Nga Fatos Tarifa
Në kryqëzim të rrugëve “Vaso Pasha” dhe “Ismail Qemali”, në hyrje Bllokut, ka qenë, deri pak kohë më parë, një librari shumë e mirë. Nuk është më. Në vend të saj sot është një dyqan që shet ushqim për kafshë shtëpiake!
Nga një librari ku njerëzit gjenin ushqim për mendjen dhe shpirtin, tani gjejnë ushqim për kafshë. A thua sot në Tiranë, veçanërisht në këtë zonë të Tiranës së Re, ka më shumë familje që kanë një qen a një mace në shtëpi sesa familje që kanë libra për të rriturit dhe për fëmijët e tyre?!
A thua jemi bërë kaq të pasur, postmodernë dhe post-humanë sa të kujdesemi më shumë për kafshët sesa për ushqimin e mendjeve e të shpirtrave tanë?
Ndoshta. Kur sheh kaq shumë njerëz rrugëve që tërheqin (apo tërhiqen nga) një qen dhe kaq pak njerëz që mbajnë në dorë një libër dhe lexojnë kur ulen në një kafé, në një park apo ndërsa udhëtojnë shtatë a tetë stacione me autobuzët urbanë, të duket se është vërtet kështu. Pa përmendur kohën që u kushtojnë bisedave për bëmat e maceve e të qenve të tyre (në këtë sezon edhe për “VIP”-at e Big Brother), ndërsa nuk flasin kurrë për një libër të lexuar kohët e fundit.
Nuk kam asgjë kundër kafshëve shtëpiake. Si fëmijë i vogël kam pasur një mace në shtëpi, të cilën, gjyshi im, i sapo kthyer Buenos Aires, ku qëndroi për 30 vite në mërgim, e quajti Çikita (Chiquita). Nipi im 7-vjeçar u gëzohet dy a tri peshqve të vegjël në akuarium, të cilët nuk harron t’i ushqejë mëngjes, drekë e darkë. Por ata nuk e kanë privuar nga librat për moshën e tij dhe nga leximi i tyre.
Ajo librari në kryqëzim të rrugëve “Vaso Pasha” dhe “Ismail Qemali” fatkeqësisht nuk është më. Nuk është më as libraria “Albania”, edhe ajo shumë e mirë, në rrugen “Sami Frasheri”. U mbyll dhe ajo disa kohë më parë. Në vend të librave, në atë mjedis nisën të shiten jastëk, çarçafë e jorganë dhe, më pas, fast food.
Me një a dy përjashtime, Tiranës i mungojnë libraritë. Mendoj se do të ishte me shumë dobi për qytetarët, veçanërisht për të rinjtë e kryeqytetit, që të çeleshin disa (ndoshta dhjetë) librari bashkiake, 1 për afro 100,000 banorë, të bukura e me hapësirë, në udhëkryqe të rëndësishëm të qytetit, që të ishin pronë e Bashkisë së Tiranës. E theksoj, pronë e Bashkisë, librari të komunitetit dhe për komunitetin, jo pronë private. Dhe mund të ishin financiarisht rentabël. Të ardhurat nga shitjet do t’i shkonin bashkisë për të mbuluar pagat e librarëve dhe shërbime të tjera të dobishme për qytetarët.
Tirana ka shumë nevojë për librari dhe Bashkia ka çdo mundësi t’i krijojë ato për banorët e saj. Libraritë, siç kushdo që ka udhëtuar ose jeton në Europë e di fare mirë, janë pjesë integrale e qyteteve modernë.
—-
©️Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
