, të metaforës dhe të alegorisë”. Dhe në vazhdim të këtyre njoftimeve si kronika, në letrat e tij gjejmë edhe të tilla: “Të dielën pasdite u dha simfonia e 5-të e Ludvig Van Bethovenit. Qe një shfaqje e bukur. Duhej patjetër të ishe dhe ti” (12 qershor 1976),”Besoj se po e lexon Garcia Markesin. Ç’libër i çuditshëm: një konstelacion imazhesh të habitshme etj. Lexim të mbarë!”( 12 nëntor 1980).
Të një natyre tjetër, e kam fjalën jo vetëm për informacionin e gjerë që japin, por për idetë që shpalosin, këndveshtrimin “ moikomian” të realitetit të trazuar shqiptar në vitet 1996-1997, kanë letrat që më ka dërguar nga Uashingtoni. Nuk do të zgjatem në interpretimin e këtyre letrave, sepse do të bëj një shkrim për to, por edhe këtu kemi Moikomin që “ shkruaj papushim”, “kam shkruar edhe 50 poezitë e para direkt në anglisht”, “Veri, nuk di a doli nga shtypi (Toena) libri, që kam shkruar unë për Dritëronë?”. “Shuteriqi më shkruante një letër për një takim që pati me ty. . . “
Mbaj mënd, në një ese të shkëlqyer “ Mes artit dhe shkencës”, shkruar shumë vite më parë nga poeti brilant Frederik Rreshpja, thuhet: “Për të shkruar për librat e veçantë të Zeqos duhet kohë, kujdes, tendosje dhe padyshim shumë dashuri. Sepse ai e meriton këtë dashuri. Ai vetë ka dhënë dhe jep dashuri”.
Për Moikom Zeqon janë shkruar libra, qindra shkrime. Edhe në këtë përkujtimore, u evidentuan vlerat shumëdimensionale të tij. Edhe në të ardhmen do të shkruhet për fenomenin apo talentin, poetin, prozatorin, eseistin, ankeologun, studiuesin, mendimtarin Moikom Zeqo.
Po për njeriun Moikom Zeqo “që ka dhënë dhe jep dashuri” a do të shkruhet? Mendoj se po.
Vasil Vasili, një emër pak i njohur në Shqipëri e që ndërroi jetë para disa muajsh, në librin “Përkthimet e kohës, poetika e Moikom Z” (botuar në vitin 2018), shkruan: “ Brenda njeriut Moikom shkruan krijues, Moikom. Ata s’janë kurrë të barabartë. . . “
Është e pamundur së paku ne që e kemi njohur nga afër, ta shkëpusim njeriun Moikom nga krijuesi Moikom, që siç shkruan Vasil Vasili, pavarësisht se “krijuesit i është dhënë një gjuhë që e privilegjon”.
Unë, sa herë u rikthehem leximit të letrave të Moikom Zeqos, dëgjoj zërin e tij që është i veçantë, shumë-shumë njerëzor! Para disa javësh në të përditshmen “Dita” publikova parathënien e librit “ Liria në Budapest”, shoqëruar edhe me tri letra të Moikomit, shkruar nga 9 shtatori i vitit 1988 deri me 10 prill 1989. Thuhet se fatet e njeriut janë të paracaktuara që ditën e tretë të lindjes së tij. Lum ai që di të përballet me të papriturat e jetës. Lum ai që në këto përballje ka pranë jo vetëm të afërmit, por edhe miqtë. Unë do të veçoja në ato momente dramatike, krahas shumë miqve, atë të Moikomit por edhe të Lidës . . . Do të veçoja njerëzorin Moikom dhe e përsërish: njerëzorin Moikom. . . Atë ditë që u publikua ky shkrim te “Dita”, prof. Ksenofon Krisafi, dërgoi një sms shumë prekëse dhe të ndjerë, për të cilën e falenderova me një shkrim të shkurtër, botuar po në të përditshmen “Dita”.
Vetëm Moikomi, njerëzori Moikim, që nga letra e parë dhe deri tek ajo e fundit, tregoi një kujdes të veçantë, me këshillat dhe këmbënguljen e tij, që unë të shkruaj prozë të shkurtër, që tregimet t’i përmbledh në një libër, që mos të dekurajohesha kur ma kthyen jo një herë, por tri herë librin e parë me tregime, se ka biseduar me Sami Çabejin, shefin e prozës së shkurtës në Shtëpinë Botuese “ Naim Frashëri”, apo më urion për 2 a 3 çmime vjetore që më ka dhënë gazeta “Drita”, si dhe për botimin më në fund në vitin 1989, të librit tim të parë “Porta e madhe”. Është ai, që më 25 korrik, shkruan: “Sfidoje gjithçka, duke shkruar ankthin e madh të Jugut, tragjedinë që ti e di kaq mirë, temën tënde të jetës . . . Shkruaj për krahinën me emrin e lumit Thiamis . . . Është një univers i tërë. Duhet ç’ngurëzuar, duhet kthyer në art të fjalës, në mesazh.
Moikom! Tovi ynë i dashur. Të jam mirënjohës deri në vdekje.
Dhe në përfundim, do të shtoja se në një libër të dy studiuesve amerikanë, njohës shumë të mirë të Lindjes dhe mistikës, mes të tjerave shkruhet : “ Betejat e lashta arabe nuk i ngjason fare betejës moderne, megjithëse kishte raste kur vriteshin njerëz . . . Ndonjëherë heronjtë e vërtetë të betejave ishin poetët e jo shpatarët. Tregohen histori për luftra fisesh me përvojë të madhe në luftë, të cilët janë tërhequr mprapsht të dëshpëruar, pasi ua kishte marrë erzin ndonjë poet i madh. . . “
Në Shqipërinë tonë të traumatizuar në këto 30 vite tranzicion, që është ndeshur edhe në beteja absurde si në vitin 1997, por edhe në beteja politikanësh, ku në vend të shpatave, kanë patur shpatat e një gjuhe më të egër se ato të armëve, na duhen poetë dhe mendimtarë si Mokimi.
Po e mbyll fjalën time, duke cituasr prof. Agim Vincën: “Ave, Moikom, Miku ynë, fjala e vërtetë nuk vdes kurrë!
Shënim: Fjala e mbajtur në Konferencën Shkencore, orgazuar nga Akademia e Arteve dhe Shkencave për Moikom Zeqon.